Shkodra. NGA AZEM SHKRELI

Guri i Martinit

M. Camajt

Mik i gjakut të penës, kush e di sa vite
Fëmijë të kërkoja me “Një fyell ndër male”
Kush e di se në male, përmbi gurë më rrite
Me një daltë fjale

Dhe sot pas sa vitesh që s’na panë
Më del në Bavari një gur prej të Dukagjinit
Rritur me qumësht ashti të tokës nënë
Jam guri i Martinit

Më lër dhe pakëz, më lër, Gur i Martinit
T’ia mbaj dorën në krah si andej në Malësi
t’ia ftoh shkrumët e mallit e të mërgimit
Dhe do shkoj, s’do rri

Pse gurët dhe poetët nëpër botë
I dashka të shpërndarë ky dhe i yni
Zi nuk mbajmë, po kurrë mos qofsh e kotë
Dhembje në Gur Martini

Lengrisë, shkurt, 1993

Drini

Mijëra vite
Rrjedh ujë
Shqip

Po e thellë
Po e madhe etja
E shqipeve

Këtu e te deti

Shkodra

Desha t’ia prek
Rozafës flokun
S’më deshe

Zbrita t’ia puth
Algjet Liqenit
Më nxore

Tani përherë më ke
Majë Taraboshit me cuba

Shkodër Shkodra

Nokturno për zogun

Një zot e di ku ishe
Kur u ndanë shpendëve qiellin

Ujin e ajrin t’i gozhduan
Këtu po ku të ha miza hekur

Të thanë të lakmosh ylberin
Të jesh zog pa asnjë këngë

Ti u bërë etje e vetëtimëve
Fishek i zi përkryer kokave

I bukuri, i kreshpëruari, kuqezin

Jepni për të vdekur

Gdidhen një nga një si
Trajta të shpifura

Zotëri, jepni për të vdekur

Çdo ditë bëjnë veten grusht
Aty buzë sheshit

Jepni për vete, zotëri

Rri skuluptura e tyre cucërr
Shpoti e përditshme e jetës

Terri i merr me vete

Karavani për Sham

Siri 1986

Ata ecnin pas tyre
lehnin netët largësitë

U vinin prapa tre brigje
tre detra fjetur në bonacë

Ata ecnin dhe gurëve
u vinin nga një plis të bardhë

Vinin pas tyre korbat
i hanin plisat dhe gurët

Ata ecnin pështynin
etje shkretëtirës dhe ecnin

Spërkisnin me fjalë shqip
ajrin Anadollin Alepin

Dhe ngulnin shpatën në Sham dhe
kërkonin ujë të kuq të vendlindjës

Nga Kalabria

Shën Mitër 1981

Natën e fundit
pimë për Garibaldin
për Avni Rustemnë

Gjakun e shprishur
e ndezëm bëmë dritë
mbi Motnë e Shkuar

Tevona kënduam
pesëqind vite varg
të Bukurën More

Tani si të kthehem
kalabrisht i dehur
gjithë i arbëreshtë

Motive të verdha

Po ikin nga gjaku im motive të verdha
Po ikin nga gjaku ose një herë tjetër
Po lindin mes bimëve tjera
Aty e tej janë pishat
Shtatgjata të vendlindjes janë delet
Të bardhat dele belgërore dhe bari
I njomë i qumështit po ikin
Nga gjaku im aty e tej janë zogjt
Pupëlvogël zogjtë pupëlgjelbër dhe krojet
Të cemtat kroje ujëloti aty e tej
Janë vashat më të egrat vasha
Të bukurisë që falet dhe vetima
Po ikin nga gjaku im motive të verdha
Aty e tej nuk vdesin vetëm sytë
Na gjethen dhe gishtat na gjethen e fjalët
Po ikin nga gjaku im më mirë po ikin
Nga gjaku ose një herë tjetër
Një herë tjetër po lindin mes bimëve tjera

Fjalët

Ju vë gur mbi gur dhe bëj me ju
Murin kinez të besimit tim në njerëzit
Në hijen time dhe në gjërat që s’më njohin
Ju vë gur mbi gur
Mbi mendimet mbi heshtjen që s’i besoj
Mbi të pathënën lehonë ju vë
Gur mbi gur
Mbi dhembjen e durimit mbi
Gjakun që s’ua fal mbi gjurmët
Që s’i lashë në udhë të ligë dhe mbi fajin
Tim e të Krishtit që s’e pata kurrë
Për ju ju vë gur mbi gur
Mbi supet e mia mbi bukën që s’shkelet
Dhe mbi vitet e kërrusura të tim eti
Ju vë
Gur mbi gur
Mbi gjithëçka që s’kam dhe
Mbi gjithëçka që s’mundem
Ju vë gur mbi gur mbi kokën time dhe betohem

Grevë

Më kot i rrah
Muret e heshtjes sime
Duhi e fjalës që s’e them

Le të digjet ngadalë
Jan Husi i durimit që s’trembet
Le të vishet kuq
Në ledhet e flakës së vet

Njerëz
Mbuloni fytyrat
Me lustrën e fjalëve që s’ju kursejnë

Letër mikut tim A. P.

Natën tek gërhas në një dru bavarez
Që m’i bie kokës me rrema në katua
Hatullave më vijnë deri në mengjes
Hallakamët, sharjet, recitimet tua

Më thonë: në varg po u varëm mes Evrope
Do të bien gjeneralë, gjyle dhe raketa
Korparmata, tanke do të shkelin mbi trope
Për vrimë të miut do të përbirohet jeta

Nesër koka ime s’do të jetë veç një bust
Një këmbanë e madhe që rreh ditën koht
Grindem me Liqenin i zymtë, i Shtraustë
Vërtet, kjo armë jona një pendël s’e lot

Dhe durimi ndizet, mbushet fjala fryme
Do t’i vëmë te hunda zotit që nuk sheh
A ta vrasim vdekjen me pushkë a me pështymë
Ai që di të rilindet, le të fitojë, A.P.

Feldafing, 1993

Vargje me Vlorë

Dita që hymë në këtë varg valonte e vlortë
Nga froni i fjalës ligjëronte Pleqëria Shqipe
Me flokë të folklortë zbardhur nga të pabardhat
Trembte djajtë dhe mëritë nga Arbërishtja
Tej nga Sazani po zogjonin ditë e natë zanat
Atë qëndismë me të cilën bekuar ilirisht zotit
E mira Marigo po të jepte bukuri të bukur
Thua se po zbriste nga ndonjë strofë fishtiane
Dilte nga epika një burrë me dy kobure
Të puthte në Shqipe, ta bënte trimërinë trime
Te deti flisnim vetmevete unë e Ali Podrimja
Ky Zogu ynë, i uruari, dy orë, dy ngjyra
Kuq e Zi Flamuri dhe Kuq e Zi Kosova
Na paç, o Shpend, dhe të paçin Tomor malet

Vlorë, nëntor 1992

Meshë

Le të rritet bari mbi kokën time
Mbi kokën time le të rritet bari im
Bari im mbi kokën time le të rritet

Le të rritet
Le të rritet bari im mbi kokën time

Esad Mekuli

Në fund të udhës
Ngriti dorën mbi vetull

Shikoi menduar
Te Liqeni, te Ura e Rzhanicës

Ai s’vdiq, ai vetëm
Kapërceu vigun dhe vajti

Gusht, 93

Pergatiti faqen Ali Podrimja

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here