Tashmë ka dalë dhe libri i fundit i autores Mirela Kanini. Libri Trafikanti lind nga një mendim i thellë i shkrimtares që në qendër të të vërtetës së tij ka dramën më të lashtë njerëzore. Dramën e femrës për dashurinë. Ndryshe nga librat kryekëput romacierë ky është një trill që nxjer në pah dy antagonizma jetësh midis kontekstesh historike, atë të varfërisë dhe të pasurisë. Pas librit ‘’Mëkatet e zonjës Ema’’, ‘’Klienti’’, ‘’Mëkatet e Mellonëve’’, libri ‘’Trafikanti’’ është libri më i plotë i librave të saj dhe më i rafinuar. Vjen me një gjuhë të thjeshtë dhe elokuente, karakteristikë kjo e autores në stilin e saj, sa përpihet lehtë kudo që të jesh, në zyrë, në shtëpi, në plazh, në ballkon, në natyrë. Nuk të vret dhe nuk të lodh me sofistikime, shket fjala në fjalë nga veta e parë në vetën e tretë deri në fund të librit.
Libri është ideuar në mozaikë ngjarjesh të ndërthurura midis personazhe që shtyjnë e tërheqin njëri-tjetrin për t’i dhënë atij harmoninë e plotë midis aktuales dhe të kaluarës.
Ai lundron midis ujërave të përziera të qenies, dashurisë, mëkatit, shpresës dhe ankthit, frikës, sa konfuzitetit e qasjes së egoizmit që mund të shpallin qeniet njerëzore në realitetin e tyre. Ky egoizëm që vret më shumë se vetë fjala në jetën e përditshme. Në qendër të marrëdhënieve njerëzore vihet ndërgjegja, morali, antimorali, morali brenda antimoralit, dhe të vërtetat që në fakt janë të gënjeshtërta, iluzionet sa deluzionet që shtiren si drejtësi. Ai vjen si kumt më shumë për të zbritur tek realja e shoqërisë dhe te konkretja njerëzore, te ligjorja ku këto elementë të bashkëveprimit njerëzor me anë të besimit dalin në pah në një trekëndësh ku në qendër është një femër e quajtur Mia dhe në kontraditat sa të fatit dhe të sistemit shoqëror. Sepse ndërgjegja luan si shtriga herë nga ligjorja e herë nga ndjesorja që shpërfill ligjin, sa logjika që hedh poshtë moralin dhe të drejtën. Mëkati e vret ndërgjegjen sic vret pasioni për dashurinë arsyen.
A nuk e kemi thyer gjithmonë këtë moral në shekuj dhe paradoksalisht sa e kundërshtojmë a nuk kthehemi përsëri tek ai?
Mia, personazhi kryesor është një vajzë mbi 30 vjeçe, e bukur sa një botë me një paragraf, e ëmbël në tërë sagat e saj të thjeshta të jetës, sensuale deri në fund të romanit, e dashur për njerëzit e vuajtur dhe emigrante, e përvuajtur për dashuri të vërtetë, njeri që nuk mban dot urrejtje, avokate në profesionin e saj. Ajo merret me emigrantët dhe është një shqiptare që ka dalë nga gjiri i këtij emigracioni. Ajo është sa e drejtpërdrejtë dhe konfuze për të njohur të dashurin e jetës, për të njohur ndjenjat dhe feminitetin e saj, për të shprehur ëmbëlsinë e saj. Paksa naive dhe ironike në mendimet me veten në këndvështrimin e autores ajo del në dritë si një vajzë plot energji, e dashur sa e çmendur për atë fluturën në stomak që tërbon një botë të tërë në ndjenja të pashtershme. Drita e syve dhe preokupimi i familjes shqiptare me prindërit e saj. Ditët e saj rrjedhin të qeta ku e jashtëzakonshmja dhe më e vështira del në pah në fund të librit. Dinamika e ditëve që zhvillohet në Amerikë sa në Europë, Në Ballkan sa në Shqipëri shprehet vetëm me një fjalë sa e gjithë jeta, dashuria. Kjo fjalë që rrethrrotullon globin në 365 ditë të saj. Ajo është e re në profesionin e saj por e etur për të ditur më shumë rreth enigmave. Një amerikane me origjinë shqiptare.
Mia, personazhi kryesor i këtij trilli endet konfuze midis të kundërtave, të ndryshmes dhe reales.
Nga një anë ka një të fejuar të quajtur Ethan, që vuan nga vogëlsia triumfatore e egoizmit të tij në dashuri dhe karrierë, një ekonomist në një korporatë farmaceutike që ‘’vret dhe babanë e vet’’ për triumf, ku nëpërmjet mirësisë sipërfaqësore të tij shfaqet e keqja e madhe që fsheh. Ai nuk do t’ia dijë për njerëzimin pa suksesin personal të tij që njerëzimi ta njohë atë, as për Mian, madje as për vete Bosin e tij në qoftë se do ishte e mundur pavarësisht se duket normal me gjithë ndjenjat njerëzore. Nën dashurinë e tij për Mian koha dhe libri e tregon se ajo nuk ishte dashuri për të. Ai përveçse karrierist dhe oportunist është dhe tradhtar ndaj Mias që vonë e kupton këtë dhe marrëdhënia merr fund por jo vetëm nga ky shkak. Tradhëtia e tij çimenton narcizmin që shfryhet diku në disa paragrafë të librit. Ai është tipik i një mashkulli moskokëçarës sa materialist për gjithçka po pa pasur ndjenjë deri në oportunizëm pafre. Një e keqe e madhe që fshieht nga një mirësi e vogël. Ndjenja e një njeriu automat për pushtet është vetëm paraja dhe e kthen atë në një egocentrist.
Në anën tjetër të medaljes së marrëdhënieve me Mian është një person i huaj sa enigamtik i quajtur Alen. Shqiptar me nënshtetësi holandeze që do të bëhet amerikan. Dhe këtu të kundërtat bashkohen. Ai bëhet klient i Mias. Ky njeri që jeta e ka përballur me shumë sfida të shprehura aq bukur nga autorja është detyruar të bëhet i keq në shpirtin e tij qelibar për të shpresuar për t’u kthyer te e mira, paçka se ka të keqen brenda. Por ai ka një armë, rrëmben ndjenjat e Mias në shumë mënyra, e çarmatos dhe e bën për vete po në shumë mënyra që autorja e shpreh në karakterin e tij. Edhe ky njeri e kupton se paraja është mbi shumëçka, po mbi gjithçka është dashuria që ai nuk e ka gjetur dot. Midis vuajtjeve familjare për të jetuar bëhet padashur një kriminel për ligjin, me atë ligësinë që i është mbarsur si pullë dogane. Dhe nga pas e ndjek e liga si një e keqe e përdale. E mira dhe e keqja luajnë me të si Dreqi me të bir dhe ai herë hedh këmbën nga e mira kapet pas moralit dhe herë nga e keqja, herë përzihet me normat dhe fatin e hidhur për të drejtën dhe herë me mëkatin që justifikohet si i drejtë. Të dyja anët e peshores lundrojnë në jetën e tij. I zgjuar dhe pragmatik duke u përshtatur në çdo situatë si padashur njeh të kundërtën e vet, avokaten Mia që merret me çështjet e emigrantëve për nënshtetësi. Dhe këtu sikur romani ‘’Trafikanti’’ fillon nga e para. Një e keqe e madhe që fsheh një mirësi akoma më të madhe. Sa më tepër ai fsheh e do të harrojë të keqen aq më shumë i shtohet humanizmi për njeriun, veten, Mian, dashurinë.
Rreth e rrotull Mias, Ethanit dhe Alenit janë personazhë dytësorë si prindërit e Mias, prindërit e Alenit, bashkëpunëtorit e Alenit, ndonjë shoqe rastësore e Mias a të Alenit dhe Ethanit që formojnë atë mozaikun e plotë e të këndshëm të romanit, supriza, çaste emocionale të shumta që lundrojnë në oqean, kontekste shqiptare të cilët autorja i shpreh me mjeshtëri, sensualitet, dashuri sa trishtim, shumë trishtim sa dhe gëzime e kënaqësi deri në tehun e erotizmit. Pleksen të gjitha bashkë në një e bëjnë atë të tërën, jetën, nën mjeshtërinë e penës së thjeshtë të autores që duket sikur autorët klasikë futën edhe ata brenda e shprehen.
Ky roman shpreh më së miri luftën midis së vërtetës dhe gënjeshtërtës në sytë e një femre, në sytë e një mashkulli, në verbërinë e dashurisë, në pasionin e verbër sa verbërinë për të qenë i dashuruar pa e arritur atë. Një verbëri harbute për pasuri e pushtet, verbëri për mirësi. Mendimin se e mira e ka diçka të keqe që po ta zgjosh duket si përbindësh dhe e keqja përbindësh e ka një të mirë të madhe që lëngon në një cep të saj, ajo po të zgjohet jep gjithçka. Varet çfarë duam ne në jetët tona.
‘’E mira dhe e keqja janë si motër e vëlla’’, ato janë të pandalshme sa e drejta për të pasur dhe për të qenë bëhet padrejtësi. Shumë shpejt autorja i përmbus këto situata dhe nxjerr në pah të dyja këto të ndryshme dhe të kundërta bashkë, ajo i trazon dhe situatat rrjedhin nga njëra tek tjetra.
Mjeshtëria e saj të mban të mbërthyer edhe në fundin e romanit.
Gjithçka që duket si asgjë në raportin midis Mias dhe të fejuarit të saj Ethanit, dhe një asgjë që vjen si vrull e e mbështjell Mian në shumëçka për t’u bërë në fund gjithçka, pra një marrëdhënie të ëmbël dhe emocionale, shpirtërore midis Mias së çmendur për të njohur vetveten dhe tjetrin që quhet Alen, dhe Alenit që jep gjithçka për Mian, qoftë dhe jetën e tij.
Është një libër i thjeshtë dhe i dashur që të mbërthen me supriza në lexim. Gjëra të vogla që plotësojnë atë mozaikun e të bukurës e cila quhet jetë. Jetë që ka të mirat dhe të këqiat e saj.
Mos e humbisni, lexojeni!