SABIT RRUSTEMI: TË KISHE MBETUR BRENDA MEJE VETËM ËNDËRR, POEZI

PËR T’U PAQTUAR ME ZEMRËN TËNDE

Ikën dhe një ditë me një mungesë plus

Ai zog zemre në dorë
cicërroi e cicërroi deri në gjëmim
askush nuk u trand as dhe ti
e ëndërrta ime

Portën nuk u hapi kish
as perden nga dritare
ajo dorë jotja nuk e largoi

Ishe apo nuk ishe këndejpari
apo heshturazi flije strukur
në timin gji

Nata vë në gjumë pjesën e lodhur të ditës
dhe ato jargë gojësh të përdala
zbarzur pa kujdes

Dikur vonë kur pushojnë të lehurat
Ti ndezë atë kutizë magjike
dritëzon dritareve virtuale
shpresë ngjallë nëpër tjera adresa
e mua më shmangesh
nga secili shteg që t’sjell kah unë

Po unë do pres e do pres
aurorën e çdo dite të freskëtin mëngjes
për t’u paqtuar ame zemër Tënde
përmes tingujve të butë të qetë
dhe një dashuri pa fund për tonën jetë

( 15 Mars 2010 – 29 janar 2024 )

MUNGESËN E SOTSHME NUK IA FALË NESËR

– variant –

Aty ku dashuria lëshon rrënjë
dheun përpush mbij e sythoj
buzëqesh pa fund e duartrokas

Aty ku kjo rrënjë lëshon shtat
epiqendër e botës bëhem
e universit blu
me zemrën si njësi matëse

Aty ku kjo ndjenjë kaq drithëruese
shndërrohet në emblemë tempulli
pa ftesë shkoj
falem e lutem për shpirtin e saj
kur e kam afër a larg
përkulem e bie në gjunj
zëshëm heshtjen thej
mungesën e sotshme nuk ia falë nesër

Nëse rastësisht për pak e harroj
i kërkoj ndjesë deri në përgjërim

Aty ku dashuria në Fron ulet
urrejtja ngujohet në ferrin e përtejshëm
frymës njerëzore i kthehet mirësia
e botës paqja e munguar

Aty ku dashuria lë emër e mbiemër
të zbrazur s’më shihni kurrë
e pa një mal ëndrra të reja

Vetëm aty kërkomëni
aty ku përherë do t’më gjeni

( 3 shkurt 2021 – 4 shkurt 2024 )

KUR UNË TË T’KEM HARRUAR KREJTË

Ikën dhe kjo ditë me një mungesë plus
ai zog zemre në dorë cicërroi e cicërroi
deri në gjëmim
askush nga Brenda nuk u trand
as dhe ti lule e jetës sime

Porta nuk u hap
as perden në dritare ytja dorë nuk e largoi

Ishe apo nuk ishe ku ta di
apo heshturazi flije strukur në timin gji

Nata mbulon këtë zhurmë
dhe ato jargë provinciale zbarzur pa kujdes

Ti ndez ndonjë dritë ndonjë shpresë
në tjetër portë adresë
ëndrrës sime i shmangesh me kujdes
po unë do të pres e do të pres
aurorën e çdo dite të freskëtin mëngjes
për t’u kthjellur në portën tënde
me tinguj të butë të qetë
dhe një mal dashuri që mbush timen jetë
derisa sa ti të vish me hapin tend të lehtë
kur unë të t’kem harruar krejtë

( 15 Mars 2010 – 15 mars 2024 )

FATI IM NGJYRË ROZË

( varianti final )

Një fat me ngjyrë roze përtej kësaj Stine
e k’tyne Bjeshk’ve që na kanë qëllue n’mes
përditë ka i gurë K’shtjelle shembë
sall me m’pa…

T’kisha mujtë me kthye mbrapa ket’ kohë t’ikun
k’to VargMalesh
veç sa përbirohet trupi jem mej përbirue
k’to dy drita po njiherë m’i g’zue

Po s’asht shkrue me u k’naqë
unë

Fatin tim ngjyrë rozë
jo RozaFati
po ajo qiellnajë e pafundme
e ka nyjtue

____________
( 5 shkurt 2017 – 5 shkurt 2024 )

ATY KU RREZJA E PARË E MËNGJESIT PUTHË TOKËN ..
.
( Varianti final )

Si u përpushe e u shkunde rrënjësh
veten e nxore sheshit
e mbete pa një trohë dhe

Të kishe mbetur brenda meje
vetëm Ëndërr
edhe symbyllaz do të gjeja
ku ishe e ku s’ishe
… dhe përtej Jetës do të prisja

Kështu si u shfaqe n’publik
ti nuk je më Ajo që njoha

Sa përmallesha për t’parë
dhe njëherë të vetme
lëre më për të prekur
apo për ta kërkuar brenda teje
botën time të munguar

Të të kthej më
n’atë pjesë të fshehur të ëndrrës
nuk mundem

Po t’ishe fshehur dhe diku tjetër
shtatë palë qiejsh lëmsh do t’i bëja
derisa të të gjeja
e nëpër shtatë palë shtresa toke
do të gërmoja
për të ta dëgjuar sall edhe njëherë
atë puls zemre
që rrihte për mua

Po
nuk je Ti

As unë Akili nuk jam
me një pikë të dobët në thembër
moj

Pa një Ëndërr jete
që pulsonte n’atë pjesë të fshehur të zemrës
mbeta
e ëndërr të re nuk mund të nis më

Një shpirt të etur kohësh
aty ku rrezja e parë e diellit puthë tokën
do ta lë

( 1 mars 2015 – 1 mars 2024 )

NËSE ASHT MËKAT ME DASHTË …

( varianti final )

Nëse asht’ mëkat me dashtë
mos më fal o Zot

Do ta due përditë nga çasti në çast
aq shumë sa s’matet
as me zemër

Vullnetshëm e zgjodha
e pranova … fatin e bekuem prej Teje
derisa t’i kthehem përjetshëm
dheut tim

( 18 mars 2012 – 18 mars 2024 )

GJËMA E HESHTJES

( Varianti final )

E pres a nuk e ka m ftuar
rrugën deri tek unë
me dashuri e ka të shtruar

Nuk më ka ftuar a më pret
dashuria akoma e etur mbet

Qenieve tona të palëvizshme
vetëm heshtja troket
e …nuk pëlcet

Gjëma e heshtjes përbrenda godet

Ec e dije tash
në cilën pjesë të globit u fshehe Ti
apo vetja ime ku u tret

Gjëmën që e ndollëm askush s’e vret

( 15 prill 2022 – 15 prill 2024 )

GJUMË TË ËMBËL E PASOSURA IME

Kur Ti vonohesh
nuk shfaqesh
unë mungesën tënde pres

Pres dhe tash endjen tënde
nëpër të tjerë
rreth meje

Pres e nuk prekem nga pritja
as kur mbetem i papërkëdhelur faqesh
apo i patrokitur dritaresh

Pres
sepse të ndjej edhe në pritje

Pritje e papritshme
dashuria ma dhuroi pritjen
e unë pres për hirë të dashurisë

Gjumë të ëmbël e pasosura ime
e zgjim të hershëm
në pritje

( 1 tetor 2009 – 19 prill 2024 )

HARTA E ZEMRËS SIME

( Varianti final )

Hapësirë e përditshme
hapësirë e përhershme je
thirrje lutje falje e mirësi
paqe shpirti
dhe e kësaj bote je
e ëmbla e përzjarrta dashuri
që çelë si kjo lule
e si kjo ditë
që jetës i jep kuptim
e emër
përmes sates frymë
fjalë e prekje
askund brenda këtij rruzulli
si brenda Teje
nuk gjej prehje

( 26 prill 2014 – 26 prill 2024 )

SI NJË DASHURI E MADHE QË PREKET ME PAK

E doja shumë fluturimin e saj

Më dhimbsej për ta zënë
për ta mbyllur në grusht

Vetëm e admiroja nga larg

Ajo si një dashuri e madhe
që preket me pak
fluturoi atje ku nuk e arrij

Në një planet të humbur ra

Nuk është Atlantida
as Troja e djegur e lavruar
po – ajo jeta ime e dëshiruar

Fushës së Mëllenjave kohë pas kohe vegon
qafën e bardhë zgjatë kah unë
me syrin shqiponjë më shpon

Ëndërr jete e pata atë trup të brishtë
të njomë si trupi yt
oh …

Si një flakë zjarri
më përdridhet para syve
e më grishë thellësive të paarritshme
gjithmonë

( 22 korrik 2015 – 22 korrik 2024 )

KURSEJE VETEN PREJ BUZËVE TË MIA

( Varianti final )

Stina më e zjarrtë e jetës
kurseje veten prej buzëve të mia

Çdo pore të trupit
ma ka pushtuar dashuria
dhe ndjenjat m’i dogji për fije
si zotërat

Rri larg këtij zjarri
që po përzjarret kaq shumë brenda meje
se nuk jam fati yt
mëkatarja ime
e lashtë sa vetë Eva

Te ajo Gurrë Çepuri
që s’pushon së pikuari
një vale e re zjarri po afrohet

( 27 korrik 2016 – 27 korrik 2024 )

PËR FATIN TIM QË S’E SHKROVA VETË

( Varianti final

Më ke rrëmbyer
pa ma thënë as edhe një fjalë
nga ajo pjesëz kohe që jemi parë

Nuk reshtë së ardhuri pas teje
deri në frymën e mbramë
anise kjo kohë ende s’na takoi

Ti sillesh sikur nuk ndjenë gjë
e unë them me sa zë kam
çdo pore imja për Ty frymon

A është dashuri kjo a s’është
pulset e kësaj zemreje që s’prajnë
më së miri e thonë

As edhe një grimë
brenda qenies sate mos qofsha
nuk brengosem as ftohem nga Ti

Për fatin tim që s’e shkrova vetë
Ti qëllove ajo ëndrra që e dëshirova
për ta shijuar n’këtë jetë

( 20 gusht 2015 – 20 gusht 2024)