Rreth vellimit me lirika “Të isha ndryshe” i poetes Enrieta Sina
VARGJE SI GUASKA MARGARITARËSH
“Kjo lloj poezie e sinqertë, nuk mund të mos marrë përsipër funksionin e saj të rëndësishëm në rrugën e civilizimit bashkëkohor. Sot, më shumë se kurrë, vjershat e autores në fjalë mbrojnë vlera njerëzore, duke luftuar të keqen. Poezia e Enrietës, përveç faktit që di të godasë në shpirt, është gjithashtu edhe balsam.”
Gjithmonë më ka preokupuar ideja për të mundur të konsideroj artet, në përgjithësi, në aspektin e tyre iluminist në lidhje me efektet që ato arrijnë të përcjellin në shoqërinë njerëzore. Sigurisht, një këndvështrim i tillë nuk do të mungojë as këtë radhë, nga ana ime, përderisa bëhet fjalë për tu shprehur rreth vëllimit poetik të autores së talentuar, Enrieta Sinës, tashmë të njohur në Shqipëri apo gjetkë.
Paraprakisht më duhet të vë në dukje se poetët nuk arrijnë dot, të shpëtojnë botën nga e keqja. Por, duke filluar nga Homeri i panjohur dhe duke përfunduar te nobelisti anglez, Harold Pinter, mund të thuhet se, poetët, arrijnë të shpëtojnë fisnikërinë e shpirtit. Këta, brenda kufijsh të kufizuar, bëjnë gjithashtu të mundur, të shkëlqejë inteligjenca pozitive kudo në botë. Për më tepër, duke penetruar në labirintin e errët të politikave të mbrapshta dhe të politikanëve në përgjithësi, edhe sipas mendimit të një presidenti të shquar amerikan, si Xhon Ficxherald Kenedi, më duhet të vë në dukje se, kur pushteti shtyn njeriun në arrogancë, poezia të bën të kujtosh mrekullinë e të qenit në jetë. Kur pushteti korrupton, poezia purifikon shpirtin e njeriut.
Megjithatë, kur një lexuesi i bie në dorë një libër poezie, nuk mund të pretendohet kurrsesi që ai do të arrijë të zbulojë diçka konkrete në vargjet e lexuara. Por, prej një poezie me vlera estetike, lexuesi ka për të ndier sigurisht, diçka të bukur dhe fisnike e cila do ta bëjë atë, vetë, të dallojë aq shumë prej pjesës tjetër të shoqërisë. Qiejt bëhen për të akoma më të bukur dhe të ndritshëm, kur të bien në dorë, për të lexuar vjershat plot hijeshi të Enrieta Sinës. Pra, poezinë ne vetëm mund ta ndiejmë. Nuk mundemi kurrsesi ta shpjegojmë atë. Mbasi është vetë natyra e kësaj lloj gjinie të veçantë të letërsisë e tillë, që nuk na jep neve kurrfarë mundësie apo shtegu, për ta diskutuar atë në thellësi. Në fund të fundit, në një tufë me vjersha, përse do të na duhej të pretendonim, për të mundur të kuptonim histori të caktuara të jetës njerëzore, përderisa vetë jeta është njësoj si poezia: e pazbërthyeshme, misterioze, enigmatike. Dhe, për më tepër, aq shumë e vendosur për t’i mbajtur sekretet të fshehura përjetësisht. Ndoshta, të mbyllura me çelësa të padukshëm, hyjnorë…
Nuk do të mund të ndodhte ndryshe edhe me vëllimin poetik të Enrietës. Nëpërmjet vargjeve të saj të mrekullueshme, ku dallohen tingujt ekzistencialistë të jetës njerëzore, lexuesi arrin të admirojë lirizmin, përsosmërinë ideale të kërkuar në një bote jo reale, rikthimin pas në të kaluarën, me kaq shumë hije dyshimi dhe ëndrra të parealizuara, në një përpjekje ndoshta diçka të suksesshme, për të shkarkuar nga supet një pjesë të barrës shpirtërore të grumbulluar nga jeta. Duke lexuar poezitë e Enrietës, jo pak herë mu duk se gjendesha duke dalluar ato shkallët e larta, tepër të çuditshme, transparente, magjike, në përpjekje të vijueshme, për të rrethuar kështjella të larta, të shtrira madje ne pafundësinë e vet universit. Dhe, si në të gjitha poezitë me vlera shpirtërore, akoma më e çuditshme mu shfaq ideja në kokë, kur mendoja se këto shkallë magjike përpiqet t’i hedhë poeti, i cili, në fund të fundit, nuk është asgjë tjetër përveçse njeri. Diçka që do të thotë se ai është gjithashtu një produkt material, me një afat të caktuar skadimi jetësor mbi tokë.
Duke lënë mënjanë konsideratat rreth karakteristikave formale të poezisë: siç janë ritmi, rima, rreshta dhe strofa, unë munda të admiroj gjithashtu te libri i Enrietës atë amplifikimin perfekt, përherë me një natyrë të spikatur poetike, që poetesha arrin tu bëjë me sukses sinjaleve, sado të vogla, të cilat kanë lindur në shpirtin e saj. Gjen aty prova të jetës njerëzore më shumë se në çfarëdo etyd me karakter sociologjik. Autorja na ndihmon për të kapur fillin e dhjetëra përfytyrimeve fantastike. Ajo na krijon mundësinë për t’i stimuluar ato nga pikëpamja mendore. Na lejon të futemi në të njëjtën valë ndjeshmërie me botën e civilizuar të poetëve cilësorë, duke u ndarë njëkohësisht nga verbëria klasike e turmave njerëzore, që aq shumë u gjendën të stimuluara negativisht prej poetësh me një të kaluar të përbindshme, fatale, për vetë vëllezërit, bashkëkombësit e tyre, pa përjashtim: të frikësuar, varfëruar e poshtëruar deri në palcë. Pra, poezia moderne e autores në fjalë mëson lexuesin edhe për të qenë i ndershëm dhe human.
Në aspektin filozofik, poezia e Enrietës nuk mungon së mbajturi në dialog pothuajse të përhershëm hapësirën dhe kohën. Qoftë edhe për disa çaste, ajo sikur kërkon të shkëpusë, të xhvasë njeriun nga koha, e cila rend përherë e pamëshirshme, për këdo. Poezitë e Enrietës përherë dinë të prodhojnë sensacione të këndshme për lexuesin. Duke gëzuar në vetvete cilësinë apo atë vatrën e ngrohtë, të mrekullueshme, të mendimit pozitiv, vjershat ndihmojnë edhe në aspektin e vlerave morale. Ndeshemi me gjithfarë vargjesh me karakter të dallueshëm intensiv, me një vijim të pafund imazhesh, që nuk e lënë të qetë mendjen dhe ca më shumë zemrën e lexuesit. Dhe kjo, për hir të kreshendos së emocioneve. Në poezinë e Enrietës gjen të shprehur gjuhën e ndjenjave të pastra, të lirisë dhe atë të një lloj paqeje të bukur filozofike, me karakter etik, e cila lidhet edhe me fisnikërinë e shpirtit të vet autores, e cila ka arritur të përshkojë një jetë dinjitoze. Është diçka që nuk mungon të reflektohet edhe në vargjet e librit.
Kjo lloj poezie e sinqertë, nuk mund të mos marrë përsipër funksionin e saj të rëndësishëm në rrugën e civilizimit bashkëkohor. Sot, më shumë se kurrë, vjershat e autores në fjalë mbrojnë vlera njerëzore, duke luftuar të keqen. Poezia e Enrietës, përveç faktit që di të godasë në shpirt, është gjithashtu edhe balsam. Ndërkohë që, në fund të librit vargjet, si guaska margaritaresh, detesh apo oqeanesh të ngrohtë jugorë, vetvulosen, siç ndodh me të gjitha poezitë cilësore, për të mos arritur të mësosh prej tyre asgjë konkrete. Vetëm të thithësh fisnikërinë e shpirtit të vargut…
Në përfundim do të dëshiroja të shtoja se rreshtat poetikë të Enrietës, edhe për hir të faktit se kemi të bëjmë me një grua poeteshë, përbëjnë një poezi të dyfishtë. Do të përbëjë një rast i papërsëritshëm për këdo, mundësia për t’i lexuar këto vjersha…
ROBERT MARTIKO,shkrimtar.
SHPËRBËRJA NË QELIZË….
Mu mpinë këmbët dhe s’munda të eci
Gishtrinjtë nuk di si u shpërndan’
Sytë kërkonin veten rrugës lodhur
Në port’-jete dëshirat nuk u panë
Çudi…?!
Ishtë shpërbërja në qelizë
E ushqeva më dritën e Hënës
Më qumështin e Zanave nga malet
Me nektarin e luleve të majit
Pashë tek vraponin shtojzovallet
Çudi…?!
Shpërbërja qesh dhe s’ndalet
Iu luta me lotin e syve, mos!
Mos m’i prek sytë,dritë të shoh
Këmbët të ecin mos i pengo
Duart si do shkruajnë po u mpinë?!
Çudi?!
Shpërbërja në çast ulërin’
Ajo ish diku përballë e lartë
Me një pushtet që s’e mendoja
Qeshi si e luajtur në mesnatë
Asgjë nga ajo nuk po dëgjoja
Përpëlitur ftohtësisë kaloi nata
Herë gri dhe herë errësirë mbjell
Prita shpërbërjen që të vinte
Një agim tjetër të më sjell
I dëgjova zërin në prag dere
Po bisedonte thjesht nën zë
Me një vajzë krejt të artësuar
Dashuruar ish ajo me të
Çudi…?!
Erdhi ndryshe shpërbërja qelizës
Brenda meje me tjetër pushtet
Por sa dashurinë ajo takoi
Më vështroi dhe u largua shpejt…
Flokartën e pashë të më afrohej
Buzëqeshte ëmbël dhe me mall
Në hark qiellit dukshëm më tregonte
Rrugën që përshkon, askush s’e ndal…
SI LAKURIQI I NATËS
Njerëzit që ecin nën hije, verbohen nga e vërteta
Janë të heshtur në mjegullajën e tyre dhe kënaqen po ashtu
Duke fluturuar si lakuriqët e natës verbuar nga dielli
Miopia e jetës përplaset për të kërkuar errësirën
Aty kanë mbretërinë e tyre edhe pse e pa lakmuar nga të tjerë
Ata ndjejnë vetveten brenda kufijve të saj murengritur
I kam takuar këta njerëz lakuriq nate edhe pse anonim
Mbuluar nën një petkë të arnuar nga ëndrrat e vrara
Në rrugë të baltosura gjurmë nuk lënë ,vetëm hije
Mes erës, reve dhe shiut, ngrenë trajektore trishtimi
Përplasur krahët në një fluturim me zë çjerë
Si kukuvajka qëndrojnë aty ku mbin nata
Mos u hidhni vështrimin të mjerëve, të verbuar
Mes agimeve tona ku dielli ngroh dhe lulet çelin
Ne dimë të fluturojmë me vështrim të pastër
Duke shkelur mbi verbërinë.
KUR HEDH HAPIN…
Njeriu ndihet ndryshe, duke lënë pas një tjetër kohë
Një tjetër ndjesi do ta bëjë të jet’ çastit i lehtësuar
S’është thjesht kureshtja ajo që e nxit ta bëjë këtë
Është një vështrim më shumë për t’u kthjelluar
Në përballje me një dritëz që duket në fundrrugë
Apo diku në trungun e një peme plot me gjelbërim
Kur hedh hapin kupton se ke ende turbullirë tek vetja
Një hap përpara të sjell tjetër kohë e tjetër shkëlqim
Mos u mërzit edhe nëse diku hapi të zhgënjen
Ajo ish një dritë djalli që të ndolli me pabesinë
Tashmë më mirë pas hapit ligësinë e saj ti e njeh
Dhe me një hap tjetër kthehesh për të vetëtimë
Por unë e dua qiellin e jetës time të pastër
Ia njoh trazirat kur retë ngatërohen dhe zhurmojnë
Mbi vesë lulesh kur hedh hapin jam vetvetja
Hapin e jetës, retë dhe lulet shpesh e lakmojnë
Njeriu ndihet ndryshe, duke lënë pas një tjetër kohë
Një tjetër ndjesi do ta bëjë të jet’ çastit i lehtësuar
S’është thjesht kureshtja ajo që e nxit të bëjë këtë
Është një vështrim më shumë për të i artësuar
Nuk është vështirë të hedhësh hapin në kohë
Shpirti dhe zemra kërkojnë të kenë lumturi
Një çast i ardhur pas tij jetën tek ty e ndryshon
Merre guximin dhe hidh një hap krejt të ri
Dhe në qoftë dimër i sertë me shi dhe furtunë
Kujto se jeta ka stinët e saj largoje mërzinë
Pra, hidhe hapin sfido ligësinë dhe buzëqesh
Ndofta mes rrezesh dielli të tjera lule do mbijnë….
TË PRES…
Të pres një ditë të hapësh derën
Të hidhem në krah, të gjej ngrohtësi
Puthjet të ndezin zjarrin e shuar
Do ta shuaj unë, do ta ndizesh ti
Nëse rri heshtur pa asnjë fjalë
Zemra e di tjetër më thotë
Por koha ikën, ikën si e marrë
Të pres, të pres pa dhimbje e lot
Mos më shiko sot ti me habi
Të them, të dua, më duket larg
E përsëri zemra fort troket
Ndofta gabuar s’ jemi në lak
Nëse në errësirë e lë ndjenjën
Ajo do mpihet s’do të eci dot
E rruga do mbyll shtigjet e saj
Një jetë pa rrugë është e kot’
Sa herë kam menduar të të largoj
Mos ta dëgjoj zërin askund
Ndodh dhe jo rrallë kjo më ndodh
Zemra nga rrënjët degët i shkund
Të them sërishmi, eja të pres
Ndjej se të dua, nuk di sepse
Askush s’e di si lind në zemër
Një heshtje bukur si qiell pa re
Në k’të ditë dimri ti je larg
Unë jam po larg, por të kujtoj
Shoh në dritare dy sy të zinj
Imazhi yt më gllabëroj
Koha për ne nuk paska kohë
Të sjell këndshëm aromë nga larg
Po unë e ndjej një natë do t’vijë
Që koha, kohën do sjell në prag…
Është koha jonë, do të them unë
Është koha ime, do thuash ti
Nën shi ndjenjash do jemi të dy
Ku lind dhe vdes një dashuri.
SA DO DESHA….
A nuk është çasti që sjell ndryshimin?
Përballë teje do desha të trokiste
Por askund s’u shfaqe dhe pse fole
Për shumë kohë fjalë dashurie
Mbi një shtromë agimi do të ulem
Kushedi, një rreze tek unë do të sjell
Të shoh sytë që ngjyrën nuk ua di
Të prek buzët dhe nektar të mbjell
Eci rrugëve orë dhe pa orë
Zërat që vargojnë ndër to nuk i dua
Kur përballë ty nuk të shoh
Ç’faj të kam, pse hesht, a s’më thua?!
Nëse dot nuk ecën do të ngre
Përkrah meje forcë do të jap
Nëse sy nuk ke dhe nuk më sheh
Diellit do t’i lutem për ty prap
Ti ke zemër që fort të troket
Ndryshe si do përcillje kaq zjarr
Dhuron flakën që më rrëmben
E qëndron sërishmi shumë larg
Sa do desha të ishim diku
Nuk e di, kudo ku ti jeton
Do të ishte veç një mrekulli
Që vetë jeta një herë ta dhuron
Një ditë vjeshte u shfaqe vegim
Më shikoje nga një tjetër rrugë
Kërkova të vija tek ty pranë
Ky vegim pas pak s’u pa kund
Mos nguro të flasësh, ti jeton
Jeta për secilin ka një fund
Është mëkat kur arom’ s’i shijon
Si një lule petalet ia shkund
Më thuaj ku qëndron, ta di
Mbi retë lart në qiell dhe diellon
Apo nëpër ëndërr je si mbret
Ndodh nga larg ndjenjën më sundon?
Nëse dallgëve je dhe zbret në breg
Kur kërkon të shikosh njerëzinë
Më thuaj a është e vërtetë
Se vet deti ta tret dashurinë?!
Sa do desha të ishim diku
Nuk e di, kudo ku ti jeton
Do të ishte veç një mrekulli
Që vetë jeta një herë ta dhuron….
JE VEÇ TI….!
Nëse dridhem nga dimri i ashpër
Rrugët ndërrojnë stinët krejt papritur
Ti vjen dhe qiellin tim e mbush
Me tjetër gjelbërim në zemër rritur
Shihemi mes reve shuajmë mall
Dhe aty ti ecën lehtë dhe thua:
“Nga ty nuk mund të qëndroj larg
Po ti jeton dot pa mua?!
Bëhem vesë mbi sy të ulem
Ti me ngrohtësi e than shpejt
Vështrimi rri lehtë në buzë
Ku dhe mbin trendafili vet’
Puthjet tona qiellit vetëtijnë
Dhe pse ka bubullima përmbi tokë
E ç’më duhet errësirë e endur
Kur ti vjen e më përqafon fort
Në kaq vite jam e dashuruar
Të dërgoj ëndrrën si magji
Ke dëgjuar, besoj e ke dëgjuar
“Në zemrën time je veç ti…!
Nuk e di por s’ka si ndodh
Dashuri e heshtur jeton gjatë
Vjen atje ku je dhe të gëzon
Ikën për të ardhur tek ty prapë
Ndërsa vitet shkojnë si pa kuptuar
Ajo ngjitet trupit të përshkon
Si një katarakt uji i kulluar
Përhapet lëndinës që lulëzon
Prej aty ndjenja kurrë nuk vyshket
Në çdo moshë të qëndron në sy
Nëse një ditë s’do ja dëgjosh zërin
Unë s’do jem më në sytë e tu…
Do jem ngjitur qiellit duke pritur
Në tjetër jetë një mrekulli
Do të pres, në shekuj do të pres
Të bëhemi një në përjetësi
Nëse dridhem nga dimri i ashpër
Rrugët ndërrojnë stinët krejt papritur
Ti vjen dhe qiellin tim e mbush
Me tjetër yllësi në zemër rritur
Në krahët e reve me lot derdhur
Sytë do shkëlqejnë nga dashuria
Është një dëshirë e mbetur larg
Apo ëndërr që sjell largësia…
ME TY ESENIN!
Si dallgët e detit përplasur në breg
Kaloj ndër gishtrinjë flokët e tu
Dielli s’i lë aspak të jenë zbeht’
Posht tyre lakon ylber ata sy
I derdh kaçurrelat mbi lulet e majit
E hedh zemrën time në zjarrin bërë prush
Po, lulet seç mblidhen thjesht prej fajit
E prushi veç shuhet në atë të mjerë gëmush’
Të kap duart vargje, prek buzën tënde këngë
Ndër buzë lehtë puthja kalon si burim
Gishtrinjtë e mi përsjkojnë në çdo kënd
Ndjenja e re çudi s’ka aspak shpërblim
Me ty dashuruar në çdo varg të art
Ti vjen me një vajzë flokëverdhë dhe thua:
“Nga dashuria e bërë në mullarë me kashtë
Mbeti si shpërblim kjo bukuri për mua..
Në qiellin e lirë kërkove Parajsën
U ngjite mes fijesh me ngjyra trazuar
Tek gishti im i prerë këtë natë
Me gjakun e kuq dhe ti ngatëruar
I hedh një sy vargjeve me hije
Më vështro aq sa të ndjej bukuri
Tek unë rritet vargu që shpejt nuk bie
Për ty është më e madhja dashuri…
Xheloze u bëra për vajzën sykaltër
Që solle tek unë në këtë mesnatë
E prek ajo bëhet një ëndërr e pastër
Me të edhe ti do kthehesh po prapë
Për shpirtin e lirë mallkohej dikur
Dhe fshatit i shkove kaluar mbi kalë
Kërkove mes buzëve të bukura qershi
Nënën ta shihje me shall në çdo prag
Tani je tek vargjet që lagen nën shi
Tek gojëzat e blerta që pranvera çel
Në shpirtin tënd poetik dhe të ri
Kaluar kalon dhe dashuri veç sjell
MOS DYSHO…
Kam ardhur prej reve tek jeta mbi tokë
Nga një grimcë qelizë e ndërtuar
Me frymë dhe me trup pa ditur sesi
Nën një tjetër frymë e mëkuar
U rrita ngadalë e u bëra erë
Fluturova ndër degë pemësh,shtete
Qëndrova mbi dallgë si një pulëbardhë
Kalova lumenj’, male, dete
Ti më erdhe mes rrezesh ndër degë
Kur mimoza po çelte, kundërmonte
Unë hije e murmë mbi rrugë që lëviz
Ti dielli që aq shumë më ngrohnte
Syve u dhe tjetër dritë në qerpikë
Dhe ëndrrat shpalosje shpenguar
Mijëra diej shpërndaje nëpër natë
Si me askënd me ty dashuruar
Tani jam ende një grimcë në qiell
Që shpesh mbetet në sytë e tu
Mos dysho se ndryshe do t’jem
Sa të kemi jetën ne të dy
Nëse ngatëruar në netë të ftohta
Je strukur nën hije reje mbi mal
Kam gjetur një çast sa e gjithë bota
Me dritën që gjendet shumë rrallë
Kjo është dashuria e s’ka emër tjetër
Pse ndryshe ta quajmë s’kemi pse
Na rrit si qeliza mbritur nga qielli
Unë mbetem atje ku ti je
Jemi gjendur në rrugë e pa rrugë
Dy qeliza të lira në jetë
Në ditë me diell, erë, furtun’, shi
Ku dritë lumturia të jep…
Një ditë do t’i ngjitem qiellit sërish
E lehtë, dikur për t’u strukur
Pa frymë ndofta unë do të jem
Mbetur tek sytë e tu të bukur
NJË DITË NDRYSHE
Më zgjon herët një vështrim i ngrohtë
Më ulet në fytyrë më tremb pak
“Nuk më beson?!, akoma s’më beson
Kam ardhur tek ty dashuri të të jap
Ty të mendoj çdo ditë dhe çdo cast
S’e di, më je kthyer për zemrën fiksim
Më lerë të lutem me puthje të mbuloj
Pastaj kudo le të mbetet shpirti im
Ishte imazh, a ç’ishte që më ndodhi
Fytyrë që në jetë kurrë s’e kisha parë
U ngrita nga shtrati ai më përcolli
Me vështrimin shigjetë, gjithë nur e gaz
O Zot, u luta, të jetë dashuria?!
E mbritur ndryshe në këtë agim
Hapa dritaren dhe frymë lehtë mora
Të jetë, mendova, të jetë fati im?!
Po ecja rrugës gjelbëruar pemët
Kërkoja ta largoja atë vegim
Ai kthehej në lule e lulëzuar
Një lule dielli mbetur në harrim
Qëndrova poshtë pemës nën degë
Ai më puthi lehtë-lehtë në faqe
Pastaj më tha:”Më jep një shpresë
Je ti vet ylli që tek unë u shfaqe…
Ish një ditë ndryshe nga të tjerat
Ku dashuria ëmbël nis troket
Në sy në faqe, fërshëllin era
Ashtu ngadalë zemrës hyn vërtet
U ktheva përsëri në dhomën time
Aty kish lënë oh, sa ngrohtësi
E shihja veten rishtas tek pasqyra
Ku puthjen vallë e kish lënë ai?!
O Zot! U luta, të jetë dashuria
E mbritur ndryshe në këtë agim
Hapa dritaren dhe frymë lehtë mora
“Të jetë , mendova, të jetë fati im?!
PO NDJEJ HARRESËN…?!
Biseda të shkëputura më lodhin veshët
Kanë ardhur nga e djeshja mbrëmjes lagur
Çudi si nuk po ndjej zhurmën e dallgëve
Ku është zhytur ndër vite jeta ime
Mos po ndjej harresën?
Një e qeshur fytyr’rrjepur duket pa sy
Përse mbriti tek unë këtë natë s’e di
Nuk ia di emrin, ligësia kudo mbin
Në shpirtin e rritur në errësirë
Nata i përket të dyve
Harresa shkund flokët
E largoj me gishtrinjtë
Çudi si nuk po ndjej dashurinë e djeshme
Sa herë më ka përkëdhelur në qetësi
Ndjej ftohtë dhe mbështillem me ëndrrën
Ajo sërishmi më duket gri
Harresa më zgjon agimit
E prek..nuk jam e humbur
E largoj dhe ajo shikon
Me kokën pas, me sy lakmie
I hedh rreze dielli gjurmëve të saj
Për t’i djegur
Nuk dua ta ndjej, sepse dua detin
Dua gjithësinë e jetuar
Të djeshmen me ditët e bukura
Dua..dua..dua
E sotmja të ket’ dritë për mua!