Akademik!
Përsërita deri natën vonë këtë fjalë…Jo këtë fjalë, por këtë titull që e mora apo ma dhanë nuk ka rëndësi. Fjala marr ka të kundërtën e asaj jap . Pra do të them : E mora. Nuk doja të flisja më tepër për këtë. Megjithatë mbase më duhej të tregoja ato që më thanë se si ishte zhvilluar kuvendimi të ma jepnin, pra të më linin ta merrja titullin, dhe se kush e si kishte kundërshtar e kush e si e kishe pranuar e miratuar. Hulumtimet nëpër arkiva, përshkrimi i ndonjë dokumenti, letre të gjetura, apo edhe përpjekjeje shkencore të ndonjërit të vdekur që i kishte lënë, ishte vlerësuar si shkencë që bëja unë. Po ashtu ishte përmendur edhe një shkrim që pata bërë çmos dhe arrita ta botoj në një revistë të huaj, megjithëse ajo e quajti hulumtim dhe jo analizë shkencore. “Ah, moj revistë! duhet t’i besosh edhe sikur të jetë gënjeshtër shkencore, se me të arrin të vërtetën!”
Ishte krijuar praktika dhe vazhdonin të pranoheshin persona sipas lidhjeve të ndryshme me anëtarët. Nuk më brente ndërgjegjja se, edhe unë nuk lash gur pa luajtur. Kisha përkrahësit e mi, dy të lidhjeve farefisnore që më propozuan, një të shoqërisë shkollore dhe një, të cilit i kisha futur mik. Më ndihmuan edhe ca botime të këtyre gjetjeve. Disa kishin votuar pro pa gjykim, thjeshtë sipas rrjedhës së arsyetimit, se u duhej më pak kohë për të bërë diçka siç duhet, sesa për të shpjeguar pse e bënë gabim.
Merreni me mend se sa i nderuar do të isha. Përveç nderimit si akademik që dihej e do të bëja ç’ishte e mundur të fitoja famën e shkencëtarit, do të më duhej edhe mua të nderoja që të fitoja edhe më shumë, megjithëse thellë në vete e ndija dhe e dija se do të më duhej ta shpikja veten shkencëtar! Të përgatitesha që mjedisi i akademisë të pranonte pandjeshëm siç thotë populli “Jeton bleta majë malit, jeton dhe miza nën bisht të kalit.”
Isha pesëdhjetepesëvjeçar. Unë nuk doja të mbillja pemë kur nuk mund të rrija nën hijen e tyre, prandaj nuk doja t’i zgjasja hulumtimet dhe as përfundimet e studimeve. Nuk më duheshin botimet pas vdekjes. Doja të përjetoja kënaqësinë e të ndjerit i lavdishëm, ashtu si disa politikanë. Edhe këtu bëhej politikë, por me mjete të tjetra. Në politikë flitet për demokraci, në akademi thuhet me ironi “bëje pa mëç demokratik stilin.”.
Ia kisha nisur një studimi që gjashtë vjet. U dhashë i tëri pas tij. Po më dukej se do të më mbytej kungulli mbi ujë, të më shkonte huq puna, jo për shkencë, por për pranimin e tij dhe rritjen e autoritetit tim. Kështu, pasi nuk po dija si ta përfundoja, fillova të paraqes vështirësi para kolegëve ashtu siç thuhet tërhiq e mos këput, që ta zvarrisja në pafundësi.
“Ah, mor koleg,” i thashë shokut më të afërt, që punonim bashkë në institut, “ti duhet të jesh në akademi dhe më vjen keq, por.. Çfarë të them! Kur të më dalë emri nëpër të gjitha mediat edhe ti fiton duke qenë krah meje, por duhet të përhapësh se në studimin tim ka fjalë ari.”
Isha i vetëdijshëm dhe e pranoja me ndërgjegje se ai e meritonte para meje të ishte anëtar i akademisë. Ky nuk ishte si ata kolegë që flisnin kodra mbas bregu. Zëvendësdrejtori i institutit me atë post e kishte kullotur institucionin gjatë gjithë jetës, kishte zgrapur fonde e nuk kishte shkarravitur asgjë. As skuqej, as zbehej, njeri i pacipë. E dija se kishte kundërshtuar pranimin tim dhe se do të më rrinte hundë e buzë. Kur u vendos zëvendësdrejtor nga pushteti, u bë gazi i botës, siç thuhet, në tërë institutin, madje edhe të atyre që kishin lidhje me institutin, por për të ishte punëmadhe fort! edhe pse e përshkëllinë gazetat.
U bëra akademik dhe….? Tash e mbrapa duhej të përpiqesha e të punoja për sajimin e mbrojtjen e doktoratës. Vetëm një e treta e anëtarëve kishin doktoruar. Kisha marrë pjesë në dy mbrojtje dhe tek njëra më qe dukur se pati një parapëlqim dhe jo vlerësim të duhur nga dy prej tre anëtarëve të komisionit vlerësues.
Nganjëherë më çakërdisej mendja kur më kapte ethja e gradës shkencore PhD. Marrja e titullit PhD ishte bërë një lojë qesharake me shkencën. “Ti ke gjashtë vjet që ke bërë të ditur se po punon për një studim. A je kah fundi?” Më pyetën. U zura ngushte. Studimi im ishte vetëm një skicim i atyre që kisha vënë në spikamë të rropatesha që, në njëfarë mënyre ta rrumbullakoja studimin. Vetëm të mos ishte zëvendësdrejtori në komision se edhe sikur të shkëlqeja ai do të ma kthente mbrapsht studimin.
Pasi i thash vetes se duhej patjetër të arrija ketë gradë, u vura të mblidhja material dhe të mundohesha t’i thurja në atë mënyrë që të dukej se ishte rreshtuar bukur, pavarësisht se s’kisha nxjerrë përfundimet e duhura. Një bukuri e jashtme mbulon mangësitë e brendshme! Edhe nëse provoja me pa ëndrra me sy çelë, mendimet dilnin më interesante, por jo si ajo thënia se, nëse të gjithë mendojnë njësoj, atëherë dikush nuk mendon.
Mendova gjatë se ku mund të gjeja materiale të përafërta me temën dhe t’i stisja në krerë që të dukej se kisha analizuar pjesë e anë të ndryshme të temës. Mora me mend tri biblioteka kur mund të gjeja materialet e nevojshme dhe fillova. Kapërceva një numër librash dhe asgjë. “Ehe sikur të lexosh shumë libra nuk ndryshon graviteti i tokës.” I thashë vetes. Pastaj iu përvesha rrastë punës. U bëra copë duke kërkuar nëpër libra analiza, shprehje e thënie që t’i shtija në punimin tim. Kopjova disa dhe për një kohë u ndjeva i kënaqur. U krijua një bazë për të ecur më tej.
Në një çast të duhur dhashë një intervistë. Lavdërova punën e akademisë, përmenda nja dy emra që më duheshin kur të shqyrtonin punimin tim për të më dhënë gradën PhD dhe, në pyetjen e gazetarit, bëra me dije se jam në valë të punës për të mbrojtur doktoratën dhe i theksova me të qeshur se nuk kam përse të ngatërroj famën me suksesin.
“Të doli zëri si akademik i zoti. Të kanë marrë nëpër gojë për mirë. Po ku i ke librat, mor akademik?” Ma hodhi një shok i fëmijërisë duke qeshur pa të keq.
“I kam në raft!” Ia prita. Kisha vetëm tridhjetegjashtë libra “E, ç‘më duhen!”
“Të kujtohet kur ishe në valë të gjakut, student nëntëmbëdhjetëvjeçar, ëndërroje të ngjiteshe në majë të piramidës? Hëm, ku ke arritur! Mbase mund ta shpikësh veten shkencëtar…!”
“Hë, mo! Nuk i lë ti këto!” Ia preva. Ai vazhdoi të qeshte. “Unë nuk jam asi njeriu që s’e ka faqja e dheut, prandaj fshihem pas atyre, ja po e them, vjedhjeve të mia. Duhet të bëhem bytha e dreqit ta fsheh vjedhjen”.
“Por ajo pema jote është e vogël dhe nuk bën hije.” Më tha ai.
“Aq sa bën.”
Që të mos i vente kujt ndërmend se vjedh mendimet, analizat e shprehjet e thëniet e të tjerëve, të cilat i përpunoj, grumbullova shprehje me foljen gënjej: gënjej njeriun, gënjej vetën, gënjej shpirtin, gënjej mendjen, më gënjen syri e të tjera dhe dhashë një intervistë ku theksova se në mjedisin tonë shkencor po bëhen huazime e plagjiatura dhe po thuhen gënjeshtra, duke i cituar ato shprehje. Gjatë intervistës m’u kujtua pohimi i shokut: “S’ma merr mendja se do të arrish diçka të duhur e të pranueshme. Më shumë do të jetë kripë e blerë që shkrihet në ujë.”
“Unë s’kam dorë me vjedhë fonde si zëvendësdrejtori. Edhe nëse unë vjedh fjalë, kjo nuk dëmton askënd..”
“Dëmtojnë dijen, shkencën, kulturën….”
“Për ato le të përkujdeset kush të dojë!” Thashë prerë me njëfarë shtrëngimi.
Në ndërkohë u botua libri i zëvendësdrejtorit, cili u lavdërua në mjediset e institutit, si edhe në akademi. Vërtetë ishte libri i parë, me atë subjekt, por përshkruheshin të dhënat e një institucioni të kërkimeve dhe asgjë më shumë. Madje nuk kishte nxjerrë asnjë përfundim që të thoshte diçka dhe kjo krijonte dyshimin nëse e ka hartuar vërtetë ai. Dikush tha se ai libër duhej të përkthehej dhe të botohej jashtë dhe zëvendësdrejtori rrahu gjoks për punimin që s’i tejkalonte as kufijtë e çantës prej nga e nxori dhe shpalosi kotësinë e mburrjes. “O zëvendësdrejtor, mburrja nuk të lë të dallosh të vërtetën!”
Botimet ishin me mjaft leverdi. Së pari paguhej për veprën dhe merrte edhe honorarin, së dyti edhe redaktori e korrektori paguheshin, së treti i takonte diçka edhe drejtorit. Po kështu ndodhte edhe në akademi. Botimin e parë nuk e blinte as e lexon kush. Dërgohej nëpër biblioteka. Pas një kohe jo te gjatë hidhej ideja se kishte nevojë. Të gjithë e dinë se s’kishte pikë nevoje të ribotohej. Kështu përsëriteshin pagesat. Akademikët mbeteshin të kënaqur. Nuk e di sa e si përfitonte kryetari. Një herë një gazetar i mbrapsht kishte botuar një shkrim me titull “Hajde akademi, hajde…!” Unë kam mbetur anash, por do t’ia gjej anën edhe unë për këtë farë “afarizmi akademik”.
Në mbledhjen e radhës në institut për rezultatet e punës, zëvendësdrejtori u shpreh për pazotësinë time. Kjo ishte si hakmarrje apo ndëshkim se unë nuk kisha lavdëruar librin e tij. Më hypi një avull sa desh plasa. Ashtu siç thuhet se sulmi është mbrojtja më e mirë, ia prita:
“Kolegu i tha ato fjalë se e ka çuar hundën përpjetë se iu botua ai farë punimi…”
“Nuk është ai farë punimi, por është shkencë.” Ma preu fjalën.
“Shkencë me kopjim raportesh. Ke përshkruar statistika, o burrë! T’i këndoj letrat në xhep. S’mund të fshehësh asgjë nga unë.”
U nxeh dhe filloi sulmin:
“Mos hyn nëpër lakra se nuk është fusha jote. Jo, po, si ata artikujt e tu shkarravitës, si ai studimi yt që ke dhjetë vjet që e ke nisur. Më mirë të merreshe me studimin e paçavures, kuptimi, si është krijuar, nga vjen, përse shërben…”
“S’kam nevojë. Të kam ty përpara.” E thumbova.
Ai nuk u përgjigj menjëherë. Në sallë kishte rënë qetësia. Kolegët po dëgjonin e na vështronin habitshëm nga gjuha përbuzëse.
“Mendojeni një akademik me lëkurë bualli që di vetëm për thumba.” Iu drejtua të pranishmëve. “Ka titull, por kur hyn më thellë del e çfarë nuk del!”
“Mos harxho frymë kot. I kam zanat thumbat për ata që e meritojnë. Me fletët e atij punimzhgarravitës e shkencëpërlloçur që ke bërë ti nuk shkoj as….!” Nuk di pse nuk e thashëm fjalën nevojtore. “Edhe qeni e di se jam akademik!”
“Po, more, po, por ty nuk të hanë as qentë! Aq i shpifur je sa… sa… Hëëëë” U nervozua shumë. U ngrit dhe erdhi në drejtimin tim. Edhe unë u ngrita në këmbë. U afruam fytyrë më fytyrë, sy më sy me një mllef që ishte gati të kalonte në përplasje fizike. Në ato çaste erdhën dy kolegë, u futën midis nesh dhe na shtynë të largoheshim nga njëri tjetri.
Për çudi, megjithëse më kishte ngacmuar, nuk i mbajta mëri.. U ndeshëm ballëpërballë një ditë dhe ia priti:
“Përshëndetje qytetar!”
“Nuk dua të më flasësh. Është prishur çdo urë e miqësisë sonë! Gjaku im dhe i yti nuk mund të miqësohen.” Ma ktheu shpinën dhe iku.
Zënka me zëvendësdrejtorin më nxiti të paraqitesha në njërën apo tjetrën formë a mënyrë se studimi im po gatuhej ndjeshëm. Gjeta një koleg në akademinë e shtetit fqinj. U morën vesh që ai të më jepte një çmim dhe unë t’i jepja atij një çmim. Kështu bëra çmos të futesha në juri, madje edhe kryetar dhe marrëveshja u sendërtua. Mora çmimin dhe fillova me heshtjen, me buzëqeshjen, gjestet e mia të mburresha pa fjalë. M’u kujtua se ç’kisha thënë për mburrjen e zëvendësdrejtorit, kur kuptova se askush nuk e kishte marrë seriozisht këtë çmim. Madje pati një zë të mefshtë se unë paskam kopjuar një tjetër.! “Flaka t’i dalë! S’më bëhet vonë!” Thashë dhe kapa atë farë analisti.
”Nëse unë paskam kopjuar, edhe ti ke shprehje të kopjuara.” U bë prush në fytyrë. “Prandaj mbylle gojën.”
Po kuptoja gjithnjë e më shumë se kështu, duke mbuluar ne dita ditës punën time jo të frytshme në studim, do të dilte sheshit se isha rropatur kot. Për të mos ndodhur kjo, vendosa të shpalosja në mediat sociale disa thënie që paskësh përfshirë në punim.
Shprehjen “I vjen për dore” e ndryshova “I vjen për gishtash” domethënë se nuk ka fare shkathtësi të bëj diçka mirë.
Thënien “Po e pate bishtin ta presin, po s’e pate ta ngjesin” e perifrazova “Preje bishtin që të mos kenë ku të kapen”, domethënë të shpëtosh.
“Ai s’vlen as me ia falë dreqit” shtova “Edhe nëse ia fal, dreqi nuk e merr”, domethënë aq i keq sa nuk e do as dreqi.
“S’tunden malet me përralla” shtova “Por vetëm kur janë male e jo kodra”.
“Je duke këqyrë si miu suxhukun në tavan” shtova “bëjeni tavanin prej xhami”.
“Mos dëgjo ç’thotë ai për vete, por dëgjo ç’thonë bota për të.” Theksova: “Bota është e rrumbullakët dhe fjalët i sjell rreth vetes.”
“Ruajmë nga miku, se nga armiku ruhem vetë.” Iu përgjigja kësaj thënie: “Armikun e kam përpara, po si ta njoh mikun?”
“E ka lëshuar shosha.” E modernizova: “U kanë filtruar rrymat e truve.”
“Ruhu nga thëngjilli i mbuluar.” Shkrova: “S’ka më thëngjill, sot kemi elektrik.”
Mora lavdërime edhe nga njerëz që nuk i njihja, por një pjesë e madhe e kolegëve nuk thanë asnjë fjalë. I zemëruar pak nga ky qëndrim, siç e kam thënë një herë se sulmi është mbrojtja më e mirë, hartova një tekst për paaftësinë, mediokritetin, plagjiaturës e të tjera dobësi në rrahun shkencor, pa përmendur as institutin, as akademinë. “Po bëhen të ashtuquajturat studime me ‘nxitim shkencor’ që ngjasojnë me përpjekjet për të arritur ‘klonimin e farave të shalqirit në farat e kungullit’, studime si t’i jepet ujë gomarit, studime që tregojnë se autori po digjet për pak famë e kur u shkoi huq përpjekja fillojnë të shikojnë me bisht të syrit. Po na dalin studiues që peshkojnë në ujë të turbullt, por sado të përpiqen nuk kapërcejnë hijen e tyre, e janë aq të thellë sa mendimet e tyre vlejnë deri në përrua,
Të gjithë këto i quajta rrangalla dhe shtova me ironi se mbase do të ishte me vend që në mjedisin tonë të krijohet dega shkencore “Bërllokollogjia”.
Faqja ime në internet u mbush plot me thumbime, ironi, tallje deri edhe kërcënime:
“Të ka shkelur koha, zotni!”
“S’do të kesh as sy as faqe me u dalë njerëzve përpara.”
“Ke marrë detin me sy. Ke shpresë se do të gradohesh si kungulli që rritet në gardh.”
“Të njohim me rrënjë e degë se çfarë m… je!”
“Kanë me ta ba varrin. Mbaje mirë ndërmend se… Për me mbajtë mend duhet me pasë mend. Po shoh se ti nuk i ke!“
“Mos fut hundët kudo.”
“T’i ka pi sorra mendtë!”
“Për djallëzi të pret sëpata në të dy anët.”
“Kujt po ia shet këto përralla! Po plakesh me një palë mend, o hajvan!”
“Ende mbështillesh me pelena. Dy pare njeri.”
“Mos bëj shumë llumllum me perifrazime të kota, me ca arsyetime që s’i ha askush. Këto janë rrenë e përtej rrenës. Ti, more zotni, gjithë ditën rrenë dhe je mësuar me i ngjitë bishta gjithkujt.”
“Më së miri të shkon ty ajo “Bërllokollogjia”, se ti e bën bërllok!”
“Unë do të jua bëj gropën!” Kërcënova. Nuk di si e ndjeva veten dhe m’u bë shprehi të dilja pothuajse çdo ditë në shëtitje dhe i thosha vetes “kështu heq ndryshkun, se edhe mendja e trupi i njeriut ndryshken”. Në njërën prej shëtitjeve hasa një koleg, i cili, që kur ishim njohur, kishte mbajtur një qëndrim asnjanës ndaj meje.
“Shëtitja të bën mirë për studime.” Më tha. Nuk e kuptova nëse e pati me ironi apo… ? “Pse u ndeze në fytyrë? Ne jemi të një brumi. Ashtu siç të kanë përshkruar dhe të ka dalë zëri si akademik vetëkundërshtues mund t’i thuash pa rrotulla e me emra.”
Pas këtyre fjalëve e gjetëm gjuhën e përbashkët. Të dy kishim vite që po studionim dhe nuk kishim nxjerrë gjë në dritë dhe shprehëm shqetësimin se si do të arrinim diçka të duhur e të pranueshme. U mirëkuptuam në heshtje se më shumë faqe do të kishte hyrja se përmbajtja.
Rasti është mbret i rëndomtësisë. Më qeshi fytyra, m’u gëzua zemra, më përfshiu hareja… Duke hulumtuar gjeta një dorëshkrim të vjetër. Autori i tij kishte vdekur mjaft vjet më parë. Askush nuk kishte dëgjuar për të. “Eureka!” Thirra fort. E daktilografove, i përditësova shprehjet e vjetruara dhe … Hopa! Grada e doktorit të shkencave ishte gati . Unë PhD.
Fillova të tregohem mospërfillës ndaj institutit dhe drejtuesve të tij. Kjo mospërfillje zemëroi dike dhe në stendën e lajmërimeve kishte dalë kjo poezi:
“N’akademi ku je anëtar
shumë e fjala mbaron me ar
s’ëshët e thënë me pasë vepër
mjaft m’i shpikë atë në letër
se të thonë jo për mahi
me ba shkencë s’ka leverdi
si me blue bollgur n’mulli
pse po hyn mor burrë n’siklet
thua një vepër do njëzet vjet
ma mirë rrimë e pimë kafe
punë e madhe fort për llafe.”
Dhe ndodhi përplasje me drejtorin e institutit.
“Do ta them që në fillim ‘S’mbushet thesi me një kokërr’. Nuk shpërblehet djersa e taksapaguesve me ato kapërcimet pindarike që bën ti. Mos hyn nëpër lakra edhe aty ku nuk është fusha jote e studimeve se del që ti i je shpifur shkencës.” Tha drejtori me një zë të rreptë. “U bënë tetë vjet nga ai studimi yt dhe nuk kemi parë asgjë të shkruar apo të skicuar deri më sot, përveç atyre torollakive në shtyp…”
“Nuk janë torollaki.” E ndërpreva qetë.
“Para se të kritikoni dikë vishni rrobat e tij që të dukeni si ai.” Gjetja e dorëshkrimit më kishte krijuar një gjendje qetësie e gjakftohtësie që nuk e kisha provuar më parë. “Zotni drejtor, thojeni pa rrotulla atë që keni për të thënë.”
“Kam menduar se ti vërtetë ishe një lloj shkencëtari, por, kur nuk paraqet rezultat të punës , del një njeri pa përmbajtje. Që ta vazhdoje, më mirë ta them zvarritje studimin, fillove të paraqitje vështirësi para kolegëve ashtu siç thuhet tërhiq e mos këput. Pra më thuaj se çfarë ke bërë për këto vjet?
“Atë që keni bërë edhe ju!”
Drejtori u shtang. Drejtoi trupin dhe më hodhi një sy të egër. U duk se e përfshiu zemërimi.
“Institucioni nuk mund të pranojë me shti rruaze në pe me ato referimet e tua…”
“Po. E kam të qartë thënien për një shamatë, lypen dy veta.”
“Je shumë i pacipë!”
Drejtori u mërdhez. Unë fillova të buzëqeshja dhe nuk ua vura veshin fjalëve të tij. Nuk më bënë përshtypje as cilësimet e tij si “e ke mendjen zog, je tarak, t’i kanë nxjerrë në shesh të larat e të palarat, të kanë bërë leckë, po ha me dy lugë, edhe në institucion edhe në akademi, mjerë ajo akademi që të ka zgjedhur ty anëtar. Nuk e di se ku po të shkojnë ëndërrimet! Aty ku nuk thuhet. Gjëja që duhet të bësh ti është të luash me lodra.”..
“Unë dhe ju jemi si nata me ditën!” E lash drejtorin të dërdëlliste edhe më tej dhe dola nga zyra. Në bulevard fillova të vështroja fytyrat e kalimtarëve dhe më dukeshin se shprehin habi.
Ndërpreva marrëdhëniet e punës me institutin dhe nisa të paguhesha si akademik, unë PhD.


















