SAMI MULAJ
“ Po na humbë emri “
VETEM DY FJALE
Të dua !
Tri fjalë janë shumë.
Një fjalë është pak.
NGA LARG
shohim,
bota me gjithçka duket e mirë, mjaftueshëm kemi të gjithë,
shohim se askush nuk ka nevojë,
kudo nëpër ne rrjedh muzikë.
paqe e harmoni sundon jetën tonë,
e shohim mrekullinë ditë.
Por, vetëm nga larg.
A JANË TË LIQ POETET…?!
Po, të gjithë.
Bëhen të vetëm pronarë
në poezi.
Dhe harrojnë autorësinë
e vërtetë.
Unë dhe Ti.
NUK ESHTE EMRI IM
As i vërtetë,
as i kthjelltë si loti,
as i ngulur thellë me rrenjë.
Pa qenë birë
i kombit të begatë,
të arrirë e të lartësuar,
dhe nga fis i trimave.
DUA TË DEGJOJ MUZIKË
T’më lehtësojnë shpirtin,
duke më çuar në vende
që kurr nuk i kam parë.
T’më zbutin shtatin e
në vena të pulsojë,
t’më heqin dertet
T’më çojnë pupthi në kembë,
të kërcej vallen e pa mësuar
me një ritëm të padëgjuar.
larg shkrepjeve e krismave,
jo rrugës së djegur gishtrinjë dalë opingash,
jo nëpër megjë myqesh e marimangash zvarrë
Dua muzikë
t’më përcjellë aty
ku kurr nuk kam qenë më parë.
PASAPORTE E MALEVE
Si një shok jete,
që në fëmijëri
nuk i heq sytë prej teje,
natë e ditë është me ty.
Të afron supin
për mbështetje,
gurrën të zgjatë
shpirtin e tij me pi.
Të fshehtat
kurr nuk të bejnë hije,
mali të gjitha i di.
Trupin na e mësoj
të rrinë pa përkulje e drejt,
e sytë të shihen sy me sy.
Gënjeshtrat kurr
nuk ti fal,
për gacat e prushit
nuk kishte hi.
Malësore
pasaporta e tyre,
sa hije na ka mue edhe ty…
TERMETI I DRITES
Në palcë të pyllit,
ca shtëpi,
tymojnë errësirë…
Nata i fsheh yjet në mëngjes,
por,
nuk i fshehu
ato oxhaqe terri,
tërmeti i dritës i rrafshoj
bashkë me shtëpitë.
Askujt nuk ju dhimben,
aty nuk bujtën
kurr dashuritë.
MUZA
Nuk jam poet,
por kurr nuk ndalem duke shkruar.
Një muzë më ka puthur dikur,
dhe iku, iku larg,
e të vdekur më la mua…
ATDHEU NUK ESHTE PRONE
Atdheu nuk është i imi,
nuk është pronë.
Po të ishte shtëpi,
po të ishte pasuri,
do të ishte e fëmijëve të mi,
e unë do të isha qiraxhi.
Atdheu nuk është as i politikanëve.
Ata janë hyzmeqarët
e ne nuk i paguajmë ata…
për t’i bërë pronarë të
Atdheut kurrsesi.
Nuk është pronë Atdheu.
Brezat
nuk e vunë në peshore
as me Flori.
HAJDUTE NË ÇORAPE
Kudo në botë ka hajdutë,
janë dy llojesh
disa të zbathur
e disa me këpucë.
Sa pa fat jemi
ne shqiptarët,
të gjithë të djeshëm e të sotëm
i kemi pa këpucë.
Nuk e kalojnë zbath
dot
katundin e vet,
e zhbijnë gjithçka rreth e rrotull,
me turinj
si derrkucë.
PO NA HUMBË EMRI
Jemi vetëm numra.
Thërrasim numra,
na thërrasin numra.
në tren
numrin e vagonit
e të sediles ta lëshojnë në prehër e kuponin e pagesës,
letër me vrimë,
për emrin tënd
as nuk duan ta dinë.
në aeroplan,
ju jeni 17 F,
një grua
më thotë kalo atje,
se unë jam 17 E.
mirëmëngjes
më thotë fqinji i katit tim 816,
mirëmëngjes ja kthej
unë fqinji i tij 818.
prej vitesh jemi komshinj,
në dyert e njëri tjetrit
sytë nuk u panë,
as për kafe
as për krypë,
emrat njëri tjetrit
nuk ja dimë.
më falni,
ju tavolina 23,
na thotë kamarieri në restorant,
edhe për pak minuta,
supat e juaja do vijnë…
Në varrezat,
numrorët po e çojnë atje një numër,
në parcelën e shtatë,
në bllokun tridhjetë e dy,
në rreshtin e katërmbëdhjetë,
numro njëzet e një hapa,
gropa ka numrin
njëzet e një,
askush tek varrezat
nuk pyeti për emrin e tij.
sapo ikën numrat e gjallë,
rojtari i varrezave
i nguli tek koka,
numrin e ri.
të parët tonë,
për ata
që kishin humbur rrugën në oborr,
e kishin një fjalë të urtë:
Të humbtë emri o njeri !
KUR SHKRUAJ
Hedh germat në letër
derdhën një nga një
fjalë si lumë
letra herë qullet,
lëshova aty një përrua,
jo, jo një lumë,
prekë sytë e mi zbrazë,
oqean i tharë,
filloj të prekë kudo vehten,
nuk e gjëj askund.
Jam krejt në letër.