Nuk ka informacion nëse i ka ardhur ftesë qeverisë së Tiranës për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare në bashkinë Pantelej të qytetit të Nishit në Serbi, kur në datën 9 gusht do t’i jepet titulli më i lartë “Qytetar Nderi” gjenaralit serb Vladimir Lazareviç, akorduar në 5 gusht nga Këshilli i qytetit të Nishit, i cili drejtohet nga Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Opinioni i përgjithshëm është se qeveria e Shqipërisë, si promotore rajonale e harrimit të së kaluarës së përgjakëshme ish-jugosllave, duhet të jetë e pranishme, meqë kjo ceremoni tregon se Serbia po e harron të kaluarën e saj. Madje jo vetëm po e harron, por edhe po e nderon atë, që ta harrojë sa më shpejt.
Gjenerali serb Vladimir Lazareviç është dënuar 15 vjet si kriminel ndërkombëtar lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi për deportimin me dhunë dhe trajtimin çnjerëzor të popullit shqiptar në Kosovë, kur ai ishte komandant i korpusit të ushtrisë Jugosllave në Prishtinë në vitet 1998-1999.
Sapo u lirua nga burgu i Hagës, qeveria serbe e priti gjeneralin kriminel lufte me ceremoni, ku merrte pjesë edhe ministri i sotëm i brendshëm Aleksandër Vulin, dhe qeveria e presidentit Vuçiç e emëroi gjeneralin Lazareviç lektor në Akademinë Ushtarake dhe në maj të vitit 2019 u caktua nga qeveria serbe të udhëhiqte paradën ushtarake me rastin e 9 majit në qytetin e Nishit.
Aktivistja e famshme serbe e të drejtave të njeriut Natasha Kandiç thotë lidhur me këtë: “Ky nuk është as revizionizëm historik. Është paraqitja e krimit si një akt i rekomandueshëm”.
Në fakt është normal nderimi zyrtar, që i bën qeveria dhe shteti serb kriminelëve ndërkombëtarë të luftës, sepse është e njejta qeveria që ka qenë edhe në kohën kur ata bënë krimet, për të cilat u dënuan në Hagë. Vetë presidenti Vuçiç ka qenë ministër i qeverisë kriminele të Millosheviçit, zëvendëskryeministrja e sotme e qeverisë serbe Maja Gojkoviç ka qenë zëvendëskryeministre e qeverisë kriminele të Millosheviçit, kryetari i sotëm i parlamentit Ivica Daçiç ka qenë ministër i qeverisë kriminele të Millosheviçit.
Pra njoftojeni qeverinë e Tiranës se Serbia dhe presidenti i saj i paqes dhe me vizion ballkanik Vuçiç, që po dhuron parajsën e “Ballkanit të hapur” edhe për popujt që ka vrarë Serbia, po e harron të kaluarën e hidhur. Po e harron aq shumë, sa që edhe po i rrit nderimet, gradat dhe ofiqet për gjeneralët, që drejtuan atë të kaluar, me qëllim që të harrohet edhe më shpejt.
Këto përparime të qeverisë së Serbisë i japin qeverisë së Shqipërisë të drejtën që ta ngrejë edhe më shumë zërin kur i hakërrohet Kosovës që ta harrojë të kaluarën, që ia shkaktoi Serbia. Sepse përshembull në mars 2021 gjenerali i sapodekoruar Lazareviç, që udhëhoqi spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1999, deklaroi në Televizionin serb se dëbimi i shqiptarëve atëhere nga Kosova nuk ka ndodhur, por ka qenë “një inskenim”. Kështu le ta marrë edhe Kosova sikur nuk ka ndodhur dhe ta harrojë të kaluarën për hir të parajsës “Ballkan i hapur”, që po na e zbret në tokën tonë filantropi Vuçiç.
Nuk ka gjë se diku në Gjermani këto ditë po gjykohet në gjyq dhe po dënohet një plak 100 vjeçar, i cili para 77 viteve paska qenë roje në një kamp përqendrimi nazist. Europa e ka gabim që kujton të kaluarën. Shqiptarët sipas qeverisë sonë nuk duhet të ndjekin Europën. Ne duhet të ndjekim Serbinë, e cila po e harron me vepra të kaluarën