SHPENDI TOPOLLAJ: PERIKLI JORGONI NJE POET, KRITIK DHE PËRKTHYES I RËNDËSISHËM NË LETRAT SHQIPE

Përkthyesi bëri një punë të stërmundimshme për të cilën u shpërblye fare pak

|Me përkthimet e tij të paqortueshme, solli nga letërsia botërore kryevepra të Shekspirit, Shellit, Soreskut, Safos, Cvajgut, Kavafisit, Dan Brawnit, por ndodhte që nuk kishte as lekët për biletën e autobusit. Ama nuk qahej kurrë. Ashtu sikurse e kishte zakon të mos fliste për vete, apo për krijimtarinë e tij.”

Ndodh në jetë që të ndihesh fajtor edhe pa dashje. Se e kuptoj që kam bërë shumë gabim që nuk u ula një herë të shkruaja diçka për profesor Perikli Jorgonin, sa ishte gjallë. Hë sot, hë nesër, gjersa ai iku befasisht nga kjo botë. E përmenda disa herë nëpër intervista si mësues në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, prej nga dolën aq shumë poetë dhe shkrimtarë, dhe vetëm kaq. Mirëpo, ashtu sikurse unë, edhe kritika në përgjithësi u tregua e kursyer me të. Dhe ai ishte poet, përkthyes dhe kritik i rëndësishëm në letrat shqipe. Mbi të gjitha, ishte dashamirës ndaj krijimtarisë së të tjerëve. Thjeshtësia e tij ishte proverbiale, ndaj dhe nuk e kuptova përse më përmendi një ditë një thënie të Viktor Hygoit se “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja i ngre statujën.”
Tekstet e dikurshme shkollore, sidomos ato të historisë dhe letërsisë, ilustroheshin nga disa skicime portretesh të filozofëve, shkrimtarëve apo historianëve të shquar të çdo kohe. Qysh atëherë më ka mbetur në mendje balli i gjerë i mendimtarit grek Sokratit, personazhi kryesor i dishepullit të tij Platonit që me apologjinë që shkroi u kundërvihej si atyre që e tallnin, si Aristofani, ashtu dhe atyre që e kritikonin si moralist, si Ksenofoni. Edhe Perikliu e kishte ballin e gjerë, pra kishte pamje sokratike. Por ai ngjante me të edhe për nga thellësia e mendimeve, kultura e gjerë dhe veçanërisht nga bindja e formuluar nga Platoni se njerëzit duhet të ndjekin të tilla ideale në jetë, ku e mira, e bukura, e ndershmja dhe e drejta duhet të jenë bazat sublime të ekzistencës tokësore të shpirtit të tyre.
Asnjë lloj autoriteti fals nuk mbante ai me ne nxënësit e tij. Dhe ashtu si dikur Sokrati edhe ai shkrihej me ne. Luante, sidomos futboll mbasditeve, bënte shaka, na donte si të na kishte shokë dhe e shpjegonte mësimin me gjithë fuqinë e mendjes dhe mushkërive të tij. Nuk kufizohej vetëm me ato që kishte programi. Gjente forma e mënyra të na zgjonte kurreshtjen që t`i kërkonim vetë librat jashtëshkollorë. Në të shpjeguar ishte një magjistar që të bënte për vete. Pikërisht për këto cilësi edhe ne e donim dhe respektonim shumë.
Vonë, shiheshim shpesh nëpër takimet poetike, sidomos ato që organizonin aq bukur të ndjerët Zyhdi Morava dhe Milianov Kallupi dhe vija re se ai nuk kishte ndryshuar fare. Kishte mbetur po ai, njeriu plot hove djaloshare dhe kudo shndërrohej në strumbullarin e bisedave. Aty nga viti 2002, një grup shkrimtarësh dhe artistësh shkuam në Tropojë. Qe një udhëtim i paharruar, mes një natyre përrallore dhe njerëzish aq mikpritësa. Ngjarjet e vitit 97 – të e kishin dëmtuar rëndë edhe qytetin e Bajram Currit. Ishin prekur edhe institucionet kulturore. Por çuditërisht, mes asaj Vaterloje, një vajzë misionare nga Korça, kishte ngritur një bibliotekë. Kur e mësuam këtë, vendosëm që edhe ne të ardhurit, t`i dhuronim disa nga librat tanë. Aty e prezantova Elidën, se kështu quhej ajo vajza, me mësuesin tim. Ajo kishte dëgjuar për të, por nuk e kishte takuar ndonjëherë. Perikliu, siç e kishte zakon, bëri një shaka të lezetshme me të cilën qeshëm gjithë sa qemë aty, dhe asgjë më shumë.
Duke pirë kafenë e mëngjesit në “Turizmin” e qytetit, i dhashë edhe Perikliut disa nga librat e mi. Pas pak ditësh lexova në gazetë një shkrimin e tij kritik për krijimtarinë time, të cilin e fillonte me fjalët “S`kisha ndërmend tani për tani të shkruaja për tregimet e ish nxënësit tim, se më duhej të merresha me veprat që duhet të futen në shtyp, me Rilken, Lermontovin e me Shekspirin” por qenkësh ndjerë i turpëruar ngaqë qe treguar i pavëmendshëm ndaj krijimtarisë së ish nxënësit të tij i cili e paska bërë të ndjehet se ndodhej para një shkrimtari me talent. Hajde, hajde, thoshja me vete, la për mua kollosët e letërsisë botërore. Ndjeva kënaqësi dhe e falenderova me gjithë zemër, por dhe i thashë vetes: “Avash mor burrë, se mos fluturon me presh nga lëvdatat.” Mirëpo Perikliu nuk e la me kaq. Më merr në telefon një ditë dhe më thotë:
– Të hënën në ora tetë do të jesh para Radio Tiranës, ku do të të pres unë, se do japësh një intervistë për rreth një orë e gjysmë për krijimtarinë tënde.
Së bashku me të, takuam poetin – redaktor Demir Gjergji, larguar dhe ai para kohe nga jeta, dhe çdo gjë vajti mirë. Perikliu që rrinte me mua në studio gjatë gjithë kohës, më shihte tërë sy e veshë dhe me emocion. Pastaj e mori fjalën dhe ai vetë, dhe tha dhe ai mendimet e veta. I shpreha mirënjohjen, por dhe u kënaqa nga dashamirësia dhe përkrahja e tij.
S`kaloi shumë dhe te dera e zyrës time në gjykatën e Durrësit, u shfaq ai së bashku me atë vajzën që takuam në Tropojë. U turbullova disi, pasi nuk arrija të kuptoja se ç`i lidhte ata, por kur shkuam në kafene më sqaruan. Kishin vendosur ta kalonin jetën si bashkëshortë. Një farë diference në moshë as që binte në sy, para gjallërisë, shkathtësisë dhe humorit të pashtershëm të Perikliut. Nuk kishin harruar që unë i kisha njohur, gjë që në sytë e tyre më jepte një status të veçantë. Më thanë se kërkonin t`i ndihmoja edhe një herë, duke u gjetur një hyrje në bregdet, pasi tani e tutje, donin të jetonin këtu.
– Dua të jem i qetë, për të mos thënë i vetmuar, për t`u marrë me krijimtari dhe sidomos me përkthime. – më tha Perikliu të cilin sido që kishin rrjedhur ngjarjet, unë e shihja si Sokratin e atyre librave, paçka se Sokrati nuk la asnjë libër të shkruar.
E vërteta qe se unë nuk kisha rregulluar punët e mia me strehimin, pasi kisha mbetur me një kotec pulash, ku jam edhe sot e kësaj dite, por i premtova se diçka do të bëja. Në këtë botë ka plot njerëz të mirë. Kështu më doli edhe “Qytetari i Nderit” të Durrësit, Abdulla Mushaqi i cili kishte aso kohe një firmë ndërtimi. Ia thashë sesi e kisha punën dhe se po kërkoja një hyrje për mësuesin tim i cili hë për hë nuk ka as paratë që të paguaj. E garantova se me këste do t`i shlyejë dhe se fjalës së tij i duhet besuar.
– A ka qenë mësuesi yt!? Kaq mjafton për të mos e vënë në dyshim. Ejani me mua.
Na hipi në makinën e tij dhe na ndaloi te pallati i porsa mbaruar në breg të detit, aty tek ura e Dajlanit. Ata e pëlqyen atë hyrje, të cilën pas ca kohe e paguan tërësisht. Madje atë ditë që likujdoi detyrimin ndaj Dullës, erdhi me të shoqen dhe këmbëngulën të më jepnin një drekë. Pranova me kushtin që lokalin ta zgjidhja unë. U bindën, ngaqë isha “durrsak” i vjetër dhe shkuam diku ku hahej peshk me çmim të lirë. Tani që Perikliu u bë banor i Durrësit takimet tona u shpeshtuan. Në çdo veprimtari që organizoja si kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, ai vinte dhe gjithmonë diskutonte. Kishe qejf ta dëgjoje kur fliste rrjedhshëm dhe me një llogjikë aq të shëndoshë. Ashtu sikurse me kurajo dinte edhe të kritikonte. Por edhe në raste të tilla, atij, krijuesit i ishin mirënjohës.
Kur kaluam me zyra pranë Portit Detar, ku dhe ishim më lirshëm dhe më të patrazuar, ai i shpeshtoi vizitat. E shihja qysh nga dritarja kur vinte me hap të shpejtë. Veshur fare thjeshtë. Aqsa asnjëherë nuk e pashë të kapardisur me kostum e kravatë. Verës, mbante veshur një palë pantallona treçerekshe, një kanotjere a këmishë të hollë, këpucë sportive ose edhe ndonjë palë pandofla dhe gjithmonë me një kapele në kokë. Ndonjëherë, kur ia paraqisja dikujt që nuk e kishte njohur nga afër, krijohej një mospërputhje e dukshme, mes tiradës time plot superlativa për vlerat e tij dhe paraqitjes së jashtme. Ulej para meje dhe më pyeste me ata sytë që i qeshnin:
– Hë, ke shkruar ndonjë gjë të re, se nuk rri ti?
Unë i zgjasja ndonjë poezi, tregim a shkrim kritik dhe i thoshja të shkojmë dhe ta lexojmë në klub, por ai duke i mbështjellë, shtonte:
– Do ta marr me vete, se nuk lexohet në klub. Nesër do vi të të them përshtypjet e mia.
E kishte zakon, të lexonte vetë, se kuptohej që ashtu përqendrohej më shumë. Unë e prisja me padurim se e dija që ai nuk gabonte kurrë në gjykimin e tij.
Kur vinte puna për të botuar ndonjë libër, më thoshte se do ta shkruante ai parathënien. Më vinte mirë, se askush nuk mund ta shkruante atë më me profesionalizëm se ai, por edhe më dukej se po i haja kohën që ai e kishte të çmuar. Pranonte vetëm një kafe dhe disa fije letër. Janë të pafundme gazetat ku ai botonte shkrimet e tij dashamirëse dhe inkurajuese, kushtuar krijimtarisë, sidomos të talenteve të reja.
Ishte lidhur me disa shtëpi botuese, por ato e paguanin shumë pak, për një punë të stërmundimshme. Me përkthimet e tij të paqortueshme, solli nga letërsia botërore kryevepra të Shekspirit, Shellit, Soreskut, Safos, Cvajgut, Kavafisit, Dan Brawnit, por ndodhte që nuk kishte as lekët për biletën e autobusit. Ama nuk qahej kurrë. Ashtu sikurse e kishte zakon të mos fliste për vete, apo për krijimtarinë e tij. E tërhiqte veçanërisht poezia e Rainer Maria Rilkes si formë e njohjes së mistereve si të jetës, ashtu dhe të vdekjes. I donte Lasgushin, Ismailin, Dritëroin, Fatosin, Xhevahirin dhe përsëriste atë shprehjen e latinëve “O Kombe, ruani njerëzit e mëdhenj, se përmes tyre do t`ju njohë bota.” Dhe si ai, si e shoqja, interesoheshin deri në lodhje dhe gjenin mundësi për të organizuar veprimtari për të kujtuar dhe nderuar figura intelektualësh të shquar atdhetarë, si këtu, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni.
Për gjithë sa bënte, nuk foli dhe nuk shkroi kush. Atij nuk i bënte fare përshtypje kjo. Edhe kur donte të më angazhonte mua, më rekomandonte dikë tjetër.
– Lexoje – më thoshte – se është shumë interesant. Dhe po munde shkruaj diçka.
E dinte që edhe unë e bëja këtë me shumë zell, por asnjëherë nuk ma hodhi fjalën që të shkruaja diçka edhe për vetë atë.
E pyeta një herë:
– Pse je dashuruar kaq shumë me Rilken?
Qeshi dhe ma ktheu:
– Po ti pse je dashuruar kaq shumë me Pushkinin dhe Eseninin? Njeriu priret nga të ngjashmit e tij.
Kishte të drejtë: ky poet që synonte të shprehte të pashprehurën dhe që me anë abstragimesh kërkonte të hynte në brendësinë e mistereve dhe enigmave, e donte vetminë. Këtë vetmi meditative, kërkonte edhe Perikliu që kishte lënë Tiranën e zhurmshme për buzën e detit.
– Ai ndryshonte nga ti – vijoi më tej – se prindërit e çuan në shkollë ushtarake, por u largua shpejt. Kurse ti e vazhdove deri në fund dhe u bëre oficer. Bëj shaka. Por dua të them se ai e donte fort natyrën dhe paqen që gjente në të, sikurse e dua dhe unë. Por i donte edhe njerëzit shumë, sikurse i dua dhe unë. Edhe unë mendoj si ai: se njerëzit janë vlera më e madhe e kësaj bote, pra edhe e poezisë. Veçimi sjell thellim brenda vetes, dhe kjo nga ana e saj të drejton te dashuria ndaj njerëzve.
Pasi shihte se ç`përshtypje kishin lënë fjalët e tij tek unë, shkonte më tej:
– Ai tregonte më shumë vëmendje për muzikalitetin dhe tingëllimin poetik, sidomos nëpërmjet simboleve. Mund të them se ishte një simbolist, gjë që u kushtëzua edhe nga koha kur jetoi. Por në ndryshim nga shumë prej tyre, si Stefan Malarmeja e Moris Meterlinku, ai i këndon jetës. Madje është shumë e njohur thënia e tij: “Të jesh në tokë është një mrekulli.” Për më tepër, ai nuk ra në kurthin e Bodlerit që shumë kohë para tij e konsideronte botën “pyll simbolesh”. Dhe mbi të gjitha, ai asnjëherë nuk e mohoi arsyen. Ndaj e parapëlqej këtë poet i cili pati kurajon që me sytë e një personazhi ta shihte Zotin si të krijuar prej njeriut, aqsa e pyet: “E ç`do të bëhet me ty, o Zot, në vdeksha unë?”
Por tragjedia me të ndodhi krejt papritur, aq sa nuk i dha kohë Perikliut të pyeste Zotin a të linte për ne dy fjalë të fundit. Në ekran lexova: Te mbikalimi i Fllakës, në orën 20.40 minuta gjendet kufoma e një burri. Nuk ia dinin emrin, por më vonë shtuan se quhej Perikli Jorgoni. Nuk po u besoja syve. Si mund të ikte kështu ai, Sokrati i përfytyrimeve të mia? Dhe si ish e mundur që gazetarët të mos e dinin se kush ishte ai burri që e kishte aksidentuar makina? Ai kollosi i heshtur e modest që me ikjen e tij nga kjo botë që aq shumë e deshi, la pas një boshllëk kaq të madh në letërsinë tonë. Seç m`u mblodh një si lëmsh në grykë, kur u kujtova se atë shtëpinë ku kishte jetuar për dhjetë vjet me radhë dhe ku ai po shkonte atë natë, ia kisha zgjedhur unë. Po të qe brenda në Durrës, thoshja, ai nuk kishte pse të zbriste atje pas kthimit nga Tirana dhe asgjë nuk do të kishte ndodhur. Por ai ishte i magjepsur pas valëve të detit dhe frymëzohej prej fëshfëritjes muzikore të tyre.
Të nesërmen, kur shkova në Teatrin Kombëtar në Tiranë, ku do t`i bëheshin homazhet profesorit tim, shkrimtari Vasil Premçi, më dha ca fletë, ku qenë nja dy poezitë e fundit të Perikliut. I lexova dhe u mrekullova kur vura re se ajo kushtuar babait të tij, të nderuarit doktor Jorgjit, që bënte fjalë për tre arixhinj që i kishin shkuar një natë me suferinë në shtëpi me djalin e sëmurë dhe ai pas ndihmës mjekësore, nuk i kishte lënë të largoheshin, ishte aq e ndjerë dhe aq e arrirë estetikisht, sa të kënaqte shpirtin. Por dukej se qe dhe kredoja e jetës së një njeriu që i deshi aq shumë njerëzit dhe me ato vargje aq të bukura, nuk kishte nevojë as të fliste me Zotin dhe as me ne këtu në tokë. Në atë poezi të shkruar po buzë detit, i kishte thënë të gjitha, ashtu sikurse ne që e njohëm ishim të bindur se e gjithë vepra dhe jeta e tij e ndershme dhe intensive, ishin poezia më e mirë që ai na la.
Duke shkruar vargjet, ku evokohet momenti që babai i djalit të vogël, deshi t`i jepte si shpërblim një byzylyk prej sermi:

U prek në zemër mjeku, i foli qartë e shtruar:
– Gjithçka, o burrë i fisëm, me ar s`duhet paguar,
Se lumi e merr botën, në shtyhet nga paraja,
Që bëhet si lubi, kur të mbërthen tahmaja.
Ti mbaje byzylykun, se ka më tepër vlerë,
Se mundi i një nate me ngricë e me erë.
Kur djali të martohet, vendosja mu në dorë
Mes luleve sorkadhes plot nur e me kurorë.
Në u kujtofsh për mua, i gjallë a në dhe tretur,
Ti ngrima një dolli, për të më përshëndetur.

Perikliu u nda prej nesh nga një aksident automobilistik, njësoj si Alber Kamyja mbi një gjysmë shekulli më parë. Unë sa herë hidhja sytë në rrugë nga dritarja e zyrës time, prisja më kot ta shoh atë duke ardhur me atë hapin e shpejtë dhe sytë e qeshur, i veshur fare thjeshtë, me një kapele në atë kokën e tij sokratike, por që çuditërisht më kujtonte dhe “Mitin e Sizifit” të Kamysë. Se fundja ai i tillë mbeti, gjersa bëri një punë të stërmundimshme për të cilën u shpërblye aq pak. Sidoqoftë, piedestali që ai i ngriti vetes, pret.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here