Shpresa BREÇANI përgenjeshtron lajmin e rremë: “Nuk kam qenë kurrë administratore e emëruar as ortake e shoqërisë “ROYAL HILL” sh.p.k”

Sh. Breçani: “Lidhur me shkrimet e rreme që kanë qarkulluar mbi bashkëortakërinë time dhe rolin tim si administrator në shoqërinë “ROYAL HILL” sh.p.k., sqaroj se unë nuk kam qenë kurrë ortake e shoqërisë “ROYAL HILL” sh.p.k., as administratore e emëruar nga pronarët e kësaj shoqërie.

 

 

Shpresa BREÇANI përgenjeshtron lajmin e rremë të botuar sot në disa media sipas të cilave ajo kishte  qenë  ortake e shoqërisë “ROYAL HILL” sh.p.k., apo administratore e emëruar nga pronarët e kësaj shoqërie. Brecani ka sqaruar se “është  emëruar në këtë shoqëri administrator  i përkohshëm i falimentimit nga gjykata, në kuadër të një proçedure falimentimi. Administratori i falimentimit i përgjigjet vetëm gjykatës dhe ka për qëllim vetem mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë së debitorit.

 

Reagimi i plotë i zonjës Breçani:

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Marr shkas  nga shkrimet e rreme që  janë publikuar në portale dhe  shtypin e shkruar, me titull “Emërohet Drejtoresha e Spitalit të Sanatoriumit. Elisaveta Treska partnere në biznes me Shpresa Breçanin

Lajme të tilla shtrembërojnë të vërtetën, keqinformojnë publikun dhe kanë qëllim kamuflimin e skandaleve të narkoqeverisë.

Në respekt të së vërtetës dhe të etikës profesionale të informimit, kërkoj nga ana Juaj që ky sqarim të publikohet në të njëjtin hapësirë informative ku keni publikuar lajmin e rremë.

Më poshtë gjeni prononcimin tim:

Lidhur me shkrimet e rreme që kanë qarkulluar mbi bashkëortakërinë time dhe rolin tim si administrator në shoqërinë “ROYAL HILL” sh.p.k., sqaroj se unë nuk kam qenë kurrë ortake e shoqërisë “ROYAL HILL” sh.p.k., as administratore e emëruar nga pronarët e kësaj shoqërie.

Unë jam emëruar në këtë shoqëri administrator  i përkohshëm i falimentimit nga gjykata, në kuadër të një proçedure falimentimi. Administratori i falimentimit i përgjigjet vetëm gjykatës dhe ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë së debitorit.

Kompetencat e administratorit të falimentimit janë të kufizuara në mbikëqyrjen e shoqërisë dhe nuk përkojnë me kompetencat e administratorit të emëruar nga ortakët, sipas ligjit “Për Shoqëritë Tregtare”.

Faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.

Me respekt,

Shpresa BREÇANI