ABSTRAKT
Romani Mollë në furtunë (2025) i Hasan Selimit përfaqëson një nga përpjekjet më ambicioze të prozës shqipe bashkëkohore për të përpunuar estetikisht luftën e Kosovës dhe pasojat e saj historike, psikologjike dhe etike. Duke ndërthurur romanin historik, romanin familjar dhe romanin e formimit, autori ndërton një narrativë polifonike, ku kujtesa individuale dhe ajo kolektive bashkëveprojnë në ndërtimin e identitetit kombëtar. Ky studim analizon strukturën narrative, figuracionin letrar, stilin dhe diskursin etik të romanit, duke u mbështetur në teori bashkëkohore të narratologjisë dhe kujtesës kulturore.
Fjalë kyçe: narratologji, kujtesë kulturore, figuracion, roman historik, Furtuna Kelmendi, Hasan Selimi, letërsi e pasluftës.
HYRJE
Letërsia shqiptare e pasviteve 1990, veçanërisht ajo që trajton luftën e Kosovës, është karakterizuar nga një tension i vazhdueshëm ndërmjet dëshmisë dokumentare dhe përpunimit estetik të traumës historike. Në këtë kontekst, romani Mollë në furtunë i Hasan Selimit shfaqet si një përpjekje e vetëdijshme për ta shndërruar përvojën e dhunës serbe ndaj shqiptareve, rezistencës kombëtare dhe etapës së pasluftës, në një narrativë të strukturuar estetikisht dhe të artikuluar etikisht, duke e vendosur individin në qendër të historisë. Hasan Selimi, me formim juridik dhe përvojë të gjatë institucionale, sjell në roman një vetëdije të theksuar për drejtësinë, ligjin dhe paradokset e rendit ndërkombëtar, elemente që e diferencojnë këtë vepër nga romanet thjesht memoriale apo heroike
- KUADRI TEORIK DHE METODOLOGJIK
Analiza mbështetet në disa paradigma teorike komplementare: Gérard Genette për analizën e kohës narrative, zërit dhe fokusimit (Discours du récit); Paul Ricoeur për marrëdhënien midis narrativës, kohës dhe identitetit (Temps et récit); Jan Assmann për konceptin e kujtesës kulturore dhe memorializimit narrativ; György Lukács për romanin historik dhe funksionin e individit në rrjedhën e historisë. Këto qasje na lejojnë ta lexojmë Mollë në furtunë jo vetëm si rrëfim letrar, por si mekanizëm simbolik të prodhimit të kujtesës kolektive në letërsi.
- STRUKTURA NARRATIVE DHE KOHA HISTORIKE
Nga pikëpamja narratologjike romani ndërtohet mbi një kohë narrative kryesisht lineare, por e ndërprerë nga analepsa që rikthejnë përvojat familjare dhe historike. Sipas terminologjisë së Genette-it, kemi një narrator heterodiegjetik, por emocionalisht i angazhuar, i cili nuk ruan distancë neutrale ndaj ngjarjeve.
Kalimi nga lufta për Çlirimin e Kosovës, në pasluftë shënon një ndryshim ritmi narrativ: episodet e luftës përshkruhen me intensitet të lartë dhe tempo të shpejtë, ndërsa paslufta merr trajta reflektive dhe eseistike. Kjo ndarje kohore përforcon idenë e Ricoeur-it se rrëfimi është mënyra kryesore për ta bërë kohën njerëzore të kuptueshme.
- Kujtesa kulturore dhe familja si arkiv historik
Sipas Jan Assmann-it, kujtesa kulturore ndërtohet përmes narrativave që transmetohen ndër breza. Në roman, familja Kelmendi funksionon si arkiv i gjallë i kujtesës kombëtare.
Figura e Nanës Hatë dhe Dritës nuk janë thjesht personazhe narrative, por bartëse të kodit etik dhe historik të mbijetesës së shqiptarëve ne Kosovë gjatë pushtimit serb. Episodi i granatës së fshehur nën nënkresë është paradigmë e këtij transformimi:
“Një mëngjes Drita gjeti një granatë dore në ferrat e Arës së Rrustemit, e mori dhe e kishte fshehur poshtë nënkresës.”
Ky fragment shënon kalimin nga frika në vetëdije rezistente, nga privatja në politike, duke e shndërruar hapësirën e shtëpisë në hapësirë të rezistencës kulturore dhe kombetare.
- Furtuna Kelmendi si subjekt i romanit të formimit
Furtuna është figura qendrore e romanit dhe përfaqëson subjektin narrativ në formim, sipas konceptit ricoeurian të identitetit narrativ. Ajo nuk është statike, por ndërtohet përmes përvojës, traumës dhe reflektimit.
Furtuna Kelmendi paraqitet si një figurë kryesore, me një karakter të fortë dhe të vendosur, që shpaloset gradualisht nga gjimnazi në Pejë, tek jeta studentore në Prishtinë e deri te pjesëmarrja aktive në luftën e UÇK-së dhe pas Luftes në diplomaci. Autori e paraqet Furtunën fillimisht në një kontekst të qetë akademik, duke treguar përkushtimin e saj në studimet e drejtësisë dhe aftësinë për të krijuar marrëdhënie miqësore me bashkëstudentët. Kjo krijon kontrast me sfidat ekstreme të luftës, duke theksuar transformimin e saj nga një studente normale në një luftëtare të guximshme.
Përmes përdorimit të gjuhës stili është thjeshtë dhe realist, por me elemente epike kur përshkruhen momentet e betejës. Për shembull, shprehje si: “U hodh në sulm si rrufe” ose “Erdhi Furtuna nga përpara diellit” e ngre figurën e saj në dimension heroik dhe simbolik, duke e bërë Furtunën jo vetëm një luftëtare, por edhe një inspirim për bashkëluftëtarët e UÇK-së . Autori përdor personifikime dhe metafora që theksojnë trimërinë e saj dhe aftësinë për të tejkaluar dhimbjen dhe rreziqet: plagët dhe rrethimi i rrezikshëm nuk e ndalojnë, përkundrazi e forcojnë figurën e saj heroike.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është morali dhe bindja e Furtunës. Ajo nuk vepron nga impulsiviteti, por nga një ndjenjë e thellë e drejtësisë dhe e detyrës ndaj kombit: lufta nuk është e përveçme, por e domosdoshme për çlirimin e Kosovës. Autori e përshkruan atë si të gatshme të sakrifikojë gjithçka, edhe rininë e saj, për kauzën. Kjo qartësisht e diferencon nga vajzat e tjera të moshës së saj, siç theksohet në fragmentin: “Duke ndryshuar nga vajzat e tjera. Pse ndodh kështu me ty, Furtuna?”
Stili i autorit përqendrohet gjithashtu te dimensioni emocional dhe social i Furtunës. Marrëdhënia me Beratin tregon brishtësinë e saj humane, një kontrast me fuqinë e saj ushtarake. Kjo kombinim i forcës dhe ndjeshmërisë e bën personazhin më të plotë dhe të besueshëm.
Në aspektin narrativ, Furtuna është një personazh dinamik, i cili zhvillohet me kalimin e kohës dhe nëpërmjet sfidave. Ajo kalon nga një ambient civil në një mjedis luftarak dhe me vone diplomatik nderkombetar, duke ruajtur vlerat morale dhe përkushtimin, që e bëjnë model të trimërisë dhe sakrificës. Furtuna Kelmendi është një figurë heroike dhe epike, e ndërtuar me një stil realist dhe emocional. Ajo bashkon trimërinë, guximin, humanizmin dhe moralin e fortë, duke u bërë simbol i luftës dhe i shpresës për lirinë e Kosovës. Shkrimtari e përdor këtë personazh për të eksploruar jo vetëm luftën fizike, por edhe dimensionin psikologjik dhe social të sakrificës për atdheun.
- Romani historik dhe individi
Sipas Lukács-it, romani historik i vërtetë e paraqet historinë përmes fateve individuale. Mollë në furtunë e realizon këtë parim në mënyrë konsekuente: historia e Kosovës nuk rrëfehet në mënyrë abstrakte, por përmes trupit të plagosur të Furtunës, burgosjes së Bekimit, ankthit të Dritës, kthimit të Arianitit nga burgjet serbe pas vuajtjesh të papershkruara dhe pastaj gjyqet e padrejta ne Hagë.
Arrestimi i udhëheqësve të UÇK-së shënon tragjedinë moderne të heroit historik, duke e zhvendosur romanin nga epika drejt tragjikes etike të pasluftës.
Nga perspektiva e teorisë së zhanrit, Mollë në furtunë mund të lexohet edhe si roman formimi, ku Furtuna kalon nëpër disa etapa të qarta zhvillimi: edukimi patriotik familjar, vetëdija qytetare dhe protestat studentore, përfshirja aktive në luftë, përballja me traumën fizike dhe psikike,sublimimi i përvojës në dije dhe diskurs ndërkombëtar.
Ky zhvillim e shndërron Furtunën në një subjekt narrativ kompleks, që tejkalon stereotipin e heroinës së luftës dhe bëhet figurë e emancipimit intelektual dhe moral.
Vetë familja Kelmendi del në roman si një strukturë semantike. Familja Kelmendi funksionon si mikrokozmos i kombit shqiptar, ku secili personazh bart një funksion simbolik: Nana Hatë përfaqëson memorien arkaike dhe etikën tradicionale; Bekim Kelmendi (babai) mishëron figurën e luftëtarit-shtetar dhe tragjedinë e drejtësisë selektive; Furtuna Kelmendi është subjekti i ri historik, që lidh armën me dijen, luftën me diplomacinë, Lekë Kelmendi i ri, trashegiminë kulturore dhe historike kombëtare.
Drita Kelmendi, nëna e Furtunës, grua që e mban të fortë familjen dhe të përkushtuar ndaj luftës, Kosovës dhe kombit. Dialogjet e saj me të shoqin Bekim Kelmendi tashme kryeminister I Kosoves, shprehin formimin e saj kulturor dhe patriotik.
Kjo strukturë familjare i jep romanit një bosht antropologjik, duke e vendosur historinë e madhe në intimitetin e shtëpisë, të dhimbjes dhe të dashurisë.
Personazhet kryesore dhe analiza e mekanizmave të tregimit
Galeria e personazheve në romanin Mollë në furtunë ndërtohet sipas një logjike tipologjike që ndërthur individin konkret me figurën përfaqësuese të përvojës historike kolektive. Në qendër të rrëfimit qëndron Furtuna Kelmendi, personazh dinamik dhe polisemantik, e konceptuar si figurë e romanit të formimit, ku kalimi nga vajza studente te luftëtarja dhe më pas te subjekti intelektual i pasluftës mishëron procesin e ndërtimit të identitetit narrativ në kuptimin ricoeurian. Furtuna nuk reduktohet në simbol abstrakt të rezistencës, por ruan gjithnjë përmasën njerëzore, të brishtë dhe reflektive, çka e bën atë bartëse të traumës së përpunuar përmes vetëdijes dhe gjuhës. Bekim Kelmendi, babai i saj, përfaqëson figurën e luftëtarit dhe udhëheqësit politik, një personazh që lëviz nga sakrifica individuale drejt përgjegjësisë institucionale, duke e vënë në qendër dilemën etike të pasluftës dhe raportin midis drejtësisë historike dhe drejtësisë ndërkombëtare. Drita, si nënë dhe bashkëshorte, mishëron tipologjinë e figurës femërore rezistente, ku ankthi, dashuria dhe vetëmbrojtja ndërthuren në një etikë të heshtur të qëndrueshmërisë; akti i fshehjes së granatës nën nënkresë e shndërron atë nga figurë pasive në subjekt të vetëdijshëm të historisë. Nana Hatë përfaqëson kujtesën e gjallë të brezave, figurë arketipale e urtësisë dhe vazhdimësisë, e cila lidh kohën e traditës me kohën e luftës dhe pasluftës. Personazhet tjerë, si Beqir Gashi, Berati Shala, Rifati, Arberi, apo figurat institucionale të pasluftës, perfshire ambasadorin amerikan, funksionarë të Departamentit Amerikan te Shtetit, profesorë Amerikanë ku studion Furtuna etj, të cilët funksionojnë si nyje narrative që forcojnë dimensionin kolektiv të rrëfimit, duke e zhvendosur romanin nga historia personale drejt një panorame epike të shoqërisë kosovare në tranzicion. Në tërësi, personazhet e Selimit nuk janë thjesht aktorë të ngjarjeve, por subjekte etike dhe narrativë të kujtesës, përmes të cilëve historia shndërrohet në përvojë letrare.
Nga perspektiva e teorisë së zhanrit, Mollë në furtunë mund të lexohet edhe si roman formimi, ku Furtuna kalon nëpër disa etapa të qarta zhvillimi: edukimi patriotik familjar, vetëdija qytetare dhe protestat studentore, përfshirja aktive në luftë, përballja me traumën fizike dhe psikike, sublimimi i përvojës në dije dhe diskurs ndërkombëtar.
Ky zhvillim e shndërron Furtunën në një subjekt narrativ kompleks, që tejkalon stereotipin e heroinës së luftës dhe bëhet figurë e emancipimit intelektual dhe moral.
Stili i rrëfimit dhe figuracioni
Stili i rrëfimit në Mollë në furtunë ndërtohet mbi një ndërthurje të vetëdijshme të epikës historike me ndjeshmërinë lirike dhe realizmin psikologjik, çka e afron romanin me konceptin lukácsian të romanit historik, ku ngjarjet e mëdha përthithen dhe kuptimësohen përmes fateve individuale. Hasan Selimi përdor një leksik të pasur, funksional dhe semantikisht të ngarkuar, i cili lëviz nga intimiteti familjar te solemniteti i luftës dhe reflektimi i pasluftës pa thyer koherencën stilistike. Përshkrimet e ankthit dhe rezistencës, si rasti i Dritës që fsheh granatën nën nënkresë, shndërrojnë objektin e përditshëm në simbol të brendësimit të traumës dhe shndërrimit të frikës në vetëdije aktive, proces që mund të lexohet në dritën e Ricoeur-it si narrativizim i përvojës traumatike përmes veprimit kuptimor. Në skenat e luftës, figuracioni merr trajta epike dhe metaforike, ku personazhi individual mitizohet dhe bëhet bartës i energjisë kolektive të rezistencës. Këto figura nuk funksionojnë si zbukurime retorike, por si mekanizma të kujtesës kulturore, në kuptimin e Assmann-it, duke e fiksuar traumën e luftës në imazhe të forta simbolike që synojnë transmetim ndërbrezor. Mjeshtëria përshkruese e Selimit qëndron pikërisht në aftësinë për ta ruajtur ekuilibrin mes patosit epik dhe konkretësisë njerëzore, duke e bërë rrëfimin njëkohësisht emocional dhe historikisht të besueshëm.
Stili i Hasan Selimit karakterizohet nga një ndërthurje e gjuhës poetike me diskursin dokumentar. Dialogët familjarë janë të ngrohtë dhe intimë, ndërsa dialogët politikë dhe akademikë marrin ngarkesë polemike dhe ideologjike.
Shembull domethënës është dialogu në aeroport, ku emocioni personal dhe historia kombëtare ndërthuren natyrshëm, duke krijuar një polifoni kuptimore.
Romani Mollë në Furtunë i Hasan Selimit dallon për një stil narrativ që kombinon realizmin me dramatizmin e thellë emocional dhe historik, duke krijuar një skenë të pasur për lexuesin. Përshkrimet e personazheve dhe ambientit janë të detajuara dhe funksionale.
Përshkrimi i veprimeve në kohë lufte, kombinimi i imazhit të dhunshëm me heroizmin dhe ndjeshmërinë, si dhe ndërthurja e ngjarjeve historike me jetën personale e bëjnë stilin e Selimit të veçantë, të fuqishëm dhe të pasur me potencial për të lënë mbresë te lexuesi. Përdorimi i detajeve konkrete, të tilla si oraret, vendndodhjet dhe marrëdhëniet ndërpersonale, krijon një ndjesi të realitetit të thellë, duke e kthyer romanin në një vepër që përçon jo vetëm historinë dhe luftën, por edhe ndjenjat dhe dilemat morale të individëve në situata ekstreme.
Dialogu si hapësirë e artikulimit etik dhe e përballjes së traumës
Dialogu në romanin Mollë në furtunë ka një funksion thelbësor estetik dhe ideologjik, duke shërbyer si hapësirë e artikulimit të traumës, konfliktit moral dhe kujtesës historike. Në skenat familjare, dialogët janë të shkurtër, të ngrohtë dhe të ngarkuar emocionalisht, duke ndërtuar një intimitet që e bën traumën e jashtme të prekshme në planin privat. Në skenat e luftës, dialogu reduktohet në thirrje dhe urdhra, me tonalitet epik e mobilizues (“Bjeruni, o trimat e Idriz Seferit!”), duke krijuar atë që Lukács e përkufizon si gjuhë të momentit historik, ku fjala bëhet akt. Ndërsa në pasluftë dhe në hapësirat akademike ndërkombëtare, dialogu shndërrohet në arenë diskursive të traumës së papërpunuar, si në përballjen e Furtunës me studentin serb: “Sa para se të keni paguar, Branko, që ta barazoni viktimën me xhelatin?”. Këtu dialogu nuk synon pajtim, por demaskim etik, duke e zhvendosur konfliktin nga dhuna fizike në përplasje narrativesh historike, në përputhje me konceptin e Ricoeur-it për konfliktin e interpretimit. Në këtë mënyrë, dialogu funksionon si mjet i drejtësisë simbolike dhe i rikthimit të zërit të viktimës në hapësirën publike të diskursit, duke e përforcuar dimensionin kritik dhe refleksiv të romanit.
Tematika e traumës dhe kujtesës së konfliktit në letërsinë rajonale të pasluftës
Në letërsinë rajonale të pasluftës së viteve 1991-1999, tematika e traumës dhe kujtesës së konfliktit shfaqet në mënyra të ndryshme, por me një bosht të përbashkët: përpjekja për t’i dhënë kuptim humbjeve individuale dhe kollektive. Në romanin Mollë në furtunë, Hasan Selimi shfrytëzon narrativën epike të Furtunës dhe familjes Kelmendi për të paraqitur traumën jo vetëm si një përvojë psikologjike e pasojë e betejave, por si proces të ndërtimit të identitetit dhe moralit kombëtar shqiptar përmes rezistencës, sakrificës dhe reflektimit etik (përmes dialogut dhe veprimit narrativ). Nga ana tjetër, romani The Ministry of Pain i Dubravka Ugrešiç trajton traumën e ish-Jugosllavisë nga këndvështrimi i humbjes së identitetit, gjuhës dhe përkatësisë kulturore të refugjatëve, duke e lidhur krimin e dhunës me fragmentimin e vetëdijes dhe kujtesës së kolektivit, një tema që thekson pasojat psikologjike dhe tranzicionale të dhunës së luftës në një kontekst më global të migrimit dhe eksilit. Nga ana tjetër, prozat e Igor Štiks sillen rreth trajtimit të trauma-identitetit dhe politikës së qytetarisë në një Evropë post-jugosllave, duke shqyrtuar mënyrat se si individët përballen me ndryshimet e shoqërisë dhe shpërbërjen e strukturave shtetërore pas konfliktit. Këto trajtime të trauma-s dhe kujtesës në literaturë ofrojnë një kuadër komparativ që ndriçon qasjen distinctive të Selimit: ndërkohë që Ugrešiç fokusohet në humbjen e gjuhës, identitetit dhe vendit, dhe Štiks eksploron identitetin dhe qytetarinë në pasojat e luftës, Selimi ndërton një narrativë ku trauma bëhet gjithashtu një mjet i afirmimit të dinjitetit dhe përpjekjes për drejtësi sociale e historike, duke e vendosur protagonistin e tij jo vetëm si subjekt përjetues, por si aktor morali dhe historik në strukturën e narrativës letrare.
Në mënyrë krahasuese, ndërsa Hasan Selimi në Mollë në furtunë fokusohet tek trauma dhe ndërtimi i identitetit kombëtar përmes rezistencës, Dubravka Ugrešiç shqyrton humbjen e identitetit dhe gjuhës së refugjatëve, dhe Igor Štiks trajton politikën e qytetarisë dhe fragmentimin social pas luftës, Bashkim Hoxha vendos propagandën dhe deformimin e së vërtetës si boshtin përmes të cilit trauma e individit përshkruhet, duke integruar fatin personal dhe moral në kuadrin e kritikës historike dhe sociale. Në këtë mënyrë, Shtëpia e Verdhë jo vetëm pasqyron pasojat psikologjike të manipulimit të informacionit, por edhe kontribuon në një debat literar mbi përgjegjësinë etike dhe historike të individit në një shoqëri të traumatizuar qe perballet me pasojat e informacionit të fabrikuar dhe të përhapur qëllimisht nga serbet për të demonizuar shqiptaret e pafajshëm dhe kriminalizuar UÇK-në, duke evidentuar propagandën si një instrument lufte me ndikim të drejtpërdrejt mbi jetën e njerëzve të thjeshtë jo vetem gjatë luftes, por edhe pas saj.
Mesazh universal i romanit
Megjithë trajtimin historik dhe lokal të ngjarjeve, romani Mollë në furtunë e tejkalon kufirin e përparësisë kombëtare, duke shpalosur një mesazh universal mbi vlerën e lirisë dhe sakrificës. Përmes portretizimit të familjes Kelmendi dhe shqiptarëve të tjerë që sakrifikojnë çdo gjë për lirinë kombëtare, Selimi demonstron sakrificën e individëve dhe të të rinjve shqiptarë në rrethana ekstreme të luftës kundër pushtuesve serbë, çfarë nuk është vetëm një akt lokal heroik, por një model etiko-narrativ që flet për brezat që vijnë, për përfitimin e shoqërisë dhe ruajtjen e lirisë dhe demokracisë.
Siç sugjeronte Ricoeur në analizën e tij mbi narrativën dhe kujtesën e traumës, ngjarje të veçanta kane një rezonancë universale. Gjithashtu, sipas Assmann, kujtesa kulturore e kryer për shkak të rrëfimit letrar të sigurt ben që vuajtja dhe sakrifica e të rinjeve, të shndërrohet në udhëzime morale për brezat e ardhshëm.
Në këtë luftë, sakrificat e Furtunës dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, si Bekim Kelmendi, Berat Shala, Beqir Gashi, Drita Juniku Kelemendi, Arianit Kelmendi, por edhe të Nanës Hatë, Sadetes etj, bëhen simbole të përgjegjësisë morale për lirinë, pavarësinë dhe mirëqenien e shoqërisë; për këtë, Selimi afirmon idenë se ruajtja e vlerave kombëtare, demokratike kërkon sakrificën sublime, që nuk kufizohet nga hapsira gjeografike apo kombësia, por flasin për një koncept universal të njerëzor.
Kështu, mesazhi i romanit ndikon në kontekstin shqiptar, duke u bërë një vlerë etike dhe humaniste për shoqërinë që aspiron të ruajë lirinë dhe të ndërtojë një të ardhme të drejtë dhe të qëndrueshme euroatlantike, në paqe me vetën dhe të tjerët.
Vendi i romanit Mollë në furtunë në prozën bashkëkohore shqiptare dhe profili letrar i autorit
Në korpusin e prozës bashkëkohore shqiptare që trajton luftën e Kosovës (1998–1999) dhe rezistencën kombëtare, romani Mollë në furtunë i Hasan Selimit zë një vend të veçantë për shkak të ambicies së tij sintetizuese midis epikës së luftës, romanit familjar dhe reflektimit etik të pasluftës. Ndryshe nga një pjesë e prozës së pasluftës që mbetet kryesisht në nivelin e dëshmisë dokumentare ose në rrëfimin fragmentar të traumës, Selimi ndërton një narrativë të gjerë, koherente dhe teleologjike, ku lufta nuk shfaqet vetëm si akt heroik apo tragjik, por si proces formues i identitetit individual dhe kolektiv. Figura e Furtunës, e ndërtuar në linjë të drejtë me heroinat e rezistencës në letërsinë shqiptare, por e përditësuar me dimensione intelektuale dhe diplomatike, e vendos romanin në një dialog të hapur me zhvillimet moderne të shoqërisë kosovare dhe shqiptare pas vitit 1999. Në këtë kontekst, Mollë në furtunë kontribuon në konsolidimin e një narrative letrare të rezistencës që nuk kufizohet në mitizim, por synon të problematizojë pasojat morale, politike dhe psikologjike të lirisë së fituar. Ky pozicionim është i lidhur ngushtë me profilin krijues të Hasan Selimit si poet me ndjeshmëri të theksuar metaforike dhe prozator me prirje refleksive e eseistike, ku gjuha poetike ndërthuret me diskursin historik dhe juridik. Përvoja e tij e gjatë në fushën e së drejtës dhe institucioneve shtetërore reflektohet në roman përmes një vetëdijeje të fortë mbi drejtësinë, përgjegjësinë dhe paradokset e rendit ndërkombëtar, duke i dhënë veprës një dimension kritik që e tejkalon rrëfimin letrar dhe e shndërron në tekst referencial të prozës shqiptare të pasluftës.
Bibliografi
Assmann, J. (2011). Cultural Memory and Early Civilization. Cambridge: Cambridge University Press.
Genette, G. (1980). Narrative Discourse: An Essay in Method. Ithaca: Cornell University Press.
Lukács, G. (1962). The Historical Novel. London: Merlin Press.
Ricoeur, P. (1984–1988). Time and Narrative (Vols. 1–3). Chicago: University of Chicago Press.
Selimi, H. (2025). Mollë në furtunë, Tiranë
–Narratologjik = analizë teknike dhe teorike e rrëfimit
– Jo interpretim temash apo mesazhesh, por analizë e mekanizmave të tregimit


















