Ramadan MUSLIU: Romani “Jeniçeri i fundit“ i shkrimtarit të famshem Jusuf Buxhovi

NJË ROMAN – KATARSË

Romani „Jeniçeri i fundit“ pikën nistore narrative e ka në ngjarjen e njohur të fundviteve te tridhjeta të shekullit XIX-të, kohën kur jo vetëm se bëhet çthurja e formacionit të jeniçerëve, por edhe zhdukja fizike e elementeve të fundit, të cilave i takon edhe personazhi i romanit.

Ramadan MUSLIU

Vepra letrare e Jusuf Buxhovit, që nga fillimi e deri tek botimet me të reja, merret me relievizim tematik të historisë. Duke qenë se historia paraqitet si një matricë tematike dhe se e mbizotëron tematikisht pjesën më të madhe të veprës së këtij autori, ajo shkon përtej masës tematizuese, sepse inkorporimi i historisë brenda një narracioni kaq të gjerë doemos se vjen duke u shtrirë përmes modaliteteve të tjera strukturore dhe kuptimore brenda tekstit letrar. Trajtimi i temës së historisë nga vepra në vepër dhe thellimi në historinë, qoftë si dokument apo ngjarje nga kontinuumi kohor, historia bëhet edhe si një lloj i arkitektonikës mendore, që zakonisht priremi ta quajmë „filozofi të historisë“. Prania e një arkitektonike të tillë e të menduarit ka bërë që ajo të jetë si një çelës në interpretimin e fenomeneve, madje edhe një si lloj mekanizmi anticipiues për kontunuumin historik për fenomenet e ardhshme.
Edhe romani më i ri „Jeniçeri i fundit“ po ashtu ne qendër të narracionit ka historinë, një insert nga historia, çfarë është çthurja e formacionit të njohur ushtarak roman, jeniçerëve, dhe rolin e shtresës shqiptare brenda këtij formacioni‘
Roman për vetën dhe për historinë që përsëritet
Romani „Jeniçeri i fundit“ pikën nistore narrative e ka në ngjarjen e njohur të fundviteve te tridhjeta të shekullit XIX-të, kohën kur jo vetëm se bëhet çthurja e formacionit të jeniçerëve, por edhe zhdukja fizike e elementeve të fundit, të cilave i takon edhe personazhi i romanit. Nëse përjashtohet përkufizimi tjetër i romanit që vjen nga titulli i dytë, „Libër për vetveten“, romanin edhe kohë edhe si narracion e vë në një bazë alegorike, atëherë segmenti kronologjik i rrëfimit shtrihet brenda një periudhe të shkurtër, faza e fundit jetësore e jeniçerit që kthehet në vendlindje në moshën e thyer, duke u transformuar nga një ushtarak në një mendimtar. Tjetër gjë është se autori bën digresione në rrëfim , përdor mekanizma të shumtë që shërbejnë si katalizatorë narrativë, herë duke e vënë në perspektiva të ndryshme narrative, ku më shumë mbizotëron rrëfimi nga perspektiva e sinkronicitetit, domethënë bartje lineare e veprimit në kohën aktuale, por që përshkohet më shumicë nga introspekcioni, retrospekcioni dhe aspektet dhe trajtat e tjera kohore të narracionit.
I gjithë romani rrëfehet nga e ashtuquajtura „ich-form“ kajzeriane, që domethënë një rrëfim në vetën e parë, e cila i mundëson personazhit-narrator të rrëfejë për aktualitetin e kohës kur zhvillohet ngjarja, për shthurjen e rendit të jeniçerëve dhe për vazhdimin e krizës, së pari me plojën e madhe që bëhet ndaj përfaqësuesve të formacioneve të fundit, për të vazhduar me procesin e dekompozimit të perandorisë otomane, të shkaktuar nga një krizë që nxitet nga fuqitë e mëdha sa edhe nga paaftësia e një sajese të vjetruar perandorake, e cila e kishte mbaruar misionin e vet në historinë e botës.
Personazhi narrator kthehet në vendlindje, në një teqe të rrethinës së Gjakovës, ku duhet të merret me riorganizimin e strukturës administrative të rendit të bektashinjve. Kështu që rendi i ri, ai i proveniencës shpirtërore, që i zë vendin atij ushtarako-administrativ, është ambienti i ri brenda të cilave krijohen raporte të reja dhe zbërthehen raportet e vjetruara, duke gjetur analogjitë dhe diferencat, analogjitë në planin e ideve dhe të mendësisë, që i ka karakterizuar edhe formacionin e jeniçerëve, dhe, diferencat në mjetet e ekzekutimit të ideve.
Nga personazhi narrator mësojmë ndikimin e politikës edhe në botën shpirtërore, në gjithë strukturën organizative të jetës së teqesë dhe në nivelet e ndryshme të këtij organizimi. Prandaj, analogjikisht me situatën e sotme, të cilën e jetojmë, si një situatë e një gjendjeje të ndërmjetme apo, si jemi mësuar ta quajmë tranzicion, edhe rendi i jeniçerëve i nënshtrohet një gjendjeje të tillë, ku konfuziteti prodhon situata të paparashikuara aq që sa më shumë zhvillohet narracioni aq më shumë diferencohen karakteret dhe shtresëzimet e ndikimeve politike dhe procesi i militarizimit të ndërgjegjes: profilet e karaktereve që kanë kuotimin e një vazhdimësie të një kontinuiteti të dijes dhe të një morali suprem. Brenda këtij konstelacioni raportesh duhet vështruar personazhet: (krye) personazhi-narrator, Sheh Bani, Baba Qazimi, kryepersonazhi referencial Baba Bektashi, etj., në një anë, dhe përfaqësuesit e formacionit të ri: Sadri Çaushi, Sheh Nura, Sheh Hima, etj, që përfaqsojnë formacionin e ndërgjegjes së politizuar dhe të instrumentalizuar politkisht.
Retrospekcioni historik
Rrëfimi romanor i „Jeniçerit të fundit“ dallon për një rrëfim paralel apo binar: në njërën anë është kredhja, shtegtimi i personazhit narrator nëpër ndërgjegjen e tij, nëpër domenet e njohjes dhe të empirisë që e ka fituar në jetë. Kur bredh nëpër ndërgjegjen e vet zakonisht ato janë nëpër kujtimet e fëmijërisë dhe ky shtegtim dallon për një identifikim të shenjave të mbetura nga kujtimet e hershme, ku shfaqen pamje të ndryshme, imazhe që lidhen me situata të fuqishme, gjendje që mbase një studiues të kritikës tematike të tipit te Zhgan Pol Veberit, do të cilësonte si një „motiv obsesiv“ në përsëritje. Zakonisht këto janë shenja të ambientit, por edhe shenja të kujtesës, domethënë të brendshme, shenja të komunikimit, çfarë është gjuha si fenomen. Kthimi në këto gjendje e bën personazhin narrator që të kridhet në një refleksion, në një preokupim obsesiv, si ndodh obsesionimi me gjuhën, që duke u kredhur sa më thellë në këtë fenomen aq më shumë zbret tek thelbi i saj, duke e shndërruar këtë refleksion në një lloj filozofie të gjuhës. Kështu autori i kthehet shenjave të para të perceptuara në fëmijëri dhe kuptimeve të tyre, duke kërkuar atë agjensin e brendshëm që shpjegon pse janë ato të tilla. Shenja të kësaj burime sie janë: guri, gjarpri, shtëpia, ëma, vëllai etj. duke veçuar ndër to edhe shenjat e tjera primordiale, indiciet e para të kooptimit në shenjë. Duke hulumtuar ndër këto sedimente të gjuhës autori shkon në lashtësi , në historinë e gjuhës, në aktin e saj të lindjes dhe duke ndjekur indiciet e kuptimeve të para ai ndjek edhe krijimin e rrethit të simboleve.
Mirëpo kërkimi i thelbit të gjuhës, kuptimin e thellë të saj dhe shtresimeve të aspekteve simbolike ai do ta gjejë identitetin individual po aq sa edhe kolektiv ngase gjuha e kalon kufirin individual, meqë është mjet social në komunikim.
Në rrëfim nuk kemi një shfaqje simpliciste të temës, por një shtresëzim idesh, një shpalim paralel edhe të historisë së gjuhës, edhe të historisë së organizimit të shoqërisë, por gjithnjë duke iu referuar një pike nistore: prirjen evokative të njeriut të sotëm dhe sentimentin për një koha të shkuar e cila është karakterizuar për dijen e lashtë, të asaj dijeje që një kohë ishte e komunikueshme për njeriun, por së voni të përjashtuar rreptësisht nga shkaku i mbylljes së atij kanali të komunikimit.
Morfologjia e rrëfimit
Romani „Jeniçeri i fundit“ dallon edhe për morfologjinë narrative, domethënë për trajtat e rrëfimit dhe funksionin e tyre brenda rrëfimit integral. Fabulimi romanit zhvillohet në një, do të thoshim, enterierë të minimizuar, që domethënë se aksioni romanor është i rudimentuar deri në maksimum. Pjesa më ë madhe e dramës, që ndodh në roman është drama e brendshme e personazhit-narrator, drama e ndërgjegjes. Dilemat e tij morale shoqërohen me përpjekjet për ta aktivizuar një mbetje sado të vogël të dijeve të lashta, të besimeve të vjetra, të historisë dhe të identitetit të lashtë etnik që ka kaluar në procese të ndryshme, duke qenë njëkohësisht një identitet etnik komplementar, ngase nga çdo kohë merr nga diçka dhe jep nga vetja shumëçka. Prandaj personazhi kridhet në vokacionin e fëmijërisë, ku kërkon identitetin vetjak, por me shumë se gjithë kjo, refuzimi i një rendi të ri mendor, emocional, moral, refuzim ky i një gjendjeje të krizës, që tashmë është permanencë e sjelljes kolektive, përbën atë boshtin fabular të romanit. Pra në pah del një rrëfim sinkretik, i gërshetuar, ku bashkëdyzohen pikëpamje të ndryshme, por që bazamenti është ai i vjetri, një rrëfim që herë bëhet i drejtpërdrejtë e herë kalon në rrafshin e simbolizues, sa nga ajo simbolikë që me të parën bien në sy gërshetimi i reales me irealen, domethënë shkëputja e simboleve nga një realitet konkret empirik dhe gjuhësor. Nuk ka ndryshe se si të kuptohen simbolet e tipit: Kështjella e Pasqyrave, e Territ, e Rrethit, e Hijes etj. Në këtë roman, që është një refleksion në sinkronicitet, në rrjedhë dhe në ngutje për ta kapur kohën vijuese, autori ka arritur të shkrijë një dije kolosale të fushave të ndryshme, që nga filozofia e historisë, filozofia e gjuhës, teosofia, kosmogonia, paleolinguistika, por edhe nga dijet e lashta , gjurmet rudimentare e të cilave kanë mbetur që nga „Opus hermetica“ të Hermes Trismegistit.
Alegoria e rrëfimit
Romani „Jeniçeri i fundit“ ka edhe një titull të dytë, që e thamë diku më herët, :“Libër për vetveten“, që është narracionin e vë në një paralelizëm, nga një refleksion të tipit të gërshetuar e zbret në një plan përsonalzues, ngase na thotë se ky është rrëfim për veten, rrëfim nga shpirti, në fakt një alegori që bën të identifikohet në disa pika personazhi narrator me vetë autorin. Vija e protestës ndaj një gjendje të ndërmjetme, ndaj një tranzicioni që do të përmbyllet me një të keqe të re, por jo më një të re produktive, ku vlerat dijeve të vjetra të „gjakut të dijes“ dhe „dijes së gjakut“ do të jenë në vendet e veta që e kanë krijuar në kontinuitetin e gjatë të ekzistencës historike të etnisë shqiptare, përfundon në një ekstrem tragjik: në përjashtimin e gjithë asaj trashëgimie e veçanërisht të personazhit nga jeta shoqërore, madje me anatemën e të çmendurit. Prandaj ky rrëfim duhet të lexohet edhe si një algorezë politike që lidhet me një realitet konkret çfarë është ky yni, i përditshmi.
Thënë shkurt; i gjithë refleksioni dhe narracioni i këtij romani është thellësiht një përpjekje për ta ndërtuar një rrëfim – katarsë, domethënë të bëjë një katarsis moral të lexuesit, por edhe të shoqërisë, me shpresë se i pastruar moralisht do të hapë një përcepcion të ri e me këtë edhe një faqe të re të historisë.
*Recension i lexuar në Konferencën Ndërkombëtare „Mbi Letërsinë dhe Krijimtarinë Letrare“ në Universitetin e Europës Jug-Lindore (UEL), Tetovë, 25. 04. 2014, në kuadër të së cilës u bë edhe promovimi i romanit më të ri të Jusuf Buxhovit ‚Jeniçeri i fundit‘