Reagim i 17 subjekteve kulturore: Ministria e Kulturës në Maqedoninë e Veriut, diskriminon kulturën shqiptare

Reagim i 17 subjekteve kulturore: GODITJE E VAZHDUESHME E KULTURËS SHQIPTARE NË MV
-Ministria e Kulturës në Maqedoninë e Veriut, tejet diskriminuese për kulturën shqiptare

R E A G I M
Shpallja e rezultateve, nga përzgjedhja e projekteve konkuruese, për Programin e kulturës për vitin 2022, që finansohen nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, vazhdon të bëhet një GODITJE e madhe për kulturën shqiptare!
Edhe këtë vit, sikurse shumë vite radhazi, kultura shqiptare diskriminohet rrënjësisht dhe fondet buxhetore që u përkasin shqiptarëve, kryesisht shkojnë për projektet e maqedonasve, të cilët gjithandej favorizohen dhe mbështeten nga Ministria e Kulturës.
Ky diskriminim i hapur, edhe në konkursin e vitit 2021, i detyroi 17 Shoqata Kulturore, Lidhje, Shtëpi Botuese, Shtypshkronja dhe subjekte tjera kulturore nga Tetova, të reagojnë në forma të ndryshme, si dhe duke nënshkruar një MEMORANDUM bashkëpunimi, jo vetëm për të bashkëvepruar në mbijetesën kulturore, por edhe me qëllimin e shfaqjes së pakënaqësisë dhe revoltës, ndaj nënvlerësimit dhe diskriminimit të pushtetmbajtësit absolut, të korruptuar deri në palcë.
Golgota vazhdon!
Edhe këtë vit, në konkursin për Programin e kulturës për vitin 2022, Ne, si përfaqësues të Organizatave, Lidhjeve, Shtëpive Botuese dhe Shoqatave Kulturore – Letrare, të regjistruara në mënyrë të rregullt për ushtrimin e veprimtarive të botimit të librave dhe aktiviteteve kulturoro – letrare, të cilat kanë të bëjnë me promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, reagojmë bashkërisht në mbrojtje të fjalës së shkruar shqipe, traditës dhe kulturës sonë shekullore.
Ministria e Kulturës, me fonde të ulëta dhe qesharake deri në banalitet, i mbështet vetëm disa shoqata shqiptare dhe individë, të cilët për interesa personale kanë bashkëpunuar me persona si Lulzim Haziri dhe Ahmet Selmani, vasalë të Ministrisë së Kulturës, partive politike ose pushtetmbajtësve, që në mënyrë flagrante “i shkelin” të drejtat e shqiptarëve pa pushtet, pra me dhjetëra udhëheqës të shoqatave dhe shtëpive botuese, megjithëse këta udhëheqës, janë njerëz të veshur në petkun e dijes, punës dhe vlerave.
Në këtë diskriminim shumëvjeçar, pothuajse nuk kanë më vlerë pyetjet thelbësore: deri kur do të lejohet që Ministria e Kulturës t’i diskriminojë shqiptarët?
Deri kur, partitë shqiptare në pushtet do ta përfaqësojnë vetëm partinë, interesin e individëve dhe të lidhjeve miqësore, dhe jo vlerat e vërteta kulturore?
Deri kur, do ta durojmë fyerjen dhe mposhtjen edhe në instancat e institucionit të kulturës?
Deri kur do të heshtim, pa kërkuar llogari për atë që na takon përmes taksave tona?
Deri kur, do ta bartim dëshpërimin e diskriminimit të përhershëm, ndaj ATYRE që nuk japin kurrë llogari për zhbërjen e identitetit tonë kombëtar, sepse ata, fatkeqësisht nuk janë të vetëdijshëm se kultura nuk është kërkim lëmoshe, as interes vetanak, as “kult” i suksesit të individit të shpërfytyruar si puthadorë e servil…?!
Kjo ministri, e ndihmuar nga argatët e vet: Lulzim Haziri dhe Ahmet Selmani, e godet kulturën shqiptare, duke e ndërprerë mbështetjen finansiare të manifestimeve kulturore me përmasa mbarëkombëtare. Po, duhet theksuar – Mbarëkombëtare, ku promovohen vlera të përbashkëta kombëtare të traditës dhe fjalës shqipe! Duke e ndërprerë gjithashtu edhe finansimin e botimit të të gjitha revistave në Gjuhën shqipe! Nacionalizmit të vazhdueshëm të kësaj ministrie, me përunjësi i shërbejnë argatët e saj të devotshëm, duke i llogaritur shqiptarët intelektualë – udhëheqës të shoqatave e shtëpive botuese, si analfabetë që nuk dinë të plotësojnë dokumente (ndërkohë që dokumentet fshihen në vetë institucionin ku dërgohen), apo të paaftë për të prezantuar kulturë letrare e artistike, e gjithfarë broçkullash tjera?!
Vetëm se, realisht, ata vasalë kurrë nuk patën ndërgjegje ta pranojnë të vërtetën e paaftësisë së tyre për të vlerësuar drejt, pa baza interesi, ose për të kërkuar me këmbëngulje në ndarjen adekuate të buxhetit për kulturë që u përket shqiptarëve. Edhe mirë bëjnë! Sepse, të tillët, janë të orientuar vetëm për ta realizuar diktatin me porosi për ta nënvlerësuar kulturën shqiptare, për ta shkatërruar arsimin, ekonominë…, e skenari vazhdon me ikjen masovike të të rinjve për në botën e jashtme, sepse kur nëpërkëmben e goditen kaq brutalisht intelektualët dhe njerëzit e kulturës, paramendoni se si mund të ndihet qytetari i rëndomtë, të drejtat e të cilit privohen përditë!
Me këtë diskriminim institucional të kulturës shqiptare, në këtë vend, të merr malli të bësh kulturë, sepse lajmin kyç e zë: vjedhja, korrupsioni, hapja e bastoreve, dënimet e inskenuara, e gjithçka tjetër që “suksesshëm” kontribuon në përzënien jashtë vendit të ajkës së inteligjencës shqiptare.
Kjo pra, është fytyra e vërtetë e institucionit të kulturës në RMV!
Pyesim pa ironi: çka iu nda kulturës shqiptare këtë vit…, apo preteksti ishte që ta zhbëjnë Manifestimin Mbarëkombëtar “Dita e plisit të bardhë”, Manifestimin Mbarëkombëtar Letrar – Poetik “Flakadani i Kujtesës”, Aktivitetin kulturor “Karvani i librit” – një projekt kulturor me traditë 17 vjeçare, mosmbështetjen e Panairit të librit (si një mundësi e vetme ku mund të sigurohet libri (ndërkohë që qytetet, veçmas në Tetovë, ku në vend të librarive, brenda natës si kërpudha mbijnë bastoret). Sigurisht, përpos këtyre që theksuam, janë dëmtuar edhe disa manifestime tjera me përmasa mbarëkombëtare, që përditë e më shumë zëvendësohen me “festivale” lokale të ashtuquajtura “ballkanike” (ku nuk merr pjesë asnjë poet ballkanas), të ashtuquajtura “ilire”, ku fatkeqësisht shkojnë e prezantojnë poete serbe, kuptohet në serbisht (e shqiptari i gjorë e merr rolin e përkthyesit), e sa e sa të tjera të këtij lloji, me tendenca multikulturore, sepse vetëdije multikulturore ka pikërisht edhe vasali kryesor i këtij komisioni përzgjedhës, Lulzim Haziri. Po do të thoni, nuk ka asgjë të keqe të kesh vetëdije multikulturore! Sigurisht se po, por jo për interesa të ulëta vetanake e miqësore, në kurriz të kulturës shqiptare! E sa për vlerat e tij personale, më mirë t’ia lëmë kohës, sepse koha është gjykuesi më i mirë!
Ne, udhëheqësit e Shoqatave dhe Shtëpive Botuese, konstatojmë se anashkalimi dhe përçmimi i projekteve për kulturën shqiptare, aq sa përkon me vendimin e ndarjes së ulët buxhetore të institucionit të kulturës, po aq përkon edhe me mungesën e “ndërgjegjes” së anëtarëve shqiptarë të Komisionit, të cilët nuk e përfillin pakënaqësinë dhe reagimin e vazhdueshëm të dhjetëra subjekteve kulturore, duke mos e trajtuar kurrë në mënyrë serioze këtë qëndrim të Ministrisë së Kulturës ndaj shqiptarëve, por e zgjedhin rrugën më të shkurtër, atë të nënvlerësimit dhe të papërgjegjësisë.
Me këtë reagim, Ne, përfaqësues të Organizatave, Lidhjeve, Shtëpive Botuese dhe Shoqatave Kulturore – Letrare, e shprehim revoltën tonë, për t’i thënë NDAL diskriminimit të kulturës shqiptare në RMV!
Këshilli i Organizatave, Lidhjeve, Shtëpive Botuese dhe Shoqatave Kulturore – Letrare i fton të gjitha Shoqatat, nga e tërë Maqedonia e Veriut, në mbështetje të këtij REAGIMI, kundër diskriminimit të kulturës shqiptare!
Lidhja e Botuesve Shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
Shoqata për Shkencë dhe Kulturë “Pellazgët”
Shtëpia Botuese “Luma grafik” – Tetovë
Shoqata për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica” – Tetovë
Shtëpia Botuese “ArbëriaDesign” – Tetovë
Shoqata për Arsim dhe Edukim të të Rinjëve “Support”
Shoqata për Kulturë “Rapsodia e Sharrit”
Shtëpia Botuese “Çabej” – Tetovë
Shtëpia Botuese “Enea Print”
Shtëpia Botuese “Voka 4”
Shoqata për Shkencë Kulturë dhe Sport “Gondor” – Tetovë
Shtëpia Botuese “Litera Group”
Shtëpia Botuese “Ajan” – Tetovë
Shtëpia Botuese “Feniks” bb trade – Kërçovë
Tetovë, 23.II.2022
Shefki Kadri Selami Enver Beqiri Dashmir Jusuf Ademi Xhemil Selimi Afet Iljazi Sami Beqiri
Agron Islami

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here