Marrë nga Associated Press
Amerikanët po kujtojnë 11 shtatorin të dielën duke lexuar emrat e viktimave, me punë vullnetare dhe homazhe të tjera, 21 vjet pas sulmit terrorist më vdekjeprurës në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Një tingull kambane dhe një moment heshtjeje shënuan fillimin e përkujtimores në të ashtuquajturën pikën zero në Nju Jork, ku kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën nga sulmet e avionëve të rrëmbyer të 11 shtatorit 2001. Familjarët e viktimave dhe personalitete u mblodhën gjithashtu në Pentagoni dhe në Shanksvillë të Pensilvanisë, dy vendet e tjera ku ranë avionë.
Komunitete të tjera anembanë vendit po e shënojnë ditën me vigjilje me qirinj, shërbesa ndërfetare dhe aktivitete të tjera. Disa amerikanë po marrin pjesë në projekte vullnetare në një ditë që njihet si Dita e Patriotëve si edhe Dita Kombëtare e Shërbimit dhe Përkujtimit.
Ceremonitë përkujtimore pasojnë një përvjetor të mbushur me histori vitin e kaluar që erdhi disa javë pas fundit kaotik të luftës në Afganistan që SHBA-ja e nisi si përgjigje ndaj sulmeve.
Por megjithëse këtë vit 11 shtatori mund të mos shënojë një pikë kthese, ai mbetet një pikë për reflektimi mbi sulmin që vrau afro 3000 vetë, nxiti një “luftë kundër terrorizmit” nga Shtetet e Bashkuara në mbarë botën dhe transformoi politikën e sigurisë kombëtare.
Ajo ditë ngjalli gjithashtu një ndjenjë krenarie kombëtare dhe uniteti për shumë njerëz, por nga ana tjetër i bëri muslimanët amerikanë për vite të tëra objekte dyshimi dhe paragjykimesh si edhe i dha shkas një debati mbi ekuilibrin midis sigurisë dhe lirive civile.
Pasojat e 11 shtatorit ndjehen në politikën dhe jetën publike amerikane deri sot, në mënyra të dukshme dhe të padukshme.
Po ashtu sulmet kanë transformuar për gjithmonë jetën personale të mijëra njerëzve që mbijetuan, që morën pjesë në ekipet e ndërhyrjes së shpejtë ose humbën të dashurit, miqtë dhe kolegët.
Presidenti Joe Biden do të flasë të dielën dhe të vendosë një kurorë në Pentagon, ndërsa zonja e parë Jill Biden pritet të flasë në Shanksville, Pensilvani, ku një nga aeroplanët e rrëmbyer u rrëzua pasi pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit u përpoqën të ndalnin rrëmbyesit që ishin drejtuar për në Uashington.
Bashkëpunëtorët e Al-Kaidës kishin marrë kontrollin e avionëve për t’i përdorur për sulmet vetëvrasëse.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj Doug Emhoff iu bashkuan ceremonisë në Memorialin Kombëtar të 11 Shtatorit në Nju Jork, por sipas traditës, asnjë personazh politik nuk flet në ceremoninë e Kullave Binjake.
Në qendër të saj është leximi me zë të lartë i emrave të viktimave nga të afërmit e tyre.
Disa nga të afërmit e atyre që humbën jetën shprehin keqardhjen që një komb që u bashkua pas sulmeve, tanimë është i ndarë.
Ndryshimet janë të dukshme tek fakti që agjencitë federale të zbatimit të ligjit dhe zbulimit, të cilat u transformuan për t’u fokusuar tek terrorizmi ndërkombëtar pas 11 shtatorit, tani e shohin kërcënimin e ekstremizmit të dhunshëm brenda vendit si po aq urgjent.