Studiuesja Behije Tufa boton librin “Historia, Letërsia dhe Gjuhësia në periudhën historike 1900–2025”

Studimi i autores Behije Tufa, me temë “Historia, Letërsia dhe Gjuhësia në periudhën historike 1900–2025” synon të ofrojë një panoramë të gjerë dhe analitike mbi zhvillimet kryesore që kanë ndikuar formimin dhe pasurimin e identitetit kombëtar shqiptar përgjatë një periudhe më shumë se njëqindvjeçare. Duke u ndalur në ndërlidhjet e pandashme mes ngjarjeve historike, krijimtarisë letrare dhe proceseve gjuhësore, ky studim, i botuar keto dite, trajton mënyrën se si këto tri fusha kanë vepruar si faktorë përcaktues në ndërgjegjësimin dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare.
Letërsia e kësaj periudhe paraqitet jo vetëm si një dëshmi artistike e ndryshimeve shoqërore dhe politike, por edhe si një mjet i fuqishëm për përçimin e idealeve kombëtare dhe për forcimin e identitetit kulturor. Po ashtu, gjuha shqipe shfaqet si një organizëm i gjallë, që gjatë dekadave ka përjetuar reforma, pasurime dhe sfida, por gjithnjë ka mbetur një nga elementet themelore të unitetit kombëtar.
Në këtë kornizë studimore është trajtuar me vëmendje e veçantë edhe kontributi i autorëve peqinas, të cilët, ndonëse vijnë nga një mjedis më i vogël, kanë ofruar krijime të vlefshme dhe studime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë dhe mendimit kulturor shqiptar. Kontributi i tyre përbën një dëshmi të qartë se vlerat e vërteta shpeshherë lindin në hapësira të përulura, por me potencial të pasur shpirtëror dhe intelektual.
Nëpërmjet kësaj përpjekjeje hulumtuese, synohet jo vetëm të analizohet në mënyrë kritike rruga historike e zhvillimeve kulturore dhe gjuhësore, por edhe të nderohet dhe vlerësohet trashëgimia e ndërtuar nga breza të tërë shkrimtarësh, studiuesish dhe krijuesish, të cilët, me veprën e tyre, kanë kontribuar në ndërtimin e një trashëgimie të qëndrueshme dhe të pasur kombëtare.