Rafaela Prifti:  Me Edi Pashkon pas koncertit në Carnegie Hall në N.York

Magjia Vjeneze dhe Rrënjët Korçare

 

Takimi spontan me çelistin e mirënjohur me origjinë nga Korça, Edison (Edi) Pashko pas koncertit të Filarmonisës së Vjenës në Carnegie Hall ishte një moment personal por jo vetjak. Gjatë dy orëve të programit në sallë ishim përqendruar tek sektori i violave dhe violinçelave duke ndjekur me vëmendje artistin shqiptar.

Edi, siç e thërrasin shkurt, është solist në violinçel në Evropë e Azi, dhe pjesëtar i një prej filarmonive më prestigjioze të botës.

 

Burrë rreth të 50 dhjetave me flokë të zinj dhe mjekër, që kanë nisur të shtrojnë pak bardhësi, Edisoni ka sy të qeshur dhe të butë dhe ka ruajtur të pastër të folurën e vendlindjes së tij, Korçës. Sapo shkëmbyem fjalët e para, i thamë se “jemi tanët” edhe për nga afërsia e të folmes mes Kolonjës dhe Korçës.

Ai rrezaton mirësi dhe thjeshtësi, cilësi të një artisti pa komplekse dhe të një mjeshtri të artit të tij, që përçohet në skenë.

 

Tek dalja anësore pas koncertit, aty ku zakonisht artistët takohen dhe urohen nga miq e të njohur, prezantimi dhe urimi shqip hapi menjëherë portat e bisedës:

 

-“Po prisnim të takonim këtë vit sepse vjet nuk na eci.”

 

-“Ashtu? Sa vite keni në Amerikë?

 

-“Që nga vitet 90′. Edhe unë aq vite kam në Vienë.”

 

-“Do vijë violinisti Shkelzeni Doli në turneun e arshshëm?”

 

-“Sapo ishim bashkë me Filarmoninë në Azi. Ai nuk erdhi në këtë pjesë të turneut.”

 

-“Në cilat shtete vazhdon tani programi juaj?”

 

-“Washington DC, Boston, Florida.”

 

-“Do kënaqeni atje me mot të ngrohtë.”

 

Edi Pashko është anëtar i përhershëm i Filarmonisë së Vjenës që nga viti 2013. Dhe seria e koncertit në Carnegie Hall, Nju Jork është pjesë e turneut amerikan të përvitshëm të Filarmonisë vjeneze.

 

Programi i së dielës me kryevepra nga Strauss dhe Sibelius nën drejtimin e dirigjentit nga Latvia Andris Nelsons konfirmon se suksesi është fryt i një pune titanike dhe një përkushtimi madhor nga artist si Edison Pashko. Ndërsa përshëndetemi, vjen shpejt ideja për tu parë në Vjenë, që, padyshim do jetësonte një dëshirë shumë-shumë vjeçare për të qenë në Koncertin e Filarmorinisë së Vjenës të vitit te ri në Sallonin e Artë në Musikverein. Takimi ndihej si një bisedë e hapur mes miqve në sfondin e magjisë vjeneze ku pasioni i artisti gërshetohet me dëshirat e adhuruesve bashkëatdhetarë.