Këto ditë në Gardone VT, afër qytetit Brescia, u zhvillua aktiviteti i përvitshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, Edicioni i Gjashtë i eventit të personalizuar “Fjalët e Shpirtit”.
Duket i largët dhjetori i i vitit 2015, kur Lidhja vuri në akt Edicionin e parë. Por duke qenë se kjo veprimtari është përsëritur thuajse çdo vit, arrihet të shihhet filli i magnetizuar nga fjalët e përmallshme të recituesve të vegjël që kanë lindur këtu ku jetojmë, në gjuhën mëmë, duket afër.
Kemi detyrimin moral e human që të përmendim dhe falënderojmë zotin biznesmenin Ylli Ujka që sponsorizoi aktivitetin e radhës, për ndjeshmërinë dhe predispozicionin e tij. Ky gjest fisnikërie që i shërben drejtpërdrejt kulturës sonë, i jep nder, ndërsa ne ndihemi të privilegjuar e të stimuluar.
Po aq të privilegjuar jemi për pjesëmarrjen në këtë edicion, veç shumë artistëve në fillimet e krijimtarisë, artistëve të afirmuar e ambiciozë, edhe nga artistë kalibri si; Agim Bajrami, Anila Hoxha Gjermeni.
Siç ishte bërë i njohur ë parë, aktiviteti u zhvillua në dy pjesë.
Pas ritualit të prezantimeve e përshëndetjeve, protagonistë të pjesës së parë ishin, si përherë, ata, nxënësit e shkollave shqipe. Për ironi të fatit, janë pak ata që ndjekin këto shkolla. Për fatin e mirë, në shkollat që funksionojnë, ndihet fort përkushtimi i mësuesve, zelli i fëmijëve dhe kultura shqiptare. Është një realitet që demostron shembullin e familjeve që dëshirojnë të njohin kulturën dhe identitetin shqiptar edhe fëmijët e tyre, të lindur në një shoqëri ndryshe.
Publiku i pranishëm duartrokiti rrjedhshmërinë e recitimeve të nxënësve që erdhën nga shkolla shqipe “Shqiponja” në Reggio Emilia. Është shkolla që ka marrë pjesë në të gjitha edicionet dhe është dalluar e nderuar gjithmonë me çmime. Atje punohet, sa ngjan që fëmijët bëjnë të gjitha lëndët në gjuhën shqipe. Edhe nxënësit e shkollës shqipe “Besëlidhja” në Rovereto u prezantuan, si gjithnjë, në lartësinë e duhur. Prej vitesh atje është krijuar traditë e bukur dhe fëmijët e kësaj shkolle mësojnë dhe argëtojnë publikun në raste festash. Një realitet më i ri, por me shumë vlera është krijuar nga puna tepër e kualifikuar që bëhet në shkollën shqipe “Mësonjëtorja” në qytetin Brescia. Veç kursit të gjuhës sonë, është krijuar dhe funksionon një grup fantastik vallesh. Spektatorët patën rastin t’i shikonin në skenën e aktivitetit edhe për recitime edhe për valle popullore.
Në Edicionin e Gjashtë erdhën për herë të parë konkurues nga tre shkolla. Një prezantim jashtë konkurimit solli një recitues nga shkola shqipe “Ura” në Novara. Dy recitues (vëllezër), të ardhur nga shkolla e re “Dora e Pajtimit” në Milano improvizuan një recitim të shoqëruar me veprime, për të mbërritur tek norma morale që, para se të veprojmë, duhet të mendojmë. Pastaj morëm vesh se janë fëmijët e shkrimtarit të ri shumë të suksesshëm, Eltjon Bida. Në sallë përjetuam me dridhma recitimet virtuoze të tre nxënësve të ardhur nga shkolla “Margarita Xhepa” në Asti. Atje kemi një realitet të një pune tepër të vyer e të kualifikuar, me vullnet e përkushtim të madh. Pa dyshim, bukurinë ia shtuan ngjyrat dhe larmia e etnografisë sonë, e sjellë me përkujdesje në skenë nga recituesit me kostume kombëtare nga të gjitha trevat. Në emër të Jurisë, shkrimtarja Lumturi Plaku shpalli tre fituesit me një stimul modest të akorduar nga Lidhja. Me Çmimin e Tretë u nderua recituesja Era Dema e shkollës “Mësonjëtorja”, Brescia, me Çmim të Dytë u vlerësua recituesja Anna Kertusha e shkollës “Besëlidhja”, Rovereto dhe me Çmimin e Parë recituesja Alesia Vrenozi e shkollës “Margarita Xhepa”, Asti.
Për pjesën e dytë, kësaj here u mendua ndryshe. Jo të gjithë autorët prezentë patën rastin të thonë fjalën e tyre. Duke qenë se është në proces përgatitja përfundimtare e Antologjisë së Dytë të Lidhjes, me autorë shqiptarë në Itali, nga Komisioni i Përkohshëm që po përgatit projektin, u zgjodhën njëzet poezi nga mbi treqind të tilla dhe u dërguan tek tre personalite të artit të shkruar; Visar Zhiti, Sulejman Mato dhe Arben Bllaci. Ata sollën vlerësimet e tyre për secilën poezi dhe nga mbledhja e numrave të vlerësimit të secilit prej tyre, dolën mekanikisht tre fituesit. Në emër të jurisë, shkrimtari Fatmir Gjata shpalli fituesit, të cilët u nderuan; me Çmimin e Tretë, shkrimtari Agim Bajrami, me Çmimin e Dytë, shkrimtarja Rudina Muharremi Beja dhe me Çmimin e Parë, shkrimtari Lumo Kolleshi. Ftuesit e përjetuan me emocion këtë moment dhe publiku i duartrokiti gjatë.
Moderatoret Mimoza Leskaj dhe Arjeta Pervizi patën rastin e bukur të ftojnë në skenë edhe piktoren e talentuar Viola Fusha, e cila u dhuroi personaliteteve të komunës; Roberto Bondio dhe Andrea Moreta që përshëndetën të pranishmit, një kuadër të punuar bukur, me motive nga qyteza Gardone VT. Ishin vërtet emocionuese momentet kur në skenë u ngjitën gjatë aktivitetit dy këngëtarë. Ishte hera e parë që vinte nga Trieste në aktivitetet tona, këngëtari vlonjat Neptun Gjati. Me zërin e tij të pastër e tepër të ëmbël, interpretoi një këngë të bukur italiane. Ishte e disata herë që në skenat tona modeste, ngjtej këngëtarja profesioniste, sopranoja e famshme Anila Gjermeni. Me zërin e saj, si gjithnjë elektrizoi të pranishmit. Interpretimi i poptpurisë me këngë shkodrane, me të cilat është rritur, provokoi stuhi duartrokitjesh dhe stimuloi sallën të këndojë në kor. Me vallet që prezantuan vajzat e shkollës “Mësonjëtorja, gjithë eventi mori formën e një spektakli të këndshëm. Këto shijohen më shumë se është produkt i punës profesionale të ofruar vullnetarisht për të ruajtur e zhvilluar traditën e kulturën tonë.
Për t’u përgëzuar mendja dhe dora e sekretares mitike të Lidhjes, dr. Lori Duka për libretin dhe regjinë e gjithçkaje që u prezantua në aktivitet.
Presidenti i Lidhjes, shkrimtari i talentuar Skender Lazaj mori fjalën dhe flënderoi sponsorin Ylli Ujkaj, të gjithë të pranishmit e ardhur nga shumë zona të Veriut të Italisë, të ftuarit, organizimet shoqërore, artistët dhe, sidomos, vajzat e djemtë tanë që na entuziazmuan me recitimet e tyre. Pati një thirrje drejtuar artistëve prezentë, por edhe të tjerëve që na ndjekin përmes publikimeve, që t’i bashkohen projektit tonë, që të kapërcejmë limitet e një organizimi shoqëror e Lidhja vetë të bëhet një tribunë e përbashkët. Lidhur me këtë dëshiroj të shtoj që respektojmë cilindo që preferon të zhvillojë veprimtarinë e tij privatisht. Ne e kemi organizimin tonë prej vitesh. Shumë i janë bashkuar me dëshirë. Natyrisht, nëse individi nuk e gjen veten në të njëjtën kauzë, ndryshon mendim dhe qëndrim lidhur me organizimin shoqëror. Duke qenë një organizim mbi bazën e vullnetit, kritika përjashtohet vetvetiu. Porse e quaj me shumë vend thirrjen, për të përmbushur ambiciet tona, që këtu të mbizotërojë kredoja artistike. Kemi të gjithë nevojë të këmbejmë mendimet tona, dyshimet, të fshehtat, në mënyrë që të fitojnë sigurinë në gjithçka që artistët krijojnë. Përsësris edhe këtu një frazë që e kam shkruar edhe më parë. Të gjithë benda kemi nga një flakë. Nëse këto flakë i bashkojmë, formohet një zjarr i madh, i madh.
Për atë që njeriu ka pasion, bën çmos të investojë dhe ta realizojë. Thonë kronikat që shtatë ditë rrugëtoi Asdreni nga Korça, për të shkuar në Shkodër, që të takonte kolegun Fishta. Themi shtatëqind kilometra rrugë përshkoi Zëvendëspresidentja e Lidhjes, shkrimtarja Mimoza Leskaj, për të marrë pjesë në këtë event. Edhe shtatëqind në kthim.
Mjafton pak që artisti të tregojë se është i ushqyer me dëshirën t’i transmetojë publikut atë që i vlon brenda. Dinamika e lëvizjeve solli këngëtarin bas Artan Lika në një moment kur kishte mbaruar eventi dhe nuk arriti në kohë të prezantohej në skenë. Kur patëm filluar të ngrinim zërat në bisedat me ëmbëlsirat e gotat në duar, një shishe tinëlloi e tërhoqi vëmndjen.
– Ka për të thënë diçka Artani, – na tha Albani.
Menjëherë nisi dueti me këngën “Si dukat i vogël je” nga këngëtarët Anila e Artan. U rrëmbyem të gjithë në kor …