“Shi me baltë”, një promovim i pazakontë. Nga Ilirian Zhupa

“Në poezinë e këtij libri gjejmë nënën dhe zogjtë, mëhallën dhe babain, djemtë dhe shkollën e fshatit, portat dhe oxhaqet që u mungojnë shtëpitë, realitetin e zhvillimit dhe të rrënimit, që i ka ndodhur ngrehinës tonë, fshatit dhe qytetit tonë, krahinës, vendit dhe njerëzve tanë, pra neve vetë.” Kjo është një prej mijëra mënyrave që poeti Ilirian Zhupa thotë se ka për t’iu qasur vëllimit poetik “Shi me baltë” të gazetarit Mero Baze, duke u përqendruar në atë që libri përfaqëson: një rrugëtim i thellë brenda kujtesës, dashurisë për vendlindjen dhe dhimbjeve të fshehta.
Në parathënien e librit, Zhupa ka zgjedhur ta quajë këtë vëllim poetik si “Manuali i Mero Bazes për dashurinë.”
Gazetarë, publicistë, miq e të ftuar u bënë bashkë këtë të hënë nëntori, në promovimin e pazakontë të vëllimit poetik “Shi me baltë” të publicistit dhe gazetarit Mero Baze. Kjo, pasi i pazakontë ka ardhur për shumë miq e kolegë lajmi se Mero Baze do të promovonte një libër me poezi. Autor i disa librave publicistikë, ndër zërat më të fortë e të rëndësishëm të analizës politike, siç e përshkruan edhe vetë parathënia e librit, në këtë vëllim poetik, do të gjeni anën tjetër të Mero bazes, përtej mburojës së përhershme. Do të gjeni aty ndjenjat, dhimbjen, trishtimin, humanizmin dhe të gjitha ato, të cilat shpesh mbeten të fshehura pas maskës së gazetarit luftarak.
Ndaj, edhe vetë autorit iu desh fillimisht të sqarontë këtë “faj”, siç e quajti edhe vetë, që kishte botuar një libër me poezi, duke treguar dhe origjinën e lidhjes së tij me poezinë. Ai rrëfeu se përspari kish shkruar dhe botuar poezi, ndërsa gazetaria erdhi më vonë.
Por, eventi nuk ishte vetëm një promovim për poezinë e Mero Bazes; ai u kthye gjithashtu në një diskutim mbi distancën që ekziston sot mes gazetarisë dhe letërsisë, një shqetësim për atë çka po humbasim në botën e mediave moderne. Ndër momentet e veçanta të mbrëmjes ishte leximi i një poezie kushtuar mikut të ndjerë Arben Runa, i cili ka ndërruar jetë vite më parë.
Në këtë mbrëmje, përtej analizës dhe ironisë që e karakterizon në gazetari, Baze zbuloi një anë të re – një zë poetik ndryshe dhe që duhet të dëgjohet.

Parathënia e librit me poezi “Shi me baltë”, të Mero Bazes

MANUALI I MERO BAZES PËR DASHURINË

– ILIRIAN ZHUPA –

Një pikëllim i fisëm, një nostalgji përqethëse, shumë poezi braktisjeje, humbjeje e përhumbjeje, si një simfoni elegjake për veten, brenda vetes, nga vetja dhe sigurisht… edhe për ne.
Kjo ishte ndjesia që pata nga leximi i parë i kësaj përmbledhjejepoetike. Më pas, kjo ndjesi forcohet e përimtohet nga kumbimet e humbimet e rileximit të katër cikleve me poezi që si katër anët e horizontit shfaqin pamje dhe kohë të ndryshme të së njëjtës botë poetike që tenton të ndezë flakën metaforike të përjetimeve dhe emocioneve artistike te gjithësecili prej nesh.
Mero Baze e ka nisur herët rrugën e poezisë. Poezia ka qenë shandani i parë që i ka ndriçuar shtigjet për te pylli i madh i fjalëve. Me këto fjalë, ai rrahu vise të shumta të shkrimit, të publicistikës, analizës e polemikës, të memuaristikës e historiografisë, por me sa duket,
“Republika e parë” dhe e fundit e fjalës për të, ka qenë dhe mbetet poezia.
E mbaj mend bllokun me vjersha që bashkëpatrioti im, student i gjeologji-minierave e solli t’i lexonim bashkë te gazeta “Zëri i rinisë”. Binin erë natyrë të harlisur, brufullimë dhe vlagë Jugu. Publikoi vetëm ca pak prej tyre, pastaj heshti gjatë, për t’u shfaqur dhjetë vjet më parë me librin e titulluar “Jug” dhe sot, pra afro dyzetë vjet pas atij takimi njohës, me librin poetik gati antologjik “Shi me baltë”.
Përpara katër cikleve që përbëjnë këtë libër, si një testament tronditës, është balada “Atdheu”. Jo ky që kemi, po Atdheu që duan poetët dhe s’ua lejojnë poetëve: i bukur, shtatlartë, heroik, fytyrëhequr si shkëmbi, fisnik, i ndershëm, i mençur, patriot.
Por në fakt, thotë autori, e vërteta e atdheut është ndryshe dhe poetët e mbulojnë këtë të vërtetë me vellon e tyre të dashurisë. Atdheu si kalë i drobitur, “tërheq përditë karron e halleve”, skafistët çajnë detet, djemtë humbin në shtëpitë e drogave dhe i lënë “Nënat shami zeza mbytur në derte…” Pamja e Atdheut ndryshon e zbukurohet me lekët e fituara pa punë, njerëzit e tij “gëlltitin lotët para të vërtetave”, gjyshet nuk kanë më nipër e mbesa t’u tregojnë përralla, shumë shkrimtarë e njerëz publikë bëhen të pasur nga plehrat dhe jo nga librat, etj., etj. Edhe pse Atdheu
“ka kulla, vetura e thesare,
shpalos e tregon këmishën e palarë.”
Është nga rastet e rralla ky artikulim i tunxhtë, i de ndur, i hapur, fshikullues në poezinë shqipe. Gazetari, polemisti, analisti i palodhur që përballet përditë me të vërtetat e lakuriqta, në këtë poezi mposhtet, i jep të drejtë poetit të heshtur dhe të tërhequr që ka brenda vetes, pavarësisht se në mënyrë retorike thotë:
“Mos i besoni poetët që këndojnë Shqipërinë,
S’është më Atdheu që na ka bërë për të qarë.
Ngjajmë shumë me të edhe pse s’e dimë,
E vramë ne atë apo ai na ka vrarë…”
Një apel i qartë, gati i përjetshëm që e kanë lënë të gdhendur Naimi, Konica, Fishta, etj.
Ky libër me poezi, kjo poemë elegjiake, me të katër pjesët e saj, i këndon humbjes, asaj të përgjithshmes dhe asaj vetjakes, asaj të përbotshmes dhe asaj të për veçmes, asaj të priturës dhe asaj të stisurës. Braktisjes së gjërave të shtrenjta, botës që na ikën përditë, na shket nga sytë, nga duart, nga mendja e nga shpirti si rëra…
Të katër ciklet, si katër harqe ure, kërkojnë të mbar tin në të ardhmen fëmijërinë me gjërat e saj të shenj ta, kohën që jetuam me privacionet dhe qëndresën e saj, vdekjen e trishtë që na merr nga duart e nga sy të njerëzit më të dashur dhe dashurinë që na bën të mbetemi gjer në frymën e fundit si “Pylli që pret se mos vijnë (sërish) zogjtë…”
Në poezitë e këtij libri, nën hirin e fjalëve dhe ima zheve të trishta, është prushi që ruan ndezur zjarrin e fëmijërisë, ashtu siç ruan nëna për të birin që është larg, me këmbëngulje e merak, një vesh rrushi në har dhinë e oborrit.
“Mes floririt që shkund vjeshta ndër pemë,
…nga zogjtë përgjysmuar…”
Duke numëruar ditët e kthimit në shtëpi, ajo bëhet vetë zog dhe shpend me krahë që të shpëtojë ç’të mundë për djalin që kthehet me pushime në dimër.
Sot, u jemi larguar shumë malit, fushës, pyllit, lu mit, fisit, fshatit, qytetit periferik, pa e kuptuar që po i largohemi vetes. Me sa duket, në viset tona, në vendin tonë jemi shndërruar në banorë dixhitalë që ndjehemi e sillemi si turistë. Edhe kur të gjitha këto i ruajmë në kujtesë, nuk mund t’ua kthejmë kurrë jetën, gjallërinë dhe harlisjen që kanë pasur.
Nëna, kur djali e çon pas shumë kohësh në fshat, nuk sheh më asgjë nga ato që kishte lënë dhe autori e gjen
“…herët, të vetme në verandë,
duke vizatuar shtëpinë e vjetër me lot…”
Babai, në poezinë “Udhëtimi i fundit”, gjen gjithçka të zvogëluar e të rrëgjuar dhe ndjehet në faj.
“Bastuni dridhej nga mungesa e peshës
Si degë pa gravitet që në ajër rri.
Kostumi ishte bosh, qe fshehur babai
Nga frika mos e merrja me vete përsëri…”
Jo thjesht për autorin, as për nënën dhe babain, por edhe për djemtë e tij, vendlindja nuk është më ajo e rrëfimeve. Nuk ka më dhelpra, zogj që flenë në brirët e drerëve, ujq që i zbon qeni besnik, mëllenja, ujëra, ujëvara, pyje pa fund…
Vendlindja e treguar prej tij për djemtë, tani është një gënjeshtër e madhe.
“…I gënjeva djemtë nga frika mos harroja Vendlindjen që e lashë qysh fëmi
Dhe hakmarrja e braktisjes më ndëshkoi, Ma plasi shpirtin si çdo dashuri…”
Ndenjëm gjatë në temën e fëmijërisë, sepse aty janë çelësat që hapin dyert metaforike të poezisë së Mero Bazes. Edhe çelësi për të hapur guackën e ciklit “Zëra pa jehonë”, poezi të shkruara kryesisht në Krastë e Batër – Martanesh, në prag dhe kapërcyell të shembjes së sis temit diktatorial. Ky grusht poezish nga jeta e njerëzve të mbyllur mes maleve, ku “…mijëra vetë marrin frymë dhe nën dhe…”, janë një homazh për minatorët dhe të burgosurit politikë të regjimit.
“Këtu nuk vihet për t’u pasuruar,
Megjithëse gurë të çmuar nxirren përditë.
Këtu vijnë ata që s’kanë ç’të humbasin;
As jetën, as vdekjen, as dashuritë!”
Me rënien e regjimit, të burgosurit politikë lirohen.
“Te dera e hekurt nuk presin më nënat
Me shpresën fshehur futës së zezë,
Si ftua që s’kalbej nga koha e gjatë
Në sepeten e durimit mësuar të presë.”
Ndërsa të burgosurit kanë ikur, në ngrehinat fanta zma kanë ngelur vetëm rojet e burgut dhe familjarë të tyre që përpiqen të pastrojnë gjithçka, (mbase dhe njo llat e gjakut e krimit).
“Ata që ikën s’kishin gjë për të lënë,
Ata që mbetën kanë frikë Lirinë…”
Në poezinë e njëmendtë shqipe dhe botërore, ka shu më vjeshtë, shi dhe baltë, shumë dhimbje dashurie dhe ndarjesh. Kështu, në visin ku “Strehët e vjetra s’i mbaj në dot më çerdhet…”; ku Trifon Xhagjikën autori e sjell të gurtë lart, në fshat, që
“…Të jetë larg vrasësve të rinj,
Që vrasin fjalën të mos ketë poetë…”
Ku Arben Runës i sjell në Nivicë shtëpinë, librat dhe orenditë, por s’e sjell dot atë vetë.
Ku miqtë “shpikin” Sokol Olldashin ndryshe dhe i thonë:
“S’na duheshe shumë kur ishe mes nesh,
Të ribëmë se na duhesh tani që ke ikur…”
Ku mbase jo vetëm metaforikisht, mbi ne bie shi me baltë dhe ku “Liria (ka) ardhur pa bukë me vete.”
Mero Baze ka shumë dashuri e dhimbje, ka shumë pen gje e përbetime në poezinë e tij.
Të gjitha bashkë i japin forcë e peshë fjalës poetike. Nën trysninë e tyre, fjala merr shkëlqime, kuptime dhe nënkuptime të shumta metaforike. Dashuria për auto rin ndrin si dielli dhe mbytet si Titaniku.
Ajo është e re dhe e vjetër, e parë dhe e fundit, e ëndërrt dhe reale.
Gjithë poezitë e dashurisë shfaqin një shkëlqim dhe përhumbje të qenies njerëzore, sikur janë një manual për dashuritë e gjalla dhe të vdekura…
“Eci në park me shpresë se jam vetëm,
Pa kthyer kokën pas kush vrapon.
Fantazmat tuaja e di që janë rrotull,
Por veç meje askush s’i dallon…
Eci si në një varrezë me varre pa emra
Njerëzish që s’dihet si vdiqën, kush janë.
Ndoshta thonë se jam vrasësi i tyre
Dhe pse të gjithë e dinë që më vranë…”
Dhe pastaj, përfundimi aksiomatik:
“Të gjitha dashuritë i ruan tradhtia,
Siç ruajnë mikrobet verën në plevicë…”
Pavarësisht se ç’shkruhet në CV -në zyrtare të au torit, cilido që do lexojë këtë libër me poezi, veç kë naqësisë artistike do shohë si në një ekran filmi, herë bardhë e zi e herë me ngjyra, jetën dhe brendinë e vër tetë të Mero Bazes. Sepse poezia, kjo “gjë” e vogël dhe naïve, si natyra, e brishta, e buta, e lehta, kur është e njëmendtë si në këtë libër, na çon të prekim e të ndjej më thelbin e vërtetë të qenieve njerëzore. Sepse thelbi i mbijetesës së botës, është mbijetesa e gjërave të buta; e barit, e pemës, e shpendit, e algës, e prekjes, e pritjes, e dashurisë, e lindjes, e vdekjes, e ndjenjës…
Zulmet dhe kulmet nuk janë të përjetshme, vendet dhe shtetet shuhen nga faqja e dheut, luftërat dhe paqet ha-rrohen, por ajo e brishta, e vogla mbin dhe rritet edhe mbi gërmadha. Ajo e brendshmja, e qarta dhe e errëta është shfaqja dhe streha më serioze që mund të ndërtohet nga fjalët për njeriun. Ajo është fara-thelb dhe ky libër tenton të jetë ura që shpie për tek e ardhmja këto fara të pamodifikuara të jetës.
“Mëhalla ime është pallto e grisur
Që pret diellin ta arnojë me copa resh.
Mëhalla ime është një këmishë e djersitur,
Që laget e thahet në trup kur e vesh.”
A mund të shtohet a të hiqet gjë tjetër për mëhallat e gjyshstërgjyshërve tanë dhe tonat pas këtyre vargjeve?
Kam qenë dhe jam i bindur se pavarësisht nga zejet e shumta me fjalën që ai ushtron, poezia është “thembra e Akilit” për Mero Bazen, ashtu siç është dhe për bashkëpatriotët dhe miqtë e tij të shquar tepelenas, Petrit Ruka, Sadik Bejko, Qazim Shemaj etj.
Gusht, 2024