Shefik Shkodra : REKUIEM PËR SHEHERZADEN, POEZI

REKUIEM PËR SHEHERZADEN

1. (PRITJE PËR RILINDJE)

Pasi barbarët i vodhën ç’pat histori e mjeshtëri
Shprehi mbeti te banorët dashuria për breza të ri
Pritja qe e gjatë derisa po bëheshe gati or zotëri

Si pika në vorbull degdisur lindje-perëndim

Mileniumi i tretë shtoi helmin në dergjë të rëndë
Fëmijët përditë kafshonin n’rrugë mollët e tharta
Pashpjegueshëm dilnin mejdanet krejt si përralla

Për ta qarë dertin asnjë i besuar pranë përtej veti

*
Ike nga ëndrrat e turpshme e të padurueshme
Kërkoje një lule shumëngjyrëshe dhe erëmirë
Me kundërmim të një hareje e gazi të vërtetë
Të kujtosh dëshpërime e hidhërime krejt i lirë
Dhe dashnoren që ke vizatuar në ditar djalërie
Kur vrapoje gëzueshëm livadheve të Moravës
Shënoje varrezat guximshëm stomit t’ahishtës
Në zemër gjithsesi ruaje vrull jete aq gjallërisht
Dhe diç më të çmuar që vonë emrin ia mësuam

Sikur s’ka fund dita e lume e amshuar për liri

Në folenë tënde të dashur e di dashuria si fillon
Kur syri sheh në çdo fytyrë krejt qeshje për jetë
Dhe zogjtë këndojnë ëmbëlsisht e s’i kuptojmë

Trëndafil e jargavan dhe lule-arashke fushës gjerë
Kopshti i ruajtur nga farishtat pështjellakë zigzag
Lëshojnë lozën deri ku del fryti pa pengesë gardhi

Regjistri në rrënojë me emra vjetërsie karbonizuar
Sikur donte të zo’n për lexim të festave tjera pagane
Pëshpëritje ndër buzët e mëngjesit herak lirohet cak
Tingull i cili përdredh vallen haptazi dhe me jehonë
Deri te Mulliri i Arapit përballë Kodra e Vreshtave
Shndrinë dritë relikti i të rënëve zgjuar nga do kohë
Trima të hershëm s’bëzajnë më para dyer dyqanesh
Përqark kasabasë valonte kopshti lulisht’e shkëlqyer
Arat grunore në diell jepnin bukën për mund e djersë!

*
E prapë thuhet, kurrë s’është e mjaftueshme liria
Ashtu qysh lë vragë e e pushton shpirtin dashuria
Dhe gjithnjë në kërkim t’asaj që quhet paq e rehati
Pa ngurrime krahasohet e sotmja me një ardhmëri
Dhe asnjëherë nuk harrohet mundi i asaj t’kaluarës
Duke pastruar rrugën e lehtësojmë vetë shtegtimin
Bukuria është mjeshtëri natyrore dhe vepër njerëzore
Dhe atë asnjëherë askush s’ka mundur ta përfundojë!

2. (KALITJE PËR SAKRIFICË)

Ishin të mësuar banorët me ulje koke për toke
Djajtë kënaqeshin në arritjen e qëllimit te robërit
Kamxhiku linte vragë në qafë dhe fytyrë dukshëm
Shpirti grumbullonte sfilitje e vuajtje si një arkiv
Kjo ndeshje e rëndomtë kaliste njerëzinë pa krah

*
Kishin treguar për pazarin për zanate e ustallarë
Dyqane e bakall do kroje e dy lumenj me ura druri
Ku fshiheshin kockat e tabu vdekjeve nën atë llum
Dhe lumenjtë ishin tretur e shndërruar në moçale
Flisnin për Saraje e rrethojat për këndet e fshehta
Për dashuriçkat e kënaqësitë si të mermerta akull

Dhënia tokë me tapi Fantazmës për një pikë vrime
Rast tradhtie e kusht i vështirë q’u bë djalli hisedar
E do kasaphane pa mejdane përroska gjaku tej-tej
Zhdukja e bukurisë para-natës parë sërish beqar –
Pa hy dhëndër Ykazani do të dorëzohej për Jemen

Tubimi i vdekjeve n’Tasjan n’dorë të Babës Mbret
Në përcjellje të të ndjerëve para kohe kush di kur
Kthimi mundet ose veç pritje e gjatë si në ëndërr
Flamuri mbetur pas karroce pështjellë n’harresë
Ndonjë leckë e të ndjerëve shpëtuar nga rrëmuja
Shumë kohë të gjatë iku e zhduket shenja e fundit
“– Shejti koftë! Një zë më erdhi rrufe si nga qielli!”
Nënat e dhimbshme kujtoheshin me mallëngjime
Dhe harrohet shenjti e ideja për të krejt ishte fanit
Për sakrificën moti shpresa u shua si lule venitur
Kush u kthye nga bota tjetër të flasë për vdekjen
Etërit të heshtur e shprehnin dhimbjen me zemër
Pa vaj ngadalë historia ngjallej në sytë e fëmijëve
Do cijatje sa herë hidhur ndieje si të reshura natyre!

*

Gjatë kohë pluhuri kishte mbuluar të gjitha historitë
Shtresa të qytetërimeve dhe gjuha pak e holluar disk
Adete herë-herë të huazuara e përbuzur burimoren
Megjithatë nuk është shkrirë tërë pasuria shpirtërore
Dikush diçka ka ruajtur e ka lëruar përkundër kosës

Kthimi nëpër dhëmbëzore me admirim është pasqyruar
Me shënim të fillimit duke hequr velin e të shëmtuarës
E duke marrë formë e kuptim të etnisë krejt origjinale!

3. (FLAKËRIMË DHE ZI KOHE)

Shpejt ndizej si pisha shpejt shuhej si kandili n’erë
Kish’ mallkuar pushimet në shenjë lisi mali e bregu
Fusha kishte shpërndarë zërin e tij për një ardhmëri
I miri i kohës – udhëtar sa kishte shëtitur e vizituar

Njëherë ish’ shndërruar në shkrumb kasabaja e re
Çarshia rishtazi si bojatisje me prekje nga djersa
Dyer e parmakë aq shumë të lëmuara nga të gjithë
Vendorët e rrethit Malësia shportat përplot pemë
U vinte era më parë qershive dardhave e mollave
Dhe për nuse aromë petkave nga fabrika të largëta
Këpucë saftjani e dimi lahuri xhamadan e tasfes –
Pronar dashurie Sheherzada e Gjilanit me korin
Kur donte me pajton gjezdiste Shkup e Shkodër

Ajo e kishte për vete të shtrirë atë mundësi –lirie
Të tjerat e shihnin idhullin në skaj tërliku të zi –
Gjithnjë për diç uritur pa fytyrë veç me një sy
Një pajtueshmëri asaj kohe me aq dhembshuri!

4. (ROMANCË E KASABASË)

Fushat me grunaja verore e pikë-pikë lulëkuqet
Peizazhe të bukura si me dorë për të dashuruarit
Piktura ngjyrë verdhë si mjeshtrí e një Van Gogut
Veli nga stofi mbulonte gudulisjen e kraharorit
Krejt tundja trok e trupit të pjekur i jepte shijen
Ajo përshkonte sokakët me sy gjeraqine zigzag
Fustani te thembra fshinte ato bajgat e kuajve
Përreth njerëzisë rrezatonte kaltërisht n’pikë dite
Ati i xhaxhit Smajl krahasohej me kundrat e saj
Kalldrëmit të gurtë dilte zjarr si nga unor e bricak
Zemra gacë eshke ndizej ndritshëm si mall vitrine
Mbathtari fuste gozhda në thundrën e rrëzbitur
Atë pelë qytetasi e ruante gjithë si familjarët tjerë
Për kalërim shtigjesh nesër pasnesër e gjithmonë
Kush di për gjithë mrekullitë e bukurisë njëherë
Pas ahengut si do të çelte e lumja dritë Dardanisë!

5. (PUSHIM E GATIM ME DROJË)

Morava vinte zhurmshëm për ta heshtur pezmin
Derisa çizmet e fantazmave t’i shkelnin grunajat
Gazmendi i ditës për dasmën ndalohej mizorisht
Kthimi hijeve pritej varje në shtyllë trekëndëshi
Mes të lemës pa pagëzime ku bëhej kasaphana
Bagëtitë n’hell larg kundërmonte raki kumbulle
Kosat mbrehnin kasapët ulërinin si kafshë në gjak

Brenda ishin argatët që caktonin vitet e jetës tonë!

Domosdo inatosja ish’ pas gjakut e vdekjeve tragjike
Do ligjërata në vend të ushqimit cakëllonin dhëmbët
Tryeza e fëmijëve ishte bosh me vrer tharë nga zorrët
Farkëtari mprehte sakicat beftë për nënkresat e natës
Porositë për ruajtje pragu shtonin njëjtë frymëzimet
Të papriturat e korbave ishin në çdo çast ditë e natë

Të pabesët ndërrojnë fytyra sa herë vetë dëshirojnë!

6. (STINËT E VERDHA NË DARDANI)

– Për të gjithë njerëzit e këtyre terreneve që u
shkrinë në amshueshmëri për dashuri t’atdheut

Teksa merrte zheg fillimi i stinës përcëlluese
Tash rrëfimet përshkonin mendjet e fjetura
Na e lavdërojnë këtë ditë kur jemi dëshmitarë
Veç do dasmave me shtrirje të familjeve feudale
Po rrëfimi ishte i largët për Ilirët dhe Dardaninë
Dolën do shpejt rretheve për ringjallje nga hiçi
Nuk mbeti aq kohë për këndim vepre të heroit!

*
Të puthemi për shëndetin që do ta rrëmbejmë
Ndonjë ditë me trëndafila pranë dritares me grila
Rea i jepte etnisë zemër për lindje të reja dashurie

Abetaren e fituam ta mbanim të gjithë në dorë
Na shihnin gemtë s’e donin këngën e korit Alban
Kaherë ëndrrat për kopshte e rrugica na joshin
Shpendkeqin e zëvendësonte përditë një borizan
Për dritën e parë kur s’kuptonim për diell e hënë

Qëndresë e shpresë bukurie kur artin s’e njihnim
Çdo mëngjes zjarrin e ndiznim në zemrën tënde
Nga shpirtra ndritur na vjen e gjallë fjalë e vaktë
Dhe shënohej adresa gojore e përhershme anëve
Vinin letrat në gjuhë të tjera rrallë i lexonin vetë
Binin në grackë me pusullë varur n’qafë nga djalli
Megjithatë doli agimi i ri dhe me shpirt në dhëmbë
Sheherzada ka ikur tashmë me pështjellak harrese
Porosinë gjithë kasabasë ia la në atë muzeun e vjetër
–Erëverë, ti shenja e re që ende s’dimë të përjetojmë!

7. (VIJIMI I ZEZONËS)

Dikur njerëzit flisnin si me shpoti me njëri-tjetrin
Donin të fshihnin kohën e fjalët me një gaz hidhur
Para fëmijëve që shikonin e përgjonin në trishtim

Veç çuçurimë për çaste të llahtarshme vdekjesh
Për burgosjet e torturimet dhe për do ikje tinëz
Hienat natë ditë ndiqnin rrugë më rrugë e oborre

Herët pa zbardhur drita vend gjumi mbetej vakët
Pa takime të dyta me prindër grua fëmijë e miqësi
Veç arkivolet vinin dëshmi rënduar e të mbyllur.

Egërsirat hidhnin mbulojat e shtratit para zgjimit
Viktimat iknin larg deri në shkretitë e Anadollit
Shpëtim shpirti nga dhunuesit e botës fantazmë

Katandisja e fisit nga vampirët n’gjithë anët e botës!…

LIGJËRATË BRIGJEVE TË MORAVËS

1. (AMBIENT I PERIUDHËS SË AFËRT)

Nuk e kishe vështirë të lozje atyre rrugicave
Për kërkime në nxitim këmbësh krejt si trok
Përpara ballinës hingëllonte kali me nallçe
Kalorësi po kalëronte kalldrëmit shkëmbor
Pazari i fryteve nga fshatrat derdhet këtu tok
Asaj fushe të vjetër te Livadhet e Maliverës
Ato ara shumë frytdhënëse i mbuloi tjegulla
Vezit aga i tretur s’kthehet nga nahija tjetër

Ato lulishtet që i ujisnin bijat e përmendura
Ato më të bukurat në gjithë tokën dardane
Bahçja me filiza të kajsisë ende eron zerdeli
Vashat e skuqura e kredhur pas kokrrave ari
Hiqnin shami e dimi flokë verdha e të zeza
Kordelet allafrënga jelekët e qëndisur vetë
Fustane qepnin deri te zogu i këmbës hollë
Çarshinë e rrihnin në nalle dhe sandale druri
Sorkadhja po përshëndeste me sy e mimikë
Me çadër në dorë mbrojtur nga shiu e vapa!

Në vjeshtë çdo javë pritej një dasmë me çallgia
Gumëzhinin hareshëm mëhallët e gjithë kasabaja
Kalimtari i panjohur do të mendojë si diç jetike
Si pa halle e lumturi veç gjithë botës këtu dëgjoje!

2. (VARIANT BALADE)

Dru thane e rrasë e shkëmbinjve s’ishin mjet lufte
Skutuar shpellave ilire – arbërore deri n’kohë avarësh
Që kur robëritë ndaluan duelet argëtuese ndër arena
Në gara për princeshë atëbotë barbari qe më i forti

Reliefit n’mure pikturë nën myshk ngjyrë gjaku del
Nga filli kësaj toke që mban emër të vërtetë në harta
Besa e fshehur shtatë pash nga dhuna tepër mizore
Gjithë ëmbëlsim për pjekurinë e pemëve në këto ara
Pa pritur erdhi në zgrip foleja e u ndryshua pamja
Via Egnatia për lëvizje tregtie qe e lirë dhe më vonë
E ndonjë grup hordhie si për mbrojtje të tokës huaj

*
Asnjë oxhak nuk tymonte krejt heshtje për vdekje
Dyerve të oborreve kishin ngalluar ferra e barëra
Rrugës pas shiut nuk e shihje asnjë gjurmë njeriu
Aty-këtu ndonjë shputë të maceve t’uritura pa zot

Vëllai nga varri qe kthyere e kish’ vizituar shtëpinë
Nënën e zezuar e gjeti vetëm n’mes oborri vajtonte
Ndjeu vaje e kukamë për gjithë familjen e farefisin
Murtaja nuk e kishte dertin e rrënimeve të njerëzimit
As denjoi për ankesa e çjerrje përpëlitëse të t’gjallëve
Gjuha e barbarizmit njësoj shpjegohej e praktikohej
Zori ishte i paparamenduar ai shndërrimi në qyqe!

Halili kishte bredhur krejt nahijet pas motrës së vet
Pa trimat e Jutbinës n’dyluftim as vetë s’u kthye më!

3. (ZULLUMI KA NJË FUND)

Dhe ndodhi si me bujari e më shumë me dhunime
T’i lëshojmë kopshte ara livadhe e bagëti si dhuratë
Krejt hisen tonë e hanin si të veten jashtëtokësorët
Mbetëm gjithnjë të uriturit më të mëdhenjtë botës
Asnjëherë s’ishim të sigurt me vetvete në rrugëtim
Koha mori e dha epshet e stinëve kudo për dashuri
Kush di shkrumbi formonte qenie pa qeliza të gjalla

Epika e zorit herë-herë shndërrohej në këngë lirike
Nëpër elegjitë e një pas njëshme rridhnin dasmat
Nga ato çallgia me valltarë përdredhës nisej vadja
Ti endeshe pa masë hapësinore në kërkim shtigjeve
Festa urime gati çdoditshëm i përshkonte pikëllimi
Një strehë ardhmërie gjithsesi do të duhej arnuar!

Qëndresa n’këto troje me gjithë kërcënimet satanike
Jehoi drama më e përfolur – forca lindi nga zullumi!

4. (PENGU I ETJEVE)

Shëtitë i bëje si pa arsye duke qenë bri lulishtes
Vizita në do kohë kërkohej për gjithë shenjtërinë
Dhe kopshti me shumë ngjyra si pasqyrë shndriste
Të shtonte këngë e gaz zemre për dashurinë sërish
Pleqërinë s’e ndieje shpirti ruante frymën e kurmin

Me gjasë Tanushës ia kishe falë jetën pa ngurrim
Nuk ke tjetër të fala e pasuri pranë pos dashurisë
E ishte mëkat ndjesie të mos ishe brenda asaj loje
Gjithsesi t’i përqafoje trëndafila e jargavanë në rritë
T’u merrje erë si dikur gaztorët që s’i njeh parasysh
Ajo njëherë kasabanë e ka bekuar shqip me Erëverë
Shenjti kishte vdekur ditën kur lexonim Shkronjat
I barti në thasë me frikë deri te fëmijët që po lindnin
Dhe kishte mbetur “me sy çelë” peng i dhëndërisë
Atë dashuri kaltëroshe që veç Erosi mund ta ndiente
Ato porta me murana dikur të ngritura mburojë mbi
Vetëm për dritare në shtrat i hetonte dritë hëne gri
I prekte cullak aurorë fresku me fishkëllimë bilbili
Zonjat s’shiheshin poshtë në oborre të kalldrëmta

Sheshe me baltë e pluhur dheu vera e thatë i rrezonte
Këndej pari binin udhët tej për tej Lindje e Perëndim
Krenari Lulishtja e Moravës që e zbukurojnë Zanat

Nga përmbledhja: KËNDIME PËR DARDANINË, 2021