SAMI MULAJ
NË QYLERIN E JETËS
Nuk është derë vagoni
Në udhëtimin e radhës
Të kërkosh një ndenjëse,
Ku të ulesh
As një derë avioni
Me numrin e uljes
A, b, c ,e, d…
As një shalë doriu
Në një garë vrapimi,
Një livadh
Midis barit e luleve.
Është një udhëtim i gjatë
Fatlum e pa kthim
Të hysh në qylerin e jetës
Pa çelës
Vetëm dashurisht.
PRANVERË E DIMËRUAR
Pas marsit , prill erdh i ftohtë
E me erë.
Acari
Në kopsht ua mbylli sytë petaleve.
Nisën ankesat
E vajzave kryeneçe
Për pranverën e për sandalet
Pranverë- dimri
Dimër –pranëverë.
Drithërima të heshtura
Ndizen në hapësirën e gjerë.
Prelud i simfonive nëpër erë…
Pejë, 8 prill 2023
AI QË I DHA EMRIT TË TIJ EMËR
Pa dashur të hipi lart
E të tjerët të mas,
Gjuhës së shpirtit i drejtohem
Fjalë të gjej
Për të madhin Zija Çela.
I lutem gjuhës sime:
Më ndihmo!
I dashur
I shtrenjtë
Vlerë floriri,
Mbi supet e tij
Erërat rrëshqitën
Me kërcënim bojëhiri
Dhe nuk i lanë kurrë ftohtësi te shpirti.
Dhe në veprën e tij
Oqean mençurie
Oaz dashurie për të eturin,
Gdhendet pa reshtur
Statujë e dashurisë
Për artin
Për jetën…
Ky emër
Me tetë germa
Del e buzëqesh për ne
Si pas një beteje
Një diell mbi kështjella:
Zija Çela
KAM DY JETË QË S`BËJNË ASNJË
Kënga e mërgimtarit
Kam dy shtëpi
Një në dhe të huaj,
Një në Shqipëri
Dhe jam pa shtëpi
Ëndrrat më çojnë atje
Vetëm në Shqipëri
Gjumë nuk bëj
Këtu e kam trupin
Zemrën atje.
Këtu punoj
Atje ëndërroj
Këtu lotoj
Atje gëzoj
Jeta e ndarë më dysh
Gjysma në ankth
Gjysma tjetër s`di qysh.
Kam dy shtëpi
Për atë në Shqipëri,
Më të madhin mall ndjej
Më të madhen dashuri…
SHKËLZENI IM
U linda
Përballë Shkëlzenit
Me lot në sy
Edhe vdekjen
Ashtu do ta pres
Pas vdekjes
Loti im nuk do të thahet
Do të jetë loti
I fëmijëve e nipave të mi.
Loti i vendlindjes
Sa globi më peshon tani…
M`I KANË MARRË BJESHKËT
Bjeshkët
Hamit Aliaj
I bëri mbiemër të dytë
Avni Mulaj
Valbonën e Kaltër
Hyjneshën e Alpeve
Kaq kohë e quajti të tijën.
Vajzat shqiptare
I dhanë emër vetes
Me emrin e këtij lumi-magji.
Skënder Buçpapaj
Me zogun e bjeshkës
Thuri simfoni
Lisi mbeti
Mbiemri im…
KRUSHË E MADHE
Stinët pse nuk vijnë
Në Krushën e Madhe
Aty ka vetëm një stinë
Stina e shiut
Lulet e majit
Aty pse nuk çelin
Dhe pranverat
Pa pranverë aty vijnë
Qershitë aty nuk piqen
E vera pa verë
Vjen gjithnje
Mollët në rrema
Në fundvjeshte
Ngelen të mbërdhira
Zogjtë shtegtarë
Nuk ikin në prag dimri
Se në pranverë aty
Nuk erdhën
Nga qielli i saj
Pa pra
Shiu nuk ndalet , toka nuk ngijet
Varre mbi gurë u hapën aty
Loti i nënave
Shpoi atë varr
Me një gur të zi
Dhe stinët zunë thinjë…
ËNDRRAT E VRARA
Me shpendët
Ngjajnë
Që bëjnë garë me avionët.
Fshesaxhiu në aerodrom
Krahët e thyera të disa
Shpendëve
Fshin…
TEK THYEN DRINI QAFËN
Koha vëngër e pa
Pa ia nda idhnimin kurrë
Shtatin e gjatë me dredha
Ia nami
Ëndrrat e shkimura
Herë dalin në breg
E herë zhyten
Në thellesi
Kumona dashi të shurdhëta
Fyej djemsh me vrima plot myshk
Gjerdane nusesh
E kuku nanash me djepe bosh
Aty midis valëve prej shekujsh
Rrinë
Brigjet e namën Drinin
E Drini u hovi deri në lartësi.
Se jetë e njeriut
Qe jetë e tij.
TEMPULLI I HESHTJES
Kulla e vjetër
Me një tempull më ngjan
Rrudhat e mureve
Me ballin e gjyshërve…
Diku ruhen
Shkarravinat e mia
Si fëmijë që isha
Dyshemeja ruan
Gjurmët e djepeve
Edhe boja e shkrimit
Derdhur nga motra
Akoma nuk është shlyer
Sa dua
Oxhaku
Të hap gojën,
Të tregojë
Harresën tonë
Lahuta
Fytyrëmrrolur
Këngën e la përgjysmë…
I heshtur
Dëgjoj një thirrje
Kulla u thërret
Këtu
Fëmijë.
Heshtja ime
Do heshtjen
Me gojë me u ba…
BJESHKA
Tek unë rri bukuria e bjeshkës
Hovi më nxit
Të ngjitem majë shpatesh.
Të shaloj kalin
Si në fëmijëri e rini
Doriu të ulet në gjunjë
Me jelet e tij
Sikur kap një re
Një ujëvarë me bujë…
Vetëm duke pi ujë të kthjelltët
Në bjeshkë e në kreshta
Ku afrohen retë e bardha
Në stuhi
Retë e zeza…
Ngjitje më të bukur
Nuk të afron jeta…
BUZËQESHJA E SË NESËRMES
Dielli dielloi,
Shtëpia
U mbush me dritë
Vogëlushi i porsalindur
E nis një kështjellë të re
Me gurin e dielltë të themelnisjes
Buzëqeshjen e së nesërmes
Me rreze drite…
KUJTIMET
I mblodha kujtimet e mia
E i kreha me gërhanën e viteve
I shkunda me aromë stinësh
Të dielltat i lëshova si pëllumba
Të rendin kaltërsive
Çfarë mbeti,
Të mjegulltat
I mbylla në një shishe
Mbas njëqind vitesh
Dallga e një shikimi
Do t`i nxjerrë në breg…
FERKEMI I BARBARIT
Ne rudinën e mëngjesit
Një gjurmë
Shikimet tona përthyhen
Në shenjë
Që s’është e anëve tona
A është a s’është e tillë
Duket e s’duket si putër ariu
Duket e s’duket si patkua
A është e kalit aziatik
A është e ujkut dhelpërak
Afrohemi me pëllëmbë ta matim
Tek kqyrim,
Gjurmën e vesën e thyer
Rrezet e para e përlajnë
Ishte a s’ishte gjurmë?!
Ishte a s’ishte ferkem ujku?!
Ishte a s’ishte ferkem ariu?!
Ishte a s’ishte kaq i gjerë a i gjatë?!
Iku e djeshmja
Iku dhe dita e sotme
Edhe ëndrrat e natës
Me ferkemin a paditur ikën
Edhe e nesërmja prapë
Me gjurmën e ferkemin nis
Edhe pasnesërmja.
Era e mallkimit
Solli ferkemin e barbarit
E në atë ferkem pimë lotin tonë
Gjysmëshkretan të mbetur
Ne gjysmëshkretinë
Barbarin e fshehur
S`e gjejme
Ferkemin e tij e ruajmë të lashtë
E bëjmë
Edhe aty ku nuk është
E barbarët na e vizatojnë
Me rrjetë në tokë
E nuk na lënë
As me e shkel.
GJAKOVA
Gjakovë
Kalldrëmet me gur të lëmuar
Mbajnë mbi shpinë historinë
Potkojtë e kuajve të tërbuar
Ende shkrepëtijnë.
Kullat si asht i pathyer
Hapin frëngjitë e kanatat,
Ende në ajrin e pëlqyer
Vringëllijnë shpatat.
Çarshia me ndërtesa të vjetra
Të fton në të kaluarën,
Këtu flet më mirë heshtja
Sesa zhurma…
.
Pashtriku tutje zbardh
Me një qeleshe bore në krye,
Më e bukur Gjakova ndrin natën
Si një det me yje…
+++
Gjakova
Poezi ishte dje
Poezi mbetet sot.
Në vitin 1699,
Poeti i parë i Gjakovës,
Yvejs Efendi
Me këto fjalë
Iu lut të madhit Zot ,
Që përherë kështu të mbeste
+++
Zgjata buzët
Të puth një cufël reje
Ajo mbeti çelë.
+++
Hapa gojën
Të kafshoj një re
Më kërciten dhëmbët
+++
Me duar
Doja të mbështjell një re
Për danc në qiell.
+++
Vetëm unë e ajo,
Belin e saj
Nuk e gjeta
+++
Era më gjuajti
Si një gjethe
E midis reve mbeta
+++
Pa asnjë puthje,
Shtrëngim,
Pa zbrit në tokë,
Në ajër mbeta.
ZOG I VOGËL
Kur isha fëmijë
Mendoja
Zog
Për ty…
Pse ti nuk kishe shtëpi…
Doja të të kapja,
Të mbaja në gji…
E ti ikje
Degë më degë
E më shihje
Me lot në sy…
Tani,burrë i madh
Pranë të rri
E ti nuk trembesh
E më duket se, si atëherë
Më sheh
Me lot në sy.
Mos vallë e di
Se unë jam mërgimtar
Si ti atëherë
Pa shtëpi?!…
…
GJYSHJA
Sytë bojë qielli
Hundëshqiponjë
Flokëpërhime
Gjyshja.
Si retë pas shiut
I binin mbi ballë thinjat.
Bukatorja e ëmbël
Gjyshja.
Herë e fortë
Herë e butë,
Herë shqiponjë
Herë si dallandyshja,
Gjyshja…
BORONICAT
Boronicat kur i mblidhnin
Dhe i fusnim nëpër shporta,
Nëpër dallgë kohërash shihnim
Plagë gjyshërish nëpër shqota…
Se nga plagët ato mbinë
Në këto lëndina si pasqyra,
Ku hijet e gjyshërve vijnë
Prej luftërash të vështira…