Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë promovoi në Stamford, Connecticut, antologjinë “Pena e Gruas”. Ky aktivitet letrar dhe patriotik e kulturor bashkoi gratë krijuese, penat e shkëlqyera të mërgatës shqiptare në Amerikë dhe Kanada. Botuar me sponsorizimin e shkrimtares së shquar të letërsisë për fëmijë, Monda Hamitaj, “Pena e Gruas”, ky angazhim i shkëlqyer letrar është një përpjekje kulturore dhe shpirtërore e krijuesve, poetëve e prozatorëve për të promovuar dhe bashkuar krijueset shqiptare në një lidhje të përbashkët letrare me synim për të mbajtur gjallë e zhvilluar letërsinë shqipe në diasporën shqiptare të Amerikës. Nën prezantimin brilant të studiueses Dr. Yllka Filipi, presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Adnan Mehmeti në fjalën e mirënjohjes vlerësoi krijimtarinë e penave të arta dhe theksoi se si Shoqatë Shkrimtaresh jemi krenarë për praninë dhe kontributin e grave krijuese ndër vite, një trashëgimi që ka lënë gjurmë të thella në letërsinë shqipe. Pikërisht nga ky realitet frymëzues lindi ideja për krijimin e kësaj antologjie, e cila u bë e mundur falë punës së përkushtuar të secilës autore, por edhe falë mbështetjes së ndërsjellë që kemi ndarë gjatë gjithë kësaj kohe. Përmes kësaj vepre, Shoqata e Shkrimtarëve dëshmon edhe një herë se është një hapësirë krijuese që jo vetëm respekton barazinë, por edhe promovon talentin, nxit bashkëpunimin dhe ndërton ura të qëndrueshme mes brezash, gjinive dhe kontinenteve.
Dr. Yllka Filipi në fjalën e saj theksoi se polidimensionaliteti i figurës femërore në art e letërsi, ka sjellë një mbivendosje kuantike të shtresave e impulseve letrare të përcaktuara nga rrjedha e shekujve. Grimcat shpirtërore të çdo krijueseje grua të mbivendosura në sistemin kohor që rrjedha e shekujve ka formësuar sipas ndryshueshmërisë së gjendjeve është e ngjashme me valët dhe frekuencat e rrezatimit shpirtëror, asociuar kjo me gjatësinë e një vektori universal, dashurisë për krijimin, si mbi/krijesa e lindur për të krijuar jetën. Ashtu si në ëndërr, nën një aureolë shtojzovallesh, veshur në të bardha, me leshërat e derdhura të një drite qiellore, kapur dorë për dore duke hedhur rreth e rreth vallen e metaforave, vijnë poeteshat që nga lashtësia, pa ndryshuar asnjë fije floku, përkundrazi, duke u bërë më të bukura, më të dhembshura, e pothuajse krejt të pavdekshme, njësoj si Perënditë.
Ambasadore Suela Janina vlerësoi kontributin e krijuesve të diasporës, frymëzimin e tyre, përfaqësimin dinjitoz të femrës shqiptare në mërgatë. Komuniteti shqiptar dhe amerikan duhet të njihet me këtë antologji krijuese me vlera, tha ndër të tjera Ambasadorja Janina.
Studiuesja e letërsisë Dr. Arjeta Kotrri Ferlushkaj në fjalën e saj theksoi se antologjia “Pena e gruas” është një libër me mbi 240 faqe dhe numëron si pjesë të sajën 58 autore shqiptaro-amerikane dhe shqiptaro-kanadeze. Të gjitha janë krijuese, por secila e profilizuar në atë që di të bëjë më mirë dhe ashtu e kanë bërë përzgjedhjen se si të përfaqësohen në këtë antologji: shumica e atutoreve tona janë krijuese në zhanrin e poezisë dhe prozës ndërsa pjesa tjetër e tyre janë më afër publicistikës, recensionit, esese apo studimeve. Teksa shfleton librin, të shoqëron një ndjesi shumë e bukur gjithëpërfshirjeje kur sheh shtrirjen gjeografike të autoreve tona: duke filluar nga New York, i cili zë vendin e parë për nga përfaqësimi, për të vijuar me New Jersey, Pennsylvania, Massachusetts, Florida, Connecticut, Illinois, Washington D.C., Idaho, California, Rhode Island dhe Canada. Çdo pjesë e kësaj antologjie është një eksperiencë me vete, unike dhe autentike: disa të gjalla, të ardhura thjeshtë, disa me të heshtura e të matura, e disa të tjera më reflektive. Janë përjetime që vijnë ndryshe: me ngazëllim, me rebelim, me pikëllim, me mund, me sfidë por edhe me shpresë.
Gazetarja e shquar e “Zërit të Amerikës” znj.Laura Konda në fjalën e saj theksoi se antalogjia “Pena e gruas” është një arritje në dy aspekte. Së pari, ajo bashkon gra krijuese, që kanë sjellë në këtë botim emocionet e tyre të fuqishme me ndjeshmërinë e tyre të dyfishtë si gra dhe si poete. Së dyti kjo antologji ka sjellë bashkë gra krijuese të diasporës, duke e pasuruar letërsinë shqipe me përjetimet e origjinale të jetës së emigrantit. Ky është një botim shumë i veçantë, që kam besimin se do të pritet me shumë interes nga lexuesit shqipfolës.
Dr. Iris Halili në fjalën e lexuar nga poetja Ibadete Humolli Tetaj theksoi se tashmë kemi shkrimtare, poete dhe studiuese femra që botohen nga shtëpitë më të mira botuese, lexohen dhe kërkohen nga lexuesi dhe, mbi të gjitha, kemi një autenticitet të shkrimeve që i kalon nivelet kombëtare. Ndonëse letërsia shqiptare fatkeqësisht nuk trashëgoi nga shekujt e kaluar autore të spikatura, sikurse letërsia angelze, franceze apo amerikane, sërisht shkrimtaret shqiptare shkëlqyen në letërsi, pak a shumë në të njëtjën kohë kur edhe letërsia botërore e femrës po prezantohej si fenomen i mëvetësishëm. Si rezultat letërsia e femrës në Shqipëri i takon në zhvillim të njëjtës fazë kohore sikur letërsia femërore në pjesën tjetër të botës.
Poetja dhe gazetarja Kozeta Zylo në fjalën e saj u shpreh se Antologjia me gratë poete më dha muzë, perëndeshën e frymëzimit ku poezitë e tyre janë si petalet e trëndafilta ndër fllade që sjellin qiellin e shpirtit plot dashuri ndër lexues. Penat e argjendta kultivojnë farërat që aq shumë i kanë çmuar dhe shijuar lexuesit ndër vite.
Kur fillova të shkruaja ndonjë varg të thjeshtë qysh në klasën e pestë ndjeja aromën e metaforave sikur nëna ime që kultivonte farërat e luleve sidomos ato të lule mëllagave shëruese që aq shumë i ka çmuar dhe i mbillte nëpër saksi dhe avllitë me pllaka të shtruara nga mjeshtrit e kalldrëmeve. Ja kështu janë dhe poezitë në këtë antologji me lloj lloj lloj trëndafilash, me më të bukurën pasuri natyrore.
Poetja Valbona Ahmeti në fjalën e saj theksoi se dikur gruaja ishte vetëm një frymëzim apo muzë por tani ajo po i shpalosë vlerat e saj dhe u bë subjekt i fuqishëm krijimi. Aristoteli thoshte: «Të krijosh dmth të jetosh».
Sa më shumë që lexoj dhe shkruaj e kuptoj se arti poetik më së miri e pasqyron botën time shpirtërore! Arti i të shkruarit të fisnikëron dhe librin e bën më madhështor dhe jeton përjetshëm. Poezia, gjuha apo libri janë dy elementet bazë si një urëlidhje për poetet shqiptaro- amerikanë dhe më së miri e dëshmoi kjo «asamble» promovimi i antologjisë “Pena e Gruas”.
Emocionuan të pranishmit me fjalime prekëse, kumtesa dhe deklarata shumë emocionuese:
Ani Gjika , Reshida Çoba , Rita Saliu etj.