Mbrëmja për 45 vjetorin e restorantit të familjes Selimaj ju dha mundësinë miqve, dashamirëve e klientëve të ftuar nga nikoqirët jo vetëm të shprehnin vlerësimet e mirënjohjen e tyre për bashkatdhetarin Bruno (Shuqri) Selimaj, dhe të reflektojnë më thellë për veten. Për sa i takon anës së biznesit, Bruno ka hyrë në listat e restoranteve më të mira me menu italiane që nga koha e hapjes në vitin 1978, një jetëgjatësi që është e rrallë për vetë standardet e industrisë ushqimore në Nju Jork. Klasifikimi Zagat, anketimi më i njohur i restoranteve, shkruante se nëse shkon aty për herë të dytë, Bruno ta mban mend emrin.” Parametrat e matjes së suksesit në biznes mund të jenë fama, paratë etj., por përsa i takon bashkësisë shqiptare restoranti luksoz në lagjen verilindore të ishullit Manhattan ka qenë “vend takimesh dhe vendimesh të shumta për aktivitetet e komunitetit shqiptar për kombin në përgjithësi e për Kosovën në veçanti,” siç tha Xhevat Kukaj, gazetar dhe veprimtar nga treva Plavë-Guci. Folësit u përqendruan në disa momente kyçe të jetës së Brunos dhe veprimtarive te Bruno – restoranti që dekadë pas dekade ishte sinonim me përpjekjet e diasporës për çështjen kombëtare. Christopher Hyland, ish-Drejtori Kombëtar Politik i Fushatës së Presidentit Clinton, përcolli urimet e tij dhe vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Brunos në të mirë të njohjes sa më të mirë të situatës të shqiptarëve në Kosovë.
Z. Kukaj e quajti Brunon –zemra e shqiptarit- ndërsa cilësitë humaniste të Selimajve i vendosi në kontekstin e bujarisë, mikpritjes dhe dashurisë për atdheun, si “traditë e trashëguar nga të parët e tyre Nokshiqan, të cilët u shkrinë e dogjën për atdheun sa herë që ishte nevoja.” Mikpritja te Bruno manifestohej në shumë forma që nga dhënia e mundësive të punësimit dhe aftësimit të shumë shqiptarëve te mbështetja materiale e shumë botimeve, projekteve e radio programeve në gjuhën shqipe. “Nuk ka demonstratë e protestë, aktivitet e manifestim kombëtar që nuk ishte Bruno prezent,” tha Kukaj në fjalën e tij përshëndetëse. Për veprimtarinë humanitare e patriotike dhe kontributin e tij, midis të tjerave, Bruno është vlerësuar me tituj e dekorata nga Presidenca e Shqipërisë dhe e Kosovës, çertifikatë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Agron Selimaj, bashkëpronar dhe manaxher i Club A Steakhouse, biznes që u hap në 2018, prej restorantit Bruno, bëri një përshkrim të prekshëm me episode ku ilustrohej jeta e familjarëve në të cilën përçapjet për biznesin zënë vend qendror por përparësia, siç tha ai, “u vendos se ishte familja.” Ai lexonte me emocion nga telefoni i tij para mikrofonit të vendosur në krah të barit me dru ekzotik, rrethuar nga anëtarët e familjes, bashkëshortja, vëllezërit Arben dhe Alban, të cilët punojnë bashkë me të. Bruno e kishte përjetuar skamjen në vendlindje dhe erdhi në Amerikë nga dëshira për jetë më të mirë. “Pasioni dhe vullneti – Pasion and will – janë çelësi i suksesit të tij,” tha Agroni.
Të mbash një restorant për 45 vjet është një arritje e rrallë, siç pohuan shumë nga të pranishmit një pjesë e të cilëve janë vetë në këtë biznes. Suksesi si restorantor duke pasur në krahë familjen e tij dhe njëherësh duke qenë një aktivist i përkushtuar në bashkësinë shqiptare amerikane e vendos Brunon në një kategori të rrallë mes bashkatdhetarëve.
Mbaj mend se Bruno na priste me shprehjen ‘jeni n’ shpin’ tuj” kur shkoja me babin dhe anëtarët e familjes qysh në mesin e viteve 90-ta. Atëherë disa nga ne ishim të sapoardhur në Amerikë. Bruno dhe Kumrija (Kathy) – nikoqirë fisnikë dhe bujarë prisnin e përcillnin sipas traditës shqiptare pa orar e pa ditë pushimi. “Te Bruno” ishte “oda” për takime të komunitetit, për pritje të personaliteteve por edhe festimet e ditëlindjeve. Si në atë kohë, edhe sot e quajnë “Shtëpia e Shqiptarëve”. Kur kaloje pragun dhe hyje brenda, Bruno kishte përgjatë perimetrit të sallës një mural me ngjyra të ndezura nga piktori i lindur në Romë Giancarlo Impiglia. Dekorimet, mermeri dhe menyja janë të stilit italian, por brendia është fryma shqiptare. Prej pragut të restorantit e matanë është rruga 58 midis avenysë 2 dhe 3 në Nju Jork. Nga pragu e këndej është pjesë shqiptare. Ashtu si ndodh përgjatë autostradave apo në kalime kufitare, në hyrje duhet të vëmë një pllakë a një tabelë me mbishkrimin: You are now entering Albanian heartland.
Motra ime Julika kujton se xhaxhai Peter Prifti dhe pastaj edhe babai ynë Naum Prifti e quanin Brunon Patrioti Numër 1. Në restorantin e tij mbaheshin mbrëmje patriotike për mbledhje ndihmash, takime me diplomatë e personalitete shqiptare, me kongresistë e senatorë amerikanë, bëheshin provime të shumë librave të autorëve shqiptarë, kosovarë e nga trevat e tjera shqiptare. Babai thoshte se Bruno e jepte një të tretën e fitimeve të tij për luftën në Kosovë. Ai qe i pari që e punësoi Naum Priftin në Amerikë, duke i dhënë mundësinë të bënte punë intelektuale të përditshme – që është fat i rrallë për emigrantët e sapoardhur. Bruno Selimaj dhe Dino Hasanaj ishin nismëtarët dhe sponsorët e librit Kombi, për hartimin e një vizioni mbarëkombëtar me mendimet e specialistëve shqiptarë. Babai ishte bashkë koordinator dhe redaktor i vëllimit. Ne e kemi dëgjuar babanë të thoshte se Bruno nuk i ra kurrë gjoksit dhe nuk u mburr kurrë për punët e mëdha që ka kryer nga hera për të mirën e shqiptarizmit. Ai nuk ka kërkuar asgjë për shërbimet dhe kontributin e tij, por është i mirënjohur anë e mbanë për bujarinë e tij.
Në mbrëmjen e 45 vjetorit në emër të familjes Prifti i dhuruam Brunos foton e festimit të 65 vjetorit të babit, më 7 mars 1997, bashkë me mirënjohjen tonë. Dëshmia më elokuente e influencës së Brunos për bashkësinë shqiptare janë pasardhësit e brezit të babait – ardhja e vajzave në këmbë të babait, dhe fëmijët tanë në gjurmët e prindërve të tyre.