SERGIO BITICI DHE JOHN BITICI: JU TREGOJME PSE E SHKRUAM LIBRIN: ATDHEU TOKA E BEKUEME.(Jeta dhe aktiviteti i familjes)

SERGIO BITICI DHE JOHN BITICI: JU TREGOJME PSE E SHKRUAM LIBRIN: ATDHEU TOKA E BEKUEME(Jeta dhe aktiviteti i familjes)

Në vend të parathanjës

Asht knaqësi me shkrue për nji temë subjektive, që fjalët dalin nga zemra dhe pasioni me lehtësi të rrjedhëshme, pa
nevojë me e shtrydhë trunin, pa e angazhue fantazinë për të shpikë skena e ngjarje të krijueme dhe pa preokupim se ç’do të mendojë kritika, për këtë rrëfim real e të vërtet, pa konkurrencë letrare apo çmimi për letërsi dhe e randësishmja pa u ngushtue e varë prej kontributeve financiare të të tjerëve. Mbi të gjitha, pavarësia e radhitjes së kronologjisë, pa u imponue nga dikush.
Krejt baza e kësaj kronike asht me mbrojt të pambrojtunin e drejtë dhe me evitue, që punët dhe përjetimet tona familjare dhe kombëtare, të mos i mbulojë pluhni i harresës, por t’i lamë të shkrueme.

Ky libër edhe pse asht shkrue në vetën e parë njajës prej vllait të madh, asht vepër e përbashkët e të dy vllazënve, Sergio dhe John, sepse i gjithë teksti fjali për fjali u konsultue prej ne të dyve.

30 Shtator 2019: Të katërt ribashkohemi në New York për darkë në 21 Club, lokalin legjendar në New York. Nga e majta: Mike,Sergio John, Joe.
Manaxheri i lokalit, ish puntor i yni na cakton tavolinën ku ulej Kennedy, Clinton dhe tash Presidenti Trump.

Gjatë udhëtimit me aeroplan për Utah, ku do të kaloja pushimet dimnore, mengjezin e 19 Dhetorit, 2016, me Delta Airlines, fillova me lexue librin e Refat Gurrazezit Historia e Federatës Pan-Shqiptare VATRA për vitet 1912 – 1925. Aty njoha detaje për

përpjekjet, aktivitetet dhe sukseset monumentale të Vatrës.
Më lindi ideja që edhe na familja Bitici (Bytyçët) ta vejmë në dukje punën tonë që kemi krye gjatë këtyne pesëdhjetë vjetëve emigracioni në ShBA. Asht mirë që dhe veprimtarë të tjerë të komunitetit tonë ta shkruejnë nga nji libër të tillë. Kështu ndihmohet dalja në dritë e historisë së kolonisë shqiptare të ShBA-ve, sepse historia e mbarë kolonisë sonë asht shumë ma e gjanë se historia e shoqnisë Vatra.
Mbas vdekjës së Faik Konitzës dhe Fan Nolit, kolonia jonë nuk pat njerëz kaq të shquem, por atdhetarizmi nuk u shue, ai vijoi përmes shoqnisë Vatra, në të cilën unë u antarsova, pothuej sa shkela në ShBA, dhe disa shoqnive të tjera ku punuen me ndërgjegje atdhëtarë të ndryshëm.
Mbas Luftës së Dytë Botnore shoqnitë atdhetare të Amerikës punuen që populli Shqiptar, që jetonte mbrenda Shqipnisë Londineze të shpëtonte nga zgjedha komuniste, kurse populli Shqiptar që jetonte nën Jugosllavinë e Titos të fitonte të drejtat e tij njerëzore dhe lirinë kombëtare.
Sot Vatra ban pak aktivitet, por ka emën të madh. Ky emën i bujshëm i saj u krijue në saje të punës kambngulëse të viteve 1915 – 1920, kur ajo kishte degët e veta në të gjithë shtetet e ShBA-ve dhe mbajti delegatë në Europë për të mbrojtë tansinë territoriale të Shqipnisë nga pretendimet shoviniste të fqinjëve.
Organizata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra e asaj kohe ishte shumë e suksesshme, për arsye se nga 35,000 emigrantë Shqiptarë që kishte kolonia jonë,
5.000 prej tyne ishin anëtarë të saj që paguejshin

rregullisht kuotat mujore të antarësisë, disa jepnin edhe ndihma financiare. Kështu ajo pat mundësi me i mbajt me shpenzimet e veta gjithë administruesit si kryetarin, zv.kryetarin, sekretarin, arkëtarin, editorin e gazetës Dielli dhe delegatët e saj në Europë e Washington DC.
Sot, kur në ShBA ka së paku rreth 850,000 emigrantë Shqiptarë të ardhun mbas ndërrimit të regjimit, Vatra ka ma pak se 500 anëtarë dhe shumë pak dhurues (donatorë). Kjo tregon se regjimi komunist ia vrau popullit tonë ndjenjën e bashkimit dhe të dhurimit të ndihmave.
Leximi i librit të Gurrazezit, të mbush me dashuni e respekt për emigrantët e vjetër dhe atdhetarizmin e tyne, i cili u mungon emigrantëve të sotëm, të cilët janë punëtorë shumë të mirë, por janë indiferentë ndaj shoqnisë Vatra e shoqnive të tjera, sepse udhëhiqen nga parimi egoist: Shiko prej pragu e mbrenda, pra me pa vetëm hallet e shtëpisë sate.
Mue më pushtoi libri i Gurrazezit, mendja nuk më rrinte në vend, fillova tue fantazue projektin e ri, që më lindi momentalisht. Shumicën e kaptinave të librit këthehesha me i lexue për së dyti, sepse idetë ma humbën vëmendjen e leximit tue sjellë ndërmend mundimet e aktivitetit tonë, që nga fundi i viteve 60-të të shekullit të XX-të.
Qëllimi ynë ishte pothuej identik me Vatrën, me i shërbye Atdheut, Kosovës e Shqipnisë Etnike, me Çamëri e viset tjera ku Shqiptarët bajnë shumicën e popullsisë. Organizata jonë e vogël Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë mori punën me shum seriozitet dhe dedikim maksimal. Ideologu legjendar dhe aktivisti i kësaj organizate na motivonte me shembuj vetëmohimi dhe sakrifica të

shumta, prandaj të githë ishim të angazhuem pa ndërpremje.
Vatra ish gjallë dhe aktive, por me vdekjën e Konitzes e Fan Nolit entuziazmi kishte ra në nivel të ulët, nuk vdiq, të cilën gja donte regjimi criminal i Enver Hoxhes në Tiranë, tue manipulue dhe nderhy në në çdo aktivitet kombëtar të Vatres. Nji kapitull në liber iu ka kushtue këtij problem.

Due me e vu në dukje se na katër vllaznit mund të krakasohemi me ma të mirët e Shqiptarëve të Vjetër, si i quejm na emigrantët e hershëm anëtarë të shoqnisë Vatra të para vitit 1960. Na u bamë argatë
të komunitetit (Mergatës) pa u shpërblye me pagesë. Jemi gëzue për faktin se midis antarëve të komunitetit na asht njoftë bujaria e bukëdhanjes, përveç financimeve për 50 vjet rresht të shum aktiviteteve, shoqatave, enteve kulturore e fetare, që na thirrshin për përkrahje e ndihma nga gjithë anët e Amerikës.
Këtë emën të mirë na e kanë dëshmue shumë bashkëpunëtorë, por unë po përmend vetëm njenin: Më 1981 atdhetari Albert Akshija prej Rome, më kontaktoi për të kërkue bashkëpunim për çashtjen e Kosovës, tue më thanë se kishte ndigjue prej Dr.
Hamdi Oruçi, banues në ShBA, se Bytyçët janë të vetmit Shqiptarë bamirës, që nuk flitet keq për ta.
Pjesëtarët e familjes sonë erdhën në ShBA mbasi jetuem 15 vjet si “emigrantë” në Kosovë e Jugosllavi, ku jetuem në nji vorfni të thellë, si qytetarë të rendit të tretë, kurse shqiptarët vendas trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë. Pra na e njihshim shtypjen e popullit shqiptar në Jugosllavi, por nuk na shkoi mendja me u ankue ose me fillue

nji propagandë kundër kësaj shtypjeje. Këtë punë e kishte fillue këtu në New York para ardhjes sonë patrioti i mirënjohun Tahir Kerrnaja. Ky sapo u njohëm me te, vërejtem dedikimin e tij për pasionin dhe punën propagandistike që kishte fillue me luftue politikën jugosllave për shtypjen dhe përbuzjen e shqiptarëve që jetojshin atje.
Tahiri ish nji patriot që punonte për Kombin pa pushue, si i thonë fjalës 24 orë në 24 orë. Ai e quente vedin Ushtar i thjeshtë i Shqipnisë Etnike.
Edhe për këtë person modest nuk ka pasë kush me folë keq, perveç disa filo Jugosllavë, që e ndoqën deri në sulm fizik, tue ja rrezikue jetën. Arsyeja e tyne ishte: Po ban shumë propaganda të rrezikëshme kundër Jugosllavisë dhe po na i merr në qafë familjet tona atje.
Në arkivat e RShKBL na i ruejm këto kërcënime me emna, por nuk i publikojmë për së gjalli.
Tahir Kerrnaja punonte dy punë, por paga e tij nuk i mbulonte shpenzimet për mbijetesë dhe për shërbimet që kryente për të mirë të shoqnisë RShKBL, por ai kurrë nuk lypi ndihmë materiale prej kurrkujt. Na vllaznit Bytyçi i financuem veprimtaritë e tij për 35 vjet rresht gjatë aktivitetit të shoqnisë dhe së fundi u kujdesëm dhe në pleqninë e tij.

Demonstratat e studentëve të Universitetit në Prishtinë më 15, 30 e 31 Mars dhe më 1 Prill 1981 si mund të thuhet zgjuen dhe zemruen shum Shqiptarë të cilët deri atëherë kishin qenë neutralë dhe indiferentë.
Na kishim gjendje të mirë ekonomike, me katër restorante të njohun në Manhattan. Dy prej nesh,

përveç punës së përditëshme në business u morëm me çashtje kombëtare për Kosovën dhe dy vllaznit tjerë punojshin dhe kujdeseshin për restorantat e suksesshëm, të cilët u banë qendra e elites së diasporës kombëtare.

Filo Jugosllavi Sinan Hasani, kryetari kolektiv i Jugosllavisë, në librin e tij
E Verteta dhe Legjenda për Kosovën ( Istina i Zabluda o Kosovu), shkruen në kroatisht, thotë se propaganda e organizatës ma të rrezikëshme antijugosllave ‘Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë’u intensifikue mbas vjetit 1981. Ky libër ka shum të pavërteta, por kjo deklaratë e këtij Kosovari, vasali të Jugosllavisë, ishte reale dhe e qëllueme.
Në këtë kohë, John dhe unë kontaktuem gjithë intelektualët Shqiptarē, që i njihshim direkt apo indirekt në Perendim, që të na ndihmojshin me lajme e shkrime për çashtjën e shejtë të Kosovës. Intensiteti i propagandës antijugosllave të RShKBL,si ka vërejt Sinan Hasani fillon këtu kur na bashkë me Tahir Kerrnajën angazhuem shum intelektualë e aktivistë të dedikuem për çashtjën e Kosovës.
Ndërsa Kerrnaja na motivonte të gjithëve që të prodhojmë shkrime të vlefshme. RiniaShqiptare Kosovare në Botën e Lirë çdo vjet ka kujtue me shkrime Kryengritjen e Drenicës me në krye Shaban Polluzhën, vepër e disa autorëve, siç qellonte, për të cilën gja kujdesej vetë Tahir Kerrnaja. Për 20 vjet me radhë janë shkrue Memoranda për gjendjën e randë në Kosovë, të cilat i nënshkruente sekretari Maliq Arifaj dhe ia kemi postue me përgjegje postale Sekretarit të

Përgithshëm të OKB-së. Kjo punë e kryeme nga nji grusht individësh të nji shoqnije jo partiake apo ideologjike, por me karakter vetëm patriotik, ishte unikale në historinë e kombit Shqiptar.
Njizet vjet Memoranda për Kosovën dërgue Sekretarit të Pergjithëshem të OKB-së dhe shum organizatave botnore, ashtë vepër monumentale, që nuk ka krahasim me veprimtari tjetër në historinë tonë Kombëtare.
Përkujtimi i Kryengritjes së Drenicës ishte i randsishëm, sepse Drenicasit kanë qenë gjithnji të njoftun për rezistencë, trimni e heroizëm të pashembullt, por ky fakt asht anashkalue bashkë me djegiet e 40 katundeve të Drenicës prej forcave partizane të Enver Hoxhës nën komandën e Shefqet Peçit dhe komisar Ramiz Alisë. Këto masakra satane mbi popullsinë heroike të kësaj krahine kurrë nuk janë zbardhë e as përkujtue si duhet…

Shfaqa idenë ti përmbledhim në në nji libërth këto Memoranda të vlfëshme për transparencë dhe ti shpërndajmë si informacion. Ne Bytyçët morëm përsipër shpenzimet dhe propozimi u pranue nga ne kryesorët, që ishin Kerrnaja, Arifaj, ne vllaznit Bitici dhe nji grup i ngushtë miqësh të besueshëm. Simbas planit, që përpiluem ne Bytyçët libri u shtyp në nji shtypshkrojë të vogël në Romë, natyrisht. që mos të hetohet origjina e shtypshkrojës dhe veprimet nëntoksore që baheshin nga grupi ynë . Prandaj libri The Plight of Ethnic Albanians, që permban 10 Memoranda të përpilueme dhe të shkrueme me parathanjën prej Prof. Sami Repishtit, u realizue prej nji firme të

vogël Armene në Romë (1500 kopje), me 1987. Bashkëpuntori dhe miku im Albert Akshija, gazetar i RAI, përveç tjerëve edhe 100 kopje, në Itali kryetarëve të Bashkive me origjinë Arbëreshë.

Randësia historike e këtij libërthi asht se kjo asht vepra e parë në histori, që botohet nga ana Shqiptare, aktualisht nga Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, organizatë e Mergatës, mbasi as qeveria komuniste e Tiranës as Kosova Martire nuk i dalshin zot Kosovës.
Aktualisht Serbia kish botue ma se 100 libra e historina, ku shfaqshin pikpamjet e tyne të kundërta.
Reçensionin e shkroi me kompetencë miku im i mirënjohun Profesor Peter Prifti, të cilin po atë vjet e botoi revista Koha Jonē e Isa Ndreut, i cili gjithashtu ishte baskëpunëtor aktiv për çashtjen e Kosovës. Ky ish nji favor i bamë familjes tonë, por ne Bytyçët e shperblyem Ndreun tue marrë përsipër shpenzimet nji muejore të revistës, që shpërndahej në gjithë botën.
Editori Lec Shllaku në kopertinen e revistes botoi fotografinë e imamit patriot Isa Hoxha dhe në mbrapavijë në mur shihet portreti i myftisë së Shkodrës Sali Myftija. Leci ma spjegoi ketë strategji të dy hoxhëve, “Që ta inatosi diktatorin komunist, Hoxhën në Tiranë”. Revista dhe botimi e postimi i librit na kostoi shum, por qe nji vepër efektive dhe ne u ndamë me faqe të bardhë.
Dashamiri dhe “ushtari”i babes Tahir, njeriu besnik shumvjeçar, Zeqir Berisha, me origjinë prej Lipjani botonte shkrimet e RSHKBL në gazetën The Republican, Waterbury, Connecticut.

Nji tjetër bashkëputor nga Australia, Hiqmet Ndreu lexonte botimet tona në misionin RADIO SHQIPTARI I LIRË, në Melbourne, Australi.
Miku ynë, editori i mirënjohun Lec Shllaku, botonte shkrimet tona në revistën e fameshme KOHA JONË, që dilte në Firenze.
Botuesi, patrioti dhe miku ynë i shtrejtë, Z. Isa Ndreu, që e botoi këtë revistë të randësishme kombëtare, kulturore për shum vjet.

Profesor Peter Prifti në ketë reçension, kryeveper shkruen: “Kerkesat e Shqiptarve Etnik në Jugosllavi’ na jep hulumtim të thellë e të kujdesëshëm të fakteve të kompilueme. Ky liberth është një antidotë e ashpër kundër versionit të Qeverisë Jugosllave për krahinën volatile të Kosovës. Ky publikim me burime të mirëdokumentura ka potencial me influencue opinionin diplomatik dhe publik në një drejtim pozitiv në lidhje me ketë situatë të randë (quagmire)në Kosovë.”…

Kosva Republikë ishte term dhe ide skandaloze, që as unë as Kerrnaja as vllaznit e mi, që merrëshim të gjitha vendimet, për deklaratat e RShKBL, kurrësesi nuk ishim dakord. Kuptohet në raste kritike ne konsultoheshim me njrerëz kompetentë. Ketë fakt po e permend sepse në kapitullin Kongresi i Dytëi Lidhjes së Prizrenit ka nji incident serioz, që i përngjet këtij rasti.

Me nisiativën dhe përpjekjet tona botuem dhe shpërndamë gjithë materialet e shoqnisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë ku shënohej si adresë e shoqnisë vetëm adresa e Tahir Kerrnajës

(439 West 46-th Street New York, NY 10036). Këto shkrime delnin rregullisht , së pakut nji herë në muej, ma së shumti në Anglisht.
Materialet botoheshin me tipografi dhe grafikë të cilësisë elegante dhe me kujdes, ku shënoheshin burimet dhe fakte të vërtetueme në mënyrë që të mos na e kundërshtonte kush.
Si e kam thanë në parathanien e librit KOSOVO Path to Freedom…, botim i Organizatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, 2012, Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë në vitet 80ta u ba e vetmja zadhanëse Shqiptare në Botë për çashtjën e Kosovës, kur Kosova ishte nën Serbi dhe Shqipnia staliniste, si vend i izoluem dhe ekstrem nuk komunikonte me Botën.
Shkrimet dhe aktiviteti i RSHKBL janë mbajtë anonim dhe janë botue pa firmën e artikullshkruesit dhe rrallëkush asht interesue për autorësinë e tyne, më sa kemi pa e ndëgjue.
Ka qenë për ballë vetëm Kerrnaja prej adresës së tij që shënohej në të gjithë materialet. Ai ishte i pranishëm në të gjitha tubimet kulturore, politike, akademike e fetare të Shqiptarëve të Amerikës, si dhe sekretari ekzekutiv Maliq Arifaj.
Me shpenzime e iniciativë të Kerrnajës dhe të ne Bytyçëve, kryhej kujdesja për të sigurue bashkëpunimin për ta mbush botimin e rregullt të materialeve të RSHKBL, që të mos mungonte informimi me sa ma shumë lajme aktuale e komente.
Shoqnia jonë nuk mbante evidencë për shpenzimet, sepse ishim vetëm ne të tre, që kryenim financimin e organizatës. Intelektualët që hartonin traktet, letrat, lajmet, pamfletet nuk paguheshin prej askujt.

Ata ishin vullnetarë të dedikuem dhe punojshin falas si dhe na. Kjo shoqni nuk ka kërkue kontribut prej kurrëkujt.
Kerrnaja, burrë i shtymë në moshë, por i palodhshëm, me energji të pasosun, rregullisht i shpërndante dorazi materialet për kauzën aktuale kombëtare te hymja kryesore e godinës së OKB-së dhe shumë qendra të qytetit New York.
Prej komunitetit shqiptar ka pasë vetëm nji kritikë, e cila ishte me vend. Kisha Katolike Shqiptare në New York dhe Xhamia u ankuen te Kerrnaja për qëndrimin tonë jo kritik kundër qeverisë Staliniste të Tiranës, bile ofruen me pague shpenzimet për trakte me kusht, që përveç Jugosllavisë të kritikohej edhe klika e Enver Hoxhës, gja e cila do të irritonte të gjithë Kosovarët, sepse shumica ishin pro regjimit të Enver Hoxhës. Kjo ishte për mungesë informimi dhe përpunimi prej Misionit të Shqipnisë pran OKB.

Telegramet që RSHKBL u drejtonte Qeveritarëve në Tiranë për burgjet e kampet famkeqe të Shqipnisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here