Skënder BUÇPAPAJ: Skënder SHERIFI – Një ekzotikë shqiptare në botën frankofone – Një ekzotikë frankofone në botën shqiptare

Skënder SHERIFI
– Një ekzotikë shqiptare në botën frankofone,
– Një ekzotikë frankofone në botën shqiptare

A e ka zbuluar dot vetë Skënder Sherifi deri sot çfarë e priu atë dikur
drejt sferave më të larta të botës mondane frankfone? A ia ka shtruar vetes
ndonjëherë këtë pyetje dhe a është përpjekur të japë përgjigje në librin e tij
“Welcome to Paris”, që e sjell për botën e gjerë shqiptare tashti?
Autori i librit nuk na fton në një Paris çfarëdo, ai na fton në Parisin që
ende përjetonte jehonën e revolucionit të viteve gjashtëdhjetë, një dukuri e
lindur në SHBA e përhapur pothuaj në gjithë botën dhe e kulmuar në
Paris, në majin dhe qershorin e vitit 1968. Në lëvizjet e mëdha masive
heterogjene shoqërore të këtyre viteve (ku u përfshinë studentët, punëtorët,
intelektualët dhe grupet etnike pakicë), shpesh të formuara nga motive
spontane u formulua akuza e tyre të fortë e protestës kundër aparateve të
pushtetit dominues dhe ideologjive të tyre. Kjo lëvizje shoqërore dhe politike
vlerësohet si një moment i jashtëzakonshëm i rritjes civile që solli ndryshime
të pakthyeshme në shoqëri (zhvillimi i frymës kritike në çdo fushë,
kapërcimi përfundimtar i formave të ndryshme të moralizmi, autoritarizmi,
margjinalizimi i grave dhe sektorëve të tjerë të shoqërisë) dhe ka brenda
vetes disa revolucione të cilat nuk u ndalën e nuk u shuan atëherë dhe as
më vonë si revolucioni muzikor, emancipimi rrënjësor i femrës, revolucioni
seksual, revolucioni “i kundër-kulturës”, revolucioni anti sistem, ku u
dalluan lëvizjet “Beat” në SHBA (të të rrahurve, të mundurve), Hippy
në Europën Perëndimore (bijtë e luleve), provo në Vendet e Ulëta, që kishin
simbol biçikletat e bardha dhe ishin kundër konsumizmit dhe në mbrojtje
të ambientit.
Skënderi, ndonëse 14 vjeç kur ndodhi 68-a e ndjen veten frut të atyre
zhvillimeve. Mund të ishte tepër i ri, por ishte poet që atëherë, prandaj vihet
dhe është gjithnjë nën ndikimin e atyre zhvillimeve.
Për 15 vjet rresht, nga 1976 deri më 1990, ai jetoi, krijoi, aventuroi në
Paris, i cili ishte njëherësh metropoli (ura e kalimit, thotë Skënderi) i të
– 782 –
gjitha rrymave artistike, estetike, ideologjike, filozofike perëndimore dhe
botërore të kohës, ishte pikëtakim i kureshtjeve, interesimeve, prezantimeve,
afirmimeve ndoshta më shumë se çdo adresë tjetër në atë kohë. Më shumë
se gjithçka, mendoj unë, ishte kureshtja vetjake e “shqiptarit nga Shqipëria,
malësorit nga Valbona e Tropojës”, siç e përcakton veten shqiptari tropojan
Skënder Sherifi, ajo që e çoi drejt asaj bote dhe e përfshiu drejt asaj bote,
një kufizë e panjohur drejt një ekuacioni të ndërlikuar.
Kureshtja, më shumë se gjithçka tjetër, është ajo që e bën Parisin e asaj
kohe, të revolucionit të viteve ’60, me ndikimin e pabesueshëm në të gjitha
fushat e shoqërisë njerëzore të derisotme, ta pranojë në gjirin e saj Skënder
Sherifin, një ekzotikë shqiptare, i vetmi nga të gjithë bashkëkombësit e tij,
i vetmi nga të gjithë të mëhershmit dhe të mëvonshmit e të gjithë shqiptarëve
që arrin të krijojë miqësi me njëzet nga figurat më të ndritshme, yjet që iu
japin dritën e vet, shkëlqimin e vet yllësive më të ndritshme të qiejve më të
lartë të atij Parisi.
Skënder Sherifi e shkruan, pra, këtë libër që nuk mund ta shkruante, që
nuk mund ta shkruajë ndonjëherë asnjë shqiptar tjetër. E ka mbajtur atë
larg letrës së bardhë për dhjetëra vjet, jo vetëm duke i ruajtur me ngulm në
kujtesë, jo vetëm duke i kultivuar ato në mendje, por edhe duke i shqyrtuar
e shqyrtuar pa fund derisa ato marrin trajtën me të cilën ua sjell sot
bashkëkombësve të tij. “Welcome to Paris” është kështu një libër që mund
të mos shkruhej kurrë dhe kjo nuk do t’i falej atij që e ka shkruar dikur
me jetën e tij, është gjithashtu një libër që nuk mund të vinte më herët dhe
as më vonë se tashti te lexuesi shqiptar.
Autori ka shpjegimin e tij, të shtjelluar kapitull pas kapitulli në këtë libër,
pse ai arriti diçka që askush nga shqiptarët nuk mundi. Skënderi e ndjen
veten kënd të katërt dhe brinjë të katërt të treshes magjike: Arthur
Rimbaud, “një lloj vëllai shpirtëror, të cilin natyrisht nuk e kam njohur,
por e kam admiruar dhe konsideruar si një vlerë ikonike, një model”; miku
i tij këngëtar Léo Ferré, “i cili i ka tekstet e tij, minimum në të njëjtin
nivel me Poetet më prestigjiozë francezë”, tekste që i këndon vetë, diçka e
njëjtë si t’i këndonte vetë tekstet e veta poeti gjenial Charles Baudelaire;
Jean-Luc Godard, i adhuruari i tij, Papa i “Nouvelle Vague-s” franceze,
kinematografinë e tij, “GOD-ART” e quan “një kolazh poetiko
surrealist”.
Kujtdo shqiptari do t’i mjaftonte një autograf i vetëm nga kushdo që
– 783 –
përmendet në këtë libër, emra që për të nuk kanë ndonjë farë rëndësie (ai
ka intervistuar 700 yjet më në modë të artit botëror të atyre viteve), por ua
kushton vëmendjen vetëm 20 personazheve që përbëjnë librin që kemi në
dorë, por që edhe e shënojnë në mënyrë kulmore jetën e tij. Nga të 20-tët
nuk i ka takuar, por vetëm i ka përjetuar si adhurues i tyre, nobelisten
aktuale franceze Annie Ernaux dhe aktoren arvanitase me famë botërore
Irena Papas, që ndërroi jetë vitin e shkuar. Me të gjithë të tjerët që është
takuar, ai ka krijuar miqësi të thellë e të qëndrueshme, përjashtuar poetin
surrealist Louis Aragon dhe filozofin Maurice Blanchot. Vëllai shqiptar
i Arthur Rimbaud nuk ka si të mos konfliktohet me Aragonin që admiron
Stalinin dhe Mao Ce Dunin, që beson se Shqipëria komuniste po krijon
njeriun e ri të shëndoshë socialist të barazisë kombëtare, që mendon se
kundërshtarët e atij regjimi, përfshirë Shpend Sherifin, babain monarkist
dhe birin e tij poet, meritojnë dënimin ekstrem. Aragoni, natyrisht, është i
ndikuar nga propaganda e kohës dhe nuk di gjë se në Shqipërinë e asaj
kohe ai është një poet i ndaluar, që mund të lexohet vetëm tinëz. Ai ka
lexuar 200 poezi të kolegut shqiptar dhe i bën atij nga ato vlerësime dhe
kritika që ia bën një poet i famshëm një të riu të talentuar të sapo hyrë me
guxim në rrugën e famës. Ndërsa filozofi Maurice Blanchot, i ngjitur në
apoegjeun e lavdisë falë vlerësimit të një grushti akademikësh francezë të
kohës, një qenie mes “hiçit absolut dhe krizës nervore”, kur poeti shqiptar
i hyn në shtëpi falë ngulmimit të pashembullt, është në një seancë të
pafundme në pritje të vdekjes dhe vetë poeti shqiptar përfshihet në një
sekuencë të kësaj seance si një fllad Shqipërie, për t’ia kujtuar bujtësit të tij
të çastit, (ateistit asket që adhuron vdekjen, saqë e ka bërë Perëndi të
përjetshme) se s’ka më të bukur se jeta, saqë Blanchot nuk mund të mos e
pyesë “Jeni ju një komb filozofësh?”. Në libër përshkruhet në mënyrë
shekspiriane se qysh filozofit të vdekjes i kërcejnë dreqërit dhe ia fut thonjtë
në fyt poetit shqiptar dhe se qysh ky arrin ta shpëtojë veten prej tij dhe të
ndahen në mënyrë paqësore për të mos u takuar më. Dhe, përtej çdo habie,
bash ky çmendurak, ky shtihan idhujtar i vdekjes ka jetuar plot 95 vjet!
Poeti Skënder Sherifi, për t’ua mësyrë aventurave të tij parisiene, ka një
trimërues dhe frymëzues konkret, ka një baba shpirtëror, një mentor që e
vë në provë karakteri birin e tij shpirtëror, nxënësin e tij. Poezia, jo diçka
a dikush tjetër e ka prezantuar atë me Pierre Seghers, kur poeti ishte 21
vjeç, ndërsa admiruesi i tij ishte 70 vjeç. Ky është edhe kapitulli më
– 784 –
emocional i librit që kemi në dorë. Seghers e pret me “Mirë se ke ardhur,
djalë”, me një përqafim … “unë isha i mësuar në ritet dhe kodet e kanunit
malësor e jo me sjelljet afektive të afërta alla perëndimore. Babai im nuk
më kishte prekur as puthur kurrë gjatë gjithë jetës së tij, dhe nuk e mbaj
mend një fjalë të butë, një lëvdatë, një gjest romantik apo sentimental. Ne
ishim në botën e Sergio Leones, në një Western tropojan buzë Valbonës,
apo tek bota e samurajve japonezë, në një film të Kurozaves,” pohon
Skënder Sherifi. Seghers është i drejtpërdrejtë, pa tërthore, si vetë miku i tij
shqiptar: “Je poet madhor për mua, ta kam shprehur, por po e shoh që nuk
je fare i përgatitur për t’u konfrontuar me shoqërinë elitare parisiane, me
elitën kulturore, me borgjezinë, me aristokracinë. Nuk i posedon normat
dhe kodet … je diamant bruto i pa gdhendur, duhet me të skalitur dhe me
të ri-edukuar për bisedat dhe tavolinat franceze. Tani vendose ti vetë: A
don me qëndruar këtu me mua në Paris dhe Provancë, apo me u rikthyer
ka ke ardhur? Por dije që këtu do mësohesh në delikatesë, në alegori dhe
për t’u puthur me gjithë Parisin, meshkuj e femra, të pëlqeu apo s’të pëlqeu.
Hapi sytë dhe dekoderin! Talenti poetik nuk të mjafton për të qenë i
pranuar tek shoqëria kulturore franceze … E njëjta gjë i ka pas ndodhur
edhe Arthur Rimbaud-së, i cili pavarësisht që ishte Poet gjenial mbi të tjerët,
ka qenë i urryer në të gjitha sallonet elitare parisianë, edhe pse e kishte
Paul Verlenin në mbështetje. Sepse sillej me kodet e një katundari të
Ardenëve dhe i shokonte njerëzit. Prandaj, ke për t’u përgatitur si sportistët
për lojëra olimpike, dhe për t’ua lexuar të gjithëve 3 deri në 5 vepra, Okay?
Ose për t’ua parë filmat, dramat, dëgjuar albumet me kujdes, dhe çdoherë
do të marr unë vetë në pyetje dhe do debatojmë mbi veprën e çdo artisti apo
filozofi? Dhe kur do bindem që je me të vërtetë i përgatitur për atë takim,
do të them – Okay e ke dritën e jeshilët për t’i shkuar tek shtëpia e tij!”
Sherifi i kalon me sukses të gjitha provat dhe zë miqësi me pothuaj të gjitha
figurat tek të cilat e rekomandon Seghers. Dhe, siç bën pas takimit me
Jacques Lacan, që e ka dominuar gjatë tri dekadave gjithë psikoanalizën
franceze, ai ia shtron vetes pyetjen: “Tani e kam pyetur shpeshherë vetën: a
do isha Skënder Sherifi i sotit, po të isha rritur, edukuar, dhe shkolluar në
Shqipërinë e Enver Hoxhës, si djalë i një familje të kataloguar armike,
reaksionare dhe anti-komuniste? Absolutisht, që jo!” E, pra, qëllon që ky
Jacques Lacan, “Maestro, ose Guru, i idolatruar apo i urryer në Paris”
shkon mrekullisht me një malësor “anarshist antiko – avanguardist, i
– 785 –
aventurave poetiko – humaniste”, siç e përshkruan veten Skënder Sherifi,
në dukje dy planetë krejt të ndryshme, pa asnjë orbitë të përbashkët, kanë
gjetur miqësi të përbashkët aq të thellë, saqë e ka dashur, ndihmuar,
respektuar poetin e “në disa raste edhe ndihmuar me këshillat e tij, gati si
babë”. Duke folur për babain oficer monarkist të Skënderit, Lacan tregon
se atij si republikan i ka mbetur “një simpati relative evidente mbretërore
ndaj Zogut të parë … ngaqë e ka pasur një personalitet interesant!” dhe
shton «edhe unë kam qenë dikur me mbretërinë në Rininë time dhe me
Charles de Gaulle-in!» Një instinkt i ngjashëm e lind dhe forcon miqësinë
me destrukturalistin Jacques Derrida, të cilin poeti e mrekullon me modelin
destrukturalist të realitetit të ndërtuar në vendin e tij të prejardhjes,
Shqipërinë komuniste, deri me poetin amerikan Allen Ginsberg, ndoshta
më rrehanin e rrehanëve të Beat Generation, siç do t’i kishim thënë ne në
Tropojë.
Një dritë e veçantë shpirtërore e prin poetin shqiptar në njohjen dhe miqësinë
me Jacques Lacarrière, autor, filozof. Ky është fans i sufizmit, filozofi së
cilës i përket nëna e poetit, Xhevahire Sadria, nga Vuthajt e Gucisë, “një
mistike e lindur, me orientim sufist të dervishëve”. Filozofit , shkruan
Skënderi, “i interesonin Personat të cilët e kanë marrë besimin spontanisht,
si pasojë e një thirrje, apeli, transmetimi misterioz qiellor, që kanë qenë të
predestinuar apo të zgjedhur nga lart për atë punë apo mision. Dhe donte
ta kuptonte pikënisjen, sesi ka ndodhur ai fenomen që në fillim, nga ka
ardhur dhe sesi është zhvilluar, apo shfaqur pastaj … si ka evoluuar? Dhe
nëna ime ishte model shembullor për atë punë!” Lacarriére dhe poeti
shqiptar krijon miqësi kur ata janë në moshë të re, duke e ruajtur atë deri
në ditët tona. Dhe Lacarrière e pyet çdo herë Skënderin për nënën
Xhevahire, sikurse bënte edhe aktorja tepër e famshme Annie Girardot.
Prindërit janë për Skënderin një refren që sa vjen e zgjerohet përgjatë të
gjitha miqësive me krijuesit dhe dijetarët e famshëm të kohës, si me poetin
themelues të surealizmit Philippe Soupaul, të cilin, sipas autorit të librit e
ka lënë pa të drejtë në hije bashkëthemeluesi tjetër, André Breton; si me
psikoanalistin e famshëm francez Jacques Lacan, me poetin surrealist dhe
simbolik André Pieyre de Mandiargues, me mjeshtrin erotoman Pierre
Klosowskin dhe vëllain e tij piktor madhor ndërkombëtar Balthus, me
regjisorin “super të talentuar, Godardi, i ri, sipas kritikës filmike, Léos
Carax etj.
– 786 –
Por, më shumë se kaq, Skënder Sherifin në sferën mbi yjore të Parisit, pra
edhe të Francës e të Perëndimit e shpie kushtrimi i të parëve, më saktë,
kushtrimi homerik i të parëve. Dhe babai i tij, Shpend Sherifi, personazhi
“zoti Shpend” i “Mërgatës së qyqeve”, që ua mban fjalimet e lamtumirës
të gjithë nacionalistëve antikomunistë të cilët ikin në botën tjetër, drejtues i
“Odave Malësore” në qytetin e Brukselit, është veçse një Nestor i Shekullit
XX. Këtë thelb te Skënderi e ndjen Claude Lévi – Strauss, Babai i
Antropologjisë në kapitullin më të rëndësishëm, më tronditës dhe më të
vëllimshëm të librit “Welcome to Paris”. Ai i propozon “malësorit të
Malësisë së Gjakovës” që së bashku të krijojnë një ekspeditë shkencore në
Veriun e Shqipërisë për të studiuar antropologjinë e malësorëve. Skënderi
ndihet tejet i vlerësuar për propozimin që merr, sa është tejet i dëshpëruar
se nuk mund të mos e refuzojë propozimin. Ndonëse i përgjigjet, sa është e
mundur, me takt, Skënderi nuk mund të mos ia shpjegojë mikut të tij se
ai është bir i një shqiptari që ka qenë dy herë në burgjet e Enver Hoxhës,
herën e parë në Shkodër, në një qeli me të famshmin Sami Repishti dhe
herën e dytë në Palermo. Pas lirimit të dytë nga burgu ai arratiset nga
Shqipëria, më 1951, në Jugosllavi dhe, prej andej, largohet për në Belgjikë
më 1956.
Më 1976, kur e bën këtë bisedë me mikun antropolog, Skënder Sherifi
është njeri pa atdhe, ashtu siç është i ati dhe gjithë familja, ishte apatrid.
Shqiptarë apatridë, të cilëve Enver Hoxha ua kishte hequr shtetësinë
shqiptare dhe që Titoja nuk ua ka dhënë shtetësinë jugosllave në disa breza,
çka ua ka vonuar edhe natyralizimet atyre në vendet perëndimore, ka pasur
deri në ditët tona. Skënderi ia shpjegon mikut të tij se, po të hyjnë në
Shqipëri, ai shkon në pushkatim menjëherë sa të shikojnë në kufi emrin e
babait të tij, të cilit i ishte ndaluar hyrja në atdhe, por edhe vetë Claud
Levi-Strauss do të pësonte shumë keq si bashkudhëtar dhe si mik i tij.
Kështu vetë Skënderi shndërrohet për antropologun në një objekt studimi
për malësorët, homerikët e Alpeve.
Poeti shqiptar, falë të gjithë atyre faktorëve që përmendëm më lart dhe të
tjerëve, arrin të kapërcejë hendekët fillestarë dhe të krijojë marrëdhënie të
barabarta, të bazuara mbi rrafshe ndër njerëzore, në të gjitha rastet e
miqësive të suksesshme. Si bashkëbisedues i elitarëve francezë ai është i
çiltër në masën e duhur, debatues dhe polemist në masën e duhur,
argumentues në masën e duhur, ai është autoironik, vë veten në lojë
– 787 –
mjaftueshëm sa për ta lejuar kjo mjaftueshmëri për t’i vënë në lojë
bashkëbiseduesit e tij, gjithmonë brenda atmosferës miqësore, apo për t’i
çarmatosur dy a tre prej bashkëbiseduesve të panjerëzishëm të përmendur
më lart.
20 personazheve të kujtimeve të tij, Skënder Sherifi iu sjell në këtë libër
edhe një personazh tejet të dashur e të rëndësishëm për autorin, lexuesin e
librit. Ky personazh është gjithnjë i pranishëm, asnjëherë i lënë anash nga
autori. Dhe nuk përton asnjë çast ta mbajë me informacion plotësues për
secilin nga personazhet që iu japin emër kapitujve përkatës, të merret me
huqet dhe veset e tyre mjaftueshëm, sa për t’i bërë ata qiellorë edhe tokësorë
për ne, sa për të mos lejuar mungesën e interesimit të leximit në asnjë mënyrë,
nuk përton t’i ndërthurë këndvështrimet e tij të dikurshme rreth atyre
personazheve me këndvështrimet e mëvonshme, deri tek ato të sotmet, kur
ai është ulur për të futu daltën e tij thellë e më thellë, pa mëshiruar asnjërën
nga hollësitë që autorit i ka mbetur në mendje. Ky personazh është një vëlla
binjak i shkrimit në libër.
Skënderi na flet në libër edhe për dy shqiptarë të suksesshëm në Paris, në
Evropë e Perëndim: figurativistin mistik të parë shqiptar, Omer Kaleshin
dhe kubistin me famë evropiane, Ibrahim Kodrën. Nga asnjëri prej tyre ne
nuk trashëgojmë diçka të shkruar. I vetmi që i ka ruajtur dhe tashti i sjell
në libër kujtimet dhe përjetimet e tij nga sallonet elitare të artit është
Skënder Sherifi.
Poetit frankofon nuk i mungojnë njohjet dhe miqësitë me kolegë shqiptarë
të artit, kulturës, sferës intelektuale në Kosovë të brezit të Ibrahim Rugovës,
por është i familjes vetëm me Rugovën. Me ndihmën e Rugovës boton në
shqip dy librat poetikë që i kishte botuar në frëngjisht në atë kohë në Paris.
Me ndihmën e Rugovës, ai përkthen dhe boton në frëngjisht antologjinë me
poetë shqiptarë të Jugosllavisë, “Dega e pikëlluar”. Por edhe në Prishtinën
e atëhershme, edhe në Tiranën e mëvonshme ai pritet si një poet frankofon.
Edhe vetë Skënderi e pohon në mënyrë të përsëritur: Unë jam aq shqiptar
sa dhe frankofon. Gjithnjë duke vënë në rrafsh të parë qenien shqiptare.
Pas vitit 1990, poeti frankofon boton një mori librash poetikë shqip në
Tiranë, boton edhe në Prishtinë, boton libra poetikë frëngjisht në Bruksel e
Paris, përfshihet në fjalorin Larousse, pra është plotësisht i natyralizuar në
botën frankofone dhe gjithnjë e më i pranishëm në botën shqiptare. Në
dhjetëra intervista në televizionet shqiptare, ai promovon librat e vet. Nja
– 788 –
shtatë a tetë nga intelektualët dhe krijuesit më të njohur e kanë mirëpritur
dhe kanë shkruar me vlerësime të larta për figurën e tij dhe veprën e tij
krijuese. Prej 14 vitesh promovohet dhe botohet në gazetën letrare
“Nacional” të Mujo Buçpapajt.
Në Shqipëri, sidoqoftë, poeti frankofon nuk ka një Pierre Seghers për ta
orientuar në xhunglën e vogël dhe tejet të ndërlikuar të atdheut. Sigurisht,
poeti ynë frakonfon është një dukuri Sui generis, pa të njëjtë tjetër, pa të
ngjashëm tjetër në jetën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Me librin
“Welcome to Paris”, Skënder Sherifi hedh një hap tjetër, jo si të tjerët e
deritashëm, drejt një natyralizimi të plotë.
Tiranë, Prill 2023