TË GJITHA DYERT T’I HAPA…
1.
Të prita e të prita
Nuk erdhe as me buzëqeshje
As me pikëllimin e kohës
E shekujt vinin e shkonin vetëm
Me ledhatimin e atij parfumit
Që dhembjet i josh
2.
Të prita e të prita
Kisha shpresë se do vish
Dhe do ma thuash vetëm një fjalë
Edhe e trisht nëse do ishte
Të prisja te të prekë
Diku në gjumin e thellë
Atje ku ëndrrat më ledhatojnë
Me atë lëngun e ankthit
3.
Dhe prapë të prisja
Të gjitha dyert i hapa
Gjithçka hapa
Edhe drynat e ndryshkur
Në dyert e ferrit
Atje ku e kanë burgosur lumturinë
4.
Të prisja
Bile një qirinj ta ndezim
Mbi librin kurrë të hapur
Aty në mesin e shtëpisë
Ku e rrahin të gjitha erërat
Dhe mbi te t’i vëmë duart
Për të thënë diçka
Për ta ofruar melhemin e jetës
5.
Të prita dhe nuk erdhe
As si kalorës i pritjeve
As si luftëtar i plagosur
Me mallin e derës së oborrit
Dhe nuk erdhe se nuk erdhe
Edhe pse të gjitha dyert t’i hapa
Të gjitha dritaret
Ku puthet malli e shikimi
6.
Shumë jam mërzitur
Për heshtjen e dyerve
Për pritjen e flladit
Në dritaret me qerqi të kalbura
7.
Të prita edhe në agun e dritës
Edhe në mëngjesin e kristaltë
Por ti nuk erdhe
8.
Në fund
Në çdo dritare
Në çdo prag dere
Në çdo dorezë
Edhe në drynat me dihatje ndryshku
Gjithkund hasa nga një gjurmë puthjeje
E në dyert e hapura
Pritjet dridheshin si thupra n’ujë
Në mes të shtëpisë mbi një rrogoz jete
Dashuria ishte strukur e strukur
Kishte ngelur pa të zotët e vetë
Dukej si qyqe
As pa fole të shpendëve tjerë
9.
Dyert e dritaret e hapura
Çfarë ishin ato
Ishin vetëm stuhi shpirti
Apo alfabet pa shkronja…
(Pejë, e martë 22 qershor 2021)
NË DHOMËN E KËSHTJELLËS SË DHEMBJES
(Sa më kishte marrë malli…)
1.
Në dhomë
Heshtja si dihatje
Varë në mur fotografi e vjetër
Ku ta di se e kujt
Rrjetë merimangash e mbronin
Nga vetmia e historia e djegur
2.
Te dera
Një palë opinga me rregëzina
Me vite s’i kishte mbathur kush
Se, kishin ikur nga vatra
Diku larg malli për t’i djegur
3.
Në divan
Dy jastëk ngulfatur me pluhur
Etja për njeriun
Ua kishte verbuar pritjet
4.
Një libër në raft
Ngelur rob i fjalës
Minjtë kishin bërë luftë
Faqet për t’ia shfletuar
Ishin kureshtarë të dinin
Çfarë ka brenda kopertinave
Mbi te si dhuratë
Kishin lënë disa kakërdhia
Edhe tavanin brejtur e kishin
5.
Në dhomë
U ula dhe ia plasa vajit
Sa më kishte marrë malli
Se për kë nuk e di
Por e tërë ajo heshtje fantazmë
Trupin dhe mendjen ma kapërtheu
6.
Rrethuar më kishte fotografia
Me rrjetë merimangash e mbështjellë
Vetmia dhe historia e djegur
Opingat me rregëzina
Edhe jastëkët me pluhur
Libri nga rafti
Minjtë me kakërdhia
Të gjithë
Rend me rend më ledhatonin
Kur desha të brof në këmbë
Me rrjetë merimange
Të tërin më kishin lidhur
Me pluhur më kishin sheqerosur
Rri këtu më qortuan
Na ke neve përgjithmonë
7.
Sa më kishte marrë malli
Se për kë nuk e di
8
Ktheva kokën kah dera e dhomës
I kishin vënë dry që nuk çelet
E me ndryshk sipër si dyllë i kuq
Në dritare rrezet vajtonin kohën
Në oborr
Qeni i shtëpisë
Eshtrat si gjurmë i kishte lënë
9.
Varë në mur
Pashë edhe një orë me qostek
Ajo me tik-takun e saj
Rrihte minutat me akrepat e thyer
10.
Ia afrova veshin orës
Iu bashkova tik-takut të saj
Më tradhtoi gjumi
Si ileti që të merr përgjithmonë…
11.
Sa më kishte marrë malli
Se për kë nuk e di…
THJESHTË PO BIE SHI…
1.
Thjeshtë
Po bie pak shi
E dhembjen time ma ujitë
2.
Thjeshtë
Po bie pak shi
Në shpirtin tim kujtimet m’i lagë
3.
Thjeshtë
Po bie pak shi
Në sytë e mi shikimin ma përmallon
4.
Thjeshtë
Po bie pak shi
Të tërin më ka lagur
5.
Thjeshtë
Pak shi po bie
Ëndrrat po m’i lagë
Që kanë ngelur me stuhitë duke u përplasur
6.
Thjeshtë
Po bie pak shi
Në shpirtin tim të rënduar
Me rrogoza jete
7.
Sa mirë
Thjeshtë po bie pak shi
Jetën si perlë të humbur
Po ma lagë mirë e mirë
8.
Thjeshtë
Po bie pak shi
E po m’i lagë pritjet e netëve që nuk vijnë
9.
Thjeshtë
Po bie pak shi
Që ma vjedh vetveten
E ma tretë diku në dete
10.
Thjeshtë
Po bie pak shi
E ma lagë edhe kokrrën e diellit në perëndim
11.
Thjeshtë
Po bie pak shi
Në damarët e trupit tim
Qull më është bërë
Kënga ime e pa kënduar
12.
Thjeshtë
Sa mirë
Po bie pak shi mbi mua…