SHQIPERIME POETIKE nga Sinan Kërpaçi

Walt Whitman

O KAPITEN, KAPITENI IM!

O Kapiten, Kapiteni im, udhëtimi i mundimshëm u krye,
Anija triumfoi përmbi valë, çfarë deshëm u shpërblye.
Portin e shikoj, kambanat i dëgjoj, gjithë populli feston,
Me sy e ndjek kiçin, anijen guximtare.
O zemër, zemër, zemër
Gjak më pikon, s`je hekur
Kur në kuvertë Kapiteni shtrihet
Pa jetë, pa puls, i vdekur!

Pa ngrihu Kapiten, pa ngrihu, kambanat i dëgjo,
Brof nga vendi, flamuri po valëvitet, trumbeta për ty bie,
Për ty buqetat dhe kurorat, për ty dhe bregu plot,
Për ty thërrasin, të ndjekin me vështrim.
O Kapiten, o Prijësi im, o At,
Me krahun jastëk të kam prekur,
Ëndërr më duket që në kuvertë
Ti je i ftohtë, i vdekur.

O Ati im, pse s`më përgjigjesh, pse goja nuk të flet,
O Prijësi im, krahun s`ma ndjen, s`ke puls dhe as vullnet!?
Anija hedh spirancën, misioni i lartë u krye,
Nga udhëtimi i mundimshëm anija Kapiten, sa madhërishëm
Afrohet me fitore.
Gjëmoni , o brigje, ju kambana bini,
Unë numëroj hapat në kuvertë
Plot dhimbje ku Ai rri shtrirë
I ftohtë dhe pa jetë!

( Poezia është shkruar në nderim të presidentit amerikan A. Lincoln.)

Rabindranath Tagore

KËNGA IME

Kënga ime do t`ju mbështjellë me muzikë biri im
si krahët miklues të dashurisë.
Kënga ime do ledhatojë ballin tuaj
si një puthje plot mirësi.
Kur të jesh vetëm ajo do t`ju ulet pranë
dhe do t`ju fëshfërijë në vesh me të tjera ,
ajo përsëri do t`ju sillet rrotull.
Kënga ime do të jetë si dy krahë fluturues
për ëndrrat e tua, ajo do të mbartë zemrën tuaj
deri në skajin e panjohur.
Kënga ime do të jetë si ylli i ndritshëm mbi krye
kur nata t`ju fshehë rrugën.
Kënga ime do ulet në bebet e syve tuaj
dhe do t`ju mundësojë vështrimin
deri në zemër të gurit.
Edhe kur zëri të më jetë shuar fare kënga ime
do mbajë gjallë pulsin e zemrës suaj.

Derek Walcott

DASHURI PAS DASHURIE

Do të vijë dita
kur, me hare
veten do mirëserdhësh
te pragu yt, te pasqyra juaj:
do qeshni të dy me këtë mirëseardhje,

do t`i thoni shoshoqit: ulu këtu. Ha.
Do të dashuroni përsëri të huajin që ishit vetë ju.
Jepini verë. Jepini bukë dhe ujë. Kthejani zemrën
vetes, kthejani të huajit që ju ka dashur

gjithë jetën dhe ju e shpërfillët
për një tjetër që të njeh si gishtat e dorës.
Uli letrat e dashurisë nga rafti,

fotografitë, të shkruarat pa shpresë,
fshije imazhin tënd nga pasqyra.
Ulu. Kënaqe jetën që s`e ke të botës.

W. B. Yeats

KUR TË JESH E MOSHUAR

E moshuar kur të jesh, e thinjur dhe me gjumin zvarrë,
Kur të falesh pranë zjarrit këtë libër ngadalë e shfleto,
Dhe pa ndaluar, me vështrimin e ëmbël pas i shko,
Me vështrimin që sytë e tu e rrezatuan kohë më parë.

Shumë u dashuruan me çastet që afruan ato hire,
Ta lakmuan bukurinë me dashuri kallpe a reale pa cak,
Por njërit i ngjiti pa mëdyshje shpirti yt endacak
Dhe përjetoi me dhimbje ndryshimin në ato trajta fytyre.

E kërrusur pranë drurëve pirg që digjen në flakë
Pëshpërit pak e trishtuar që dashuria fluturoi si hije,
U çapit, mori lart, lart majëmaleve mbi krye
Derisa fytyrën e fshehu në bashkësi yjesh aq larg.

Robert Burns

DASHURIA IME

Trëndafilja ime veshur me të kuqe
Shpërthen në petale Prill e Maj;
Një melodi unë po ta qëndis
Të bëjë bota be: për kok` të saj.

Sa je e bukur Ti, o Bukuri
Në dashuri që mbetet
Kaq do ndjehem unë kur t`ju pi
Si të kem pirë detet.

Derisa detet të thahen, e dashur
Dhe shkëmbinjtë të shkrijnë në diell
Unë do t`ju dua, o e shtrenjtë,
Lart do t`ju ngre, në qiell.

Dhe lamtumirë ty, e vetmja ime!
Dhe lamtumirë vetëm për pak!
Me ty jam unë gjithnjë, e dashur
Dhe afër, edhe larg.

Billy Collins

TË VDEKURIT

Thonë se të vdekurit na shikojnë nga parajsa.
Ndërsa ne veshim këpucët e përgatisim një sanduiç
ata na vështrojnë nga varkat trasparente të parajsës
teksa vozisin me ngadalë në përjetësi.

Vështrojnë kryet tona si lëvizin në planetin Tokë,
dhe kur shtrihemi në një livadh apo divan
të dehur pak nga rrëmuja e mbasdites së gjatë
u duket sikur i ndjekim me një vështrim
që i bën të ndalojnë lopatat, të bien në heshtje,
të presin si prindër sa të na zërë gjumi.

Jack Prelutsky

GËZOHU QË HUNDËN E KE NË FYTYRË

Gëzohu që hundën ti e ke në fytyrë
dhe jo të ngjitur atje ku s`rri mirë,
se po të ishte në vendin ku s`ka punë
me hundën do mërziteshe shumë.

Sikur mos ta kishe hundën ku e ke,
sanduiç midis gishtave të këmbës të qe
kënaqësi s`do të ishte ndonjëherë
që këmbëve 24 orë t`u merrje erë.

Kjo hunda jetën si do t`ua nxinte
sikur në majë të kokës këmbëkryq të rrinte,
kënaqësia do të ishte krejt e huaj
kur qimet të gudulisnin hundën tuaj.

Sikur brenda veshit hunda të qe
eja merre vesh cdo të bëhej atje,
në çastin që teshtima do dilte e thellë
ai veshi juaj do ushtonte si shpellë.

Por hunda rri ku është elegante vërtet,
rri e nuk luan nga vendi i vet,
në tjetër vend ajo nuk rri mirë:
gëzohu , o fatlum që e ke në fytyrë!

Angela Goodwin

USHTAR

Ka disiplinë brenda ushtarit, është te hapi kur e troket,
Ka ndershmëri brenda ushtarit, mund ta dëgjosh kur flet,
Ka guxim brenda ushtarit, te sytë mirë ia dallon,
Ka besnikëri brenda ushtarit që ai nuk e tadhton,
Ka diçka brenda ushtarit, e mban si të veçuar,
Ka një forcë brenda ushtarit nga zemra farkëtuar,
Ushtari nuk është një titull që çdokush mund ta paguaj,
Ushtari është shpirti njerëzor në thellësinë tuaj,
S`mbaron puna e tij në 8 orë, 40, apo më shumë,
Ushtari është përherë ushtar, madje edhe në gjumë,
Ushtari i shërben sëpari atdheut, jetën e sposton mbrapa,
E çka në mendje një civil ai e ndjek me hapa.
Po je një civil pa ta thënë këtë nuk do të rri:
Sa ta takosh ushtarin ia thuaj se ç`bën ai për ty,
Ushtari është arsyeja që themi “Tokë e Lirë”.
Ushtari është ai që ne na mbron kaq mirë.
Nëse jeni një ushtar këtë po ju them ju:
Faleminderit Zot për çdo ushtar dhe gjithçka bën këtu!

Robert Frost

NJË ZOG I VOGËL

Sa kam dashur për një zog të fluturonte larg,
Mos të ngjirej te streha ime nga mëngjesi në darkë;

Te pragu kam përplasur duart për ta trembur atë
Kur m`u duk që s`mund ta duroja dot më.

Gabimi i madh tek unë ka qenë, e them pa frikë.
Ai zog s`qe fajtor pse krijonte muzikë.

Dhe natyrisht që ne gabojmë shumë rëndë
Kur këmbëngulim pa lidhje për të heshtur një këngë.

Shqipëroi Sinan Kërpaçi

Tupac Shakur

TRËNDAFILI QË ÇAU BETONIN

A keni dëgjuar për një trëndafil
nga një e çarë betoni si u lind?
Ligjit të natyrës fare nuk iu bind,
pa patur këmbë nisi të shëtit.

E pabesueshme vërtet si e bëri realitet,
ajër të pastër si nisi të marrë.
Rroftë trëndafili që çau betonin
dhe ne, indiferentët kaluam pa e parë.

David Ignatow

PËR BIJËN TIME

Kur të vdes zgjidhe një yll
dhe vuri emrin tim:
ta dish
që s`të kam harruar.
Yll ishe për mua,
të ndoqa nëpër kohë
duke u rritur
pa ta lëshuar dorën.

Kur të vdes
zgjidhe një yll,
quaje me emrin tim
të ndriçojë ku je ti,
derisa të jemi bashkë
atje lart.

Langston Hughes

AS I BARDHË, AS I ZI

Babai im ishte i bardhë,
Nëna e zezë sa më nuk ka.
Të bardhin ndonjëherë në e mallkova
I them : më fal baba!
Në kam mallkuar zezaken mëmë,
Në ferr sa s`e kam çuar atë,
Turpërohem nga dëshira e çmendur
Dhe lutem tani për tjetër gjë.
Në një vilë vdiq babai im,
Nëna – në kasollen varfëri.
Unë hibridi nuk di ku të vdesë
Pa qenë as i bardhë dhe as i zi.

Anne Sexton

U BËNË SIÇ ISHIN

Bashkëshort,
mbrëmë në ëndërr pashë
sikur t`i prenë këmbë e duar.
Bashkëshort,
më pëshpërite: tani
jemi të dy të gjymtuar.

Bashkëshort,
i mblodha të katërta,
si fëmijtë i mbajta në krahë.
Bashkëshort,
kërkova ujin magjik
dhe nisa t`i laja ata.

Bashkëshort,
t`i çova prapë atje,
siç ishin të paprerë:
“Një mrekulli”,
the ti dhe u gëzuam
si kurrë ndonjëherë.

H.W.LONGFELLOW

SHIGJETA DHE KËNGA

E nisa një shigjetë kuturu,
Në tokë ra, s`e mora vesh se ku;
Kaq i shpejtë ishte fluturimi
Sa nuk e ndoqi dot vështrimi.

Një këngë e nisa njëherë
U hap si rrufe në erë;
Po kush e kish atë vështrim
Të ndiqte këngën në fluturim?

Te një lis që vite kishte
E pashë shigjetën siç ishte,
Dhe kënga që thashë se iku
Qe në zemrën e një miku.

Seamus Heaney

SKELA

Kur muratorët nisin një ngrehinë ta ndërtojnë
Bëjnë kujdes që skelën ta sigurojnë;

Janë të bindur se dërrasat nuk do të lëvizin
Në pikat e tyre të bashkimit.

Gjithçka shembet përtokë kur puna mbaron
Duke u shfaqur muri i sigurt, siç qëndron.

Kështu mund të ndodhë, mos t`u duket çudi,
Të shemben urat e vjetra që ngritëm ne të dy.

Fare për këtë mos të të bëhet vonë
E sigurt që ne e ndërtuam murin tonë.

William E. Stafford

GJËRA QË I THEM NË KALIM
Në peizazh pëlqej vendin e sheshtë.
Në jetë këtë nuk e dua të ndodhë shpesh.
Në personalitete pëlqej njerëzit e matur.
Në ngjyra preferoj grinë dhe kafen.
Gruaja ime, një vajzë me kokën nga malet
thotë: “ Atëherë pse më zgjodhe mua?”
Pa e tepruar, bujarisht ul sytë ngjyrë kafe –
shumë gjëra njerëzit e adhurueshëm nuk i kuptojnë.
Shqipëroi Sinan Kërpaçi

Leopold Staff

THEMELET

Ndërtova në rërë
Dhe ndërtimi u shemb,
Ndërtova në shkëmb
E prapë po ashtu.
Tani, kur të ndërtoj, do filloj
Nga oxhaku me tymin.

Mark Strand

MBETJET

E zbraz veten nga emrat e të tjerëve. I zbraz xhepat.
I heq këpucët dhe i lë ndanë udhës.
Natën i kthej orët pas;
Hap albumin e familjes dhe shoh veten djalë.

Ç`të mirë ka kjo? Orët e kanë bërë punën.
Unë flas emrin tim. Unë them lamtumirë.
Fjalët ndjekin njëra-tjetrën në rrugën e erës.
E dua gruan time, por e largoj atë.

Prindërit ngrihen nga fronet e veta
në dhomat ngjyrë qumështi të parajsës.
Si mund të këndoj?
Koha më thotë kush jam. Ndryshoj, por prapë jam po ai.
E boshatis veten nga jeta ime dhe jeta më mbetet.

Joyce Kilmer

PEMËT

Mendoj që kurrë s`do shikoj një poemë
Të ngjajë e bukur si një pemë.

Rrënja e uritur e zgjidh hallin e kokës
Kur zgjatet dhe pi gjirin e tokës;

Një pemë që vështron nga Zoti gjithë ditën
Të lutet me krahët gjethorë ka meritën;

Një pemë që verës e ndërton si me dorë
Një fole gushkuqësh brenda në kurorë;

Në kurorën pemore dëborën e pret;
Kush jeton me shiun në kaq intimitet!

Të çmendurit si unë e shkruajnë një poemë,
Por vetëm Zoti mund të krijojë një pemë.

Joe Wenderoth

JETA IME

Sidoqoftë ajo u gjend në dhomën time.
E gjeta atje, ishte si e zënë në grackë.
S`ishte asgjë më shumë se një kafshë e trembur.
Që nga ai çast e ngrita lart.
E ruajta për vete, e mbajta në dhomën time,
u kujdesa për të mirën e saj.
E quajta kafshën “Jeta Ime”.
I sigurova ushqim dhe i dhashë të hajë me këto duar.
E lashë në shtratin tim të frymonte në gjumin tim.
Dhe kafsha, brenda dashurisë time, kujdesit të pandryshuar
u rrit e fuqishme dhe e aftë për gracka dinake.
Një ditë, s`ka shumë kohë,
po shëtisja dorën në kurrizin e kafshës
dhe arrita në bindjen
se ajo fare lehtësisht mund të më vriste mua.
Po ajo prandaj jeton, prandaj edhe e ngrita lart.
Që nga ai çast nuk kam ditur ç`të bëj me të.
Ndalova së ushqyeri atë
vetëm për të kuptuar që rritja e saj
nuk ka të bëjë fare me të ngrënit.
Nuk e pastrova më
dhe pashë që ajo pastron veten.
E pushova këngën për ta vënë në gjumë
dhe pashë që e zë gjumi më shpejt pa këngën time.
Nuk di ç`të bëj.
Nuk vazhdoj t`i krijoj mundësi “Jetës Sime” për gracka.
E lashë kafshën vetëm
dhe tani ajo më lë vetëm mua gjithashtu.
Nuk kam asgjë për të thënë, asgjë për të bërë.
Midis “Jetës Sime” dhe mua
një heshtje po vjen.
E bashkë nuk jemi në këtë heshtje.

Carl Sandburg

BAR

I pirgoni kufomat në Austerlitz dhe Waterloo:
Futini thellë dhe më lini të punoj –
Jam bari, mbuloj gjithcka.
Ngrihen mal kufomat në Gettysburg
Ngrihen mal në Ypres dhe Verdun.
Futini thellë dhe më lini të punoj.
Dy vjet, dhjetë vjet dhe udhëtarët
fare indiferent pyesin biletashitësin:
Ç`është ky vend i panjohur?
Ku jemi tani?
Jam bari, mbuloj gjithcka.
Lërmëni të bëj punën.
Shënim: Austerlitz, Waterloo, Gettysburg, Ypres,
Verdun jane vende betejash te mëdha që kanë
lënë mbrapa male me të vrarë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here