Ramiz Gjini: UNË KAM SI DËSHMI PLUMBIN QË MË DHANË. Tregim

I ulur në karrigen pranë tavolinës së punës, gjykatësi Pjetër Frasino, ra në një përhumbje mendore që fort rrallë mund të ndodhë te njerëz mendjekthjellët si ai.
Pikërisht ato çaste u dëgjua një trokitje në derë. Fill pas trokitjes, u dha brenda një i panjohur që erdh’ e zuri vend në këmbë, duke e lënë derën hapur.
Qe një burrë i dobët fytyrërrudhosur, vetullan dhe me dy sy të agullt si e bardha e një veze të prishur. Nga sytë e tij buronte një vështrim i përhumbur harrese. Mbante veshur një xhaketë të vjetër, krejt të zhgjyrosur që i rrinte e madhe, pantallona doku të ndyra me arna, të përveshura deri sipër kërcinjve të këmbëve, si dhe opinga, njëra më e shqepur se tjetra. Dukej sikur vinte nga një kohë tjetër, pasi qe çapitur për shumë vite rrugëve të llangosura.
– Kam ardhur të ankohem! – i frymoi fjalët ai.
– Afrohuni! – i tha Gjykatësi, – Flisni me zë, sepse nuk po iu dëgjoj mirë.
– Zëri im ka humbur, – frymoi sërish tjetri.
Dhe, duke shfryrë me mundim rrokje pas rrokje, kërkoi të dinte, se si kishte qenë e mundur, të kalonin gati njëqind vjetë pa u ndëshkuar vrasësit e tij!
Gjykatësi Frasino, qe burrë i matur në fjalë, me intuitë të mprehtë dhe shumë korrekt në detyrë. E nuhati menjëherë që po përballej me një rast aspak të zakonshëm.
– Si e patët emrin? – pyeti.
– Benko Boboti, – frymoi fort tjetri rrokje pas rrokje.
– Boboti, – përsëriti me zë të vogël gjykatësi, si të deshte ta fiksonte mirë në mendje.
U ngrit ngadalë nga karriga, bëri tre hapa, dhe, si brodhi shikimin përgjatë rafteve që gjendeshin aty, zgjati dorën dhe mori një dosje të vjetër. E vendosi në tavolinën e tij të punës, u ul dhe nisi ta shfletonte me nge.
Ndërkohë u dëgjua të binte tre herë rresht këmbana e kishës së shenjtit Athanas. Gjatë rrahjeve të këmbanës, njeriu që tha se quhej Benko Boboti, ngriu në vend mu si një statujë. As qerpik nuk lëvizte, as frymë nuk merrte.
Kur rrahjet e këmbanës pushuan, ai u kthye sërish në gjendjen e mëparshme.
Gjykatësi Frasino, ngriti kokën e tha:
– Zoti Boboti! Po shikoj, që në këtë dosje, gjenden shumë prova të dokumentuara që hedhin poshtë pretendimin tuaj. Por, çuditërisht, këtu nuk ka asnjë informacion mbi kohën. Nuk ka asnjë datë, muaji, apo vit, në të cilin është përpiluar kjo dosje!
Tjetri shtrëngoi buzët për të bërë zap një buzëqeshje të hidhur.
– Po, – frymoi pastaj ai, – Sepse koha që ne s’e dimë nga vjen e ku shkon, ka huqet e saj. Ajo i fshin datat dhe vitet, zbeh të vërtetat dhe lë prapa vetëm hamendësime. Por unë kam si dëshmi plumbin, zoti gjykatës. Kam plumbin që ata më patën dhënë!
Futi dorën në xhepin e xhaketës, nxorri një plumb, dhe teksa e tregonte, pyeti:
– A nuk ju mjafton ky?! Ka pothuajse njëqind vjetë, që e vërteta dridhet lakuriq në zemrën time.
Gjykatësi Frasino lëvizi paksa trupin bashkë me karrigen që cingëriu vajtueshëm.
– Hëm! – ia bëri ai duke ulur kokën e ngulur sërish vështrimin në dosjen që mbante para, – Në një far kuptimi, keni të drejtë…
U mat të thoshte edhe diç’ tjetër, por s’e tha. Ndoshta, ngase ato çaste u dëgjua të binte apet edhe tre herë rresht këmbana e kishës së shenjtit Athanas, dhe Benko Boboti, ngriu sërish në vend si një statujë; kësaj here, me vështrimin e tij të agullt të hedhur përmes dritares jashtë në rrugë, ku një çamarrok tre, ose katër vjeç, i kish vendosur duart e tij të vogla një muri të madh e të trashë betoni dhe përpiqej ta rrëzonte.
E ëma, pranë tij, qeshte.
Me të pushuar rrahjet e këmbanës, Benko Boboti, vijoi:
– Veç kësaj, i nderuar zoti gjykatës, kam përshtypjen që, ju po më merrni tjetër për tjetër. Unë jam Benko Boboti, i vjetri! Kam lindur me 7 gusht të vitit 1904. Siç e thashë, koha ka huqet e saj, por e vërteta vazhdon të dridhet lakuriq në zemrën time.
– Po ç’të bëjmë kur nuk disponojmë dokumente dhe prova të asaj kohe kaq të largët?! – pyeti duke ngritur vetullat e hapur krahët gjykatësi Frasino, – Gjithësesi, unë mendoj që ju duhet t’i përkisni brezit të dytë, që i bie të jeni Benko Boboti i riu, i cili, në këtë dosje rezulton i helmuar me bimën kukuda! Pra, nuk jeni ai i vjetri. Por nuk mund të them, si dreqin ka ndodhur që janë fshirë datat, muajtë dhe vitet!
– Zoti gjykatës! – nisi të frymonte fort rrokje pas rrokje tjetri, – Familja ime, është vendosur në këtë qytet në vjeshtën e vitin 1892, pasi është dëbuar nga Lugina e Moravës prej regjimit të dinastisë së Obrenoviqëve. Benko Boboti, i riu, ka lindur me 20 prill të vitit 1940. Ai nuk është helmuar me bimën kukuda. E pat varur regjimi komunist në moshën tridhjetëvjeçare.
Në shenjë keqardhje, ndoshta, edhe shfajsimi, gjykatësi Pjetër Frasino ngriti sërish vetullat dhe hapi krahët. Pastaj, gjithë butësi e mirësjellje, nisi t’i shpjegonte tjetrit që, ai nuk kishte njëqind vjetë në këtë detyrë, por kishte vetëm dhjetë. Si mund t’i kërkohej llogari për harresën ndaj një krimi që na paska ndodhur para kaq shumë vitesh?!
Tjetri e dinte prej kohësh që do të merrte pikërisht këtë përgjigjje, ndaj, as që u a vuri veshin fjalëve që tha punonjësi i drejtësisë.
Kur këmbana e kishës së shenjtit Athanas, nisi të binte për herë të tretë, u kuptua që ajo po lajmëronte vdekje. Atëherë, sytë e tij erdhën dhe u bënë më të agullt nga ç’ishin; kurse fytyra i mori ngjyrën e dheut të bokërrimave kur i rreh si me kamxhik era; dhe ku nuk mbijnë as pemë, as barë, as lule, – asgjë prej gjëje. Ai i përjetoi sërish në heshtje, ndoshta, për të njëmijtën herë, ato çastet e fundit të vrasjes, kur që nga dritarja e hapur e katit të dytë të shtëpisë që gjendej përballë, një zë i çjerrë plake u dëgjua të pyeste: “Përse po e vrisni, ju vraftë Zoti?! Por në vend të një përgjigjje, menjëherë pas fjalëve të saj u dëgjua krisma. Dhe fill pas krismës, këmbana e kishës së shenjtit Athanas.
Teksa përjetonte ato çaste, Benko Boboti erdh’ duke u zvogëluar e shpërfytyruar aq shumë sa, në fare pak sekonta, në pllakat e dyshemesë ku pati shkelur, mbeti vetëm një njollë e vogël gjaku.
Përmes derës së lënë hapur, gjykatësit Pjetër Frasinos i zunë sytë pastruesen teksa ecte përgjatë korridorit.
– Nikoleta! – i thirri fort ai, – Ju lutem, i bini me një leckë të shtrydhur dyshemesë së zyrës time! Po shikoj aty një njollë gjaku!
R. GJINI, dimër, 2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here