SHALLI I LUTJEVE . DHJETE POETE IZRAELITE NEN PERKTHIMIN E MIMOZA EREBARES

10 poetet e pare nga vellimi SHALLI I LUTJEVE

POETE HEBRENJ NE GJUHEN SHQIPE

RACHEL LUZZATTO MORPURGO (1790 -1871)
As nuk kam bërë asgjë këtu që të më kishin futur në birucë (Zanafilla 40:15)

Oh, Lugina e shkretë

Oh! E shkretë luginë, shtrihet nën mjegull, errësirë,
Deri kur do të më mbani të lidhur
nën pranga bronzi e me zinxhirë?
Unë do të doja të vdisja më mirë,
e të zgjidhja të banoja nën të Zotit hije
Se sa rri e vetmuar në thellësi të ujit që nga mali bie
Dhe kodrat e përjetshme t’i shikoj nga larg
Dhe lulet farfuritëse, me petalet e tyre shumëngjyrëshe
do të më dhurojnë përjetësi.
Unë do të marr krahët e shqiponjave, e do t’i ngre sytë,
Të vështroj diellin, e të ngre lart të prangosurin, ballin tim!

O qiej! sa të drejta përkëdheljet tuaja mbi ballë,
Aty ku liria është, përjetësia patjetër do të shfaqet,
Ku erërat po fryjnë që tani, nëpër shkrepat tona në mal

NAPHTALI HERZ IMBER (1856 – 1909)

Hatikvah / Shpresa

Për aq sa thellë në zemër
një shpirt hebre shumë dëshiron
dhe drejt Lindjes
sytë i kthen nga Sioni
shpresa jonë nuk do të humbasë
shpresa e dy mijë vjetëve
të jemi një komb i lirë në tokën tonë
tokën e Sionit dhe Jeruzalemit

Hatikvah (hebraisht: הַתִּקְוָה, haTīqvā, [hatikˈva]; lit. ’Shpresa’) është himni kombëtar i Shtetit të Izraelit. Pjesë e poezisë hebraike të shekullit të 19-të, pasqyron dëshirën 2000-vjeçare të popullit hebre për t’u kthyer në Tokën e Izraelit dhe për ta rimarrë atë si një komb të lirë dhe sovran.

SHAUL TCHERNICHOVSKY (1875 – 1943)

Kredo

Qesh me të gjitha ëndrrat e mia pa kuptim!
Qeshni po unë do ta përsëris përsëri
se unë ende besoj fort tek njeriu,
ashtu siç besoj edhe tek ti.

Nga pasioni i etur i shpirtit të tij
lidhjet e lashta po derdhen: jetë!
sepse zemra ia dëshiron lirinë
sikur edhe buka për trupin mbetet

Shpirti im fisnik nuk mund të udhëhiqet
për hunde vetëm se aty me mua rri
sepse zemra ime beson e për njeriun nxitet
pasi prej tij ka lindur çdo fëmijë

Jeta, dashuria dhe energjia do të nxitojnë
në zemrat tona të fryhen dhe të rrahin,
derisa shpresat tona në parajsë të shkojnë
nga toka, nën këmbët tona, që kohën matin.

URI ZVI GREENBERG (1896 – 1981)

SICARII

…Unë e përbuz paqen e atyre që dorëzohen, e me forcë përfundojnë
të mbledhin të vdekurit hebrenj. Dhe erën e keqe të gjakut e përbuz!
Dhe krahët e tyre në plehra t’i quash sikur të ishin fjolla bore, i përbuz!
Ndaj këndoj Torah nga thellësia e shpirtit të njeriut.
Se jam i neveritur nga thënia e të parëve tanë:
‘Ne krahasohemi me delet’…
Çfarë është Kongregacioni i Izraelit në krahasim me dorën romake?
Kjo analogji është e rreme, dhe vjen nga Tradhëtari i Yodfatit
e deri te Martirët e Spanjës dhe hebrenjtë e Polonisë.
Sepse Ligji i Bar-Kochba është e vërteta, ashtu siç ra Betari!
Dhe i vërtetë është Ligji i Gush-Chalav deri në të fundit të Yochanan,
Edhe tek Hirsch Lekert në Vilna,
Dhe Jozefit me një krah në Tel Chai –
Në mishin e deleve tona, gjaku i Sicariit është zgjuar,
Dhe Shtylla e Zjarrit,
shfaqet në pragun tonë…
Rabinët dikur na mësuan: ‘Një tokë me para është blerë,
Ju blini fushën dhe gërmoni me një shat në të’.
Ndërsa unë them: Një tokë, nuk blihet me para
Dhe ju, gërmoni dhe varrosini të vdekurit.
Dhe unë sërish them: Kjo tokë është pushtuar me gjak,
Dhe gjaku do të përcaktojë se kush do të sundojë këtu.
Dhe unë them e përsëri them:
ka vetëm një të vërtetë, e jo dy,
Ashtu siç ka një diell dhe jo dy, Jerusalem.

SICARI II- Dita e ushtarëve
Rrotullat e Torah:(hebR.) Libri i Zotit për të dërguarin e Tij, Moisiun

Kongregacioni i Izraelit – Komunitet besimi, ku perterihen traditat dhe synohet permiresimi i botes

Bar-Kochba -Bar Kochba ripushtoi Galilenë për t’i shkëputur romakët nga deti. Pastaj e rrethoi Jeruzalemin dhe i dëboi. Udhëheqës e strateg ushtarak.
Beitar, – vendi i betejës së fundit të madhe të kësaj lufte, por vendi i saktë nuk dihet përfundimisht.
Ligji i Gush-Chalav – Rrethimi i Gush Halav i referohet rrethimit romak dhe grabitjes së qytetit të fortifikuar galileas të Gush Halav (Gischala, Jish modern), gjatë Luftës së Parë Judeo-Romake. Pas ikjes së forcës kryesore luftarake Zealot nga qyteti, romakët e morën atë me forcë.

NATHAN ALTERMAN (1910 – 1970)

Hëna

Edhe një pamje e vjetër ka momentin e saj të lindjes.
të një qielli pa zogj,
Një pamje e çuditshme dhe e veçuar si prej dhimbjes
Tej dritares, një natë me hënë driton
E një qytet i tërë duket si i zhytur në lot.

Dhe kur sheh një rrugë
që ende shikon për një udhëtar që humb
Dhe kur hëna është fiks mbi majë të selvisë,
Ju thoni: ‘Zoti im, a janë të gjitha këto ende, pranë shtëpisë?
A mund një lutje t’ju pëshpëris?’

Nga pellgjet dimërore uji i tyre na shikon.
Pema po fle.
Dhe për rijetësim, shpejt lulet nxitojnë.
Lodrat e Tua të Fatit, s’do kenë asnjë pikëllim,
Larg prej meje Humbje, lus o, Perëndia ynë!

LEAH GOLDBERG (1911 -1970)

Këngët e Sionit

A dridhet gjuha e artë e një zileje në qiellin më të lartë?
A ra një pikë vesë në majën e selvisë së gjatë?
Na këndoni pra, këngët e Sionit!
Si do të këndojmë këngën e Sionit, në tokën e Sionit?
Ne as që kemi filluar!

ZELDA (1914 – 1984)

Më duket si zemra ime

Zemra ime është si një fëmijë budalla,
që nxiton në zhurmën e detit të takojë valën,
vëllai i saj i mrekullueshëm – një rrip i zjarrtë
që pyet gjithnjë Krijuesin e tij:
“Çfarë? Dhe si?”
Zemra ime është si një fëmijë i fortë
Që e sigurt flet me çdo të panjohur
dhe i qahet për hallet e saj.
Zemra ime është si një djalë i vogël
që e merr malli për të luajtur para gjumit
dhe vrapon dhe bie, vrapon e rrëzohet.

HAIM GOURI (1923 – 2018)

Kështjella në rërë

Kështjella e rërës,

tunelet dhe kullat e kalasë,

durimi, guackat, stalaktitet,

si dhe stolitë shtesë,

nuk e dinë

se barbaria do të kthehet një ditë.

Ai, megjithëse i pandjeshëm ndaj nuancave,

nuk qëndron prapa

mendimtarit të madh, gjithësesi

DAN PAGIS (1930 -1986)

Drafti i një marrëveshjeje reparacionesh

Në rregull zotërinj,
që qani vrasjet blu si gjithmonë, pranë shtëpive,
Dhe ju Krijues të bezdisshëm të mrekullive,
Tashmë jam i qetë!
Çdo gjë do të kthehet në vendin e vet,
paragraf pas paragrafi,
Britma përsëri në fyt do të qëndrojë
Dhe dhëmbët e artë do të kthehen si dikur në gojë
Terror.
Tymi do të kthehet në oxhakun e hirtë dhe më tej,
Brenda, në zgavrën e eshtrave jetën sërish do të gjejë,
do të mbulohesh me lëkurën që prej teje egër u shqep
dhe ti do të jetosh!
E di, ti do ta kthesh jetën, çdo gjë të saj që të gëzon
Të ulesh në dhomë, e të lexosh gazetën e mbrëmjes, mjafton.
Kështu do të jeni sërish ju. Asgjë nuk është shumë vonë.
Dhe ylli i verdhë i Davidit, ngjitur prej tyre në leckat që na veshin:
do të të shkëputet me dhimbje nga gjoksi i dobtë
Dhe drejt qiellit do të emigrojë.

NATHAN ZACH (1930 -2020)

Elegji për Daniel Down

Dan-iel, Dan-iel…!, u shkri gruaja në vaj
Dan-iel… Dan-iel…!, po pa dobi.
Njerëzit dolën në rrugë, me këpucë gri,
me hapa të shpejtë e të heshtur.
Po binte mbrëmja. Gruaja u mbështoll
Me kujtime si frutat e verës, në verandën e saj,
në një cep të përshtatshëm dhe,
Dan-iel… Dan-iel…, …iel…,iel…!, vajtimi i saj jehonë.
Heshtje. Qetësia erdhi nga fundi i rrugës,
e mbartur përgjatë erës nga pema në pemë.
Gruaja ende qan. Më kot.
Forca e saj po pakësohet. Ajo është prej pluhurit dhe frikës
Si shkretëtira. Shpirti i saj është valë i nxehtë.
Nga goja shpërthen si një e tmerrshme llavë,
kaotike, irracionale, thirrja e zemrës në një çast
Dan-iel … Dan-iel … iel…, iel…!
Çfarë është ajo ftohtësi
që pëshpërit nëpër atë lëkurë aq të zbehtë?
Dan-iel … Dan-iel…,
Mos e trishtoni më nënën! Koha po mbaron. Daniel, kujdes!
Daniel, gjumi do të jetë i kuq, dhimbja një tmerr
Atje poshtë kur të flesh, i ëmbli Daniel!