SHËNIME NGA LYONI, QYTETI I TRETË MË I MADH NË FRANCË. Nga Mentor Hoxha

 

 

 

(Mbresa nga vizitat në muzetë, në ndërtesat historike dhe në vendet më turistike në Lyon, vizita të organizuar nga Les clés de l’Atelier dhe Eris)

 

 

Nga Mentor HOXHA

 

 

Përgjatë tre muajve unë kreva një kurs intensiv  profesional tre mujor në Les clés de l’Atelier në Vénissieux në Lyon. Ky kurs nisi më 28 prill dhe përfundon më 30 korrik. Les clés de l’Atelier, kjo qendër e njohur trajnimi në bashkëpunim me shoqatën humanitare “Eris, na organizuan gratuit edhe vizita të shumta në muzeumet, ndërtesat dhe në vendet më historike dhe më të bukura të qytetit të Lionit. Veçohet vizita në Bazilikën Notre-Dame de Fourvière dhe Katedralen e Lionit, vizitat në Lionin e Vjetër-Vieux Lyon, në Musse des confluences, në Distriktin La Confluence si dhe pikniku i mrekullueshëm në një nga zonat më të gjelbra të qytetit. Bazilika Notre-Dame de Fourvière është ndërtesa më mbreslënëse në Lion dhe vizitohet për çdo vit nga 1.5 milionë vizitorë. Ajo është e njohur si mbrojtëse e qytetit dhe është destinacioni kryesor në listën e çdo vizitori. Lioni i Vjetër ka karakteristikë ndërtesat e Rilindjes dhe shtëpitë e qytetit, rrugët mesjetare, kurse Musee des Confluences është pika e takimit midis dy lumenjve, Rhone dhe Saone dhe pika e takimit e dy rrjedhave të mendimit. Ky muze me një arkitekturë moderne, i veshur në kristal dhe në xham dhe i mbuluar me pllaka inoksi simbolizon hapjen ndaj botës. Muzeu u hap në dhjetor 2014. Përmes milionave ekzemplarëve që gjenden në këtë muze vizitorët e shumtë  gjejnë historinë e Njeriut dhe të Tokës në një sipëfaqe prej 3000 m2. Ky muze tregon historinë e e njerëzimit në 4 ekspozita të veçanta që përshkruajnë dhe paraqesin origjinën dhe fatin e njerëzimit, larminë e kulturave dhe civilizimeve, si dhe vendin e Homo sapiens në zinxhir të gjallesave.

 

Disa nga këto muzeume dhe vende historike i kisha vizituar edhe më parë kur ndiqja kursin e frëngjishtes në IFPA në Perrache, ku ndodhej një staf i mrekullueshëm mësuesish. Mund të përmend këtu mësuesin tim të frëngjishtes, Amer Almosi, një profesor i shkëlqyer, ku brenda tre muajve mësim me të arrita të marr diplomën DELF A1 dhe DELF A2 nga Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Rinisë së Francës, ndaj i shpreh mirënjohje dhe respekt pa fund.

 

Lyoni është ndër metropolet më të rëndësishme dhe më të njohura në Francë, në Europë dhe në botë. Është qyteti i tretë më i madh pas Parisit dhe Marsejës dhe zona e dytë më e madhe urbane e Francës. Në periudhën midis dy Luftërave Botërore, Lioni ka qenë ndër qendrat franceze më të frekuentuara nga emigrantët politikë shqiptarë. Ndër ta spikasin Sokrat Nushi me tre fëmijët e tij, Gogo, Kozma dhe Ksenofon Nushi. Edhe sot, Lioni është qyteti francez me numrin më të madh të azilantëve nga Shqipëria dhe Kosova. Në Universitetin e Lionit kanë studiuar disa nga figurat më të njohura politike, diplomatike dhe akademike në historinë e shtetit shqiptar, si Dr. Ymer Dishnica, Kahreman Ylli etj. Studentët dhe shqiptarët e Lionit kanë dhënë një kontribut të madh për çështjen kombëtare shqiptare. Kur Italia fashiste po përgatitej të pushtonte Shqipërinë më 7 prill 1939, të gjithë shqiptarët e Lionit organizuan protesta të shumta dhe të fuqishme kundër agresionit fashist. Jehonën e këtyre protestave e përshkruan edhe gazeta e njohur franceze “Le Temps” (12 prill 1939).

 

Lioni ka luajtur një rol të madh në zhvillimin fetar dhe politik të Evropës përgjatë shumë shekujve. Qyteti i Lionit u themelua nga romakët në shekullin e Parë para Krishtit. Fillimisht u njoh si Lugdunum. Gjatë Perandorisë Romake ka qenë kryeqyteti i Gauls. Kryepeshkopi i qytetit u emërua Kryepeshkop i Gauls dhe disa papë të njohur u kurorëzuan këtu. Në Mesjetë u bë kryeqendra e panaireve dhe lulëzoi në Lion tregtia e erëzave dhe e mëndafshit. Nga Rilindja e deri në fund të shekullit të XIX-të ishte një nga qendrat kryesore financiare në Europë.

 

Lioni ka një trashëgimi arkitekturore të jashtëzakonshme që daton rreth 2.000 vjet më parë. Qyteti është shpallur vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Distrikti i “La Confluence” ka përqafuar avangardën arkitekturore mahnitëse moderne.

 

Lioni ka shumë muzeume, ndërtesa historike dhe vende të bukura turistike, ku veçohen; Bazilika Notre-Dame de Fourvière dhe Katedralja e Lionit, Teatri Galo-Romak, Lagjia mesjetare Vieux Lyon, Pallati Saint Pierre ose Bashkia e qytetit, Opera Nouvel, Sheshi Bellecour, Kopshti i Grande Cote, Hotel De Ville, vendi des Tarreaux, Parc de la Tête d’Or, Croix -Rousse etj.

Lioni ka shumë hapësira të gjelbra, veccohet Parc de la Tête d’Or, një nga parqet më të mëdha urbane në Francë, me një sipërfaqe rreth 105 hektarë. Ndodhet në zemër të qytetit dhe është mushkëria e Lionit.

 

Lioni është qyteti i dytë në Europë, pas Berlinit për numrin e madh afreskeve, të cilat  gjenden në të gjithë qendrën e qytetit (Croix–Rousse, Quais de Saône) në distriktin États-Unis (lagja e 8-të). Ky është vendi i Muzeut Urban Tony -Garnier, një vend i hapur me më shumë se 20 afreske të mëdha në stile shumë të ndryshme. Ndër muzeumet për tu vizituar janë: Muzeu i vëllezërve Lumiere, Muzeu i Arteve të Bukura, Muzeu i Artit Modern, Muzeu i Qytetërimit Galo-Romak, Muzeu i Pëlhurave, Muzeu Toni Garnier, Muzeu i Historisë së Natyrës, Muze de Confluence etj.

Lioni organizon evenimente të shumta kulturore dhe festivale kombëtare e ndërkombëtare duke përfshirë Biennale de la Danse (festivali bienal i kërcimit), Biennale d’Art Contemporain (festivali bienal i arteve bashkëkohore), les Nuits Sonores (festival i muzikës elektronike), Lumière Cinema Festival (Festivalin e Kinemasë Lumiere), Quais du Polar (festivali fantastik) dhe Fête des Lumières (Festivali i Dritave). Opera e Lionit është vlerësuar ndërkombëtarisht.

 

Qyteti i Lyonit është vlerësuar si kryeqyteti gastronomik i Francës. Ai njihet gjithashtu për Festivalin e përvitshshëm të Dritave (Fête des Lumières). Është shtëpia e pionierëve të kinemasë, vëllezërve Auguste dhe Louis Lumière që konsiderohen si regjisorët e parë të filmit në botë.

 

Qyteti i Lyonit përfshihet në Rajonin Rhone-Alpes (Rhone-Alpes-Auvergne) dhe shtrihet në bashkimin e lumenjve Rhône dhe Saone. Ka një sipërfaqe 47.87 km2 dhe një popullsi prej 506.615 banorë (2.18 milion në konglomeratin urban). Kryetar i Bashkisë së Lionit është Grégory Doucet. Banorët e famshëm të Lionit janë: vëllezërit Auguste (1862-1954) dhe Louis Lumière dhe (1864-1948, regjisorë dhe industrialistë), Antoine de Saint-Exupéry (1900-1944, shkrimtar, aviator dhe poet), Maurice Jarre 1924-2009, kompozitor dhe dirigjent), Paul Bocuse (1926-), një kolos në qarqet gastronomike të Lionit, futbollistët Bernard Lacombe (1952), golashënuesi më i mirë i ligës franceze i të gjitha kohërave, Youri Djorkaeff (1968-), Juninho Pernambucano (1975-), Éric Abidal (1979), Karim Benzema (1987-) etj.

 

Justin Godart, lionezi që kontribuoi shumë për çështjen shqiptare

 

Në Lion kanë lindur disa nga personalitetet më të rëndësishme të historisë franceze. Në Lion ka lindur edhe senatori dhe politikani i shquar, Justin Godart (1871 -1956), i cilësuar si një nga figurat më të shquara të Republikës së Tretë Franceze. Ai ka qenë Zv/Ministër i Luftës gjatë Luftës së Parë Botërore, Ministër i Shëndetit Publik (3 qeshor -18 dhjetor 1932), deputet (20 maj 1906 – 4 qershor 1926), Ministër i Punës, Higjenës, Asistencës dhe  Mirëqenies Sociale (14 qershor 1924-17 prill 1925), Nën Sekretar i Shtetit për Shërbimin Shëndetësor Ushtarak (1915-1918), Kryetar i Komunës së Lionit (3 shtator 1944-18 maj 1945), senator i Rhone (16 maj 1926-10 korrik 1940), themelues i Ligës Botërore kundër kancerit, si dhe President i Komisionit Ndërkombëtar të hetimit në Ballkan për Fondin Carnegie më 1913. Emrin e tij e mbajnë disa rrugë. Godard ishte një nga mbrojtësit më të shquar të çështjes kombëtare shqiptare. Ai ishte i pari që themeloi Misionin Arkeologjik Francez në Shqipëri, vuri në krye të arkeologun e shquar nga Franca, Leon Rey, si dhe hodhi bazat e para të lidhjes kulturore shqiptaro-franceze. Godart i vizitoi viset shqiptare më 1821, 1922, 1923, 1937 dhe 1951 dhe shkroi e botoi më pas në Francë në frëngjisht dy ditare për Shqipërinë. “Ditarët shqiptarë” (mars 1921 -dhjetor 1951) të tij janë përkthyer nga frëngjishtja në shqip nga Asti Papa dhe janë botuar nga Sh. Botuese “Dituria”. Në vitet ’30-të, Godart u dekorua nga shteti shqiptar me Kordonin e madh të Urdhërit të Skënderbeut.

 

LYONI, KËSHTJELLA E PUSHTUAR NGA SHQIPTARËT NË EURO 2016

 

Qyteti i Lyonit u bë shumë i dashur për shqiptarët gjatë Kampionatit Europian të Futbollit 2016 që u zhvillua në Francë. Ndeshja e tretë e Shqipërisë kundër Rumanisë u zhvillua në Stade de Lyon më 19 qershor 2016. Këtë ndeshje e ndoqën nga stadiumi i Lionit rreth 20 mijë tifozë shqiptarë, ndërkohë mijra të tjerë vërshuan në rrugët e Lionit me flamuj kuq e zi dhe veshje kombëtare shqiptare. Bukurinë ia shtuan më shumë Lionit bukuroshet shqiptare, të cilat zunë faqet e para të media-ve franceze dhe botërore.

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here