Agjencia për Zbatimin e Gjuhës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili tha se me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve “politika ka krijuar një lloj kaosi juridik, i cili ka rezultuar me kaos politik, mosbesim, dilema”.
Në reagim shkruhet se:
• deklarata e këtillë paraqet një aventurë shumë të rrezikshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak se preket njëra nga çështjet më të ndjeshme siç është gjuha e një etniteti, përkatësisht gjuha shqipe…
• konstatimi i kryetarit në fjalë se ky ligj “ka prodhuar kaos politik, mosbesim, dilema”, konsiderojmë se është një tendencë për ta dramatizuar situatën pa asnjë nevojë reale…
• pavarësisht nga tendencat, përpjekjet dhe deklaratat e tilla tensionuese, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të vazhdojë ta kryejë punën e vet, siç ka bërë edhe deri tani, në pajtim me Ligjin…
Nuk kanë munguar as reagimet politike. Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi ka shkruar se tentimi për shfuqizimin e Ligjit, gjegjësisht për pezullimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, edhe pse e dëshirojnë, sipas Ademit, nuk mund të jetë punë e kryer e Qeverisë njëetnike dhe e koalicionit VMRO-VLEN-ZNAM.
“Arsyetimi i Degës së VMRO-së në VLEN, se është Levica ajo që e ka kontestuar Ligjin e gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese, nuk është asgjë tjetër pos nënshtrim i radhës dhe zhbërje të çdo të arriture të shqiptarëve në RMV. VLEN duhet ta ketë të qartë se gjuha shqipe është e shenjtë dhe se çdo përdhosje e saj rrezikon stabilitetin politik dhe etnik në Maqedoninë e Veriut”, tha Arbër Ademi.
Ka pasuar reagim edhe nga koalicioni VLEN, konkretisht nga kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi. Thotë se edhe në të kaluarën kishte paralajmëruar se “shqipja me këtë ligj nuk është zyrtare, por gjuhë e përkthyer, sepse shteti flet e shkruan vetëm maqedonisht”, por për këtë, siç shkruann, pushteti i kaluar e akuzuar se po e bën për arsye opozitare.
“Të nderuar, kjo është pasojë e asaj që nuk keni ditur, nuk keni dashur ose nuk keni mundur (sepse keni qenë të zënë me çështje si Soravia) ta rregulloni statusin e përdorimit të gjuhës shqipe, më mënyrë që mos të ketë dilema interpretimi dhe kontestimi. E tash mos qani si gra për atë që e keni humbur si burra. Sidoqoftë, mos u mërzitni, se nuk lejojmë ta degradojnë gjuhën tonë, por veç ta dini se ende po i vuajmë pasojat e keqqeverisjes suaj”, tha Zeqirija Ibrahimi..
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, është miratuar në vitin 2019 dhe parasheh të jetë gjuhë zyrtare e shtetit ajo gjuhë që flitet nga një komunitet që është mbi 20% në Maqedoni, përqindje që në vend aktualisht e arrijnë vetëm shqiptarët. Kjo që atëherë pat hasur në kundërshti të shumta, qytetare, shoqatash dhe politike, të cilat në gjykatën Kushtetuese patën ngritur disa nisma për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjit.
Krejt kjo çështje mbeti e heshtur deri dje, kur kryetari i Gjykatës Kushtetuese në një intervistë për MIA-n tha se me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilema. Nuk foli në detaje, por aludohej te vërejtjet që dolën nga komisioni i Venecias. Për këtë, u paralajmërua se nga 1 shtatori hyn në fuqi akti i ri i kushtetueses, që parasheh afat kohor prej 6 muajsh për Qeverinë, që të përmirësojë ligjin për gjuhët, respektivisht për të larguar vërejtjet dhe dilemat e konstatuara.
Gazeta Koha, Shkup