Katherine Gypson
Kryeqyteti Kiev vazhdon qëndresën, ndërsa ukrainasit hynë në ditën e gjashtë të luftimeve të ashpra kundër agresionit të paprovokuar rus. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, presioni ndërkombëtar po rritet ndaj presidentit rus Vladimir Putin për të tërhequr trupat e tij.
Rusia shtoi bombardimet e Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, vetëm disa orë pas përfundimit të bisedimeve midis të dy vendeve në Bjellorusi – pa asnjë shenjë të qartë për paqe, por me një marrëveshje për të vazhduar bisedimet.
“Diplomacia nën tytën e armëve, diplomacia nën grykën e tankeve – nuk është diplomaci e vërtetë. Ne jemi të gatshëm dhe me vullnet, ashtu siç janë partnerët tanë ukrainas dhe aleatët tanë evropianë, të angazhohemi në diplomaci reale, thelbësore, të vërtetë, për të parë nëse mund të gjejmë një rrugëdalje nga ky konflikt brutal i panevojshëm. Por kjo diplomaci ka shumë pak gjasa të japë rezultate, të jetë efektive, në mes, jo vetëm të konfrontimit, por edhe të përshkallëzimit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.
Ukrainasit i kanë rezistuar ushtrisë shumë më të fortë ruse deri më tani. Kremlini ka angazhuar tani shtatëdhjetë e pesë për qind të trupave të grubulluara në kufi në muajt e fundit. Dhe ndërsa Putini deri më tani nuk ka arritur të pushtojë asnjë qytet të madh, Pentagoni paralajmëroi të hënën se kjo mund të ndryshojë.
“Kjo falë ukrainasve, të cilët kanë luftuar shumë për vendin e tyre dhe kanë arritur të dëmtojnë dhe të ndikojnë planet e zotit Putin. Por ata do të mësojnë – rusët do të nxjerrin mësime nga kjo”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje SHBA-së dhe aleatëve që të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një zone të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë – një veprim që ish-kryeministri ukrainas i tha Zërit të Amerikës se ishte i nevojshëm.
“Ajo që na nevojitet vërtet sot është të mbrohemi nga ajri në kuptimin që të mund të rrëzohen raketat që fluturojnë mbi ne nga Rusia, duke mos lejuar aeroplanët luftarakë rusë të hyjnë në hapësirën tonë ajrore. Vetëm të na mbrojnë që të mos sulmohemi nga ajri”, tha ish kryeministri Oleksiy Honcharuk.
Pentagoni tha se nuk kishte plane për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët morën disa hapa të paprecedentë gjatë fundjavës për ta shkëputur Rusinë nga shërbimet financiare globale. Republikanët kryesorë të Kongresit thonë se këto veprime nga Shtëpia e Bardhë erdhën me shumë vonesë.
“Gjatë fundjavës, administrata nxitoi të shpallte 350 milionë të tjera ndihmë ushtarake për armë. Në çfarë afati kohor? Dhe si do të arrijnë këto armë tek ukrainasit trima që po humbasin terren? Kongresi duhet të përdorë mjetet e tij mbikëqyrëse për të siguruar që ne i ofrojmë Ukrainës armët që i nevojiten sa më shpejt që të jetë e mundur. E njëjta gjë vlen edhe për ndihmën për të forcuar mbrojtjen e aleatëve tanë të NATO-s përgjatë krahut lindor”, tha udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.
Dhe ndërsa Presidenti Biden ka premtuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara nuk do të angazhojnë trupa tokësore në konflikt, Shtëpia e Bardhë tha të hënën se kishte ende opsione për ndëshkimin e Presidentiut Putin, përfshirë ato financiare.
“Ne gjithmonë mund të bëjmë më shumë. Por do të thosha se ajo që po shohim për sa i përket ndikimit në tregjet financiare në Rusi janë, tek rubla, inflacioni, aftësinë e bankës qendrore për huadhënie në Rusi, të gjitha këto hapa po shtrëngojnë jo vetëm Presidentin Putin, por edhe njerëzit përreth tij dhe kanë një ndikim të madh shkatërrues në ekonomi dhe janë më domethënëse”.
Por kostoja e luftës tashmë po përfshin Evropën – Kombet e Bashkuara njoftuan se më shumë se 520,000 ukrainas ishin larguar nga vendi në vetëm pesë ditë që nga fillimi i pushtimit rus.
“Rrallë kam parë një eksod kaq të shpejtë njerëzish, më i madhi në Evropë që nga Lufta Ballkanike”, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi të dielën një ndihmë shtesë prej 54 milionë dollarësh për të trajtuar krizën humanitare në Ukrainë.