SLLAVOMIR BOZHEK ( POLONI ):ROJTARI I DASHURUAR, tregim. Përktheu: ILIAZ BOBAJ

Në një shtëpi bujku, diku në kufijtë lindorë, jetonte një rojtar pyjesh, i cili kishte një palë mustaqe jashtëzakonisht të mëdha. Dhe ishte krenar për to. I shkonin tej mase.
Ky rojtar pyjesh kishte rënë në dashuri me të bijën e pronarit të vet.
Duke kërkuar shkak për ta parë, vriste çdo ditë, në çdo kohë, një numër të madh lepujsh, të cilët i sillte në fermë. ‘’Për të gatuar çomlek’’, i thoshte gjellëbërëses.
Por edhe gjatë këtyre rasteve, nuk e kishte përherë fatin ta shihte zonjushën, pasi ajo ndodhej shpesh në bibliotekë ose ishte duke ngrënë ndonjë gjë në bufe. Shkonte vetëm kur vinin në tryezën e ngrënies kryefamiljarët dhe të ftuarit dhe thartonin fytyrën, duke parë pjatat me mish lepuri. Shpesh herë, e ëma e zonjushës thoshte enkas, duke mbërthyer sytë mbi fytyrën e vajzës: ‘’Prapë ky lepuri !’’
Vajza skuqej dhe ulte kokën.
Rojtari i pyjeve ishte torrollak. Veç kësaj, ndryshimi i shtresave shoqërore, nuk e lejonte t’i afrohej. Deri në ditën kur iu duk se ëndrrat e tij po bëheshin realitet.
Ishte duke shkuar drejt bashtinës, duke sjellë një lepur. Po nuk mori rrugën që të shpinte drejt hyrjes, por u fut anash, nga parku. Vuri re se zonjusha ishte në një hije.
E vetme, fillikat. Duart i kishte vendosur mbi një libër të hapur dhe po mendonte diçka. Flokët i binin mbi ballë, gojën e kishte gjysmë të hapur dhe frymëmarrja i ulte dhe i ngrinte gjoksin me një ritëm të shpeshtë.
Ishte aq i tallazitur nga kjo pamje, sa ishte gati ta linte lepurin ku të mundte, madje edhe ta ngjeshte në ndonjë folezë milingonash, të kapërcente parmakun, të binte në këmbët e vajzës dhe t’i rrëfente dashurinë e tij të zjarrtë.
Pikërisht në atë çast, e zonja e shtëpisë doli nga ferma, e shoqëruar prej shërbyeses, e cila mbante shportën me rrobat e bardha për t’i hapur.
E zonja e shtëpisë donte të mbikqyrte gjithshka. ‘’Pa mbikqyrje, qeni bëhet i egër dhe pa mua shtëpia bëhet një rrëmujë e vërtetë’’, përgjigjej kur i thoshnin se lodhej së tepërmi.
Hodhi sytë përreth dhe vuri re se litarët ku ndernin zakonisht rrobat, kishin mbetur në lavanteri.
-Ejani këtu për pak çaste ! – i tha rojtarit të pyjeve.
Lidhi njerën anë të mustaqes së tij të stërgjatë në një penë, kurse anën tjetër në një pemë tjetër.
-Duhet të thahen sot, – i tha për t’u justifikuar. –Po vijnë re, mund të hedhë rrebeshe nga çasti në çast. Im shoq do t’jua shtojë në pagë shërbimin tuaj.
Mandej i kërkoi shërbyeses të nderte rrobat e bardha në mustaqen e tendosur të rojtarit të pyjeve.
Shërbyesja zbatoi urdhërin, pastaj mori shportën bosh dhe iku.
Rojtari i pyjeve mbeti i vetëm, me mustaqen e lidhur në pemë. Kapelja i kishte rënë mbi sy., kurse në dorë mbante lepurin.
Në një gjendje të tillë, si mund t’i afrohej së dashurës ?
Ajo rrinte ende në ndenjësen e saj dhe vështronte larg, pa luajtur nga vendi, sikur vështronte diçka të papërcaktuar midis qiellit dhe tokës, tej njerëzores, të cilën vetëm zemra e një vajze mund ta rrokë.
Rojtari i pyjeve dëshironte ta shkulte mustaqen edhe nga njera anë, edhe nga ana tjetër. Vetëm se nuk guxonte as të merrte frymë, nga frika se mos e shikonte zonjusha në atë gjendje të vështirë.
Dhe ajo që e shqetësonte, nuk ishte edhe aq fakti që e kishin detyruar të bënte një punë, që nuk ishte, veçse nga më fyeset për një burrë. Atë mund ta pranonte vetëm me një vështrim të saj. Por ato rroba të bardha ishin … të brendëshmet e zonjushës.
I vinte kaq shumë turp, druhej aq shumë se ajo mund të hidhte sytë në drejtim të tij, saqë, duke u lutur që të rrinte sa të mundte më i qetë, qëndronte në majë të thonjve.
Fytyra i qe përskuqur së tepërmi dhe i digjte, i digjte aq shumë, sa, për një çast, lotët filluan t’i rridhnin ngadalë mbi faqet e tij të prushëruara, t’i binin pa zhurmë dhe t’i avulloheshin.
Atëherë zonjusha mbylli ngadalë librin dhe u ngrit. Duke ecur midis ngastrave, shkoi pranë liqenit dhe u hodhi thërrime mjelmave. Sytë e saj nuk kishin ndryshuar, vazhdonin të ishin të menduar dhe vështrimlargët…
E pa se ç’kishte ndodhur me rojtarin e mjerë ?
Vështirë ta marrim vesh këtë gjë. Kush vallë mund t’i deshifronte të fshehtat e zemrës femërore ?
Sa për rojtarin e pyjeve, atë e panë në treg pas dy ditësh, duke shitur lepuj të vrarë.
Kishte një palë mustaqe të stilit anglez, të prera shkurt.
Ato mustaqe të vogla nuk i shkonin fare dhe vajzat qeshnin me të.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here