Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Agim Gjakova rrëfen përndjekjen nga rëgjimin komunist dhe jetën mes Tiranës dhe Prishtinës. Intervistoi: Mujë Buçpapaj

Agim Gjakova: Dosja ime e Sigurimit të Shtetit numëron 1128 faqe, ku 58 bashkëpunëtorë të sigurimit kanë raportuar kundër meje

A. Gjakova: Dosja ime e Sigurimit të Shtetit numëron 1128 (njëmijenjëqindenjëzetetetë) faqe. Mbase jo e plotë. Çfarë nuk ka në atë dosje. Ka 102 emra drejtorë drejtorish e kryetarë dege, oficerë e operativ të sigurimit, midis tyre dy ministra të brendshëm dhe dy drejtorë të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë drejtpërdrejtë, ose tërthorazi, të zbulojnë këtë “armik shumë të rrezikshëm të partisë e shtetit”. Ka në dosje 58 pseudonime të bashkëpunëtorëve të sigurimit që të provokojnë, të vëzhgojnë nga shkoj e ku shkoj, me cilin takohem e flasim, çka them e çka nuk them e të tjera. Ka në dosje 40 mbledhje të drejtorisë ës sigurimit dhe programe e porosi për bashkëpunëtorët se si duhet të përpiqen ta zbulojnë këtë agjent shumë të rrezikshëm.

Për jetën dhe sfidat personale:

1 Z. Gjakova, si e kujtoni fëmijërinë dhe rininë tuaj kujtimet për Gjakovën në familjen tuaj?
Përgjigje: Brumosja në fëmijëri dhe rini është themelimi i karakterit të njeriut. Kjo periudhë e jetës është rrënjosur tek unë, jo vetëm me shprehitë e krijuara, me mbresat e vragë, por edhe me thithjet e anëve pozitive të mendësisë së mjedisit. Jeta ime përplot përplasje është freskuar në rastet më të vështira me kujtimet e pashlyeshme të vendit ku u rrita. Si student në Beograd udhëtoja shpesh për Kosovë se më merrte malli. Valëzimi i grurit, loja e kodrave të Drenicës, lugina e Drinit, shkëndijimet në ujin e limit nga dielli qetësonin shpirtin e këndellnin mendjen. Natën, udhëtimi me saj nëm dritën e hënës nga Peja për Gjakovë, më shumë në këmbë se ulur, nëpër borë me xixëllimat nëpër pishat, kodra e Çabratit me vreshtat e mrekullueshme, rrjedha e Erenikut e Drinit oshin piktura të ngjitura në murin e ndërgjegjes që nuk shqiten kurrë,
2 Çfarë ndikimi pati dëbimi nga Kosova në jetën dhe krijimtarinë tuaj?
Përgjigje: Unë nuk bëra më plane jetësore që nga viti 1960. Pas tri herë arrestimesh dhe dëbimi për Shqipëri u përmbys gjithçka: të gjitha dëshirat, përpjekjet, përplasjet për të mbrojtur e çliruar Kosovën mbeten tek ato piktura. Thënë pak më ndryshe, u zbraza në shpirt e në zemër. Këtë zbrazëti e mbushi krijimtaria.
3. Si ishte të jetonit dhe të krijonit nën vëzhgimin e rreptë të regjimeve komuniste ne ish-Jugosllavi dhe Shqipëri?
Përgjigje: Ashtu si në hetuesi kur m’i lëshonin projektorët për të mundur të zbërthenin vetëdijen time edhe të ndryshonin qëndrimin tim, edhe krijimtaria ka qenë në vëzhgim e kontroll të përhershëm. Më vjen shumë rëndë që edhe disa kolegë, madje ndonjë tejet i vlerësuar, i qenë bashkuar këtij qëndrimi.
4. A keni pasur ndonjë moment kur keni menduar të hiqni dorë nga shkrimi?
Përgjigje: Jo, se ndryshe do të hiqja dorë nga shpirti dhe përpjekja për qetësi mendore.

Për krijimtarinë dhe letërsinë:

5. Cilat kanë qenë shtysat kryesore që ju kanë frymëzuar në letërsi?
Përgjigje: Jeta e popullit tim në Kosovë: masakrimet, vuajtjet, skamja, përdhosja kombëtare, kujtimet e të tjera. Në Shqipëri: përpjekja e popullit tim për të ruajtur identitetin e traditën shqiptare.
6. Letërsia juaj shpesh ka qenë e kritikuar për frymën e saj moderniste, qe dilte jashtë skemave te realizmit socialist. A mendoni se arti duhet të jetë gjithmonë një formë rezistence?
Përgjigje: Në rini, ende i paformuar mirë, mendoja se letërsia është një mjet që ndihmon për t’u çliruar nga robëria. Arti i vërtetë ka qenë dhe do të jetë formë rezistence ndaj të gjitha aspekteve që cenojnë jetën dhe zhvillimin. Ndarja në klasike, romantike e moderniste është më shumë për të karakterizuar etapat e zhvillimit letrar. Moderniste mund të ishte quajtur edhe krijimtaria e Servantesit me Don Kishotin., se binte ndesh me administrimin politik shoqëror. Pra edhe krijimtaria ime ka ra ndesh me rutinën socialiste se ka pasur subjekt dhe tendencë paraqitjen e jetës së popullit, ndjenjat e mendimet tij të ndrydhura e të çakërdisura nga regjimi, kryesisht në poezi se aty mund të thuheshin e të “zbukuroheshin” me shprehje figurative.
7. Romani juaj “Në Kërkim të së vërtetës” u cilësua si “ahistorik” nga regjimi komunist. Cila është e vërteta që ju kërkonit të zbulonit?
Përgjigje: Siç e thashë më lart, doja ta paraqitja të vërtetën jetësore të populli t tim përkundrejt euforisë false të sistemit. “Ahistorik” se deri atë kohë Paria e Punës nuk i kishte thënë disa gjëra që thuhen në roman, se duhej ajo t’i thoshte më parë se askush tjetër. Po ashtu “nxirja e realitetit” cilësohej paraqitja e një gjendjeje ekonomike të vështirë dhe të përpëlitjes së njerëzve për të jetuar.
8. Pse poezia ka qenë një mjet kaq i fuqishëm në shprehjen e shpirtit tuaj krijues?
Përgjigje: Poezia është vullkani shpirtëror që del me shpërthim dhe godet mprehtë e fuqishëm.

Për përvojën si skenarist dhe publicist:

9. Cili ka qenë projekti më i dashur për ju në fushën e skenaristikës?
Përgjigje: “Nusja”. Kur është botuar tregimi im e që la mbresë tek lexuesit, më thërritën në Kinostudio “Shqipëria e re” dhe biseduam për një skenar filmi,. Shkriva një skenar lirik që të theksoja ndjenjat dhe karakterin e fuqishëm të shqiptarit. Filmi nuk u realizua me skenat lirike, nga frika e konceptit patriotik që duhej, si rregull, të zotëronte krijimtarinë filmike.
10. Si e shihni sot rolin e medias në trajtimin e çështjeve kombëtare dhe kulturore?
Përgjigje: Mediat janë tërthoruar në kahe të zhvillimeve politike e të ngjarjeve, nganjëherë edhe pa kripë. Qasja në çështje kombëtare e kulturore është shumë e dobët. Edhe atëherë kur trajtohen, flitet e shkruhet disi shkarazi, pa angazhimin e duhur, ose me një ngjyrë fushate për ndonjë qellin të caktuar. Megjithëse nuk jam shumë i informuar për shtypin në Shqipëri (vaj medet, i vetmi kryeqytet i botës, Prishtina, nuk ka shtyp të shkruar, perjashto javoren Nacional qe vjen rregullisht !), por në biseda me shokët është shfaqur ky vlerësim për mediat.
11. A ka ndonjë moment nga puna juaj si redaktor kulture në “Bota Sot” që ju ka mbetur në mendje si veçanërisht domethënës?
Përgjigje: Janë dy raste më të theksuara ndër të tjerat. Një analist kishte stisur një shkrin kritik për zhvillimet negative në Shqipëri shkruante duke bërë kryefjalë Shqipërinë. E thirra dhe e qortova se “Nuk është Shqipëria ajo që bën sipas jush gabime e ka të meta, por pjesa zyrtare e saj, pra njerëz të caktuar, prandaj kurrë më mos bjer në këtë hulli”. Rasti tjetër është kur policia sllovene ndaloi komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës me një kërkesë serbe nga Interpoli, I thashë “”Ky është ministër i mbrojtjes se Kosovës dhe, në qoftë se paska ndonjë gabim sipas jush, nuk ka përse të merret Serbia e policia sllovene me shpifjet serbe. I takon Kosovës të gjykojë. Në duhet të mbrojmë dinjitetin tonë në çdo rrethanë.”

Për trashëgiminë letrare dhe të ardhmen:

12. Si ndiheni kur shihni që veprat tuaja sot lexohen e vlerësohen ndryshe nga dikur?
Përgjigje: Sa i përket leximit mund të them se është njësoj, vetëm se sot nuk lexohet si atëherë. Romani im “Dritëhijet e nje qyteti” u shit për disa orë. Natyrisht, vlerësimi i tij ishte në atë kohë “me dorëza” se unë isha nga Kosova dhe… pas kësaj ”dhe” shiheshin mendime të ndryshme zyrtare. Sot vlerësimi është objektiv, natyrisht sipas parapëlqimeve individuale. Të them të drejtën, nuk më bëjnë përshtypje lëvdatat. “Jam kështu siç e lexoni.”
13. A ka ndonjë vepër të pabotuar që ende ruani për t’u ndarë me publikun?
Përgjigje: Po. Është libri me tregime ironike, siç i kam quajtur unë. Besoj se do të dalë në dritë së shpejti. Unë i botoj librat e mi me shpenzimet e mia. Nuk i shes. Ua dhuroj atyre që lexojnë, se në një artikull në shtyp kam thënë “shqiptarët nuk kanë pare të blejnë libra, ata që kanë pare nuk blejnë libra”.
14. Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin rrugën e letërsisë dhe shkrimit?
Përgjigje: Së pari po citoj Mark Tuenin: “Nuk ka humbur shumë ai që nuk ka lexuar asnjë libër, por ai që ka lexuar libra të këqij.” Ata që mendojnë se u shkon qenia shkrimtar dhe duan të futen në këtë fushë që është e pambarim, po ua kujtoj një proverb arab”: Para se të hysh diku, mendo si ke me dalë.” Këto fjalë nuk duhet të merren si frikësuese, por inkurajuese. Krijimtaria nuk është me të tekur, por me vendosmëri e guxim. Procesi i krijimtarisë ka veçantinë e çdo krijuesi, por të përbashkëta janë gjuha, sidomos sintaksa e saj, dhe fjalor. I këshilloj të rinjtë që kur të shkruajnë ta mbajnë afër fjalorin e gjuhës shqipe.
15. Me që përmendet fjalorin, Ju keni botuar fjalorin e veprave tuaja. A mund të ma flisni për të?
Përgjigje: Është botuar “fjalorth i veprës letrare të Agim Gjakovës” (me ca shtojca më vonë), përgatitur e redaktuar nga Pandeli Koçi, me pak ndihmë nga unë. Në veprën time kam përdorur mbi pesëmbëdhjetë mijë fjalë, mjaft prej tyre të krijuara, si edhe mbi dy mijë e ca shprehje frazeologjike, fjalë të urta, thënie të ndryshme, disa prej të cilave të krijuara.
16. Si do të dëshironit të kujtoheni nga brezat e ardhshëm?
Përgjigje: Kështu siç kam qen dhe si jam.
Për kthimin në Kosovë dhe çlirimin:
17. Si e pritet çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999? Çfarë ndjesish përjetuat në atë moment historik?
Përgjigje: Kur u nisa për Kosovë pa pothuaj dyzetë vitesh, nuk dija se ç’bëja me vetveten, me njerëzit e shokët e mi, po kur hyra sytë e mi panë dritën për diell ëndrrën jetësore. Nuk po e kuptoja veten. Kaluan disa minuta dhe vaji erdhi në buzën time. Filluan të valëzonin fushat, kodrat, tutje malet…Ngrita kryet dhe mbylla sytë. Valëzimi u fut thellë në shpirt e në mendje. “Po, unë jam!” Trokiti në vetëdije.
18. Si ishte kthimi juaj në Kosovë pas kaq shumë vitesh larg? Si e gjetët vendin që kishit lënë pas?
Përgjigje: Erdha
Shkrumbin po ta laj me lot’t e mi
me qeshje trishtuese me vaj gazmimi
po ta mbjell një lastar hardhie
të dehem me pavdekësinë

Krenë
mësoma këngën
të mos shafitem udhëve të botës.
E gjeta Gjakovën time tërë shkrumb e blozë. Dhimbja pikonte nëpër shtëpi, rrugë e mëhallë për djemtë e vajzat e vrara e të zhdukura. Qyteti që kishte përjetuar urrejtjen dhe egërsinë më të madhe. U ula më mes të rrugës në Çarshinë e Madhe dhe u mundova të mos m hynin shkrumbi e bloza më shpirt.
19. A ishte më e vështirë apo më e lehtë të krijonit dhe të punonit në Kosovën e pasluftës?
Përgjigje: Krijimtaria pas përmbysjes së diktaturës në Shqipëri dhe në Kosovën e pasluftës ishin njësoj sa i përket përkushtimit , me përjashtim se në Kosovë pati aspekte të reja lidhur me rrjedhat politike, ekonomike e shoqërore.
Për familjen dhe jetën personale:
20. Si ka ndikuar jeta juaj e mbushur me sfida në familjen tuaj?
Përgjigje:: Nëse jeta ime në ish-Jugosllavi me burgosjet e internimi është përballuar pa droje e me përbuzje ndaj sfidave, më Shqipërinë diktatoriale ishte pak më e vështirë, sepse na brente shqetësimi, si mua ashti edhe time shoqe, se kishim fëmijë dhe në rast të arrestimi çfarë do të bëhej me fëmijët. Megjithatë kemi qëndruar krenarë përballë të gjitha sfidave.
20. Cili ka qenë roli i bashkëshortes tuaj, Naime Daci, në rrugëtimin tuaj jetësor dhe letrar?
Përgjigje: Ajo ka qenë mbrojtëse dhe frymëzuese, partnere për biseda intelektuale për politikë e shoqëri. Ka pasur talent dhe përgatitje të shkëlqyer për gjuhën, sa që ngandonjëherë, kur i lexonte veprat e mia, ma priste me humor “rri, more, se ti s’di me shkrue!”.
21. A kanë trashëguar fëmijët apo nipërit dhe mbesat pasionin tuaj për letërsinë dhe kulturën?
Përgjigje: Djali dha vajza kanë kulturë të duhur. Vajza ka talent për të shkruar bukur, por nuk ka anim për letërsinë. Edhe i biri i saj, pra nipi, shkruan bukur. Dy djemtë e djalit as që duan të dinë për letërsinë. I ka gllabëruar digjitalja, ani pse flasin e komunikojnë anglisht përmes internetit me vërsnikët e tyre nga Japonia në Kaliforni.
22. Si është të jeni një shkrimtar me kaq shumë përvoja jetësore dhe të ndani këto histori me brezat e rinj në familjen tuaj?
Përgjigje: Farefisi e shokët më thonë shpesh “Ore, sa vjeç je” kur u tregoj copëza të shumta nga jeta ime. Nganjëherë kur u them nipave se nuk pajtohem me ndonjë mendim apo veprim të tyre, ma presin: “Ohua, gjysh! Ka qenë kohë tjeetër atëherë!” Megjithatë më dëgjojnë me vëmendje.
Për përndjekjen dhe qëndrimin e regjimit komunist:
23. Si e përjetonit përndjekjen nga Sigurimi i Shtetit gjatë jetës tuaj në Shqipëri? A kishte momente kur e ndienit veten të rrezikuar?
Përgjigje: Për rrezikun fola më sipër. Po përgjigjem sipas dosjes që kam pasur në Sigurimin e Shtetit. Dosja ime numëron 1128 (njëmijenjëqindenjëzetetetë) faqe. Mbase jo e plotë. Çfarë nuk a në atë dosje. Ka 102 emra drejtorë drejtorish e kryetarë dege, oficerë e operativ të sigurimit. midis tyre dy ministra të brendshëm dhe dy drejtorë të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë drejtpërdrejtë, ose tërthorazi, të zbulojnë këtë “armik shumë të rrezikshëm të partisë e shtetit”. Ka në dosje 58 pseudonime të bashkëpunëtorëve të sigurimit që të provokojnë, të vëzhgojnë nga shkoj e ku shkoj, me cilin takohem e flasim, çka them e çka nuk them e të tjera. Ka në dosje 40 mbledhje të drejtorisë ës sigurimit dhe programe e porosi për bashkëpunëtorët se si duhet të përpiqen ta zbulojnë këtë agjent shumë të rrezikshëm.
Natyrisht erdhi një kohë kur m’u bë bota rrafsh nga survejimi i vazhdueshëm, Por citoj vetëm një rast: Agim Gjakova doli nga shtëpia në filan orë, eci kësaj rruge, takoi filan njeri, shkoi në punë, doli nga puna, ndenji në- kafene me këtë apo atë shok, u kthye në shtëpi në filan orë të natës. Dhe unë kam thënë: A nuk m’i kanë spikatur edhe se çfarë ëndrre kam parë?
Në këtë atmosferë tensioni dhe dhune psikike ua përplasa: “Shqipëria e la Kosovën më 1944 në duart e shkaut. Enver Hoxha nuk është kujdesur për popullin e Kosovës. Kosovarët nuk trajtohen mirë këtu në Shqipëri” e të tjera. Firmosa me dorën time. U thirra nga ministri i brendshëm dhe drejtori i Sigurimit të Shtetit për “sqarime”. Survejimi u bë më i fshehtë, por nuk hoqën dorë.
Nëse deri atë kohë isha marrë me çështjet e vëllezërve tanë të Kosovës, fillova t’i jepesha më shumë letërsisë.
24. Si i përballonit kritikat dhe akuzat nga institucionet e Partisë së Punës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë?
Përgjigje: Nuk i pranoja. Nuk kanë dashur asnjëherë të diskutojmë dhe në raste plenumesh vetëm një herë ma kanë dhjenë fjalën kur edhe jam ndeshur me sekretarin e partisë për Tiranën.
26. Pse mendoni se shqiptarët me origjinë nga Kosova shiheshin me aq dyshim nga regjimi komunist në Shqipëri?
Përgjigje: Së pari, i sëmuri mendor dhe i ndërgjegjes, Enver Hoxha, mbase ka vuajtur edhe nga mania e persekutimit, se, jo vetëm ndaj kosovarëve, por edhe ndaj të gjithë shqiptarëve, e më së shumti edhe ndaj shokëve të vet, dyshimi e ka ndjekur gjatë gjithë jetës, prandaj edhe ata binin në këtë hulli, por më i theksuar ky qëndrim. Së dyti, kosovarët ushqenin dëshirën, vullnetin dhe përpjekjet për bashkim kombëtar, të cilin nuk e donte Enver Hoxha se i rrezikohej pushteti dhe etiketa “kosovarët janë- të molepsur me ideologjia revizioniste”. Mbi shtatëdhjetë kosovarë kaluan burgjet krejtësisht pa faj.

Për letërsinë dhe kolegët shkrimtarë:

27. Si e shihni sot letërsinë shqiptare? A mendoni se është më e arrirë dhe më e guximshme se në të kaluarën?
Përgjigje: Kam mendimin se nuk mund të vihen përballë njëra tjetrës dy periudhat e lëvrimit letrar. Secila ka veçantitë e saj në bazë të rrethanave të përgjithshme politike e tjerë dhe të kushteve të krijimit. Për letërsinë e sotme nuk mund të përdoret termi “më e guximshme”, sepse nuk ka kontroll politik e ideor. Si dje, si sot ka pasur e ka vepra me vlera artistike e përmbajtjesore kombëtare. Megjithatë sot vlen thënia e Mark Tuenit që citova më lart.
28 Cilat janë sfidat më të mëdha që përballon sot letërsia shqipe dhe kultura jonë në përgjithësi?
Përgjigje: Për kulturën sfida kryesore është mosprogramimi si duhet kulturor për kombin në të dy shtetet shqiptare që nis së pari në bankat e shkollës e pastaj në mjedise të tjera e media , që pothuajse nuk e çajnë fort kryet për kulturë. Brenda këtij qëndrimi futet edhe letërsia e arti në përgjithësi. Sfida e dytë është ndikimi dhe praktikimi i asaj që është quajtur “tallava” për muzikën, dhe ushtrohem nga forca monetare që nuk e vrasin mendjen për cilësinë, por për fitimin.
29. Cilët nga kolegët tuaj shkrimtarë dhe artistë kujtoni më shumë? A ka ndonjë moment apo bisedë me ta që ju ka mbetur në kujtesë?
Përgjigje: Me kolegët që janë gjallë mbaj marrëdhënie të rregullta si në Shqipëriui ashtu edhe në Kosovë. Me Petro Markon kam pirë shumë herë kafe dhe kemi biseduar për mjaft çështje e probleme. Petroja me ka treguar mjaft episode nga këta e tij. Po kujtoj këtu një orë letrare në Spanjë ku ishin të pranishëm Heminguej, Tagore e mjaft të tjerë. Petroja ishte i vetmi shqiptar-shkrimtar. “Unë lexova një poezi dashurie me disa pika shiu në xham e tjerë. Pasi mbaroi ora letrare m’u afruan Heminguej dhe një shkrimtar gjerman (nuk më kujtohet emri, shënimi im) dhe më thanë: Ne kemi lexuar e dëgjuar mjaft poezi të tilla, por ne duam të dimë diçka nga Shqipëria. Kjo nuk më hiqet kurrë nga mendja.”
30. A ka pasur ndonjë shkrimtar ose artist nga brezi juaj që keni ndier veçanërisht afër si mik apo bashkëmendimtar?
Përgjigje: Po. Fatos Arapi, me të cilin kam biseduar pa “protokoll partiak”, po e quaj kështu, për gjithçka me besim të plotë tek njëri tjetri. Xhevahir Spahiu, gjithashtu. Në një rast Xhevahiri më tha: “Gimi, do të ta them një sekret. Ka ardhur një shkresë nga aparati i Komitetit Qendror me shënimin “Shkrimtarët e artistët që janë të destinuar të gabojnë ideologjikisht gjithmonë. Janë nja dhjetë dymbëdhjetë emra. Me që ty të fillon emri me A, je i pari në listë.”

Për veprën e re dhe promovimin e saj:

31. Ditë më parë promovuat në Tiranë romanin tuaj të ri “I pabinduri”. Si u prit nga mediat dhe kritika letrare e Tiranës?
Përgjigje: Mediat s’kanë nge të përvjelin veprimtaritë kulturore se janë zënë me profka. Mjedisi foli ashtu qemë cyti të them “ngadalë se nuk e kam vrarë kuçedrën”. Falenderoj gazeten letrare dhe kulturore Nacional qe i dha haspire te madhe lajmit te veprimtarise dhe një shkrimi analitik të shkrimtarit të njohur Kolec Traboini.Gazeta u lexua nga televizionet kryesore të Tiranes duke e bere të njohur veprimtarine.
32. Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni me këtë roman? A është një reflektim mbi përvojat tuaja personale?
Përgjigje: Shkrimtari ngërthen shpesh edhe përvojën vetjake, por më shumë përqendrohet tek vrojtimet e zhvillimet. Kështu është edhe në roman. Mesazhi: Njeriu lind i lirë dhe përpiqet të jetë i lirë gjatë gjithë jetës, mundësisht duke sfiduar të gjitha pengesat dhe kjo e bën atë kryengritës dhe të pabindur.
33. A mendoni se sot lexuesit shqiptarë janë më të hapur ndaj temave të ndjeshme dhe kritike që trajtoni në letërsinë tuaj?
Përgjigje: Lexuesi ka formimin e tij i logjik, ashtu edhe të’ shijes e parapëlqimeve. Kjo është e gjithëkohshme. Nëse dje ia kishin kufizuar ato që ju i quani “tema të ndjeshme”, sot është i lirë t’i pranojë, t’i pëlqejë ose jo. Kjo është rrjedhë e natyrshme për të gjithë njerëzit-lexues.
Për jetën mes dy qyteteve:
33. Tani po jetoni mes Tiranës dhe Prishtinës. Çfarë dallimesh shihni mes këtyre dy qyteteve kaq të dashura për ju?
Përgjigje: Dihet se secili qytet në botë ka veçoritë e tij të themelimit, zhvillimi e të tjera. Në të dy (krye)qytetet ndjehem njësoj, pavarësisht nga veçantitë, Të mos harrojmë se Tirana ka mbi njëqind vjet zhvillim të lirë dhe në disa aspekte është më e zhvilluar se Prishtina. Mendësitë e tyre kanë pak ndryshime. Nëse Tirana u mbush para pesëdhjetë vjetëve me të ardhur nga fshatrat, Prishtina u mbush jeto njëzet vjet dhe kjo masë solli mendësinë nga vinte, prandaj edhe nuk është brumosur si mendësi e përgjithshme unike. Si përfundim mund të thuhet se ngjyrimet e mendësisë fshatare janë ende , më pak në Tiranë e pak më shumë në Prishtinë.
34. Cili qytet ndikon më shumë në frymëzimin tuaj si shkrimtar? A ka Prishtina dhe Tirana një kulturë letrare të ndryshme nga njëra-tjetra?
Përgjigje: Nuk u ndaj. Gjithë bashkësia shqiptare në Ballkan cyt frymëzimin tim, jo vetë duke vjelë tiparet e njërës apo tjetrës krahinë, por edhe fjalorin e shprehjet e ndryshme karakteristike dhe shumë të bukura. Kultura letrare e të dy anëve ka pak ndryshime, por rrjedha e saj është e përbashkët.
35. A mendoni se ka ende barriera kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë, apo arti dhe risia i kanë kapërcyer këto kufij?
Përgjigje: Nuk po i quaj barriera, por ngecjet janë rrjedhim i disa kokave zyrtare që… Çfarë duhet t’u thuhet! Egoizmi, zilia, tendenca që ”unë duhet të jem i pari” e të tjera po pengojnë arritjen e një bashkëpunimi e harmonizimi kulturor ashtu siç do të na kishte hije. Natyrisht se arti (individual) nuk po pyet për këtë hulli.

Për energjinë dhe pasionin për shkrimin:

36. Megjithëse keni një moshë të madhe, po çudisni lexuesit me romane të reja. Ku buron kjo energji për të shkruar dhe për të qene i frymëzuar?
Përgjigje: Tek populli im dhe jeta e tij plot përplasje.
37. A keni ndonjë ritual apo zakon të përditshëm që ju ndihmon të mbani gjallë pasionin për letërsinë?
Përgjigje: Përveç shprehisë së përditshme të ngritjes herët, shpesh edhe në orën tre, dhe ritualit të mëngjesit: një molë (apo gjysmë), dy kokrra arra, një arrë Brazili dhe një kafe Nes me qumësht, nuk kam tjetër ritual.
38. Çfarë ju shtyn të vazhdoni të shkruani edhe sot, pas gjithë përvojave dhe sfidave që keni kaluar?
Përgjigje: Se dua të nxjerr në dritë sa më shumë të vërtetat e popullit tim që janë të vërteta për gjithë popujt. Për vete: Krijimtaria ma mbush jetën.
Për ndikimin dhe trashëgiminë e tuaj letrare:
39/ A ndiheni i vlerësuar për kontributin tuaj në letërsinë shqipe?
Përgjigje: Gjatë gjithë jetës dhe edhe sot kam qenë e jam gjysmë injoruar. Kjo gjysmë i takon injorimit zyrtar. Për 25 vjet Ministria e Kulturës e Kosovës ka sponsorizuar me qindra libra, një pjesë e tyre pa kurrfarë vlere, dhe mua nuk më është dhënë asnjë cent, pasi kam shkruar në shtyp se “Ministria e Kulturës ka gjithçka, përveç kulturës”.
40. Nëse do të zgjidhnit një nga librat tuaj që do të kujtohej nga brezat e ardhshëm, cili do të ishte dhe pse?
Përgjigje: Nuk kam menduar ndonjëherë për këtë. Do të mendohem pasi, vertet, nuk kam ndonjë përgjigje se cili mund të jetë.
41. Çfarë projektesh të tjera letrare keni ende në mendje? A po punoni për ndonjë libër të ri?
Përgjigje: Në mendje lëvrijnë shumë mendime e dëshira. Ende nuk kam saktësuar ndonjë projekt,
Për bashkimin kombëtar dhe çështjen shqiptare:
42. Çfarë mendoni për bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet? A besoni se është një proces i mundshëm dhe i realizueshëm?
Përgjigje: Bashkimi kombëtar do të bëhet. Si e kur nuk di ta them. Do ta arrijnë brezat që vijnë. Ne, të sotmit, duhet të gjejmë mënyra e të përballemi me sfidat armiqësore që nuk e duan dhe punojnë kundër tij..
43. Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë? A mendoni se bashkimi i tyre është një domosdoshmëri historike apo një ëndërr e largët?
Përgjigje: Pak a shumë u përgjigja më parë. Natyrisht se është domosdoshmëri historike përballë armiqve ballkanikë e të tjerë që duan d zhdukjen tonë.
43. A ka ndonjë moment në historinë e Kosovës dhe Shqipërisë që mendoni se ka qenë një mundësi e humbur për bashkimin kombëtar?
Përgjigje: Po. Është kryengritja e Kosovës më 1912, kur shqiptarët të udhëhequr nga Hasan Prishtina u dynden në Shkup. Në ato çaste historike mund dhe duhej të realizohej krijimi i e shtetit shqiptar.
44. Sa e rëndësishme është letërsia dhe kultura në forcimin e identitetit të përbashkët kombëtar mes shqiptarëve në rajon?
Përgjigje: Letërsia përpunon deri në njëfarë mase identitetin kombëtar, pra luan rolin e saj të veçantë në kulturën e përgjithshme kombëtare.

Shumë faleminderit!
-Faleminderit gazetës letrare dhe kulturore Nacional që më jep mundësinë për të komunikuar me lexuesit e saj në Shqipëri, Kosovë, rajon dhe në botë. E vlerësoj shumë rolin e Nacionalit për letërsinë shqipe dhe ndergjegjësimin kombëtar, por edhe për bashkimin kombëtar. Nacional vijon në kohë moderne traditën më të mirë të shtypit kombëtar shqiptar, por duke qënë një media e hapur, profesionale dhe konkuruese në nivel nderkombëtar.Përgëzime ju Mujë dhe vëllezërve Buçpapaj, kaq shumë të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe kulturës tonë kombëtare. Suksese në vazhdim!

Pyetjet i beri: Mujë Buçpapaj