Mbrëmjen e së shtunës në sallën Jordan Hall të New England Conservatory në Boston u dha koncerti gala nga shoqata bamirëse Albanians Fighting Cancer AFC – USA me tenorin e nivelit botëror Rame Lahaj dhe pianistin e kompozitorin e mirënjohur Genc Tukiçi. “Të gjitha fitimet nga biletat e koncertit shkojnë për të ndihmuar sa më shumë pacientë që i drejtohen shoqatës sonë për ndihmë,” tha Roberta Panariti Nashi, themeluesja dhe Kryetarja e AFC-së.
E veçanta e AFC-së është se krahas me mundêsinë për gjetjen e trajtimit të duhur mjekësot në klinikat amerikane, shoqata punon me ekspertë të sigurimit shëndetsor për ta lehtësuar ngarkesën financiare. Dhe rrjedhimisht, kujdesi nga mjekë të kualifikuar si edhe lehtësimi financiar ka ndikim të drejtpërdrejtë tek pesha psikologjike dhe emocionale që shoqëron diagnostikimin me sëmundjen e kancerit.
Koncerti shënon vitin e pestë të aktivitetit të AFC-së. Edhe pse e re në moshë, Shoqata është tashmë e njohur në komunitet duke kontribuar për trajtimin e më shumë se 220 individëve në një kohë të shkurtër. “Shoqata të tjera kundra kancerit kërkojnë të bashkëpunojnë me AFC dhe kërkesat vijnë duke u shtuar,” thonë organizatorët. Udhëtimi pesëvjeçar i AFC kulmon në këtë koncert bamirësie me zërin magjepës të Rame Lahaj dhe arranxhimet origjinale të kompozuara dhe interpretuara nga Genc Tukiçi në një mjedis elegant dhe klasik. Por, me të mbaruar koncerti, shoqata e kalon gjithë kontributin e dhënë në Jordan Hall tek pacienti që është në dhomën e mjekut apo në sallën e operacionit, tek një nënë që pret diagnozën e fëmijës, tek mësuesja që përshëndet për herë të fundit klasën e vet, tek një shoqe e fëmijërisë që nuk mund t’i përgjigjet më telefonit.
“Kauza jonë lidhet me realiterin e hidhur se nuk kemi kohë të mjaftueshme me një familjar, një mik a koleg. AFC është në krah të atyre që luftojnë për ditë për të pasur më shumë kohë me njerëzit tanë në jetë,” tha Roberta në përshëndetjen e saj në sallën Jordan Hall. Ky vend me histori 120 vjeçare mban peshë kyçe në arenën e muzikës klasike në Amerikë. Aty anëtarët e Bordit të AFC-së takohen me miqtë dhe bashkëpunëtorët, përfaqësues të shoqatave dhe të ftuar nga qytete afër dhe larg Bostonit, si nga Nju Jorku, Portland, Maine, nga shtete si Nju Xhersi, Florida etj.
Sponsore gjenerale e koncertit dhe administratore ekzekutive, Fotini Kokeri e Kosloski Family Foundation, e cila erdhi nga Florida, falenderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi ecurinë e suksesshme të AFC-së. Mentor Maksutaj, Kryetar i Degës së Vatrës Boston, u kujtoj të ftuarve se Fan Noli ka diplomuar në New England Conservatory në 1938, dhe e quajti të rëndësishëm bashkëpunimin midis shoqatave të komunitetit. Në emër të MAAS Besa përshëndeti Kryetari Sokol Lushllari.
Koncerti i 28 shtatorit është i dyti brenda dy viteve i shoqatës AFC USA qysh nga themelimi i saj.