Skifter Këlliçi: Kur diktatori Enver Hoxha e cilësonte Kadarenë “poet korbash” dhe poemën e tij “vepër armiqësore”

Te dielen e tretë të vitit 1975 në gazetën e përjvshme letrare “Drita” duhej të botohej poema e shkurtër e Kadaresë me titull “Në mesditë Byroja politike u mblodh”. Por një natë më parë, kur poema po futej në shtyp, pas një shërbimi jasht Tiranës, në shtypshkronjë u fut Duro Mustafai, kryeredaktori i “Dritës”, që i hodhi një sy të shpejtë lëndës së gazetës dhe u ndal te poema e mësipërme, që ishte derguar ditë më parë nga Kadare në redaksi dhe ishte miratuar nga sekretari i kolegjiumit, kritiku i njohur Abdurrahim Myftiu.

Natyrisht që ai u shty ta lexonte. Dhe në çast mori vendimin që poema të mos botohej, sepse sipas tij kishte… probleme.

Të hënën në mëngjes u organizua një mbledhje e shpejtë e kryesisë së Lidhjës së Shkrimtarëve, ku u thirr dhe Ismail Kadare dhe u diskutua gjerësisht për të metat e poemës së tij.. Dhe, meqë ai mbrojti idenë se poema “Në mesditë u mblodh Byroja” duhej të botohej, u vendos që ajo t’i dërgohej për shqyrtim Ramiz Alisë, shef i Propagandës në Komiteti Qendror të PPSH-së.
Deri atëherë Kadareja ishte kritikuar rëndë më 1969 për botimin në faqet e “Nëntorit “ të novelës “Përbindëshi”, që u hoq menjëherë nga qarkullimi, më 1973 për gabime ideologjike në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, të cilën shkrimtari ynë i madh u detyrua ta ripunonte dhe ta ribotonte disa vjet më vonë, më 1975.
Ramiz Alia e lexoi poemën, e miratoi dhe vendosi t’ia japë për gjykim vetë diktatorit me bindjen se edhe ai do të kishte të njejtin mendim pozitiv si ai. Por nuk ndodhi kështu. Më 20 tetor të vitit 1975 në Ditarin e tij vetjak Enver Hoxha e cilësoi poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, (që më pas u quajt “Pashallarët e Kuq”), vepër armiqësore dhe vetë Kaderenë “poet korbash”.
Siç shprehet në faqet e këtij ditari, veç të tjerash, atë e tmerruan vargje të tilla të kësaj poeme si:
Burokratët janë tjetër gjë,
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm, ho,ho,ho,
Por të kobshëm,
Me duar të përgjakura,
Gjer në bërryle unë i shoh.
Ndaj në ditar për vargjet e mësipërme diktatori shkruante tërë mllef:
” Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”.
Të gjithë këta përbindësh të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata…etj.,”, kanë zyrat, ministritë , Komitetin Qendror dhe e çojnë trupin e revolucionit në varr”. ( Ditari vetjak 20 tetor 1975).

Dhe më poshtë ky i ashtuquajtur vazhdues i veprës së Markit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, duke përdorur një fjalor banal dhe të pështirë të denjë për një rrugaç, e urdhëron kështu lakeun e tij, Ramiz Alia:
“…Përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë”.
Nuk mjaftohet me kaq, por pastaj i sulet dhe vetë Ramiz Alisë, që e kishte dhe ideologun e tij dhe e asgjëson me fjalët përçmuese:
“ Nuk të lejohet të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga figurat dhe pseudomburjret që i bën Enver Hoxhës. Kjo, i them, Ramizit, tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë…Duhet të kesh forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti”. (Ditar vetjak, 20 tetor 1975).

Sigurisht me fjalët “ pikëpamje liberale” diktatori e ka pasur fjalën për Festivalin e 11-të të Këngës në RTVSH, (22-26 dhjetor 1972 dhe dukuri të tjera në fushën e letërsisë dhe arteve, për të cilat i pari kishte pasur përgjegjësi Ramiz Alia, ndaj të cilave kishte marrë masa, deri në burgime dhe internime, kurse ndaj tij vetëm disa kritika, pikërisht për këto pikëpamje liberale që po nxirnin kokë përsëri tek ai.
Sikur këtë poemë ta kishte shkruar ndonjë poet tjetër, pa më të voglin dyshim do të kishte përfunduar prapa hekurave. Por, siç dukej, megjithë urrejtjen, por edhe dhe zilinë ndaj Kadaresë që po përkthehej jashtë vendit nga “shtëpi botuese borgjeze”, siç i quan ai në ditarin e tij, kurse të ashtuquajtura vepra të tij përfundonin në bodrumet e ambasadave ose në koshat e plehrave, të hedhura nga ata të cilëve u ishin dhuruar, Enver Hoxha nuk e mori këtë masë të skajshme kundër Kadaresë.
Dhe kjo, sepse e merrte me mend se personalitete të mëdha të kulturës dhe letërsisë botërore do të ngriheshin dhe do të kërkonin lirimin e mënjëhershëm të të këtij shkrimtari që kishte tashmë popullaritet në shumë vende të botës dhe do ta demaskonin atë si diktator fanatik stalinist. Dhe nuk do të gabonin as edhe një grimë.