Sali Berisha: Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për atentatin ndaj kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump.
Berisha shkruan se, i uron shërim të shpejtë Trump, dhe shpreh solidaritetin e tij dhe të PD për familjen e Trump dhe republikanët.
Reagimi i kreut të PD-së, Sali Berisha:
Atentat kundër Presidentit Donald Trump.
Të dashur miq, një dorë kriminale shkrepi mbrëmë një seri të shtënash në një atentat me qëllim vrasjen e Presidentit Donald Trump.
Ky akt i shëmtuar kriminal, ndodhi gjatë fjalës të Presidentit Trump në një takim elektoral në Butler Pensilvania.
Nga të shtënat Presidenti Trump u plagos, por është jashtë rreziku për jetën dhe një pjesëmarrës në miting u vra dhe dy të tjerë janë të plagosur rëndë.
Atentator i identifikuar si Thomas Mattheu Crooks, 20 vjeç u asgjësua nga shërbimi sekret.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA.
Me këtë rast i shpreh Presidentit Trump dhe familjes së tij dhe Partisë Republikane, solidaritetin tim më të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe lutem për shërim të shpejtë dhe të plotë të tij.
Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në akt të urryer terrorist të gjendet dhe marrë ndëshkimin më të rreptë ligjor.