SHIRE DHIMA: KLITHMA SHËMB QIELLIN! POEZI

TË LUTEM!

Të lutem vjeshtë, kësaj radhë mos ik
Mos e prish argjendarinë tënde
Poezisë time, mos i vër pikë
Lidhi pikat, lidhi fort në dëngje.

Të lutem vjeshtë, kësaj radhe ktheje rrugën
Lëre argjendarinë të punoj
Thirri të gjitha reve, t’a prishin shtëllungën
Qielli të jetë i qetë, të mbretërojë.

Të lutem vjeshtë, qëndro me mua
Kopshtin e dashurisë, tek ty e kam mbjellë
Shegë të kuqe zjarre, në brinj qesh një ftua
Mbi çatinë e saj të këndon një gjel.

Të lutem vjeshtë, mos më braktis
I thuaj, le të shkoi vetmia
Me ty po derdh shpirtin, mërzitjen e gris
Me ty nuk vjen pleqëria.

Të lutem vjeshtë, mbaje fort diellin
Mos të flas me erën e pabesë
Me drithërima toke, mos t’a përziej qiellin
Drithërima mos të vrasë shpresë.

MIRËSIA ME QESHI

Mbi lule e putha mirësinë
Më aromën e saj, më përshëndeti
Më përshëndeti mua njerinë
Po qeshte dhe vala dhe deti

Mes zogjesh e gjeta mirësinë
Më përshëndetën me këngë
Për gjuhën nuk duan t’ia dinë
Dashurinë e ngritën në këmbë

Në sytë e fëmijëve pashë qiellin
S’kish ngelur asnjë grimcë reje
Sa dashuri ata sy mbjellin
Sa filiza, aromë përcjellin.

Natyra gdhendur bukurinë
Flladi i saj vërshon si lumë
Vjen me puth mua njeriun
Si vala që puthet me shkumë.

SHIKO T’I!

Pa shiko ti, a me njeh mua ?
Në pemën e botës, diku jam në ndonjë fletë
Mund te jem një rrëkez a një përrua
Mund të jem një lumë që mbush një det.

Shikoje, shikoje mirë botën në sy
Shikoje kush ndrit në beben e saj
Mund të jem një dritë, a mijëra yje
Në dritë të syrit botën e mbaj.

Shikoje mirë botën, po matet me pëllëmbë
Dhe Magelani i ra rreth e përqark
Tani, tërmete dhe zjarre, si kërpudhat mbirë në ç’do vend
Pëllëmbë më pëllëmbë, shuplakat kanë hyrë në gjak.

Pa shiko, shikoje mirë eliksirin e zotit
Po lëngon nën plagë shtrigash
Shigjetat, së prapthi i vunë motit
Mallkimi përcjellë në rryma gigash.

Shikoje, shikoje mirë vjeshtën e botës
Gërvishur e gjitha me thonj dimri
Aty nën gërvishtje, vargu i shtëllizet kohës
Nën gërvishtje, ndryshon ngjyrën timbri.

HEJ, KU PO SHKOJMË ?

Hej, ku po shkojmë, ku po i bie?
Mjegulla këtu të ha me sy
Pyll i lartë, i dendur, mbretëron hije
Hija, ushtarët bërë dy nga dy.

Hej, ku jam këtu?
Qënka zonë e pashkelur
S’kam parë ndonjëherë njerëz blu
Qielli këtu inatin do ketë dredhur.

Hej, këtej më duken të gjithë të panjohur
Mos vallë jemi në tjetër planet
Reët ndezin zjarr për të ngrohur
Vjeshta akoma kërkon vendin e vet.

Nuk e pyetëm dhe rrugën, mos ka ndërruar shinë
Treni i saj po kapërcen limitet
Sa asteroide parakalojnë, stërvitin ushtrinë
Dhe vargu veshur ushtarë për poezinë.

Hej, po të pyes përsëri, ku del ky tunel
Mjegulla qëndron si polic mbi kokë
Shumëzoj mjegullën me rrugën, nuk më del
Vetëm hersi gjen rrugën lehtë në këtë botë.

BOTË KRISTALE!

Ky fshati im paska aromë fëmijërie
Aty aroma lëshuar porsi ujvarë
Më vjen si fllad, një erë lumturie
Humbas e gjitha, fëmijëria një det me valë.

Oh! Nga shpirti m’u derdh gjithë malli!
Sytë e saj puthën sytë e mi
Paska zbritur qielli, përdore e mori mali
Një mëngjes prilli, shpirtit vesoi një shi.

U ngritën rrugët, rrugicat hapën krahët
Sheshet ku luanim, ullinjtë përshëndesin me dorë
Më thirri Nëna, zëri më vinte si valët
Erdhi babai ,ca lule m’kish thurur kurorë.

Do rri këtu, këtë botë s’e lë të shkojë
U lodha jasht nga kohë e mjegulluar
Kjo botë kristale, pafajsinë e mban në hoj
Kjo farë lumturie, shpirtin e do pluguar

KLITHMA SHËMB QIELLIN!

A falet ky fëmijë?
Dhimbjen kujt mund t’ja fali
Mes gërmadhave pagojë, klithma bëhet njeri
A i del përzot, dhimbjen t’a ndali.

A falet një pafajsi, t’a shtyp makina e babëzisë
Një ëngjëll me krah, pak ajër do të fluturoj
Sytë e tij shohin qiellin, qielli është bërë pis
Zëri mbërthen majat dhe trupat e ngrirë pa gojë .

Ku do të shkojë ky ëngjëll me krahët pupla
I mungon Nëna t’i fal pak dashuri
Ku është baba, vëllai, ku është motra?
Ku është streha që pikonte lumturi?

Ti që shuan etjen tënde me gjak
Por etjen për dashuri kush mund t’a shuaj
Vdekja me dhimbjen, janë ulur në çdo prag
Njerëzit po shtypen nga të zinjtë kuaj.

Copëtuar pranverat e së ardhmes
Vjeshta bërë baltë, nga pellgje dërrash
Fatet rrokullisur pa adresë
Vdekja, njerëzimit i rrahu krahësh!

MALI ME RËRË!

Nuk doja të thërmohej ai mal
Grimcat që binin si lot , s’mund t’i pranoja
I jepja nga fryma ime të ishte gjallë
Aha, mali një emër i harruar.

Sa lavde kam thurur për këtë mal
Perëdinë kam zbritur në tokë
U shuan dhe fjalët nuk janë më gjallë
Enigmë qënka kjo botë.

Nuk dalin më fjalë gjëkundi
Muza për të qënka hirosur
Zhgënjimin ky mal më shkundi
Tani as gjallë, as varrosur.

Si vallë qënka rritur me rërë
Rërën era e ka përzëmër
Tani është shkrirë i tërë
Gjëkundi nuk shoh asnjë emër.

E doja shumë atë mal!
Shpirti hapur porta frymëzimi
Me vete ka marrë çdo fjalë
Mbi lëndina muzash, biskuar fjalë që ndrinin

BIJA IME!

Oh bija ime!
Ditë e vajzave sot paska trokitur
Momenti të sillte, lumturinë do mblidhja me thërrime
Ndoshta momenti s’e ka ditur.

O bijëza ime, sa malli më ka marrë!
Si thashë gjë momentit
Patjetër s’të ka parë
Malli më dredh si fije korentit.

Oh drita ime meteorë !
Sikur tani të kisha një pult
Avionin ta sillja me dorë
Malli nuk pret bija ime, e ka me ngut.

Oh zemra ime e vogël !
Sikur të thuash tani jam nisur
Do shkulja nga zemra mallin bërë gjongël
Lëmshin që është mbështjellë do kisha grisur.

Oh bija ime krah flutur!
Për ty gjithë qiellin do pija
E dehur brënda mallit do isha futur
Me krah malli gjithë largësinë do fshija.

EH,VJESHTA

Eh, s’ma lënë rehat vjeshtën
Era dërdëllis, s’mbyll fare gojë
Me litarë zbresin retë, drekojnë atje lart, mbi kreshtën
Qielli sa herë ndezur flak në hoj.

S’ma lënë vjeshten, të shohin qilimin që ka qëndisur
Gjethet pa frym rrokullisen bashkë me fatet
Pa frym toka, zemrën i kanë çjerrë dhe grisur
Dhimbja përmes reve rropatet.

Oh kjo vjeshta, ç’nuk po i shohin sytë
Shëmbur djersa, gjak as detet nuk mbajnë më
Litari i babëzis, botën po mbyt në fyt
Qënka pavlerë njeriu, më mirë të jesh asgjë.

Po, po më mirë të jesh asgjë
Kush e lë vjeshtën të shohin bukurinë?
Fërshëllejnë raketat, vdekja shullehet nën të
Vdekja si shpëtimtare, përkëdhel njerinë.