Shkrimtari Jusuf Buxhovi merr Gjakove çmimin “Guximi intelektual” për vitin 2021

Arsyetimi i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” për ndarje e çmimit “Guximi intelektual” për vitin 2021 Jusuf Buxhovit
KREDOJA E GUXIMIT INTELEKTUAL NË TRI PAMJE

-Intelektuali Jusuf Buxhovi, prej kohësh manifeston guxim të madh në shkencë (historiografi), në letërsi – me romanët e tij që me përkthime në disa gjuhë kanë arritur edhe përmasat e afirmimit ndërkombëtar, si dhe në politikë – me qëndrimin kritik ndaj dukurive që pushteti të shfrytëzohet për përfitime private dhe jo për trajtimin e shtetit si një institucion që u shërben interesave madhore të qytetarëve dhe kauzave të lirisë dhe të demokracisë…
Opusi letrar, shkencor dhe publicistik i Jusuf Buxhovi, në një hark kohor prej më shumë se gjysmë shekulli veprimtarie aktive deri tani me pesëdhjetë vepra (36 në fushën e letërsisë – kryesisht në prozë, po edhe në dramaturgji dhe kritikë letrare dhe, 14 në historiografi), në gjithë spektrin e saj hulumtues dhe krijues njëherësh pasqyron kredon e guximit intelektual, tepër të veçantë, që me të drejtë i japin epitetin e krijuesit të rëndësishëm. Me veprat e tij, në krijimtarinë letrare, në kuadër të dimensionit historik, ka ngritë çështjet e raporteve morale në rrethanat e caktuara shoqërore duke ua zbërthyer dimensionin kujtesës shpirtërore. Ndërsa në shkencë, historiografisë ia ka hequr diskursin ideologjik që për mbi gjysmë shekulli e ka ngulfatur, siç ia ka hequr dhe kurthin e historiografisë hegjemoniste.
Këto dy aspekte u pasqyruan edhe gjatë vitit të kaluar. Madje, mund të thuhet se në fushën e historiografisë, me botimin e veprës sintezë “Kosova – histori e shkurtër”, që përmbyllë projektin e “Kosovës” në tetë vëllime të filluar në vitin 2012, Buxhovi ia doli që këto qasje t’i thellojë nëpërmes faktimit me dokumente nga autorët antikë dhe burime të tjera të rëndësishme, ku mohohen gënjeshtrat e historiografisë serbe rreth të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb”, të identifikuar me Rashën Nemanjane, ku, gjithnjë sipas autorëve antikë (perandorit Kantakuzin dhe të tjerëve), Rasha dhe Nemanjajt pasqyrohen Tribalë (fis ilir-dardan), Rasha- si Tribali, ndërsa Nemanja – zhupan tribal. Ngulmimi i Buxhovit në këtë plan bashkë me kërkesën që historiografia institucionale shqiptare të rishqyrtojë rolin e Rashës mesjetare dhe të dinastisë Nemanjane në përputhje me këto të dhëna dhe jo nga ato të falsifikuara nga historiografia serbe, paraqesin një guxim shkencor, që si po shihet, me përkthimin e “Kosovës” në anglisht në SHBA, po arrin që në përmasa botërore të nxjerrë në pah dimensionin e njëmend historik të etnisë ilire nga antikiteti dhe të vazhdimësisë së saj shqiptare nga mesjeta e deri te koha jonë në përputhje me rolin kulturor, shoqëror dhe politik.
E kësaj natyre është edhe vepra “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, që vitin e kaluar u botua e përkthyer në anglisht në SHBA. Pati dy promovime në universitetet me renome amerikane: në Teksas dhe Harvard.
Kjo vepër, vitin e kaluar, u promovua edhe në Shkup nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Shqiptare. Tezat për Maqedoninë ilire dhe për vazhdimësinë etnike, kulturore dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni nga antikiteti e deri te koha jonë, u vlerësuan si fundament që duhet t’u shërbejnë shqiptarëve në Maqedoni që shteti maqedonas ta pranojë faktorin shqiptar si të barabartë, pra shtetndërtues, ndërsa gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Në një intervistë për “Zhurnal mk”, autori ritheksoi rëndësinë e fakteve që sjell në këtë vepër, veçmas ato që kanë të bëjë me raportet politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve rreth shtetit të përbashkët por si të barabartë për stabilitetin e rajonit. Me këtë rast, autori ishte kritik edhe ndaj Marrëveshjeve të Ohrit, që nuk e pasqyruan dimensionin real të kërkesave të shqiptarëve për shtet të përbashkët si të barabartë për ç’gjë edhe u luftua në fillim të vitit 2001. Dhe, po ashtu, fjalë kritike u thanë edhe për qëndrimin e klasës politike shqiptare në Maqedoni për pasivitetin e saj gjatë marrëveshjes së Prespës, ku nuk ia dolën që t’i përmirësojnë gabimet e marrëveshjeve të Ohrit, por që të vihen në bisht të interesave maqedonase në raport me atë bullgare në rajon. Buxhovi, shtoi se klasa politike shqiptare në Maqedoni nuk po sillet në përputhje me interesat kombëtare atje, por me ato personale, gjë që, me mashtrime siç është ai për barazinë ligjore të gjuhës shqipe (në bazë të numrave) në vend se të kërkohet barazia kushtetues e gjuhës shqipe, është kthyer në një vasale të politikës maqedonase.
Guximin prej historiani, në raport me historiografinë institucionale në Tiranë, Buxhovi e shfaqi edhe gjatë promovimit të “Kosovës – histori e shkurtër” në Lezhë dhe Tiranë në tetor të vitit të kaluar, ku theksoi dogmën ideologjike nga e cila nuk po mund të lirohet ajo dhe nevojën për rishqyrtime deri te ato që duhet të përfundojnë edhe me rishkrimin e historisë, sidomos asaj nga mesjeta, rilindja kombëtare dhe veçmas, të kohës së komunizmit, që me doktrinën e internacionalizmit proletar dhe nënshtrimit të diktatit të saj në raport me Jugosllavinë e Titos, i ka bërë dëme të mëdha çështjes shqiptare dhe sidomos asaj të Kosovës, kur edhe vullneti i shprehur në Bunjaj për bashkim me Shqipërinë me të drejtën e vetëvendosjes, është shkelur me pajtimin që ajo t’i bashkohet Serbisë, si “obllast”. Historiografia shqiptare ka për detyrë që ta pasqyrojë dimensionin e vërtetë të marrëveshjes internacionaliste midis Enverit dhe Titos në gusht të vitit 1944 për pjesëmarrjen e aradheve partizane shqiptare dhe jugosllave në “çlirimin” e Kosovës nga nazi-fashishtet dhe “kuislingët”, me ç’rast është bërë një luftë nga patriotët shqiptarë që Kosovën e kanë mbrojtur nga pushtimi sllavo komunist, që për pasojë pati vrasjen e mbi 50 mijë shqiptarëve në frontin e Drenicës, atë të Gjilanit, po edhe masakrën e Tivarit dhe të Sremit. Buxhovi, në librin “Kosova – histori e shkurtër”, për herë të parë paraqet dimensionin e kësaj tragjedie të krijuar nga aleancat komuniste si dhe të vërtetën e atyre që për 50 vjet nga historiografia komuniste në Tiranë dhe Prishtinë u cilësuan “kuislingë”, “kolaboracionistë”. Fjala është për rishikimin e rolit të ngjarjeve dhe personaliteteve që u shfaqen në skenë pas shkatërrimit të Jugosllavisë në vitin 1941 si dhe përpjekjeve të tyre për ruajtjen e bashkimit kombëtar (Xhafer Deva) dhe të tjerë, të cilët vepruan në përputhje me interesat kombëtare në rrethanat e caktuara, që shqiptarët i çliruan nga pushtimi serbo-jugosllav. Sipas, Buxhovit, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, vëllezërit Kryeziu dhe të tjerë, ishin pjesë e elitës politike patriotike dhe assesi tradhtarë. Çështja e humbjes së Fuqive të Boshtit dhe fitorja e Aleancës Antifashiste, që solli edhe të raportet e reja shtetërore dhe politike, nuk do të thotë që akterët e historisë, të anatemohen në përputhje me raportin e forcave: fitimtarë – humbës, por mbi atë si dhe sa vepruan ata për interesat kombëtare. Po shihet se, pas rrënimit të komunizmit si ideologji totalitare që i solli dëme të mëdha gjithë botës, nacionalistët ishin ata që luftonin për interesa kombëtare, ndërsa komunistët luftonin kundër tyre.
Ky aspekt, pra i diskursit historik midis “fitimtarit” dhe “humbësit” dhe vlerësimit të tij në raport me rrethanat e kohës dhe interesat kombëtare shqiptare, u pranua edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë pritjes që ia bëri historianit në presidencën e shtetit shqiptar, kur presidenti shqiptar lavdëroi guximin shkencor të Buxhovit që historiografinë shqiptare ta lirojë nga kthetrat e dogmës së ideologjisë komuniste dhe të klisheve të historiografisë serbe.
II. Edhe në planin letrar, autori Buxhovi, me romanet “Mona” dhe ribotimin e romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, të rishkruar dhe të përkthyer tashmë në disa gjuhë botërore (frëngjisht, italisht, rumanisht, sllovenisht, serbisht dhe anglisht), vitin që lamë, vazhdoi elaborimin e aspekteve kyçe që lidhen me individualitetin shpirtëror, kulturor dhe shoqëror-politik të shqiptarëve në rrethana historike: gjatë pushtimeve shekullore, në raport me projektet e gjenocideve nga pushtues si dhe të sjelljes antihistorike në raport me çlirimin dhe lirinë, siç shfaqen te romani “Mona”, ku kjo e para, nuk ia del të kthehet në liri, por përkundrazi, çlirimi shfrytëzohet për interesa të caktuara të grupeve politike që keqpërdorin edhe kauzën luftës dhe të gjakut për të cilën u luftua në luftën e fundit.
Në këtë aspekt janë domethënëse edhe intervistat e autorit me mediume, veçmas ajo e tetorit të vitit të kaluar me Blendi Fevziun, me ç’rast ai iu referua tezës se një pjesë e mirë e politikanëve shqiptarë, nga akti i themelimit të saj e në vazhdimësi, pavarësinë nuk e kanë shfrytëzuar për konstituimin e tij, por për ta luftuar. Duket absurde, thotë Buxhovi në këtë intervistë, por është më se e vërtetë se shteti nga shumë shqiptarë (nga Haxhi Qamili e deri te Enver Hoxha) është shikuar si një mallkim, që duhet luftuar me çdo kusht kundër tij! Sindromi i shtetit si mallkim u shfaq edhe në Kosovë, menjëherë mbas pavarësisë dhe njohjes së tij ndërkombëtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës më 2010, kur politikanët e Kosovës, fillimisht me nënshkrimet për Asociacionin më 2013 dhe 2015 prekën fudnamentin e shtetit, ndërsa, para tri vitesh, filloi edhe i ashtuquajturi Pazar për “shkëmbimin e territoreve”, që për fat u ndërpre nga ndërhyrja amerikane.
III. Guximi intelektual i Jusuf Buxhovi vazhdoi edhe gjatë vitit të kaluar edhe në fushën e politikës, ku ai vazhdimisht ka pasur raporte kritike me të nga pozicioni i intelektualit të pavarur. Krahas qëndrimit të tij të njohur rreth Pakos së Ahtisarit, që nuk është deshtë të pranohet në formën e tillë, meqë me dorëzimin e manastireve të krishterimit ortodoks në Kosovës në pronësi të Kishës Ortodokse Serbe, Serbisë ia janë dhënë edhe “tapitë historike”, gjë që nuk i ka pasë asnjëherë, Buxhovi ka vazhduar të jetë kritik ndaj bisedimeve politike me Serbinë, të cilat është dashtë që për preokupim të kenë integrimin e pakicës serbe në Kosovës dhe assesi ndikimin politik të Beogradit në Kosovë nëpërmes “Listës serbe”, si instrument të drejtpërdrejt të shtetit serb në Kosovë! Buxhovi ka kërkuar riformatizimin e këtyre bisedimeve nga ato e marrëveshjeve të dëmshme politike, siç është asociacioni me marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 te pozicioni i njohjes së ndërsjellë, me ç’ka u hapet rruga marrëveshjeve për normalizim midis dy shteteve si të barabarta.
Mbi këtë diskurs, Buxhovi ka qenë kritik edhe ndaj nismës për Minishengënin të Ballkanit midis Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, duke e vlerësuar atë si një mashtrim që, në emër të gjoja integrimeve rajonale europiane, Serbinë do ta kthente në një fuqi rajonale. Në disa prononcimeve publike dhe emisione televizive është kritikuar si tepër e dëmshme kjo nismë, duke u thënë se mund të bisedohet për të po qe se Kosova trajtohet si shtet i barabartë, pra pasi të pranohet nga Serbia dhe, po qe se në at nismë marrinë pjesë edhe shtetet tjera: Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia.
Nga Buxhovi, është kritikuar roli i kryeministrit Rama që Serbinë ta trajtojë si partnere edhe në rrethanat kur ajo në kushtetutën e saj Kosovën e trajton “krahinë serbe” dhe kur vepron haptas kundër pranimit të saj ndërkombëtarisht. Ky qëndrim vlerësohet “sindrom i nënshtrimit serb” i parë të Esad Pasha, Ahet Zogu dhe te Enver Hoxha, ku Kosova dhe interesat e saj sakrifikohen thuajse qëllimisht.
Që ky sindrom të marrë fund njëherë e përgjithmonë, Buxhovi disa herë gjatë këtij viti deklaroi se Shteti i Kosovës si e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull, duhet të trajtohet i tillë edhe nga shteti shqiptar, që duhet të ketë për kredo politike kosovocentrizmin nga politika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Me këtë paradigmë, Buxhovi, formulën ideologjike të bashkimit kombëtar nga shekulli i kaluar, e zëvendëson me atë të unionit të shteteve shqiptare në rrugë demokratike (referendumet) që ato të jenë edhe në përputhje me qëndrimet e aleatëve perëndimorë dhe assesi kryenvete!
Ajo që në planin e ideve politike, Buxhovin e dallon për guxim, ka të bëjë me ndryshimet në skenën politike që u shfaqen në mars të vitit të kaluar, kur VV fitoi shumicën absolute, ndërkohë që partitë tjera pësuan fiasko, veçmas LDK, e cila, nuk ishte në gjendje që të arrijë një pajtim të brendshëm për ndryshimin. Buxhovi, ishte ndër të parët, që në takim me kryetarin e LDK-së, Abdixhikun, kërkoi të mbështetet Vjosa Osmani për presidente dhe po ashtu të mbështetet edhe qeveria e re, në përputhje me vullnetin e shumicës së elektoratit. Janë domethënëse qëndrimet e Buxhovit rreth ndryshimit si proces i domosdoshëm për t’u heqë nga skena politike partitë që i kanë bërë dëme të mëdha vendit gjatë qeverisjes së tyre, me ç’rast, me anë të korrupsionit, nepotizmit dhe të formave të tjera, janë rrënuar shtyllat kryesore të sistemit të vlerave: arsimi, kultura, shëndetësia dhe shteti i ligjit. Buxhovi ka kërkuar që pozita të marrë përgjegjësinë historike duke e parë atë si çështje të një kauze afatgjate dhe assesi të një vrapi prej 100 metrash me kapje – shkapie, ku garniturat e caktuara politike do të zëvendësohet nga militantët politikë.
Dhe, në fund fare, ajo që guximin intelektual të Buxhovit në planin politik e bën tepër kredibil, ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme që të demistifikohen figurat e rëndësishme politike, meritore për shtetin e Kosovës, në mënyrë të ato të mos shfrytëzohen nga militantët politikë dhe të tjerët, që kanë për qëllim kapjen e shtetit dhe assesi interesin e tij madhor. Fjala është për Ibrahim Rugovën – president historik dhe, figurën e Adem Jasharit – bartës të luftës çlirimtare. Edhe Rugova, edhe Adem Jashari janë shfrytëzuar dhe keqpërdorur nga militantët e LDK-së dhe nga veteranët e rremë të UÇK-së. Mitizimi i tyre i ka shërbyer këtyre klaneve për pushtet dhe përfitime të tjera, gjë që edhe vetë shoqërinë e ka konfrontuar pa nevojë në “krahë” të ndryshëm, paçka se edhe njëri edhe tjetri janë pjesë e historisë së lavdishme të shtetndërtimit të Kosovës. Këto qëndrime emblematike lidhen me dy esetë, që u shfaqen gjatë vitit të kaluar: “Rugova midis mitit dhe realiteti” dhe “Adem Jashari në Kosovën e pasluftës”.
Këto ese, ruajnë aktualitetin e tyre përderisa të vazhdojnë diskurset e tilla në shoqërinë tonë, e cila edhe më tutje nuk ia ka dalë që çlirimin ta kthejë në liri të plotë, në përputhje me idealet e atyre që punuan për të me pendë dhe pushkë përgjatë një shekulli të tërë…
Gjakovë, më 4 gusht 2022.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here