Shtëpia Botuese Nacional, Tiranë, boton librin poetik të autores Ornella Mamone Capria
“NDËRMJET TOKAVE DHE HORIZONTEVE”, NJË THIRRJE QË BURON NGA THELLËSITË E SHPIRTIT
NGA ANILA DAHRIU
DY FJALE PËR POEZINË E ORNELLA MAMONE CAPRIA
Të përktheje vargjet e Ornella-s nuk ka qenë një detyrë e lehtë, sepse poetesha përdor një fjalor të pasur, të thellë dhe shpeshherë hermetik. Shkrimi i saj eksploron shqetësimet dhe brengat më intime lidhur me botën dhe jetën reale, duke u zhytur në kompleksitetet e ekzistencës njerëzore. Çdo fjalë duket të jetë zgjedhur me kujdes, sikur të donte të kapte një copë të së vërtetës universale që flet drejtpërdrejt në zemrën e lexuesit.
Për të mundësuar një kuptim më të thjeshtë dhe më të qartë të poezisë së saj për publikun shqiptar, kam vendosur ta ndaj këtë libër poezie në katër pjesë. Kjo ndarje ka për qëllim të ndihmojë në lehtësimin e leximit, duke mundësuar që lexuesit të zhytet më lehtë në botën e Ornella-s, pa humbur thellësinë e mendimeve të saj. Çdo seksion paraqet një aspekt të ndryshëm të reflektimit të saj mbi jetën, ekzistencën dhe kushtet njerëzore.
Ornella ka një aftësi të jashtëzakonshme për të hyrë në thelbin e realitetit, për të depërtuar në skajet e tij më të fshehta dhe më të komplikuara. Ajo arrin të bëjë lexuesin të ndërgjegjësohet për sa e vështirë dhe kapricioze është rruga që ajo ndjek. Rruga e saj nuk është kurrë e lehtë, por është një udhëtim i vetëdijes, i kërkimit dhe i luftës së brendshme.
Ne jetojmë në një periudhë të shënuar nga ndryshime dhe transformime të vazhdueshme, si në nivelin shoqëror ashtu edhe në atë individual. Çdo ditë, njeriu përjeton transformime që e çojnë atë të ndryshojë, si në trup ashtu edhe në mendje. Këto transformime shpesh janë të imponuara nga shoqëria, nga pushteti që qeveris botën, dhe ne nuk mundemi t’i shmangim ato. Megjithatë, Ornella na fton të reflektojmë mbi kuptimin e këtyre transformimeve, për të parë me më shumë vëmendje pasojat që veprimet tona mund të kenë mbi të tashmen dhe të ardhmen.
“Kënga e tokës” është një thirrje që buron nga thellësitë e shpirtit, nga vuajtja e tokës dhe e banorëve të saj, të cilët qajnë dhe kërkojnë nga njeriu të hedhë hapa të vetëdijshëm. Kjo thirrje është një apel për ndërgjegjësimin kolektiv, një thirrje për të mos shkatërruar botën që na mbështet dhe për të mos e komprometuar të ardhmen e brezave që do të vijnë.
Nuk dua të zgjatem shumë në supozime dhe analiza të hollësishme, sepse dy shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë italiane, në recensionet e tyre, e kanë shprehur qartë mendimin e tyre për shkrimin e Ornella-s. Fjalët e tyre janë një njohje e qartë e vlerës së poezisë së saj dhe thellësisë së mendimit të saj.
Dua vetëm të përfundoj duke i dëshiruar autores një rrugë të ndritshme dhe të qetë në të ardhmen, që ta çojë atë të ofrojë botës vargje të paharrueshme, që do të vazhdojnë të bëjnë të reflektojnë dhe të prekin emocionet e të gjithëve që do të kenë privilegjin t’i lexojnë fjalët e saj. Qoftë pena e saj që të vazhdojë të gdhend shtigje të reja bukurie, të vërtetës dhe vetëdijes.
ANILA DAHRIU
Biografia
Ornella Mamone Capria, edhe pse e njeh poetikën e saj si një “pikë e vogël” në panoramën e gjerë letrare bashkëkohore, vazhdon të eksplorojë brendësinë njerëzore, gjithmonë në kërkim të emocioneve, mendimeve dhe reflektimeve sociale e filozofike, duke krijuar herë pas here instalacione poetike me materiale të ricikluara. Formimi i saj shkencor ndërthuret me pasionin për poezinë, i pasuruar nga mësimet e letrarëve të shquar, të ndryshëm për qasje dhe stil, si Giovanni Sapia, Daniele Giancane, Valerio Massaroni, Marco Giovenale, Ombretta Minnicelli, Eugenio Nastasi dhe shumë të tjerë.
Ajo është pjesë e Poetry Sound Library, harta botërore poetike zanore e krijuar nga Giovanna Iorio, si dhe e faqes Wikipoesia. Shkrimet e saj të përzgjedhura janë të pranishme në blogun e Carlo Sperdutit “Muliperso” dhe në blogjet Samideano dhe La Recherche.
Në vitin 2024, u bë bashkë-redaktore e revistës poetike “La Vallisa” dhe, që nga 2020, me një ndërprerje dyvjeçare për arsye familjare të rënda, është anëtare e Universitetit të Poezisë “Jean Ramon Jimenez”, drejtuar nga mjeshtri Daniele Giancane.
Ajo është aktive si anëtare jurie në konkurse letrare dhe si relatore në aktivitete kulturore.
Poetika e saj është recensuar nga letrarë të shquar kalabrezë si Giovanni Sapia, Gennaro Mercogliano, Eugenio Nastasi, Angela Costanzo, botuesi Aletti dhe Pino Veltri.
Ajo është e pranishme në shumë antologji, përfshirë ato të teatrit dhe shkrimit bashkëkohor.
Prurjet letrare:
2019: Çmimi i parë në Konkursin Ndërkombëtar të Letërsisë “Corona” për poezinë “Sa energji të lirë”.
2015: Vendi i parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë “Një libër mik për dimrin” për përmbledhjen poetike “Do të fitoni gjithmonë”, botuar nga Aletti.
2013: Vendi i parë (ex aequo) në Konkursin e Poezisë Satirike “Çmimi Pastocchi”, Potenza Picena (MC).
2018: Vendi i dytë në Konkursin Kombëtar të Poezisë Online “Të humbësh në dashuri”, botuar nga Atlantide.
2010 dhe 2013: Vendi i tretë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë të Kalabrisë dhe Bazilikatës.
2010: Çmime me çokollatë dhe përfshirje në librin “Fjalë për çokollatën”, botuar nga Minerva Etrusca, për Konkursin Kombëtar të Poezisë “Zip Poetry SMS AL Çokollata”.
2009: Çmimi i veçantë Casa Bertalero – Italian Festival International Literary, Alessandria.
Arritjet në instalacionet poetike:
2019: Vendi i tretë në Bienalen e Artit Bashkëkohor për instalacionin eko-poetik “Lojë vdekjeprurëse”.
2017: Fituesja absolute e çmimit “Arte Urbana” në Festivalin Culture Creative d’Impresa a Km 0 për instalacionin poetik “Memoria e gëzimit”.
2017: Çmimi i kritikës në Bienalen e Artit Bashkëkohor për instalacionin poetik “Një dorë për pafundësinë” (me përkthim në shqip).
Përgatiti dhe shqiperoi Anila Dahriu


















