SAMI MILLOSHI: Dy Tregime

SHTATORJA

-Ku po më çojnë ?- pyeti shtatorja në udhëkryq. – Unë nuk e di- tha vinçieri- . Mua më thanë të të heq dhe nuk më sqaroi kush arsyen. – Kush te tha?- pyeti shtatorja . – Ai që paguan heqjen tënde? – A ka emër dhe mbiemër? – Ka me siguri – sepse njeri është , po as ma tha e as a pyeta. -Po më dhemb trupi. Po më shkul sikur të isha kafshë. Jam njeri. Kam njeqindepesëdhjetë vjet këtu dhe kurrkush nuk më preku… Unë nuk iu luta kujt të më vinin këtu në udhëkryq. Vetë më vunë… -Ata që të vunë e dijnë pse të vunë. Unë nuk e dij dhe as që dua ta dij. – A je ti njeri? – Njeri jam. – Në je njeri , ti që më shkule nga kjo strehë qiellore, së paku duhet ta dish se ku po më çojnë. – Nuk e dij, por kur të perëndojë Dielli, dikush tjetër do të të marrë dhe do të të gjejë strehën e re… – E dua të jetë strehë qielli përsëri – tha shtatorja. Kur ra muzgu shtatoren e hipën mbi një truck të madh dhe e nisën për diku ku askush nuk e dinte, të thuash se e nisën për në askund. Kishte rënë nata, një natë pus e zezë. Pasi udhëtoi nja një orë, por që shtatores iu bë sa një shekull, e pa veten në një magazinë stërmadhe plot me shtatore të tjera. Sa nuk iu mor fryma. Diku në një qoshe të magazinës i zunë sytë shtatoren e Presidentit Linkoln me një skllav që sapo kishte fituar lirinë. Sa nuk i plasi zemra. Njeriu që e la në magazine i shtrëngoi dorën dhe i tha: – Mbeç me shëndet, këtu do të jesh në nursing home të kalosh atë pjesë të jetës që të ka mbetur. – E shoh – tha shtatorja- Përderisa nuk më keni lënë qiell mbi krye, më mirë të ma kishit copëtuar trupin me dinamit. Ju nuk e meritoni gjithë çfar bëra për lirinë tuaj…

AMERIKA

Pasi kisha pritur nja dhjetë minuta të mira të vinte kamarierja,më në fund ia behu para syve të mij një vajzë imcake. – Unë e kam emrin Amerika dhe sot do të të shërbej ty. Çfar do për të pirë ? – Si the, se ndoshta më bënë veshët, vërtet të quajnë Amerika?! – Po zotëri ashtu më quajnë, çfar do për të pirë. ? – Ujë me limon. Vajza iku. I shquajta gjysmën e flokëve në anën e majtë të ngjyer me bojë vjollcë dhe një çengel të platintë të varur në hundë. Kaluan edhe nja tre katër minuta gjersa Amerika më solli një gotë ujë. Thashë me vehte se pse po vonohej aq shumë, por, gjithsesi nuk është se e ndjeva ndonjë boshllëk të madh , dhe larg qoftë ndonjë fije mërzi. Jo,jo, pata kohë të vras mendjen se pse e ka vënë çengelin në hundë Amerika dhe pse i ka ngjyer flokët në vjollcë dhe jo në të alltë, çka do të më pëlqente për shijet e mia. Ndërkaq në tavolinën ngjitur vjen e ulet një çift aziatikësh, me gjasë kinezë. Unë ende nuk e kisha marrë me mend se pse e kishte vënë Amerika çengelin e platintë në hundë, ( megjithse po e vrisja mendjen për nja pesë minuta .) Por ,çudi se ndërkaq dëgjova kinezen t’ia mburrte Amerikës vrik e vrik, në pak sekonda atë çengel. O Zot , bëje ëndërr, thashë me vehte, çfar ka ai çengel për të mburrur, përveçse, nuk kam pikë dyshimi , se e pengon Amerikën sa herë kërkon të fshijë qyrret… Amerika ma solli gotën e ujit. Pastaj iku prap dhe më la kohë të lexoja menunë. Unë pata kohë të bollshme ta lexoj menunë, sa të thuash, gati e mësova përmendsh, sikur të ishte poezi e Rumiut, megjithse kisha hyrë ne restorant për një darkë të lehtë. Pas nja pesë gjashtë minutash të tjera,Amerika erdhi të më merrte porosinë. – Një sallatë greke dhe një pjatë me brokoli të zjera- thashë unë. – Okej- tha Amerika , dhe u zhduk. Kaluan nja pesë minuta gjer kur Amerika ma solli sallatën greke, ndërsa për brokolin e zjere më premtoi edhe dy tre minuta. E mbarova sallatën greke ndërsa më shashtisi lajmi i CNN prej ekranit në murin e restorantit . Nëntëmbëdhjetë fëmijë të vrarë në një shkollë në Teksas prej një njeriu… Ndërkaq vjen Amerika me pjatën me brokoli te zjera. Mua më ngeci buka në fyt dhe as që mund ta shtyja më as edhe një kafshatë. Ishte mbushur pothuaj një orë qëkurse kisha hyrë në restorant dhe më hipi një zjarrmi sa gati gati po villja gjithë çfar kisha ngrënë… -Amerika, Amerika- thirra unë në kupë të qiellit- më sill faturën , se dua të iki. – Zotëri a je mirë ? Ke nevojë për ndihmë ?- tha kinezja në tavolinën ngjitur. -Jo – I thashë kinezes – nuk kam nevojë për asgjë. Thjesht dua të iki. Pagova dhe dola jashtë. Koka më vlonte nga pyetjet. Pse erdha ne këtë restorant ? Kush qe ai i çmendur që vrau fëmijët e njomë? Ku ta vjell gjithë çfar hëngra? Kur sapo hipja ne makinë , pashë Amerikën ne portën e restorantit . – Zotëri ,zotëri – ke harruar celularin. – Oh, Faleminderit – I thashë- Kam filluar të harroj të pyes për gjëra që më çudisin , dhe kjo do të thotë se po mplakem… – Oh, jo jo,zotëri – tha Amerika.-Jane harresa njerëzore , ju ende dukeni i ri… – Po kush ta ka vënë ty emrin Amerika? A nuk lodhesh ti duke e mbajtur atë emër aq të madh? – As vetë nuk e dij – tha Amerika, dhe duke mbyllur portën tundi dorën ne shenjë lamtumire. Unë , gjithsesi, ndonëse nga larg, ia shqova asaj vajze imcake , ndoshta për herë të fundit, atë çengelin e platintë në hundë…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here