“Deri në moshën dhjet vjeç, unë isha fëmija më e lumtur në botë. Fatkeqesisht kësaj lumturie i ra një goditje e fortë e çdo gjë ndryshoj totalisht. Në një ditë të kobshme, më 3 korrik të 1960- tës, organet e sigurimit arrestuan babain, që ishte në Konispol dhe dy xhaxhallarët, njëri në Tiranë e tjetri në Kavajë. Atë ditë, në të njetën orë, u arrestuan 300 veta, të gjithë çamër, burra të nderuar, fisnik, patriot të mëdhenj e persona të kualifikuar, me detyra në vende të rëndësishme pune. S’mund ta merrni me mënd katastrofën e madhe.”
Intërvistoi: Mujë Bucpapaj
1.Lumturi, ju jeni tashmë një një shkrimtare e njohur, megjithatë duket se ju keni patur shumë pengësa për të ardhur deri tek letërsia. Pushkatimi i babit tuaj nga regjimi komunist, përsekutimi i gjatë dhe mohimi i të drejtës së botimit besoj kanë qënë përvoja të tmerrshme për ty. Sa kanë ndikuar këto ngjarje në jetën tuaj njerëzore dhe letrare? Dhe si ka qënë vetë jeta juaj dhe e familjes deri në dhjetor 1990 kur lindi pluralizmi politik?
L.Plaku: U linda në një familje të mrekulleushme, prej një nëne të mënçur, të dashur e autoritare, që na rrinte pranë e na edukonte ashtu siç duhej e prej një babai fisnik, patriot, punëtor, i ndershëm e shumë i lidhur me familjen. Kur kthehej në darkë, edhe se ishte shumë i lodhur e shpesh i mërzitur, shlodhesh duke na mbajtur pranë, ne tre vajzave më të vogla, me të folura e përkëdhelje. Sikur e dinte që s’do na gëzonte! Deri në moshën dhjet vjeç, unë isha fëmija më e lumtur në botë.
Fatkeqsisht kësaj lumturie i ra një goditje e fortë e çdo gjë ndryshoj totalisht. Në një ditë të kobëshme, në 3 korrik të 1960- tës, organet e sigurimit arrestaun babain, që ishte në Konispol dhe dy xhaxhallarët; njëri në Tiranë e tjetri në Kavajë. Atë ditë, në të njetën orë, u arrestuan 300 veta, të gjithë çamër, burra të nderuar, fisnik, patriot të mëdhenj e persona të kualifikuar, me detyra në vende të rëndësishme pune. S’mund ta merrni me mënd katastrofën e madhe.
Që atë ditë s’e pash më babain e bashkë me të, të gjithë familjarisht humbëm çdo të drejtë. U gjëndëm para një jete, ku duhej të bëheshim të fortë, të rezistonim dridhërimën e frikës, se ç’mund të ndodhte të nesërmen. Të rezistonim urinë, që kushedi sa netë jemi gdhire me bark bosh, apo të ftohtin, se u sekurestua gjithëshka. Me pak fjalë, duhej të rezistonim një jetë të egër, të shoqëruar me mungesën e çdo gjëje.
Ne nuk jetonim, por mbijetonim e që të shkruaja, në ato situata ishte një lloj lluksi, ose më mirë,për mua ishte mollë e ndaluar. Diku kam shkruar një poezi me titull :
UNE E ATYRE KOHEVE.
Unë, vij prej një kohe me emër, kohë e drurit
më e keqe edhe se epoka e gurit,
kohë, që sikur të nxirrje ç’të mbante truri,
e të mos pohohej ç’urdhërohej, të thyhej koka, murit …
Jetën time vetëm e qaj e s’mundem ta shkruaj se më duket se nuk do jem e zonja ta arrij ta paraqes të gjallë, ashtu siç dua unë. Megjithatë, disa aspekte të jetës time e gjithë familjes i kam shkruar tek romani “KRONIKE E DENIMIT ME VDEKJE”, ku e dëshiruar për t’i dëgjuar zërin, dialogoj me shpirtin e babait të pushkatuar e pa varr.
- Keni lindur në Konispol dhe jeni me origjinë nga Camëria.Shumë shkrimtarë camë si Bilal Xhaferri, Namik Mane, Bederi Myftari etj, e kanë patur si motiv të përhershëm Camërinë e prinderve të tyre, ullishtat e mbetura larg dhe shtepitë e boshatisura me dhunë nga ushtarët grekë. Në krijimtarinë tuaj sa vend zë Cameria?
-L.Plaku: Po, unë kam lindur në Konispol, bijë e një familje të një fisi të njohur në gjithë krahinën për fisnikëri e patriotizëm. Në çdo etapë i gjithë fisi nuk janë pajtuar me asnjë lloj armiku. Shtëpia e gjyshit Ali Plaku, ishte qëndër strehimi për trimat çamër patriote që i ndiqte greku.
Babai im, Beqo Plaku, që u dënua prej komunizmit me pushkatim, bashkë me trima dhe patriot të tjerë, është nisur nga Konispoli për të luftuar kundër Italisë, në Vlorë.
Po ashtu, ishte kundërshtar i rrepte i pushtimit prej Italisë e në Luftën e Dytë Botërore, ai bashkë me gjithë fisin, duke qënë në gjëndje të mirë, kanë dhënë kontributin e tyre, ekonomik dhe organizativ.
Gjatë luftës, u plagos e u internua për gjashtë muaj në kampin gjerman të Selanikut. Kur mbaroj lufta, s’pranoj konditat e mira, që ju ofruan të shkonte në botën kapitaliste, por proferoj të ecte në këmbë 28 ditë, prej Selanikut në Konispol, sepse ishte përgjgjës i familjes dhe atdhetar i flaktë. E kurseu plumbi i armiqve të jashtëm, por e vrau armiku më i rrezikshëm, armiku i gjithë Shqipërisë, komunizmi.
Kur u bë masakra e grekut kundër çamërve, babai im, bashkë me konispolatët e tjerë, pritën dhe ndihmonin popullin çam të masakruar. Strehoj në shtëpi tre fëmijë çamër jetim e u përkujdes për ta, me dhimbshuri e dashuri sikur të ishin fëmijët e tij.
Në familjen tonë flitej gjithëmonë për historinë, vuajtjet e patriotizmin e popullit të pasur dhe fisnik çam. Në këtë mënyrë dhe ne fëmijve na trasmetohej respekti për këtë popull të masakruar.
Mua më shkruan shpirti e si pasoj shpirti im do shkruante pa tjetër për Çamërinë, duke filluar që tek libri im i parë. “BRIGJET E MIA” e shumë poezi të tjera, në vazhdim.
Për mua mbi të gjitha është poezia, ose më mirë poema; BALADA PER ÇAMERINE, që rrëshqet varg më varg, sikur të jetë një shirit filmi. Si kjo poemë e gjatë janë dhe dy poezitë legjendat për legjendarin e madh, Osman Taka.
- Cdo shkrimtar ka një kontakt të parë me librat, me autorët e shquar që lënë pas mbresa apo i nxisin ata t’i hyjnë rrugës së letërsisë. Është me interes të dimë se si ka qënë për ju ky kontakt me letërsinë, shkrimet e para, dhe vuajtjet që të krijonte fakti që nuk mund t’i botoje?
L.Plaku: Që në fëmijëri kisha të zhvilluar fantazinë, që për mua në atë moshë ishte si lodër. Kur filloja e tregoja ngjarje, që nuk ekzistonin, familjarët e mi qeshnin e më thërrisninme lloj lloj emrash si çamaroke etj. Nëna tundte kokën si xhest habie për ato, që fantazoja, por nuk ma vente në dukje që unë kisha një talent. Arsyen përse, e kuptova kur u rrita.
Kur më pyesnin ç’do bëhesha kur të rritesha, unë si me qëndrim ushtarak, përgjigjesha, pilote. Sa herë e mendoj atë dëshirë të çuditëshme, që për kohën time ishte absurde. Atëhere s’kishte as aeroplanë e jo më femra, që të bëheshin pilote. Siç duket kisha shpirtin e lirë e doja të arrija deri në qiell
Më pëlqente të luaja, të kërceja, të vrapoja livadheve mbas zogjve dhe flururave. Kur flisja e tregoja, që të isha sa më bindëse, fjalët i shoqëroja me mimikë e me xheste. Nëna më puthte e më thoshte; “O e vogla ime, që më kënaqe me ato xhestet si një zog dallandyshje”.
Dallandyshes së vogël i ra sopata mbi ëndrra e nuk e la të ëndërronte … i preu krahët e s’e la të flutronte… i shkurtoj hapat e s’e la të shkonte atj, ku mund të arrinte.
Më pëlqente të lexoja dhe i përjetoja ngjarjet e librit. Shpesh imagjinoja veten në rolin e personazhit, sidomos pozitivin e mësoja prej tyre. Shkrimet e mia në periudhën e shkollës, nuk janë vlerësuar kurrë sa meritonin, se isha e internuar e bija e një të pushkatuari e kjo më demoralizonte. Do ju tregoj një rrast që më ka ngelur si rrigë e zezë në memorjen time.
Isha në gjimnaz. Profesori na tha të shkruanim një temë të lirë, pak a shumë; një ngjarje që na kishte lënë mbresë
Unë kisha ngjarje me mbresa të tmerrshme që të shkruaja me volume por ato ngjarje ishin rrezik i madh e unë duhej t’ju rija sa më larg. Fantazia ime më shpuri në një ëndërr, sikur të mesërmen do shkoja me shokët e klasës, në një eskursion. Rrastësisht u gjënda e humbur në një pyll, ku e trëmbur vrapoja nëpër pemë e nuk gjeja rrugën. Kur dola prej pyllit, e lumtur që shikoja dritën dhe diellin, rrotullohesha me krahë hapur dhe thërrisja, “liri, liri”.
Sa më kushtuan ato thirrjet për lirinë, të shkruajtura në haritm! Profesori e kishte zgjedhur hartimin tim, për një nga më të mirët, por vazhdoi më tepër se një gjysëm ore, të më pyeste;pse e kërkoja lirinë, kush ma kishte ndaluar, pse thash liri e jo fjalë të tjera … etj të kësaj natyre…
Përgjigja ime e vetem ishte se mua s’më pëlqen errësira e thirra liri, prej gëzimit, që pashë dritën, por prej shikimit të tij, kuptova që nuk u bind.
Në një intervistë e në disa poezi e kam thënë që kur shkruaj, më shkruan shpirti e në se do shkruaja në ato kohë do futej gjithë fare fisi në burg, se shpirti im ishte i nxire e gjithë urrejtje.
Dikush më ka pyetur … pse s’ke shkruar poezi dashurie. Me mentalitetin e kohës time, një femër që nuk ishte e afirmuar si poete, do ishte e gjykuar edhe nga vet familjarët, po të shkruante për dashurinë. Ca poezi, që kisha shkruar sikur luaja me to, i kisha lënë në një valixhe bashkë me ca fotografi të familjes. Kur ika në Itali më vodhën shtëpinë e bashkë me to morën edhe valixhen. Kushedi në ç’plehra përfunduar ato pak poezi të rinisë time, se hajdutit nuk i duheshin.
- Lumturi, brezi im e di sa sa e veshtirë ka qënë jeta e një familje të përsekutuar dhe pa baba në diktaturën komuniste, megjithatë për shumë të rinj të lindur pas vitit 1990 është me interes të mësojnë dicka nga vuajtjet tuaja dhe të familjes tuaj që ato të mos përseriten më. Si i keni përballuar ato, si ja dolët mbanë ju dhe familja juaj?
-L.Plaku: E drejtë, rinia duhet ti mësoj këto situata shumë të vështira e të pa besuara, por duhet të lexoj.
Kur u botua në Itali, libri në italisht,KRONIKE E DENIMIT ME VDEKJE, më intervistuan në Tv.e qytetit, ku banoj. Më nderuan, kur ju thash që prej këtij libri, të rinjte duhet të kuptojnë, se kush janë vuajtjet e vërteta e si përballohen ato. Ky libër u ble prej disa bibliotekave të universiteteve të ndryshëm në Itali. U ble prej bibilotekës nacionale të Romës, Firences, Padovës etj. Populli italian u ndodh i befasuar para këtyre ndodhive të tmerrshme e të pa besueshme, ashtu si brezat e të rinjve tonë, që duhet ti mësojnë.
Brezat e soçëm nuk mund ta marrin me mënd që atëhere arrestoheshe për një fjalë goje e dënoheshe 15- 20 vjet burg. Nuk e dine që në burgjet e Shqipërisë u kalb pjesa intelegjente, kryet e vendit, që shumë prej tyre u pushkatuan e s’kane as varr. Nuk mund të imagjinojnë që kur arrestohej një familjar, pas tij, gjithë familja e shpesh edhe fisi i tërë, interrnoheshin e bënin një jetë në mizerje. Në burgjet e kominizmit bëheshin tortura më të tmerrshme se ato të Hitlerit, që janë bërë histori botërore
Nuk mund të imagjinojnë që ju sikurestohej shtëpia, pasuria e gjithëshka e ato familje do shkonin të jetonin nëpër kasolle, apo kapanone. Nuk mund të imagjinojnë që për familjet e persekutuara, të pagëzuara me emrin dridhërues, “të prekur”, bëhej një propogandë e tmershme, që të tjerët kishin frikë ti përshëndesnin.
Rinia duhet të di që një i ri i asaj kohe, mund të ishe i shkëlqyer në mësime, por s’i jepej e drejta e studimit për universitet, se ishte kërkesa më me rëndësishme, biografia. Të gjitha këto i kam kaluar me radhë e i kam vuajtur shumë, por jam e gëzuar, se mbas të gjithave, unë isha dhe ngela Njeri.
Mbas pushkatimit të babait, na u mohua çdo e drejtë, por pata fatin që kisha një nënë spartane, e cila na edukoj krenarinë dhe dinjitetin. Asnjë s’duhej të kuptonte kur ne shkonim në shkollë bark bosh, pa mëngjez. Na këshillonte të mos derdhnim pikën e lotit para dikujt, që kënaqej, kur na shihte duke qarë, por po të ndodheshim në një situatë të tillë, të shtrëngonim fort mes dhëmbve pjesën e brëndëshme të buzës e ajo dhimbje të mposhte dhimbjen që na kishte shkatuar lotët. Pata fatin se kisha një vëlla që mu bë baba e bashkë me të edhe dy motrat e mëdha, ju bënë krah nënës, të na rrisnin ne tre më të voglave. Kurrë mos u kthefshin ato kohë!
- Me lindjen e pluralizmit ju përfituat nga liria e levizjes dhe emigruat në Itali qysh prej vitit 1991 ku jetoni edhe sot. Për ju u hap një mundësi e madhe jete por edhe e shfrytëzimit të lirisë për të shkruar dhe botuar. Si e përjetuat kalimin nga diktatura që kishit lënë pas në Shqipëri në një shoqëri të lirë, ku edhe emigrantëve iu jepte mundësitë e tyre?
L.palku” Në vitet 90, kur flitej që do hapeshin kufinjte, në kofidencë thoshja që do isha e para që do ikja, por nuk ikej. Ikja ishte dhimbje, por mua më detyroj një dhimbje më e fortë, që m’u duk se më plasi zemra. Një ditë para meje, më iku djali 16 vjeç e unë bashkë me burrin dhe vajzën dhjet vjeçare, u nisëm pas tij, të nesërmen. Dhimbjen e asaj nate, që më iku djali e kam përshkruar, duke derdhur lote, tek volumi i pare i romanit, “RRUGET E MJERIMIT”.
Nuk e kisha menduar mallin, që do më mbërthente sapo arrita në Itali, megjithatë, katër muajt e pare, që ishim në Taranto e patëm më të lehtë, se populli i jugut është mikpritës e ngjan shumë me ne shqiptarët. Nuk pata asnjë vështirësi për t’u integruar, me përjashtim të gjuhës, që nuk e njihja. Në një vend të huaj mosnjofja e saj është si mungesa e oksigjenit.
Kampi, ku na kishin sistemuar ishte buzë detit. Një ditë, e ulur mbi një gur, kisha hedhur syt nga dielli, që i porsalindur, ngjitej lart, andej, ku deti puthej me brigjet e Shqipërisë. Lotët e mia prej mallit, kryposnin edhe më shumë ujin e detit. Në atë moment, gurgulloj si burim prej shpirtit poezia e bisedës time me detin. E përsërita disa herë t’u ngulisja në mëndje e sapo u ktheva në kamp e shkrova tek një bllok, që më kishte dhuruar një mike italiane, me të cilën, më vonë u bëmë si dy motra
“O ti det, që dërgon dallët, në lindje e perëndim,
të të them ca fjalë në vesh do ja thuash vendit tim?
Vendi im është ku lind dielli e këtu vjen perëndon,
me rërë të nxehtë, të nxehtë, ku pranvera vjen e s’shkon”.
Kjo e strofat të tjera, ishte poezia e parë, që shkrova këtu në Itali.
Emigrimi është i vështirë, por jeta më kishte bërë të fortë. Dalngadalë, me punë, mirësjellje dhe respekt, hyra në botën e këtushme e shumë aspekte të dhimbëshme sentimentale, i ktheja në poezi.
Kisha të printuara rreth njëqind poezi dhe mbas tre vitesh që shkoja e vija me to, se s’dija se si botoheshin, takova në Durrës poetin Agim Bajrami, i cili pa ngritur kokën, duke lexuar poezitë, më thotë: “Ti je poete!” U skuqa, se nuk e kisha konsideruar veten asnjëherë poete e m’u duk si një kompliment fallco, por ai la letrat më një anë e duke më treguar si funksiononte botimi i librave, përsëriti: “Vazhdo të shkruash. Shkruan shumë bukur. Ti je poete! “,
E kështu si kikiriket që ha një edhe një edhe një, edhe unë fillova të rrjeshtoja librat, që tani do botohet e tetëmbëdhjeta.
– 6. Në vitin 2005 u diplomove si Mediatrice interkulturale. Duke frekuentuar shkollat dhe shumë ambiente te ndryshme kulturore. A është kjo një realizm i ëndërrës tuaj?
-L.Plaku: Punën si Mediatrice interkulturale, pa e ditur e kisha bërë edhe e pa u diplomuar. Mediatori duhet të njofi mirë të dya kulturat, të di t’i gërshetoj e të eliminoe konfliktet, që lindin prej ndryshimit të dy kultrave. Duhet të ketë ndjenjën e empatisë – të vej veten në pozitat e atij që është në vështirësi. Të gjitha këto, pa ditur, i kisha demostruar, kur më thirrnin për përkthime.
Diplomimi më rriti nivelin e kualifikimit e më dha mundësinë të bëj punën e një intelektualje, sepse intelektual nuk quhet kush shkruan, por ai që me shkrime kontribon për Mëmëdheun.
Kënaqësinë më të madhe e ndjeja kur nëpër shkolla të niveleve të ndryshme, flisja për kulturën, traditat, historinë e vlerat e vendit dhe popullit tim. Në këtë mënyrë, jua bëja të njofur nxënesve italiane e bëja të ndjeheshin krenar nxënesit shqiptar, që nuk i dinin ato, që tregoja unë.
Nëpërmjet një projekti, që kishim me shkollën e mesme të agronomisë, u prezantova me librin e parë në italisht për mjekimet tona popullore “LE RICCEZZE DELLA NATURA”, “PASURITE E NATYRES”. Ky libër u pëlqye e me që s’më ka ngelur asnjë kopie, dëshiroj ta riprodhoj e të shtoj edhe receta të tjera.
Duke parë që kur spiegoja, në çdo argument, studentët tregonin shumë interes, vendosa që këto materiale, të shkruaj për publikun italian, librin dy gjuhësh (italisht-shqip), me legjenda, tradita e histori, që në vetvete mbanin vlera të kulturës tonë. Libri ”VLERE FLORIRI”, “VALORI COME ORO” u prit mjaft mirë prej publikut italian e janë shitur mbi 350 kopie
Në një program televiziv, që jepej çdo të diel për emigrantët, drejtoja rubrikën, “KULTURA, TRADITA E KOSTUME”, ku flisja për kulturën tonë e intervistoja edhe mediator të nacioneve të ndryshme. Ky program bëri që qytetarët italianë të ndrronin opinionin e keq që kishin krijuar për nacionlaitetin tonë e të njifnin fytyrën e vërtetë, të pastër shqiptare.
Për tu diplomuar, duhej studiuar psikollogjia e emigrantit. Kjo më favorizoj të shkruaja një projektin tim, shumë të rëndësishëm, dy gjuhësh (italisht-shqip), të titulluar, “NJE UDHETIM I VOGEL NE BOTEN E MADHE TE EMIGRACIONIT”, i cili m’u aprovua nga Bolonja ta zhvilloja në shkollat e tre vendeve; Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dhe nëpër shkollat italiane.
I tregova të gjitha këto, sepse diplomimi si mediatore interkulturale më dha mundësinë të punoja në ambiente të ndryshme për emigracionin, të ndihmoja ata, që kishin nevojë e krenare të prezantoja kulturën time. Për kontributin tim në sektorin e emigracionit jam vlerësuar prej bashkisë së qytetit, me çmimin “NADA”,si një grua kurajoze dhe e pa kursyer në ndihmë të të tjerëve.
Puna si mediatore, më dha mundësitë të përplasesha me realitete të ndryshme; të bukura dhe të turpshme të shqiptarëve të viteve të para të emigrimit. Këto eksperienca, pasuri e madhe për mua, i kam shkruar tek volumi i dytë i romanit, “RRUGET E MJERIMIT”.
-7. Le të rikthemi tek letërsia. Ju lëvroni edhe poezinë edhe prozën.Pyetja ime ka të bëjë me faktin se ku e gjëni më shumë vetevetën? Cila është mënyra juaj e punës krijuese? Sa i riktheheni një teksti dhe cila është përvoja juaj me lëndën krijuese?
L.Plaku: E vërtetë! Unë kam shkruar poezi, prozë, romane, libra për të rritr e për fëmijë, italisht e shqip.
Ju më pyesni ku e gjej vetveten, në prozë, apo poezi.
Janë dy gjini të ndryshme që çdo njera prej tyre ka bukuritë, lehtësitë e vështirësitë e veta. Poezia është një frymëzim momenti, që mund të shkruhet natën, ditën, në tren, në makinë, në këngë, në të qarë e në të qeshur. Në një poezi, me pak vargje, mund të thuhet shumë, se është shpirt, por nuk të kërkon punë pa shkëputje siç kërkon proza. Ka raste që poezinë e shkruaj, e mund ta korrigjoj e ta përpunoj edhe një moment tjetër. Prozës nuk mundem t’i shkëputem, se më duhet t’i rikthehem, të rifreskoj rrjedhëshmërinë e ngjarjeve, që do vazhdoj më tej. Për mendimin tim poezia, me shprehjet e bukura poetike, rri shumë bukur brënda prozës; pra ndihmojnë njera tjetrën. Të them të drejtën, nuk di ku gjëndem mirë, por më pëlqejnë të dya gjinitë.
Me prozën kënaqem, se ngjarjet reale i gërshetoj me fantazinë time, të cilës i mjafton edhe vetëm një titull i një lajmi që ta përpunoj e të shkruaj një roman, sikur të jetë një ngjarje të vërtetë. Më ndodh që kur e rilexoj çuditem e qesh me veten.
Mënyrën time të të shkruarit mund ta krahasoj si ndërtimi i një vile, që në fillim bëj projektin, pregatis themele të forta, muret, dritaret, dyert, çatinë e bashkë me to, me ndihmën e shpirtit e frazave poetike, vazhdoj me zbukurimet e duhura.
Kur punoj në prozë mundohem që argumenete t’i ndaj në paragrafe. Në këtë mënyrë punoj dhe kthehem e i kontrrolloj. Sigurisht mbasi mbaroj gjithëshka i rikthehem komplet librit, kontrrolloj lidhjet e ngjarjeve, rëniet në përsëritje, zbukuroj, ose ndryshoj vendin e një fraze, korigjoj gabime tastiere e ortografike etj.
-8. Lumturi, keni në proces botimi vëllimin e dytë të romanit tuaj “Rrugët e mjerimit”. Për interesin e lexuesve tanë a mund të na thoni cfarë është ky roman, cfarë trajton ai dhe sa lidhje ka me jetën e vertëtë të emigrantëve shqiptarë atje? Dhe si mbarten ngjarjet dhe përsonazhet nga vëllimi i parë?
- Plaku: Kur fillova ta shkruaja, s’e kisha menduar që romani “RRUGET E MJERIMIT”, do dilte me dy volume. Personazhët e mi, emigrantët e parë të vitit 1991, u ndeshën me një botë të re, me ligje, mentalitet, kulturë e jetë krejt ndryshe prej asaj që kishin jetuar në vendin e origjinës. Ishin në një kamp në Taranto, ku një pjesë u miqësuan shumë me njeri- tjetrin e mbas katër majsh, ministria e mbrojtjes i trasferoi të gjithë nga Italia e jugut, në veri.
Pikërisht, në këtë udhëtimit prej 12 orësh, autobuzin e ktheva në një odë bisedash, ku emigrantët e niveleve e natyrave të ndryshme, të malluar … duke qarë … në revoltë, apo ironikisht, tregonin copëza jete të hidhura, dridhëruese, me dhimbje e mjerim, të lëna mbas shpatullave. U përlotën për njeri tjetrin, u ngushëlluan, qeshën me ironin e dikujt, por edhe u revoltuan e reaguan prere, kundër ndonjë elementi të rrezikshëm, i ardhur si infiltrues, për të vazhduar zanatet e tij të ndyra edhe në dhe të huaj. Me bisedat, që ziente autobuzi, arritën në Bolonja, që për ta ishte një ëndërr. Sikur do përshëndetnin qytetin e mbyllën udhëtimin me një isooo të bukur, kënduar gati prej të gjithëve.
Ky ishte volumi i parë. Ngjarjet janë të vërteta, me shumë dhimbje, një pjesë e tyre dridhëruese e shumë prej tyre të miat personale, por jo pa qëllim i prezantova nëpërmjet personazhëve të tjerë.
Kisha argumente pa fund për vazhdimsinë e jetës së emigrantëve, në Itali. Për këtë arsye, vendosa të shkruaj volumin e dytë, “RRUGET E MJERIMIT”.
Jeta e emigrantit është shumë e vështirë. Çdo kush ka historinë personale e mënyrat e veta për të përballuar përplasjet e ndryshme, që ndesh në jetën e re. Në ato vite, për një pjese të shqiptarëve, dëgjuam sjellje, që s’ kishim dëgjuar kurrë. Për faj të një pakice të degjeneruar, u krijua një opinion shumë i keq për gjithë nacionalitetin tonë. Na duhej të luftonim me vështirësitë e jetës, por me shumë, për të vënë në vend dinjitetin tonë e nuk ishte aq e lehtë.
Dikush e mori jetën ngadalë, me pjekuri e ndershmëri e arriti suksese në çdo degë të saj. Kishte të tjerë, që përdornin mënyrat më të turpshme, të kapërcenin, menjëherë dhjet shkallë. Të tillët, në fillim na dëmtuan të gjithëve, por mbas ca kohëve përfunduan në disfata.
Ngjarjet gërshetohen në një harmoni të plotë, ashtu si lidhja e emigrantëve me njeri tjetrin, por një pjesë e ngjarjeve mbajn në vetvete tmerre e llahtara prej dëshmive të viktimave të prostuticionit, çthurrje dhe degjenerim prej drogaxhinjve, funde të tmerrshme të atyre, që u pleksën me punë ilegale,
Edhe se e kam shkruar vet, pjesa, “Hakmarrja”, më dridhëron sa herë e lexoj. Prindi i një minorenie të rrëmbyer duke dalë nga shkolla, i tmerruar për gjëndjen psiqike si kishte përfunduar e bija prej torturave të tutorve, hakmerret mizorisht kundër njërit prej tyre. I pret kokën e ja dërgon familjes së tij, që jetonin në lluks me lekët e fituara poshtërsisht, me trupat e viktimave.
Libri ka shumë ngjarje rrënqethëse e të gjitha të vërteta. Duke kaluar vitet, poshtërsitë dënohen e fiton ndershmëria me suksese të shumë shqiptarëve, por doja ta mbyllja librin me një ëmbëlsirë, Me elegancë e shumë klasë, shkrova një histori dashurie, të bukur e të pastër. Një djal, bir konti, i pasur dhe i zilepsur prej gjithë femrave, u dashuruar marrëzisht me vyrtytet e një vajze shqiptare dhe pranon t’ju bindet kushteve të sajë, të fejohet e marrtohet në bazë të traditave tona
- Sapo keni fituar një cmim special për librin tuaj në italisht “Cronaca di una Condanna a Morte”, dergur prej vetë shtëpise italine, në konkursin letrar internacional ” Të bashkuar për legalita”, akorduar nga një komision prestigjoz e kopetent. Cfarë shënon për ju ky cmim?
-L. Plaku: Ky çmim më nderon. Unë s’i ndjek konkurset, se dhe ato duan kohën e tyre e ky çmim më erdhi suprizë. Vet shtëpia e botimit e vlerësoj ta shpinte në konkurs e çuditërisht një ditë më del emri im në fb, tek një faqe, ku ishte dhënë lajmërimi. Ishte faqe e konkursit e te them të drejtën u emocionova shumë. Fatkeqësisht ra virusi, sepse për këtë libër ishin pregatitur takime shumë të rëndësishme, në qytete të ndryshme të Italisë.
Këtu funksionon ndryshe, vlerësohet puna. Ky libër në fillim është shkruar në shqip me një tirazh prej 300 kopiesh, por shtëpia e botimit, ku u shkrua mori leket e për një një roman të till, me shumë vlerë, nuk shkroj as një artikull të vogël. Më vjen keq, se këto zhgënjime, edhe se s’dua, më detyrojnë të shkruaj vetëm në italisht
-10. Megjithëse prej 30 vjetësh jeni larguar nga Shqipëria shkruani bukur gjuhën shqipe. Si keni mundur ta ruani aq pastër gjuhën, pasi shpesh duke qënë e shkëputur në Atdheu, në përpjekjet ekzistenciale për t’u integruar në vendin pritës etj, bëjnë që të shkruani vetëm në gjuhën e vendit ku jetoni, disa si ju e kanë ruajtur mirë gjuhën shqipe. Biles shumë shkrimtarë shqiptarë, që po i quajmë të Diasporës, janë bilingual(shkruajnë në dy gjuhë) duke sjellë një pasuri të madhe kuturës shqiptare? Cila është përvoja juaj në këtë fushë?
-L.Plaku: Që të integrohesh në një vend të huaj nuk pengon e mbajtura e gjuhës së nënës, përkundrazi; gjuha jonë me 36 gërma, ndihmon për të mësuar gjithë gjuhët e botës. Unë jam shqiptare e kur flas me familjen dhe me shqiptarët, dua të mbush gojën me shqipen time. Edhe ëndrrat dua t’i ëndërroj shqip. Fëmijët e mi edhe se erdhën të vegjël, flasin shqipen e qartë e si ata edhe nipi 15 vjeçar e mbesa shtate vjeçare, të lindur e rritur këtu, flasin shqip. Asnjë mos të ankohet që harrohet, se gjuha trasmetohet bashkë me qumshtin e nënës.
Shumë intelektuale shqiptar në Itali kanë themeluar shoqata të mëdha kulturale, që punojnë për mbajtjen dhe zhvillimin e kulturës tonë, në dhe të juaj. Këto shoqata kanë hapur shkolla shqipe, ku fëmijëve të lindur këtu, ju mësohet gjuha nënë. Unë jam nënëlokja që ftohem nëpër shkolla e jap kontributin tim, duke folur për kulturën tonë të bukur.
-11. Si i mbani lidhjet me Atdheun, sa e ndiqni letërsinë që shkruhet këtu, si kanë qënë mundësitë për të vizituar të afërmit tuaj në Shqipëri dhe a ndjeni mall për vendlinjen tuaj?
-L.Plaku:Edhe se kam tridhejte vjet në Itali e prej gati njëzet vjetësh qytetare italiane, Shqipëria më mungon në çdo moment e jam e lidhur për çdo gjë të tokës Nënë. Fatmirsisht interneti na është bërë mjet komunikimi e na ka krijuar mundësinë që dhe nga larg të njohim edhe letërsinë që shkruhet në Atdhe. Në Shqipëri, zakonisht kam ardhur çdo verë, por këtë vit na i mbylli rrugët virusi, që po bllokon gjithë botën. Shpresojmë e urojmë që do zhduket e të gjithë të vazhdojmë jetën normale.
-12. Cfarë dëshironi të shtoni tjetër?
-L.Plaku: Falenderoj gazeten letrare dhe kulturore Nacional qe me jep mundesi te komunikoj me lexuesit e saj te shumte ne Shqiperi dhe ne rajon. Kjo gazete prestigjoze prej gati 15 vjetesh mban gjalle kulturen kombetare, letersine tone dhe vete gjuhen shqipe. Une ndjehem e nderuar qe jam pjese e saj.