Përderisa lufta Izrael-Hamas është në javën e tretë, me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që ka paralajmëruar se do të jetë një fazë e re “e gjatë dhe e vështirë”, presidenti amerikan, Joe Biden, po u kërkon Izraelit dhe liderëve arabë që të mendojnë mirë për realitetin eventual pas luftës.
Sipas Bidenit, prioritet duhet të jetë gjetja e një marrëveshjeje për zgjidhjen me dy shtete për konfliktin e gjatë izraelito-palestinez. “Nuk mund të kthehemi në status quo siç ishte para 6 tetori”, tha Biden për gazetarët, duke iu referuar një ditë para se militantët e Hmasit të sulmonin Izraelin dhe të nxisnin luftën e fundit. Shtëpia e Bardhë tha se Biden e ka përcjellë këtë mesazh direkt te Netanyahu gjatë bisedës telefonike që liderët kanë zhvilluar javën e kaluar.
“Kjo po ashtu nënkupton se kur të mbarojë kriza, duhet të ketë një vizion se çfarë vjen më pas dhe sipas mendimit tonë duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha Biden.
Shtytja për zgjidhjen me dy shtete – sipas së cilës Izraeli do të bashkëjetonte me një shtet të pavarur palestinez – nuk ka qenë e suksesshme nga presidentët e SHBA-së dhe diplomatët në Lindjen e Mesme për dekada.Kjo zgjidhje është lënë në harresë që kur përpjekjet e fundit për bisedime të paqes – të udhëhequra nga SHBA-ja – dështuan më 2014 pas mospajtimeve lidhur me vendbanimet izraelite, lirimin e të burgosurve palestinezë dhe çështje të tjera.
Shtetësia palestineze është diçka që Biden pak e ka përmendur në fillim të mandatit të tij. Gjatë vizitës në Bregun e pushtuar Perëndimor vitin e kaluar, Biden tha se “kushtet nuk janë pjekur” për përpjekjet e reja për të arritur një paqe të përhershme, edhe pse para palestinezëve ai përsëriti mbështetjen e kamotshme të SHBA-së për shtetësi. Tani kur shqetësimet janë rritur se lufta Izrael-Hamas mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë, Biden ka filluar të përsërisë se kur bombardimet dhe të shtënat të përfundojnë, puna drejt një shteti palestinez më nuk mund të injorohet.
Deri pak kohë më parë, Biden më shumë kishte vënë theksin në atë që administrata e tij e shihte si ambicie të realizueshme për normalizimin e raporteve midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë sesa në rifillimin e bisedimeve të paqes. Edhe këshilltari i tij për siguri kombëtare, Jake Sullivan, në një ese të gjatë të shkruar para sulmit të 7 tetorit, ku kishte përshkruar qëllimin e Bidenit në politikë e jashtme, nuk kishte përmendur përpjekjet për shtetësinë palestineze. Por, në një version të përditësuar të esesë për politikën e jashtme që u publikua online, Sullivan shkroi se administrata amerikane është e përkushtuar “për zgjidhjen me dy shtete”. Ai po ashtu tha se bisedimet për normalizim gjithmonë kanë përfshirë propozime të rëndësishme nga të cilat përfitojnë palestinezët.
Megjithatë, për vizionin e Bidenit pasi të përfundoi lufta ka mjaft pengesa. Një shtet i pavarur palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gazë është një opsion i papranueshëm për Qeverinë e ekstremit të djathtë të Izraelit. Autoriteti Palestinez, që është i paefektshëm, kontrollon Bregun Perëndimor dhe ka pak kredibilitet në popullatën që qeverisë. Ndërkaq, Bideni po ashtu përballet me zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024 dhe e bën atë një ndërmjetës më pak ideal.
Aaron David Miller, që ka shërbyer si këshilltar për Lindjen e Mesme gjatë administratave demokratike dhe republikane, tha se theksi që Bideni ka vënë së fundi për zgjidhjen me dy shtete ishte një “pikë aspiruese për të nisur bisedimet”.
“Por, shanset janë shumë, shumë të vogla”, tha ai. “Praktikisht, është një mision i pamundur”.
Çështja e thirrjes për zgjidhjen me dy shtete u ngrit të shtunën gjatë samitit të koalicionit hebrenj republikan në Las Vegas, ku kandidatët republikanë për president kritikuan politikën e Bidenit sa i përket Izraelit dhe thanë se demokratët kanë dështuar të dënojnë mjaftueshëm antisemitizmin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Vivek Ramaswamy, që është kandidat për president, tha se Izraeli duhet të ndihet i lirë që të braktisë “mitin e zgjidhjes me dy shtete”.
Shtëpia e Bardhë është e vetëdijshme se thirrjet e Bidenit për zgjidhje me dy shtete janë ambicioze dhe ndoshta edhe të paarritshme në terma afatshkurtër, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i cili nuk ishte i autorizuar që të fliste publikisht për këto çështje. Po ashtu, dihet që Qeveria e Netanyahut, që po përballet me kritika për shkak të dështimit që të parandalojë sulmin e Hamasit, është e përqendruar në operacionin kundër Hamasit dhe nuk po i kushton shumë vëmendje deklaratave të Bidenit për shtetësinë palestineze.
Megjithatë, Biden beson se është e rëndësishme për të dhe ekipin e tij që të ofrojë “shpresë” dhe ta bëjë të qartë që administrata e tij e mbështet një shtet palestinez, tha zyrtari që foli në kushte anonimiteti.
Dennis Ross, negociator në procesin e paqes së në administratën e George H.W.Bush dhe në atë të Bill Clintonit, tha se është e rëndësishme të nisë planifikimi për atë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, edhe nëse nuk ka shenja se konflikti aktual është drejt fundit.
“Ju nuk mund të ktheheni në pikën ku mund të injoroni palestinezët si çështje”, tha Ross. “Kjo gjë nuk është e pashpresë”, shtoi ai.
Thirrjet e rinovuara për shtetësinë palestineze vijnë në kohën kur grupet palestineze-amerikane, organizatat avokuese myslimane dhe disa demokratë kanë shprehur frustrimin e tyre me Bidenin, i cili vazhdon të shprehë mbështetjen e plotë për Izraelin, në kohën kur numri i palestinezëve të vrarë po rritet dhe kriza humanitare në Gazë po përkeqësohet.
“Kjo nuk ka të bëjë me besimin e dikujt”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. “Ka të bëjë në gjetjen e një të ardhmeje për Lindjen e Mesme e cila do të ishte më bashkëpunuese, më e qëndrueshme dhe më e sigurt, ku Izraeli do të ishte më i integruar në rajon dhe ne nuk heqim dorë nga ky qëllim”.
Biden ka shprehur shqetësim lidhur me përkeqësimin e kushteve për civilët e pafajshëm në Gazë. Por, këmbëngulja e tij se ai nuk do të diktojë se si forcat izraelite do të kryejnë operacionet e tyre mund të ndërlikojnë aftësinë e tij që të ruajë besueshmërinë si një ndërmjetës i paanshëm. Liderët myslimanë në SHBA gjatë një takimi privat me Bidenin dhe ndihmësit kryesorë të tij gjatë javës së kaluar në Shtëpinë e Bardhë, i bën thirrje presidentit që të kërkojë një armëpushim.
Pjesëmarrësit po ashtu i kanë thënë Bidenit se heshtja e tij, për atë që ata e shohin si ndëshkim kolektiv të Izraelit për civilët e pafajshëm në Gazë, po minon qëndrimin e presidentit amerikan me arabo-amerikanët dhe myslimanët, përfshirë edhe në shtetet amerikane ku mund të kenë një ndikim të madh në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024.
Ata po ashtu kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me deklaratën e Bidenit, kur ai tha se “nuk ka besim” lidhur me vlerësimet për vdekjet në Gazë, sepse ato regjistrohen nga Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi. Ministria ka thënë se mbi 8.000 persona, shumica gra dhe të mitur, janë vrarë në Gazë. Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, kryesisht civilë, gjatë sulmit të parë të Hamasit.
Rami Nashashibi, themelues i Rrjetit për Veprim të Brendshëm Mysliman në Çikago që mori pjesë në takim, tha se i ka thënë Bidenit se deklarata e tij për numrin e vdekjeve në Gazë ka tingëlluar “dehumanizuese”. Ai shtoi se edhe pjesëmarrësit e tjerë i thanë presidentit se kjo deklaratë ishte veçmas shqetësuese sepse Biden gjatë mandatit presidencial ka treguar empati të madhe për njerëzit që vuajnë.
“Unë e ngrita këtë çështje me atë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tjerët që ishin në dhomë e bënë po të njëjtën gjë. Unë mendoj se shqetësimi ynë u pranua”, tha Nashashibi.
Shtytja e rinovuar për shtetësi mund të vihet në dukje nga Bideni si shenjë e zotimit të tij për sovranitetin palestinez. Por, mënyra se si ai e ka menaxhuar trazirën në Lindjen e Mesme veçse ka kërcënuar edhe prospektet e tij presidenciale, dhe çdo përparim që Bideni mund të bëjë drejt zgjidhjes me dy shtete ka shumë të ngjarë që të kërkojë që ai të fitojë edhe mandatin e dytë presidencial.
Disa zyrtarët të Partisë Demokratike kanë shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si Biden ka menaxhuar luftën, duke thënë se kjo mund të krijojë probleme për partinë karshi votuesve arabo-amerikanë, por edhe te votuesit e rinj, që sipas sondazheve, kanë më shumë simpati për shqetësimet palestineze sesa votuesit më të vjetër demokratë.
Një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike në Miçigan tha se mënyra se si Biden po e menaxhon luftën veçse është bërë problem “i madh” dhe mund të bëhet problem edhe më i madh nëse lufta zgjatet dhe numri i viktimave në Gazë rritet. Ky zyrtar foli në kushte anonimiteti.
Edhe para se të niste lufta, Biden pritej të përballej me një garë të ngushtë presidenciale. Ai ka fituar në Miçigan për më pak se tre pikë të përqindjes më 2020, dhe republikani Donald Trump kishte mposhti demokraten Hillary Clinton në këtë shtet me 0.3 për qind të votave më 2016. Mbi 300.000 banorë me prejardhje nga Lindja e Mesme apo nga Afrika e Veriut jetojnë në Miçigan.