“TY MALCIA T’KA NË ZEMËR”
Nata përkujtimore e artistit malësor Lindon Camaj.
Mbrëmja e 8 gushtit mblodhi bashkë në Vitojë të Hotit, qindra malësor, artëdashës e kolegë të artistit virtuoz, kantautorit Lindon Camaj.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë miq buke e nderi të familjes Camaj, të cilët me prezencen e tyre dëshmuan edhe njëherë respektin dhe mirënjohjen ndaj këngëtarit dhe familjes së tij.
Ashtu sikurse vetë Lindoni kishte ëndrra largpamëse për t’i përjetsuar në art e në këngë sa ishte gjallë, po ashtu edhe familja e Lindonit u kujdes që jeta dhe vepra e tij të përjetsohen në një film dokumentar, si e vetmja mundësi që kujtimi i tij të mbetet përjetsisht i gjallë, mes të gjallëve. Artistët nuk vdesin kurrë, ata përjetsohen në artin e tyre!
Ishte ky motivi i respektit të ndërsjelltë që i bashkoi malësorët në këtë natë përkujtimore kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj.
Për të nderuar kujtimin e tij, morën pjesë personalitete të larta të artit e të kulturës, përfaqsues të institucioneve vendore, aktivisë e artistë, kolegë e bashkëpuntorë të Lindonit, ku nuk munguan as mediat kombëtare e lokale.
Respekti ndaj kësaj nate përkujtimore kulmoi me ardhjen e Drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, z. Alfred Peza, në shoqërinë e z. Engjëll Ndocaj, Anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, njëkohsisht regjisor i dokumentarit “Ty Malcia t’ka në zemër” kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj dhe nga ana tjetër, për të nderuar këtë aktivitet, mori pjesë edhe z. Nikollë Camaj, Deputet dhe Nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Në nder të këngëtarit dhe kujtimit të tij, mbrëmja u hap me një fjalë përshëndetëse nga z. Idriz Gjokaj, Drejtues i Qëndrës Kulturore pranë Komunës Tuz, shok e mik i ngushtë i të paharruarit Lindon Camaj, por njëkohësisht organizator i aktivitetit.
Në nder dhe përkujtim të këngëtarit Lindon Camaj, ashti siç ishte parashikuar në program, përshëndetën disa nga personalitetet dhe përfaqsuesit e institucioneve vendore të Komunës Tuz (në rolin organizativ,) si dhe të Bashkisë Malësi e Madhe, e cila i kishte akorduar titullin “Qytetar Nderi”, pas vdekjes, këngëtarit dhe krijuesit të paharruar, Lindon Camaj dhe që iu dorëzua familjes nga Nënkryetari i kësaj Bashkie z. Sytki Ndrecaj.
Më pas për të pranishmit u prezantuan disa mirënjohje (pas vdekjes) nga përfaqsues të organizatave më të njohura në Malësi e më gjërë, si “Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, Shoqata Atdhetare “Malësia” dhe, Shoqata “Jehona e Malesisë” në Detroit, si dhe Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, të cilat iu dorzuan familjes.
Të gjitha këto mirënjohje e vlerësime iu dorëzuan vëllait të madh, Dedë Camaj, i cili mes mallit dhe emocioneve falenderoi të pranishmit për nderimin dhe vlersimet që iu bënë Lindonit në këtë takim përkujtimor.
Kënga kushtuar këngëtarit Lindon Camaj e kënduar nga kolegu i tij Lekë Dedvukaj, prezantuar për herë të parë në këtë mbrëmje përkujtimore, bëri që të përulen edhe malet e bjeshkët përrreth me emocionet e fjalëve e të tingujve të saj.
Sa ndjenjë! Sa dhimbje!
Minutë pas minute i gjithë sheshi i këtij amfiteatri natyror u mbush me spektator të ardhur nga ana e anës, familjarë e bashkfshatarë, miq e shokë, por veçanërisht të rinjë, fansa të Lindonit dhe të këgës së tij, ndoqën dokumentarin përkujtimor, në të cilin Lindoni do mbetet përjetsisht i gjallë mes tyre.
Sa emocion e lot, mall e dhimbje, të cilat gjetën ngushëllim në krenarinë e të qënit fëmijë, grua, vëlla, kunatë, dajë, shok, mik, koleg e bashkëpuntor të këtij artisti të pavdekshëm malësor.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Gusht 2024