Sejdi BERISHA: ELEGJI APO POEMË KUJTIMI, poezi

(Ose, a të kujtohet o Babëloku im…!)

1.
A të kujtohet o Babëloku im
Ai burimi ku pinim ujë
E ai fliste me ne për historinë

2.
A të kujtohen o Babëloku im
Ato majat e bjeshkëve
Prej nga panorama e Dukagjinit
Na madhështonte shikimin
3.
A të kujtohen o plaku im
Ato kullosat ku i ruanim delet
Edhe do gurë varresh nëpër to
A të kujtohen edhe do varreza
Para e pas shekujve të shkuar

4.
A të kujtohet o plak i ri
Kur barinjtë nëpër shpatina
I thurnin ëndrrat e tyre

5.
A të kujtohet o flokëthinjuri im
Qafa e Diellit dhe Bjeshkët e Nemuna
Që asnjëherë nuk ua kemi mësuar
As nuk ua kemi ditur
Deri në fund dhembjet

6.
A të kujtohet o kosëtari im
Kur livadhet nën thepat e larta
I kositnim me kosat e mprehta
Këngën e Oso Kukës duke e kënduar

7.
A të kujtohen o i përvuajturi i kohës
Betejat për çlirimin e atdheut

8.
A të kujtohet
Ti shtylla e jetës sime
Kur nën hijen e lisit
Kuvendonim për moshën tënde
E për ëndrrat e mia

9.
A të kujtohet ty plak i pleqërisë
Kur lumenjtë i matnim me kutin e shpirtit

10.
A të kujtohet o Zot shtëpie
Sofra me bukë misri
Me pak djathë e një grimë turshi
Me pak kripë e spec të djegës
Oreksin për ta provokuar

11.
A të kujtohen vargjet me gështenja
Në Pazar i shitnim
Për një kafshatë buke

12.
A të kujtohet plisi mbushur djersë
Si zdralë dukej
Pasqyrë e vuajtjeve ishte
Por edhe madhështi e krenarisë

13.
A të kujtohet Babëloku im
Kur u shtrive në krevat
Më the:
Kurrë më nuk do ngritëm
Se toka më kërkon
E nuk i dije dhembjet e mia
Dhe ike
Por të gjeta këtu

14.
A të kujtohen të gjitha këto
Që një nga një t’i kokrrova
Se nuk më dhe asnjë përgjigje…

15.
Jo
Asgjë nuk më the
Se e ke ditur edhe din
Se historia është rrena e rrenës

16.
Por të gjitha këto
Edhe jetën tënde
Në defter i kam futur

17.
Babai im
Tash zgjate dorën
Edhe kështu në këtë fushë varresh
Mund të përshëndetemi
Se janë edhe do punë për t’u kryer

18.
Mbi varrin e babait
Kishte shpërthyer ujë i kthjellët
Nuk e di a ishte ujë jete
Apo lotët e plakut tim të etur
Që mua më përcëlluan…
(©S. B.)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here