SKËNDER BUÇPAPAJ: NE PERVJETORIN E NDARJES NGA JETA TE KOMPOZITORIT BASHKIM GJYRIQI, NJË LARGIM I HESHTUR QË NUK E MORËN KRONIKAT

Pa rolin e tij nuk mund të kuptohet jeta kulturore e Tropojës, për disa dhjetëvjeçarë

“Bashkimi kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte emëruar shef i muzikës në Shtëpinë e Kulturës të rrethit. Ishte kompozitor, instrumentist – në fizarmonikë dhe piano, ishte orkestrues (aranzhues), ishte drejtues orkestre, organizator i festivaleve dhe veprimtarive të tjera krahinore, ishte mësimdhënës i muzikës në shkollën e qytetit, drejtues i rretheve muzikore jashtëshkollore, pjesëmarrës nëpër juritë e ndryshme etj.. Ishte një talent i njohur dhe i respektuar nga nxënësit, kolegët vendës, por edhe nga profesorët dhe kolegët që vinin nga Tirana apo Shkodra.”

Papriturepakujtuar, u nda nga jeta artisti i shquar tropojan, miku im që nga rinia jonë e hershme, Bashkim Gjyriqi. Saga e tij, saga e një njeriu të realizuar mund të përmblidhet në fjalët: Pati një jetë jo të gjatë, por pati një jetë të përmbushur. Dhe është një shembull më vete se si një njeri me rol vendimtar në zhvillimet lokale, pamohueshëm e gjen veten të projektuar në rrafshet e vlerave kombëtare.
Bashkim Gjyriqi ishte biri i një familjeje intelektuale nga Kolgecaj. Pak më lart kullës madhështore ku lindi dhe u rrit Bashkimi, do të ishin selitë e vjetra të institucioneve kryesore të rrethit të Tropojës, pak më poshtë asaj kulle do të ishin selitë e reja të këtyre institcioneve. Pra, kulla do të ishte në qendër të qendrës së qytetit Bajram Curri, i cili që nga mesi i viteve Pesëdhjetë do të ishte qendra e rrethit të Tropojës. Dhe në qytetin e ri do të vinin zyrtarët e parë të rrethit, shumë prej tyre tropojanë. Në këto rrethana, familja e Bashkimit do të kishte ndikim themelues në mënyrën e re të jetës qytetëse në Bajram Curri.
Fare pak më lart kullës malësore të Bashkimit ndodheshin edhe blirët e Kolgecajve, më vonë blirët e Bajram Currit. Ishin një mrekulli i vërtetë e natyrës, jo vetëm të rrallë, por edhe të papërsëritshëm. Në çdo stinë ata i jepnin hije, hijeshi e madhështi qytetit. Aty liheshin të gjitha takimet me miqtë nga anët e anëve, aty shkrepeshin gati qind për qind të të gjitha fotografive që mbaheshin kujtim për jetë. Aty drejtoheshin së pari e së fundmi kamerat e fotoreporterëve dhe të kineastëve ngado që vinin. Në vitet Shtatëdhjetë, në kohën kur po ndërtohej Hidrocentrali i Fierzës, nga transformimet që ndodhen në qytetin Bajram Curri, të parët që e pësuan, ishin blirët. Pa ata, njëherë e mirë, qyteti do të mbetej pa identitet. Dhe, sado që u rrit, as në kulmin e lulëzimit të tij, qyteti i Bajram Currit asnjëherë nuk arriti të ketë shtrirjen e fshatit Kolgecaj, ku ai zuri vend, asnjëherë nuk arriti të sfidojë bukuritë e këtij fshati në rrëzë të Malit të Hekurave, pranë pyjeve të gështenjave dhe jo larg njërës prej nyjave të rrjedhës së Valbonës. Fatin e blirëve e pati edhe kulla malësore ku u lind dhe u rrit Bashkimi. Me motrën, prindërit, nusen tiranase dhe fëmijët e tij Bashkimi u vendos në një apartament me tri dhoma e një guzhinë, diku pranë hotelit “Ndërtuesi”, tek zona e quajtur Lloçi.
Bashkimi kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte emëruar shef i muzikës në Shtëpinë e Kulturës të rrethit. Ishte kompozitor, instrumentist – në fizarmonikë dhe piano, ishte orkestrues (aranzhues), ishte drejtues orkestre, organizator i festivaleve dhe veprimtarive të tjera krahinore, ishte mësimdhënës i muzikës në shkollën e qytetit, drejtues i rretheve muzikore jashtëshkollore, pjesëmarrës nëpër juritë e ndryshme etj.. Ishte një talent i njohur dhe i respektuar nga nxënësit, kolegët vendës, por edhe nga profesorët dhe kolegët që vinin nga Tirana apo Shkodra.
Falë rolit të veçantë të Bashkimit do të kishim muzikën e re qytetare, pra këngën, vallen, muzikën orkestrale qytetare tropojane. Mbi sfondin e traditës së përfaqësuar nga artistë të tillë të mëdhenj si Isuf Halili, Murat Alia, Zef Avdia, Riza Zymeri, vëllezërit Bajra etj. etj. do të lartoheshin artistë të mëdhenj të përmasave kombëtare si këngëtarët Fatime Sokoli, Shkëlzen Zalli, Gëzim Nikaj, Fatmira Breçani etj., koreografët e kërcimtarët Skënder Haklaj, Deli Metaliaj etj. Mbi traditën e re të ndërtuar nga Bashkimi, do të vinin kompozitorë si Kolë Susaj dhe Skënder Dozhlani. Ansambli “Valbona” e më vonë ansambli “Dardania” do të kishin famë jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, duke çuar peshë jo vetëm skenat e Shqipërisë e të Kosovës së asaj kohe, por edhe skenat ndërkombëtare.
Pa zmadhuar gjë, mund të them se më shumë se nëntëdhjetë për qind e repertorit të këtyre ansambleve tropojane do të merrej nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve, do të luhej nga artistët më të mëdhenj të Shqipërisë, prej tyre do të frymëzoheshin Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Agron Aliaj etj.. Kostumet tropojane do të zbukuronin trupën profesioniste të këtij ansambli. Pjesët muzikore orekstrale tropojane do të ishin bazë e krijimeve të hatashme të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, sidomos atyre shkodranë si Tish Daija, Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj.. Ariet muzikore mbi këngët popullore tropojane do të bëheshin pjesë e repertorit të artistëve tanë të operas. Dhe njeriu i parë me të cilin këshilloheshin në Tropojë krijuesit nga kryeqyteti ishte pikërisht Bashkimi.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre repertorëve kishin në zanafillë sidomos krijimtarinë e Bashkimit dhe të kolegëve të tij më të vonë tropojanë. Nuk do të arinte të kishte këngë në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion, por pati në veprimtari të tjera qendrore, lëvroi këngën për fëmijë dhe arriti të marrë edhe çmime në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, ku madje, siç kujtojnë edhe sot në Tropojë, çmimin e parë e shkëmbeu me një piano për Shtëpinë e Kulturës në Bajram Curri. Bashkimi do të kishte edhe një rol episodik në filmin “Rrugë të bardha” me skenar të Vath Koreshit e regji të Viktor Gjikës, ku një nga rolet kryesore e luante tropojani Sali Doçi, aktor me talent të veçantë, por të ndërprerë nga sëmundja e rëndë dhe pastaj nga vdekja.
Liceu artistik “Jordan Misja” në Tiranë, liceu artistik “Prenk Jakova” në Shkodër, shkollat e tjera muzikore në vend, Instituti i Lartë i Arteve (sot Akademia) do të vërshoheshin sidomos që nga vitet Shtatëdhjetë prej talenteve të reja tropojane. Ata ishin nxënës të Bashkimit, ishin pjesëmarrës të rretheve jashtëshkollore, ishin të zbuluar nga Bashkimi, sepse tek ai paraqiteshin së pari të gjithë ata që mendonin se, po t’iu jepte sigurinë Bashkimi, ata do të kishin sukses në konkurrimet. Duke parë tek Bashkimi njeriun e drejtë dhe plotësisht të besueshëm, prindërit i dërgonin tek ai fëmijët e tyre pa ngurimin më të vogël dhe me kënaqësinë më të madhe. Këta të gjithë sot kanë zënë vend në jetë, jo pak prej tyre duke u shquar në skenat kombëtare dhe ato ndërkombëtare.
PIKËTAKIMET ME FATIN
Çështja e fatit është e përcaktuar nga pikëtakimet me të: nëse je ti i vonuar apo nëse fati është i vonuar, atëherë fatin tënd e rrëmben tjetërkush. Nëse ti dhe fati jeni të njëkohshëm në pikëtakim, atëherë mund të thuhet me plot gojën se të ka buzëqeshur fati. Kështu do të thoshte në një nga përsiatjet e tij të shumta (ose të ashtuquajturat “Këshilla për lumturinë”) me të cilat stërviste mendjen e tij të madhe Arthur Schopenhauer, i njohur ndryshe si “filozof i pesimizmit”.
Miku im i vjetër, Bashkim Gjyriqi, duket se më së shpeshti nuk ka munguar në pikëtakimet me fatin. Dhe anasjelltas. Do të ishte, pra, i përmbushur si krijues, do të ishte i përmbushur edhe si familjar. Do të përballonte me burrëri, në fillim të viteve Tetëdhjetë, vdekjen e prindërve njëri pas tjetrit brenda dy ditësh, pastaj vdekjen aksidentale të djalit të madh. Dhe do t’iu përkushtohej me sukses të plotë rritjes dhe shkollimit të fëmijëve, sekush prej tyre më i talentuar, kryesisht në muzikë, se tjetri. Pastaj do të përjetonte ardhjen në jetë të nipave dhe të mbesave dhe rolin gjithnjë në rritje të babait e të gjyshit.
Në kushtet kur vajzat do të ndërtonin jetën e tyre e të familjeve të tyre jashtë vendit, kur Shqipëria do të lëkundej me rrënjë e më degë anembanë, Bashkimi prej disa vitesh do të vendosej me shtëpi në kryeqytet. Kështu do të shkëputej nga veprimtaria aktive krijuese dhe do të merrej me mbarëvajtjen e familjes amë e të familjeve të reja. Pa i shkëputur asnjëherë lidhjet me Tropojën dhe me miqtë, të afërmit e kolegët, të shpërndarë tashmë, pikë e pesë, gjithandej rruzullit tokësor. Pastaj do të pajtohej edhe me jetën e pensionistit, të orareve të kafeve me shokët në shtëpi apo nëpër lokalet e kryeqytetit. Dhe do të parapëlqente rolin e ri të të qenit në qendër të gëzimeve të panumërta familjare.
“Lumturia iu përket atyre që i mjaftojnë vetvetes, atyre që kanë botë të pasur vetjake,” thoshte dikur Aristoteli. “…Njeriu i pajisur me botë të pasur shpirtërore, shtonte Schopenhaueri, është i ngjashëm me dhomën e ndritshme, të ngrohtë dhe të gëzuar të përgatitur për Krishtlindje në mes të borës dhe akullit të natës së dhjetorit.” Pa mbetur jashtë atmosferës së xhunglës rrethuese, aq të rrëmujëshme e plot me të papritura shpeshherë nga më rrënqethëset, Bashkimi parapëlqente të jetë larg bujës e zhurmës, larg mediave, larg kronikave.
Me Bashkimin jemi njohur në rininë tonë të hershme, prej atëherë jemi miq, pa i shkëputur asnjëherë komunikimet. Madje, edhe udhëtimin e fundit që e kam bërë në Tropojë, nëpër Grykën e Dragobisë, në verën e vitit 1995, pra plot 25 vjet më parë, deri tek kroi i Fushës së Gjesë, ku edhe kemi drekuar, e kemi bërë bashkë. Ndërsa vitet e fundit i kishim shpeshtuar ato nëpërmjet rrjetit “fb”. Aty edhe kemi sjellë kujtimet tona, kemi diskutuar e kemi debatuar. Nga të gjithë miqtë realë dhe nga të gjithë miqtë virtualë, Bashkimi ishte më i kënaquri ose, të paktën, ndër më të kënaqurit me jetën. Informacione që merrja nga mediat, qoftë edhe ato sociale, i verifikoja më së miri pikërisht në bisedat me Bashkimin. Ndodhte që unë këmbëngulja, në kërkim të argumenteve më bindëse, dhe atëherë Bashkimi më kthehej: “Skënder, jam Bashkimi.” Ose: “Ej, Skënder, po flet me mua.” Ngulmonte të përbetohesha se, sa të shkoj në Tiranë, do të shkoj tek shtëpia e tij. Dhe, shpesh, kur i dilja në bisedë, më përgjigjej: “Skënder, je në Tiranë? Ke ardhur në Tiranë?”
Kënaqësitë e gëzimet i ndante tashmë edhe me miqtë e “fb”. Dhe kur, kohë më parë, njoftonte se ishte bërë gjysh për të satën herë, atij i pëlqente tek i shkruaja: “Bashkim je një patriark i vërtetë, por je një patriark modern. Je gjysh dhe do të bëhesh stërgjysh e katërgjysh.” Dhe gjithnjë e më shumë, Bashkimi do të mësohej e do ta përkryente rolin e tij në pult, duke komunikuar në Skype e në “fb” dhe duke shpërndarë këshillat e babait e të gjyshit, të mikut e të kolegut më me përvojë, të dashamirit të çiltër e të besueshëm e të mirëpritur.
Bashkimi ishte ndër më aktivët në “fb”, postonte pjesë muzikore kryevepra klasike e të modernitetit, i shoqëronte me komente. Bënte komente pa përtuar në postimet e miqve, të gjitha ishin profesionale, të gjitha hapnin horizont tek bashkëbiseduesit në fushën e muzikës. Pa dyshim, largimi i Bashkimit është një humbje edhe për miqtë e “fb”.
Në komunikimet tona në “fb” Bashkimit i pëlqente të sillte kujtimet tona të dikurshme. Kënaqej pa masë kur i flisja për imtësi të atyre kohëve. Sidomos në ekspeditat foklorike që kemi bërë në zona të ndryshme të Tropojës, ne e kalonim rrugën duke luajtur me rima. Gjenim rima sa më të vështira dhe ua kalonim radhën shokëve. Kur gjenim rima befasuese, atëherë i pari që shpërthente në të qeshura të fuqishme, ishte Bashkimi. Kështu bënte edhe kur ia kujtoja pas dhjetëra vitesh.
Një ndër hobet e Bashkimit ishte edhe peshkimi. Grepin e peshkimit e merrte me vete edhe në udhëtime. Kur punoja në Babinë, por sidomos kur punoja në kabinetin pedagogjik më merrte për peshkim në Valbonë, sipër Urës së Kolgecajve. Ai peshkonte trofta dhe unë i bëja rima. Kur nuk kishte sukses, edhe rimat ishin të varfëra. Kur kishte sukses, rimat ishin të larmishme. Të gatuara në një tepsi të madhe për një familje aq të madhe dhe për mikun e shtëpisë, troftat e Valbonës ishin një mrekulli nga më të papërsëritshmet.
I PAHARRUAR NGA MIQTË DHE KOLEGËT
Tropoja ka nxjerrë plot Artistë të Popullit, Artistë të Merituar, Mjeshtra të Mëdhenj e të tjerë artistë me tituj të lartë. Në mesin e tyre, ndonëse pa asnjë titull apo dekoratë, qëndron shumë lart Bashkimi Gjyriqi, pa rolin e të cilit nuk mund të kuptohet jeta kulturore e Tropojës për disa dhjetëvjeçarë.

*Shkrimi po ribotohet, ai eshte botuar se pari me rastin e ndarjes nga jeta te kompozitorit te njohur tropojane me 17 korrik 2012

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here