Rafaela Prifti: Hirësimi i Nikodhimit Peshkop i Bostonit dhe Dioqezës Shqiptare – Provë për kishën dhe komunitetin shqiptar

Arkimandriti Nikodhim është Peshkopi i Bostonit dhe i Kryedioqezës shqiptare nën kupolën e Kishës Ortodokse në Amerikë (OCA). Besimtarët pjesëmarrës në shugurimin ceremonial të tij në 16 shtator në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në lagjen Bostoni i Jugut (South Boston) e ndiejnë rëndësinë historike që ka ky moment. Peshkopi Nikodhim eshte pasadhës i Hirësisë së tij Nikon (Liolin) (1945-2019) i cili e ishte mësuesi i tij, ndërsa ai vetë pohonte se ishte pasuesi i Metropolitit Fan Noli (1882-1965). Ruajtja e vazhdimësisë nënkupton stabilitet dhe qëndrueshmëri, të cilave kisha si institucion u kushton shumë vëmendje. Artur Lionlin, ish-Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Bostonit, ku ka shërbyer për 50 vjet, dhe vëllai i Peshkopit të mëparshëm, tha se ceremonia do jetë diçka e paharrueshme për të gjithë ata që do kenë fatin të jenë dëshmitarë. At Liolini nuk mund të ishte fizikisht i pranishëm, por nëpërmjet birit të tij Evans tha: “Jemi të kënaqur të shohim vazhdimësi për Kryedioqezën Shqiptare.”
Hirësisë së tij i është dhënë titulli Kancelar Nderi në vitin 2021 kur në atë post u vendos përkohësisht Igumeni Nikodhim.
https://www.stgeorgetrumbull.org/files/Announcements/Archiocesan%20Announcements/2021.02.11-Letter-to-Archdiocesan–Council-re-Appointment-of-Igumen-Nikodhim.pdf
Ceremonia ka peshë historike edhe për shkak të vendit të veçantë që ka Kisha e Shën Gjergjit në Boston për historinë e komunitetit dhe të kombit shqiptar. “Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë dhe Vatra kanë luajtur rol kyç për çështjen kombëtare, duke qënë dy shtyllat që kontribuan në momentet më të vështira për kombin shqiptar,” tha Kryetari i Nderit i Vatrës Agim Rexhaj. Në këtë ditë, Federata PanShqiptare e Amerikës Vatra përfaqësohej nga z. Rexhaj, Sekretarja Nazo Veliu, Editorja e Anglishtes së gazetës Dielli Rafaela Prifti dhe Petrit Alibeaj i Degës së Vatrës Boston.
Peshkopi Nikodhim, 44 vjeçar, i lindur Nathan Preston në një familje amerikane protestante nga Idaho, ka kryer studimet teologjike dhe ka shërbyer mbi dhjetë vjet në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Nikollës në Nju Jork. https://gazetadielli.com/father-nikodhim-gets-a-farewell-from-ny-st-nicholas-orthodox-church-to-start-as-bishop-of-the-albanian-archdiocese-in-america/
At Nikodhim u zgjodh Peshkop në Asamblenë e Dioqezës shqiptare në shtator të vitit të kaluar në Nju Jork. I pari peshkop joshqiptar i zgjedhur në këtë post do mbikqyrë tani kishat shqiptare nën kupolën e Kishës Ortodokse OCA. Shumë klerikë amerikanë dhe me prejardhje të tjera si ruse, rumune etj, kanë shërbyer dhe shërbejnë me përkushtim në famullitë e dioqezës shqiptare në Amerikë prej shumë viteve. Vetë At Nikodhim u përkujdes të përgatiste pasardhës si Dhjaku Eugen (Eugene), gjatë periudhës së shërbesës në Kishën e Shën Nikollës (Shën Kollit) në Nju Jork.
Numri i priftërinjve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe në dioqezën shqiptare nën Kishën Ortodokse në Amerikë është i pakët. Vala e emigratëve shqiptarë në këtë vend rritet me shpejtësi në dekadat e fundit. Fluksi e vendos më shumë në rend të ditës çështjen e përgatitjes së klerikëve për kishën.
Nga ana e tij, Hirësia e tij Tikhon, Kryepeshkop i Uashingtonit dhe Metropolit për Amerikën dhe Kanadanë, shprehu qëndrimin e Kishës Ortodokse në Amerikë ku aderojnë Dioqezat e pakicave midis tyre edhe ajo shqiptare që nga viti 1971. “Ndasitë etnike dhe gjuhësore nuk i shërbejnë punës në emër të Zotit,”- tha Kryepeshkopi Tikhon.
Komuniteti shqiptar ka ndjeshmëri për mbajtjen e liturgjisë në gjuhën shqipe. Në hirësimin e Nikodhimit u ndoqën nomet kanonike të ortodoksisë dhe gjatë betimit të Peshkopit të zgjedhur, veshjes me rrobet e hierarkut u kënduan hymne dhe lutje në shqip dhe në anglisht. https://gazetadielli.com/highlights-ahead-of-ordination-of-bishop-elect-nikodhim-at-saint-georges-cathedral-in-boston/
Në mbyllje, gjashtë klerikët pjesëmarrës në dorëzimin e Nikodhimit Peshkop e drejtuan të ulej në fronin e tij, shoqëruar me fjalët “I Denjë”. Duke mbajtur “stapin e peshkopit” – relike e paraqitur në foto dhe portrete të klerikëve paraardhës, Nikodhimi i saposhuguruar përmendi se gjatë përgatitjeve te diteve te fundit në kishë u gjet “pagëzori” i Nolit, i parë si shprehje simbolike e vazhdimësisë dhe unitet të dioqezës.
Mes besimtarëve pjesëmarrës në kishën e Shën Gjergjit ishin anëtarët e familjes Preston nga Idaho, të mbledhur në “A Big family reunion” (bashkim të gjerë familjar,) tha Nikodhimi.
Hirësimi i Nikodhimit Peshkop i Bostonit dhe Dioqezës Shqiptare shihet si provë për kishën dhe komunitetin shqiptar në përpjekjet për të qenë të bashkuar.