SHKËLQIM HAJNO, NJË PROZATOR  “I VONUAR”.Mbi librin “HEBREU I FUNDIT”. Nga Thoma STERJOPULLO

 

Një nga librat më të rëndësishëm që ka qarkulluar në Shqipëri vitet e fundit, në gjininë e vështirë të prozës së shkurtër, mendoj se është edhe libri “Hebreu i fundit”i gazetarit Shkëlqim Hajno.

Me biografi letrare pothuajse të bardhë, në vitin 1980 ai botoi një libër me tregime e skica humoristike me titull “Vjedhësi i viteve”. Nëse mund të flitet për artin e satirës, në një regjim me çensurë të rreptë që shihte kudo armiq.

Shkëlqim Hajno, u ndodh në një nga udhëkryqet më dramatike për një krijues. Në udhëkryqin midis dy sistemeve. Në një anë, diktatura e njohur dhe, nga ana tjetër, një demokraci e brishtë, ku kufijtë e saj ngatërroheshin me anarkinë dhe hakmarrjen.

Hajno, duke njohur mirë artin e satirës, nuk ra në kurthin e letërsisë denoncuese, ku ranë shumë krijues. Preferoi heshtjen. Një heshtje kaq e gjatë saqë dikush mund ta merrte edhe si vdekje letrare.

Nuk ishte aspak vdekje. Duke përballuar me dinjitet, një varg dramash familjare, nga ato që e thyejnë njeriun, Hajno nuk e la pas dore letërsinë. Studioi mjeshtrat e prozës së shkurtër: Koliqin, Migjenin, Dhimitër Paskon, Vath Koreshin, Faik Ballancën, Naum Priftin, Sefedin Çelën, Nasi Lerën dhe mjaft autorë të tjerë që vunë nga një gur në atë që sot e quajmë Gjerdan i tregimit shqiptar. Atje, në atë zhanër të vështirë, gjeti veten si krijues.

Fati e solli që ai të kish  lindur në Jug dhe të punonte si gazetar në këtë terren me kreshta, humnera e pejzazhe njerëzore të papritura, thesare për një krijues. Pa ngarkesa negative historike, folklorizma dhe stereoptipe socialiste.

Hajno filloi të studjojë  antropogjeografinë e Jugut ku dëgjoheshin zëra të ndryshëm  dhe takoheshin herë si miq, herë si armiq, lebër, vllehë, grekër, çemër.

Nëse mund të bëja depistim në tematikën e tregimeve, do të thoshja se në librin e Hajnos, për herë të parë në letërsinë shqipe flitet për minoritetin grek, jo si personazhe folklorike me veshjen brilante të grave të Dropullit dhe vallet e Pogonit, por si realitet me dramat  dhe tragjeditë e tij. Bashkëjetesa me shqiptarët nuk është diçka  e dhënë dhe nuk  bazohej vetëm në parimet socialiste  të vëllazërimit të popujve. Kronika e fqinjësisë së mirë, vinte nga e kaluara. Nga marrëdhëniet dhe lidhjet që krijojnë  fqinjët dhe njerëzit që i ndan një lumë, një mal, një kodër,  por i bashkon varfëria, mortet dhe gëzimet, karakteristika të përbashkëta të të gjithë ballkanasve.

Shkëlqim Hajno jo vetëm që fut dramat e grekërve të Shqipërisë  në tregimet e tij; (po ju kujtoj se këtë hap, nuk e tentoi asnjë shkrimtar i madh , gjitonë me Dropullin: Kadareja.).

Shikimi i tij i kalon kufijtë. Shtrihet në realitetin grek, jo vetëm në jetën e emigrantëve  shqiptarë që luftuan të mbijetojnë në vendin fqinj, por dhe në tragjeditë  e popullit grek, siç është lufta e tmerrshme  civile. Vëllavrasja.

Në tregimet e Shkëlqim Hajnos, lexuesi përjeton skena, kronikën dhe fate njerëzish nga qytezat e Jugut që netëve në gjysmë errësirë dhe dritat e rralla, u ngjajnë varrezave.

Është një prozë realiste që kalon lirshëm barjerat e kohërave.

Gjendemi para një libri ku leximi nuk mbaron në faqen e fundit të tregimeve. Mua më lindi dëshira që disa nga këto tregime  t’i rilexoj. Për “Hebreu i fundit”, duam edhe një lexim të dytë dhe ai që e tenton, ka dalë i fituar.

Ky libër jete që ezauroi një pjesë të madhe të ngarkesës dhe emocioneve të autorit, ishte disi i pafat. Kritika letrare me përjashtime të rralla, nuk e vuri re. Nuk e pa. Nuk e lexoi. Është një sjellje mosmirënjohëse, miopike, më e pakta karshi një libri që kërkon me fuqinë e fjalës dhe begatinë e tematikës, një vend në prozën e shkurtër shqiptare.

Tregimi thotë një shkrimtar i madh, është poezia e prozës. Mund të shkruash një roman, por “Lulin e vocërr”, “Kaun plak” të Elin Pelinit, “Njeriu në këllëf” të Çehovit, nuk e shkruan dot.

Sipas mendimit tim si krijues dhe tregimtar, nuk kam  asgjë ngurim  të them  se, në librin  e Hajnos ka 5-6 tregime që do t’i quaja antologjike. Megjithëse kanë kaluar tre vjet,  akoma libri mbetet i hapur. Pret kritikun, estetin, studjuesin që do t’i japi vendin që meriton në letërsinë shqipe. Libri,  i freskët, të buzëqesh. Autori ka vënë shumë dashuri në këtë libër voluminoz, tepër të madh për një përmbledhje me tregime.

Shkrimtar i dashur, të ka ndodhur që pas leximit të një libri,  të thuash: Do të doja t’i shkruaja unë 5-6 nga këto tregime? Kjo, më ka ndodhur mua me librin e Hajnos. Besoj se kjo zili letrare është një tregues se Shkëlqimi futi duart thellë  në vlagën dhe prushin e  jetës.

Do të doja që veçoja dy tregime të dashura për mua: “Aroma e vjetër e trëndafilit”  -një histori erotike, ku unë dyshoj se nëse ajo vajza  e bukur  ka ekzistuar me të vërtetë apo, është pjellë  e urisë erotike  të brezit  tonë dhe: “Lotët e babait”, të cilin sa herë e lexoj,  më mbushen sytë sepse në të, lexoj  jetën e babait tim.

Po i përfundoj këto mendime dhe nuk pretendoj te jetë një studim i plotë mbi veprën e autorit që meriton vëmendjen tonë.

Shkëlqim Hajno me “Hebreu i fundit” vërteton edhe njëherë  risinë e njohur se për krijuesin e vërtetë, kurrë nuk është vonë për të hyjë në letërsi, mjafton të ekzistojë vepra.

Shkrimtari i njohur  grek Mirivilis, romani antimilitarist i të cilit (“Jeta në varr”),i përkthyer në Shqipëri në vitete ’30 dhe i botuar në Korçë; ka thënë:

“Mosha  biologjike e shkrimtarit nuk ka lidhje me jetën e tij krijuese. Shkrimtari është gjithmonë i ri. Ai lind kur kur lind vepra e tij.”

Sarandë, 19 korrik 2026