SHQIPËRIA IME. Poezi nga Vaid Hyzoti , SHBA

KUR TË SHKOSH NË TIRANË

Ndize një cigare, kudo që do të pish kafe në Tiranë,
Më mendo për një çast sikur më ke pranë,
Ndonëse e di që kurrë duhan në jetë s’ke pirë…
Tymi do të vijëzojë portretin tim.
Mos u tremb:
Larg teje jam fytyrënxirë!

PARA SE TË ZBARDHË

Para se agimi të më hapë grilat e qerpikëve,
Ngrihem nga krevati somnambul
E dal në rrugë….
Po rruga humb e kthehet në driza,
Makinat e njerëzit një gropë thithëse i përpin,
Këmbët gjakos, se nuk kam këpucë…

Iki të mësoj vendin ku do punoj sa të zbardhë,
Pika gjaku le pas. Rënkimin e mbyt heshtja…
Shoh horizontin në shterzim,
Se dielli do të dalë,
Kthehem të mbledh gjakun,
Të gjej rrugën te vetja.

Dhe shkoj te dhoma e djalit. Ai qesh në ëndërr…
Nisem për në punë
Dhe pushon dhembja….

PEMA E KRISHTLINDJEVE

Në hollin e madh të spitalit tim “Belevue”
Paskan vënë një pemë gjigante të krishtlindjeve.
Të gëzojnë pacientët, se janë të pamundur,
Sepse të sëmurët u ngjajnë fëmijëve.
Një pemë e madhe sa një piramidë,
Me karroca, çokollata, bastunë edhe zemra…
Si t’i hap degët e të shoh me sy
Të shoh faraonin që ballsamosën brenda.
Të shoh bamirësin, që para se të vdiste
E dhuroi pasurinë për ne si pacientë.
Dhe pakot akoma nuk qenkan poshtë pemës.
Por mbase i vënë në natën e shenjtë.
Patjetër do jenë dhurata të veçanta,
Ne fëmijët e këtushëm kemi shumë teka.
Na duhen këmbë e duar, flakone gjaku,
Presim të sjellin zemra dhe veshka…
Jemi gjithë shpresa. T’i gjejnë ku të duan,
T’ua marrin perëndive, apo në morg, këtu pranë.
Sepse perënditë dhe të vdekurit
Gjithnjë e më shumë pranë nesh janë.
Dhe ne do gëzojmë në natën e shenjtë,
Do vallëzojmë rreth pemës me krevatet-karroca…
Dhe në s’gjejmë pako, do të kuptojmë
Se s’dolën shpenzimet nga faturat tona…

VARREZA NË MES

Udha për në punë kalon mespërmes varrezave të Kuincit.
Dhe njoh gjithë të ikurit që dalin në mëngjes në pllakat e varreve, si në dritare.
Dhe unë, që të vdekurit s’i shaj kurrë dhe s’dua të më shajnë,
Punoj pa hile, bëhem i vdekur. Që jam në jetë harroj fare.

Kthehem në shtëpi dhe të njohurit e mi përsëri dalin në dritare
Shlodhem dhe si i vdekur fle në qefinçarçafët e bardhë.
Se jam i sigurtë, se patjetër në gjumë dhe në ëndrra
Të gjallët me të vdekurit ngjajnë…

Dhe fillon e përditshmja: shkoj në punë e kthehem prapë,
Në mbrëmje e mëngjes, gjatë ditës dhe natës –
varreza në mes.
Dhe unë i hutuar, kurrë s’e kuptoj,
Kur rroj dhe kur vdes…

MË THONË JAM I ÇMENDUR…

Je i çmendur më thonë të gjithë, por asnjë nuk lajmëron ambulancën,
Gjithnjë më japin të drejtë. Më hapin udhë se jam i çmendur?
Për qiellin s’ankohet kurrkush: ish i pastër dhe papritur shpërtheu në breshër,
Ndërsa djali ka shkuar në shkollë dhe nuk e ka marrë ombrellën!

Je çmendur më thonë të gjithë, por unë nuk ndez sherr e shamatë,
Hapabutë shkoj në udhën time dhe në vendet ku lejohet të pi cigare…
Nuk mund t’ia shuaj në ballë,por djalin porosis me të egër,
Të mos shkoj andej ku ndihet aromë marijuane!

Nuk shajnë shoferët që shkasin me shpejtësi skëterrë,
Por mua që thërras djalin të ketë kujdes…
Mua, që vuaj kur ai s’më përgjigjet:
“Është sëmurë?”, “Është pa gjumë?”, “Ka ngrënë mëngjes?”…

Më lëviz tensioni dhe s’ia ndaj telefonin,
Ndonjëherë nga malli zërit dhe pa patur shkak.
Ai më del në linjë dhe më përgjërohet:
“Babi, të lutem më duaj…më pak!”.

UNË JAM SANTA…

Prej vitesh jam Santa për fëmijët e mi.
E mblidhja mundin në një pako,
E mbështillja me fjongo buzëqeshje,
U bekoja ëndrrën dhe dëshirat
Dhe vetë fshihesha pas një perdeje…
Isha Santa, por tani s’jam më.
Tre vite pa punë më hoqën të drejtën…
Sonte më tremb vibrim i dritave në pemën e krishtlindjeve.
Thua erdhi policia…
Mos thirrën urgjencën?…

Sytë mbyll dhe humb brënda vetes.
Me dëshirën që Santa të bëhem përsëri…
Oh , hapësirë e boshtë poshtë pemës
Më gëlltit, më zhvlerëson…
Ah, kjo dhimbje prindi!

Dhe vesh kostumin e Santave të shumta që takoj në Neë York.
Kostum i gatshëm dhe me të miat përmasa:
Oqeani i mërzisë-një paruke perfekte-
M’i ka ngjyer flokët me të bardha.
Dhe skenat që pashë me buzëqeshje shprese,
Tek kërkoja punë nën shurdhërinë e të pasurve.
I grisa, më duhej me ngjyrë të kuqe ajo beze,
Të bëj xhaketë, pantallona e mbathje.
Dhe zilen e alarmit që kam në çdo ind
Që mund të shurdhojnë mbi 100 kisha
E tundja, e shkundja të lypja mëshirë…
Si të gjithë Santat- një lypës isha…

Por erdhi policia e më vuri në pranga:
Je lypës pa licensë
Dhe nuk paguan taksa!
U sulën mbi mua, si hijenat mbi prenë.
Shkruan gazetat: Nën arrest një mashtrues…
Edhe mysliman dhe Santa i rremë!

Të më plasnin në qeli tani prisja,
Por erdhën fëmijët e më zgjuan me të puthura!
Çudi, është Nata e Krishtlindjeve
Dhe nuk mundem të shoh ëndërra të bukura!

PASHË NJË FEMIJË…

Në cep të varrezave pashë një fëmijë,
Me lotët rubinë në dritën e hënës,
Rrëmihte një varr me gishtat e njomë
Dhe merrte fuqi
Nga malli i nënës.
O, nënë, jam këtu!- dhe mbytej në gulçe
Dhe dhèun shkriftëronte varrin të hapte,
U tut për një çast, ndërsa iu afrova,
O, nënë!
Dhe vazhdoi të qante.

E mora në krah, e përkëdhela,
I thashë se nëna kishte shkuar në qiell,
Dhe doçkat ia lava tek çezma,
Se çezme, të paktën, ka çdo varrezë.
I thashë se nëna tashmë i ngjan yllit,
Se nëna vetë atë do ta gjejë.

O zot, e gënjeva, por s’e bindja ndryshe,
Të çoja në shtëpi,
T’i fshija lotët syve!
Shumë net të tjera e shihja në oborr:
Kërkonte nënën
Ta gjente mes yjeve.

Dhe vraponte, pa ditur ku shkelte,
Kur një yll këputej nga lart…
Dhe zëri i njomë e therte qiellin.
O nënë, nënë,
S’më sheh ku jam?

…oh,nëna ime, thirra dhe unë i tronditur,
Ende pa u çliruar nga pesha e ëndrrës.
Se jam kaq larg për vite e vite
Jam fëmija i përmallur
Për varrin e nënës!

LUMI

Një lumë ka lenë shtratin bosh në vendlindje,
as gjeologët dhe sizmologët nuk e dinë pse…
Një lumë që çan malet, gërryen femijërinë time.
Vetëm emrin ka lenë atje.

Pata lëshuar britmën e mallit
dhe maleve ku rrjedh iu krijuan të çara.
Pemet pa mua në buzë të lumit,
janë pa gjethe, krejt të thara.

Një lumë që unë e thirra të lëvizte në vena e kapilare,
ka gjetur poshtë deteve dhe oqeanit një udhë të fshehtë,
të më bëhet kompresë, kur digjem në ethe,
të më lëvizë në deje, të më mbajë në jetë.

SHTËPIA IME

Mbeti atje larg shtëpia ime
E frymuar prej qeraxhinjve.
Ika.
Më përzuri kontinenti vjetër
(Më përzuri a më përcolli?)
Ndjek ëndrrat e fëmijëve
Unë-i çmenduri pas tyre.
U ktheva në qeramarrës
Të ruaja dritën e syve.
Dhe nuk e di sa do të rri kaq larg,
S’e di kur do të kthehem prapë.
Ndihmë-nga ju fëmijët e mi
Dua të shoh: hidhni vetë një hap.
Se deri atëherë
Do të rri me ta
Dhe sikur të marr
Varr me qera!

GRIP NË KORÇË

Krevati – tapë mes dallgëve të egra,
Të zverdhura muret, perdet të verdha…
Gjithçka në këtë dhomë hoteli
Merr ngjyrën time –
Limon nga tejpjekja…
I dehur nga ethet dal të pi një çaj,
Dhe këmbët më çojnë në shëtitore …
Ish mbrëmje. Kishin çelur blirët.
Aromën – parfum
Ua falnin dashnorëve.
Mua më ngjante se ish paradë mode,
Shpërthenin gjokset e vajzave nga dekoltetë…
Doja një çaj bliri në një gjoks të ngrohtë,
Sepse limon i shtrydhur
Isha vetë…
Dhe një pemë i zgjati lulet e veta,
Në një gjoks vajze u ngoh një çaj bliri…
Kanë kaluar vite. Por Korça më vjen,
Kudo që të jem…
sa herë më zë gripi.

MURANA

Kemi vendosur të ngremë një muranë të fortë
Të fshehim me kujdes kujtimet e shtrenjta.
Të tillë besojmë se ka çdo njeri në botë.
Një dhomë-kasafortë
E ka dhe zemra.
Kemi vite që mbledhim, palosim gurë harrimi
Ndanë udhës ku ecin shumë njerëz.
Të shuhen kujtimet nën peshën e ditëve,
Si të vdekurit në aksidente
Nga shpejtësi e tmerrshme.
Na ndihin fëmijët, që tani janë rritur,
Tërë mund e pa pra’ dhe gruaja ime.
Dhe burri yt…o të gjithë bashkë
Këmbëngulin të ngremë
Murane për kujtime.
Dhe zgjedhin të bien gurë të fortë llogjike,
Të latuar kujdesshëm me daltë morali.
Po plakemi, po piqemi apo hutohemi,
Lëndë lidhëse për gurët
Le të shërbejë malli.
Po s’di si po ndodh (ne s’jemi të famshëm),
S’e di pse gjithçka po shkon si legjenda:
Ka vite që ditëve vazhdon ndërtimi
Dhe natën (pse natën?)
Gjithnjë ndodh shembja!
Jemi të pafajshëm, po shkon mundi dëm,
Murana fundoset dhe ne po na mbyt…
I vumë themelitë në truall të butë:
Tek shpirti im,
Tek shpirti yt!

KISHA NJË VAJZË….

Kam patur një vajzë që pinte cigare
Dhe çdo ditë më ftonte ta pinim bashkë…
S’ishte nikotinë çfarë mbanim brënda,
Se tymin e mërzisë e nxirrnim jashtë…
Kam patur një vajzë, cigare qe për mua
Më digjej buzëve. Kthehej në zjarr…
Kam patur një vajzë…mbase cigaren ka lënë,
Tani ndjej nikotinën e cigareve të saj!

S’E KE LEXUAR?

S’e ke lexuar çfarë kam shkruar natën për ty?
Se gjumi të paska marrë herët!
Nuk të është ulur asnjë ëndërr në sy,
Pa marrë frymë duhet të kesh fjetur!
Se unë me ajër e kam shkruar,
Ajër që më pas u kthye në vesë…
S’e paske lexuar çfarë shkrova për ty?
Ndonëse u zgjove sylagur, sylarë në mëngjes?
BIE SHI…
S’di të përgjigjem kur më pyet shkarazi “si je”,
Ndërkohë harron apo s’e do përgjigjen…
Këtu bie shi me rrëke,
Po mua s’më shuan-
I tëri po digjem!
Pyet dhe humb, asnjë satelit s’të gjen,
Unë askujt s’mund t’i qahem,
Asnjë mjek s’më pranon!
Trokas në spitalin e të ҫmendurve
Çuditërisht më thonë, s’ka vend në pavion.
Dhe lagem nga shiu, deri sa dielli të dalë
Të thahem dhe re të behem atje lart!
Që i plotfuqishmi të më gjejë diagnozën:
Në duhem për ty,
Në tokë më hedh prapë!

FALMI SYTË

Kaq ditë që farfuron, me marramendje, me mbështjelle,
Krahët shkund,
Mbledh në grusht një pluhur të florinjte,
Të m’i marrësh, të m’i qorrosh me ar sytë…

S’të dua flutur…

Kthehu mbretëreshë merimange,
Bëhu tarantula,
End rrjetën dhe më shtërngo te gjinjtë,
Dua sy të shoh tek më mëkon helmin te buza,
Pastaj më mbyt!

SHQIPËRIA IME

S’e di a nuk më deshe ti.
S’e di a nuk të desha unë…
Por çdo burim që rrjedh nga ty,
Më turbullon, më le pa gjumë.
Se jemi larg për vite e vite,
Por pridërit peng m’i mban atje.
Bari në varrin e babait rritet,
Nënën dhe vdekja nuk e nxë.
Çati e shtëpisë plasaritur,
Vuan te ruaj çdo shenjë kujtimi.
Tani dhe qiellin e kam ndërruar,
Jam kthyer krejt në zog hutini.
E prapë fytyrën e kam shkëmbore,
Siç më je ti, Shqipëria ime…
Gjithnjë për ty lart e ngremë zërin,
Ndonëse të mbytur në kukamë dhimbjeje.