Silke Liria BLUMBACH (GJERMANI) VARREZA E ALFABETEVE. poezi

Silke Blumbach, me emrin e saj shqiptar Liria, u lind më 13 dhjetor 1970 në Göttingen, Gjermani, në një familje mësuesish. Filloi së shkruari poezi në moshën 8 vjeçare dhe mori pjesë në një klub letrar në Heidelberg. Mirëpo, depërtimi i saj erdhi vetëm pasi mjeshtëroi gjuhën shqipe. Si e huaja e pare që shkruante shqip, ka botuar tre libra me poezi dhe një ditar në gjuhën shqipe, si dhe një libër me poezi në anglisht.
• Dyzet vdekje në Sarandë, Tiranë 1999
• Karavela e fundosur, Tetovë 2002
• Lumi që rrjedh drejt burimit, Tetovë 2007
• Ditari i një kthimi, Tiranë 2010
• Beyond the Bows of the Heart, SHBA 2012
Poezitë e saj, që u botuan në revista dhe gazeta letrare të vendeve të ndryshme, duke përfshirë revista interneti, u përkthyen në boshnjakisht, rumanisht, odia (një gjuhë e Indisë) dhe kinezisht, ndërsa ajo ka shkruar edhe poezi në frëngjisht, spanjisht, gjeorgjisht dhe hungarisht. Ka fituar një sërë shpërblimesh letrare, veçanërisht, por jo vetëm, në botën shqiptare. Është anëtare e Drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”në Tetovë.
Fjalët janë edhe në qendër të jetës profesionale të Silke Blumbach si përkthyese. Jeton në Berlin, ku punon në një ndërmarrje të madhe përkthimesh. Prej gushtit 2014, lufton me kancer të gjirit me metastaza në mushkëri dhe në eshtra.

NIPËR

(Kushtuar Christianit dhe Alexandrit)

Nipër, nipër, nipër!
Njëri me emër latin dhe tjetri me emër grek!
Njëri i egër dhe tjetri edhe më i egër!

Bota që lindin e shndërrohen në çast
Autobusi që bëhet peshk që bëhet përsëri autobus
Spitali që kthehet në pikë karburanti

Dashuri

Sy që shkëlqejnë dhe xhamat që nuk thyhen
Sepse topi është i butë
Unë mësoj lëvizjet e dinozaurëve

Dhe i them të madhit: „Ilaçin e marr kundër trishtimit“.
„Me mua“, thotë nipi plot bindje,
„kjo s’do të jetë më e nevojshme!“

COPËTIM

Në tren
Gjeta një libër me një gjethe vjeshte
Pastaj një libër tjetër dhe një mori gjethesh

Kurrë s’ka mjaft libra për mua
Se në një botë plot me gjethe
Nuk i gjen dot lehtë

As veten tënde
Për këtë të duhen libra
Këto pasqyra shpirti

Por këtu në këtë tren të jetës
Duhet të gërmosh shumë
Në gjethet e vjeshtës

TRIUMF

Vrapoi
vrapoi vrapoi si kafshë

nuk kishte
pjesëmarrëse tjetër në garë

kur ia sollën çmimin
ajo e refuzoi

(ndoshta edhe vetë çmimi
do ta kishte refuzuar)

mjaftoi triumfi

VARREZA E ALFABETEVE

zemra ime
është një varrezë
alfabetesh

i përvetësoj
për t’i varrosur
në thellësitë e mia

Nëna e Madhe
më paralajmëron
Pashkët e shkronjave

DO TE QAJ

kot ndërton një mur
në Lumin e Verdhë

do të qaj

do të përmbyset muri
lumi prapë do ta gjejë detin

do të qaj

nuk e ndan dot nga deti
as burimin nga plotësimi

do të qaj

përmbytje dhe cunami
pra mos guxo të fshihesh prapa murit se

do të qaj

MBISHKRIMI I PIRAMIDES SIME

mëngjesi si brisk
preu ditën nga nata

pavianët përshëndesin me hare
kapitenin shkëlqyes të barkës diellore

brumbulli shtyn diskun e vet
nëpër barkun e lopës së qiellit

dielli me duart e tij të holla
më fërkon jetë në hundë

ti je mbishkrimi i piramidës sime
dhe nëse mbreti nuk më jep

shtëpi të thepisur në perëndim
je mbishkrimi i arkivolit tim

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here