Sadik Bejko: DORDOLECËT E PRANVERËS ‘92

Ju që sivjet ( në fillim vitin 1992) udhëtoni, a i keni vënë re ata… dordolecët. Dordolecë këtu, dordolecë atje, dordolecë dhe më përtej horizontit… Mendo sa të tillë të sheh syri për këndej e për andej rrugës nga Tepelena në Fier, nga Durrësi në Tiranë. Po dhe më tutje e më tutje, rrugëve në të gjithë vendin?
Në këto pak muaj, që kur ranë shumë idhuj dhe monumente, në këto ditë kur dhe zyrat e shtetit tonë nuk po zbukurohen më as nga simbolet komuniste, as nga ndonjë fotografi tjetër udhëheqësi, Shqipëria fshatare se nga na i nxori dordolecët sipër dheut e po na mbushet kjo Shqipëri tej e më përtej me dordolecë.
Nga dolët, kush ju ngjalli, ku paskeni qenë? u them, në udhë e sipër, kur më shfaqen një mbi një kodër, një nën një ledh are, tjetri në një kopësht, ashtu të bardhë, të zinj, të murrmë…të drejtë, të kërrusur, anash të pjerrët.
Madje, nën diell më duken dhe të bukur.
Ndoshta nga që kanë qenë miq të fëmijërisë sime, ndoshta nga që ka kohë, vite dhe vite, që nuk i kam parë. Ndoshta se pas një mungese, pas një ndalimi të gjatë, që atëherë kur filluan kooperativat, (të ndalosh edhe dordolecët?) sot fshatarët u kujtuan për ta. Dhe vërtetë po i bëjnë më të bukur, i veshin më me kujdes. Me modë…. Me rrobe importi.
Prona e përbashkët socialiste nuk kishte frikë nga syri i keq, nuk kishte nevojë për ta, nuk i kishin hije dordolecët. Asaj nuk i duhej asnjë thërrime folklor. Nuk i shkonte të stolisej edhe me pak magji, as me fare, fare pak fantazi. Ajo dhe prej ngjyrimesh… ishte e thatë … e dini vetë… më mirë le ta lemë ashtu pa ngjyra, siç ishte.
Një dordolec ka gjithmonë kripën, shijen e shakasë dhe të karikaturës. Ashtu si dimrit burrat prej dëbore, miq të fëmijëve, dhe dordolecët shqiptarë janë sajesa gati vetëm të fantazive, të gishtave të grave.
Ky dordolec nga dorë gruaje vihej në pranverë në dheun e njomë të kopshtit të sapombjellë me perime. Kopshti ishte kujdestari e përhershme e gruas. Vihej dhe në ledhet e arave të punuara larg shtëpisë dhe kështu simbolizonte kujdes, merak. Në mungesë të pronarit, i ngulur aty, ai, dordoleci, merrte komandën, ruante pronën, pra ishte një hije e pushtetshme … që përfaqësonte vetëm të zotin e mallit.
Dordolecët e sivjetëm, (fillim viti 1992) janë politikisht pak sterilë, të depolitizuar. Dordolecë arash, fushash, kopshtesh. Nuk ngrenë gishtat përpjetë si demokratët, nuk i duan bluxhinset gjasme europiane të eurosocialistëve të rinj, as koburet me barut të Luftës së Dytë të veteranëve të majtë. Nuk marrin as atë pozimin grotesk statujash të ish-diktatorëve komunistë.
Nuk u shkojnë këto. Janë burra prej lecke. E shumta, (dhe kjo është që t’u duash të keqen këtyre krijesave të buta, t’i futësh ata në suazën e politikës së ditës) e pra, këta mbrojtës paqësorë të blerimit, mbrojtës të kallinjve të grurit nga galat… mund t’i propozosh si emblemë të agrarianëve apo të ekologjistëve të shpikur (të shpifur) së fundi, të partisë së zotit Namik Fadile Hoti.
…një shkop, një burrë me rrobe lecke, një dordolec që çapon më tej.
Nga do që ta kthesh dordolecin e sotëm, të mbetet një çudi.Nuk e shan njeri. I buzëqeshin. Shqiptarët e sotëm, të politizuar e të egërsuar në çdo fibër, që nuk lënë gjë pa marrë nëpër gojë, me dordolecët tregohen tolerantë.
Mbase se ata mbinë, pa mbajtur ndonjë mëri që i flakëm e që nuk i përfillëm për një kohë bukur të gjatë. Mbinë njëlloj të druajtur, sikur të ishin fshehur nën dy gishta dhe. Janë po ata të qëmotit. Mbase se kanë dëgjuar që bashkë me marsin e sivjetëm, në Shqipëri fitoi përfundimisht pluralizmi. Fitoi dhe prona private. Monizmi (ata kruajnë veshët se nuk e kanë dëgjuar kurrë këtë fjalë), u thonë, nuk ka më kthim. U varros monizmi.. me gjithësej… ndaj brofët, mbitë ju, dordolecët. Dordolecë, oh dordolecë,,, dordelecët..
Te oborri i fshatarit, te ara, te caku i familjes, te vetëjakësia intime e shpirtërore e portës, te gardhi, te kufiri, te vreshti… janë ca gjëra që e duan patjetër nga një dordolec pranë.
Mbase kështu është më e udhës.
Mars 1992 … si kërpudhat, si kërminjtë, si bari i ri… dordolecët …
I thirri, i nxori nga nëndheu prona private. Pronë që e do në këmbë të zotin, do edhe hijen e tij… dordolecin mbi krye, hijen që tremb galat dhe me mos praninë e tij..
Në krahinën time dordolecit i thoshin “plaku i kopshtit”. Një plak i rrëgjuar deri në cergat e dridhmat e kockave, por prapë ashtu i patundur, përherë me shkopin e mbrotësit të gjësë, të mallit, të familjes. Figurë totemike, emblematike, siç do të thoshte ndonjë miku im patetik, kjo fani e dordolecit.
Duhet të ketë pasur një merak deri në plasje ky plak i vjetër i kopshteve, plak i dherave që u ngjall e nuk priti shumë, u fanit kaq shpejt nën figurën e një dordoleci. U zhvarros nga dheu që mezi po e mbante. Po. Me siguri kështu ka qenë. Sapo nxorën nga dheu gjuhëzat e para të blerta qepët e njoma, ai brofi e zuri kryen e kopshteve në këtë pranverë. hije me dordoleca të zhvarrosur dherash në marsin 1992!
Dorolecat seç kanë edhe diçka prej martiri. Karfosur në një kryq druri, me një kapele qesharake, mbi atë kokën pakëz mënjanë…. diku në muzg dordoleci të ngjan cazë i frikshëm… me një fantazmë.
Një dordolec grotesk, po prapë mbetet të jetë si ai budallai zemërmirë, si doroleci që tremb vetëm zogjtë mbi grurin e pafajshëm… mund vetëm t’i trembë, vetëm t’imbajë larg. Kaq.
Ku është martiri këtu?
Ndaj figurën e tij komike sa e shoh, më ngjall buzëqeshjen. Herë-herë është dhe i shkurtër, si një fëmijë plak, ose i ngjashëm me xhuxhat partiakë… xhuxha të përrallave, desha të them. Edhe të politikës. Si të mos ngatërrohesh, o njerëz? Sa dordolecë, sa shumë dordolecë na dolën shesheve tani? Dhe të gjithë duan të luajnë heroin?
T’i lemë këta… heronjtë. Pseudot, të rremët.
Fshati ynë i tejvarfër, në këto vite hoqi diçka nga leckat e tij dhe ia veshi dordolecit. E vuri atë mbi një pllangë qepësh të njoma, mbi dy tri vija me domate që kanë nxjerrë kërcenjtë, mbi një vllajë gruri që po merr veten nga ftomat dhe ngricat. Mos vallë ky vend me këtë do të thotë se ka nevojë për pak lojë, për pak prehje… mbase dhe një dëshirë për të bërë art? Mos me dordolecët ky vend do të trembë të ligat, jo vetëm sorrat dhe laraskat. Të trembë tragjeditë, siç do të shpreheshin ca nga ata që u shijon stili i lartë.
Kur dordolecin në fshatin tim e sajojnë burrat e rinj, ata tallin, por dhe e përkëdhelin nga pak vetveten. Lenë shembëlltyrën e tyre në pronat e veta. Kur dordolecin e sajojnë nënat e reja, ato duan të argëtojnë fëmijtë e vegjël që janë gjithmonë me gruan e fshatit në kopësht.
Ja, këtë dordolecin që po shoh, duhet ta ketë stisur ndonjë vajzë e re, nga që është me kaq katikule përsipër. Mbase ai është hijeja e ndonjë trimi që ka marrë udhët e tejdetit dhe na e ka lënë ligsht vashëzën tonë.
Kur gjyshet marrin e bëjnë një dordolec, ato mbrujnë në të ironi e dhëmbshuri për pleqtë e tyre të rrëgjuar nga mosha. Të rrëgjuar… Nuk janë për gjë tjetër pleqtë…Të paktën, le të ruajnë kopshtet e vreshtat, thonë… hidhërueshëm plakat e urta
.
Dordoleci nga pak është arketipi, babai patriark i familjes. Gruaja fshatare me dordolecin e stolisur me lecka, të sajuar me magji si idol fshati ngulur mbi një hu në tokë, si figurë mitike ka vënë nga pak në lojë burrin e saj. Në atë figurë kopshti të shtrembër, të përbuzur, ,ka zbutur rëndimet, lëndimet, pa edhe brengat. Shpesh për të i shoqi, lloji i burrit që i thotë vërtet vetes “burrë”, ka qenë dordolec, një trembës tragjikomik i jetës familiare.
Dordolecët e marsit 1992 më paskan bërë magji që u zgjata kaq me ta.
Besoj, nuk e tepëroj, po të propozoj edhe diçka tjetër. Po e them ashtu si më erdhi. Sikur në ndonjë nga pjedestalet e shesheve tona më kryesore, pjedestale të mbetura bosh, pa një statujë përsipër, të ngrihej figura prej bronxi e një dordoleci? Kjo statujë popullore e tokës, statuja më e lashtë në botë, do t’i shkonte një populli me psikologji fshatare, një vendi ku mbi 65 % e njerezve janë ende në fshat. Dordoleci ka ç’të thotë. Është mbrojtësi më kokëulur i të lashtave, mbrojtësi i pronësisë nga dëmtuesit. Pa do të ishte si një ilaç dhe për atë vetëkrekosjen tonë ashtu në të kotë e në të zbrazur. Për atë gjasme mitologjinë boshe të trimit legjendar.. Trima që kemi vrarë e prerë, gjersa kemi vdekur me pallë në dorë.
Ne jemi një popull që i adhurojmë dordolecët. I vëmë te shtëpitë, te kopshtet. I adhurojmë më shumë se sa statujat butaforike e monumentale të diktaturës. Një statujë e tillë, le ta themi, kombëtare, e dordolecit…. e dordolecit kombëtar, do ta bënte shqiptarin më të çelur, më buzëgas, po dhe më të vëmendshëm në ngritjen e statujave të reja në vendet ku kaq shumë shtrate monumentesh kanë mbetur zbrazur pa krena idhujsh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here