SULEJMAN MATO: JU TREGOJ PJESËMARRJEN NË MITINGUN E POEZISË SË GAKOVËS, MBAJTUR 44 VJET MË PARË

Poeti Sulejman Mato rrëfen për herë të parë në “Nacional” emocionet që përjetuan bashkë me poetin tjetër Fatos Arapi

S.Mato: Atë mbrëmje unë lexova poezinë “Gratë e Sulit” një poezi e cila u prit me duartrokitje të gjata. Pasi trasmetonte emocionalisht çastin e hedhjes së grave të Sulit në humnerë, për të mos rënë në duar pushtuesve osmanë, turq.Leximin e kësaj poezie ma rekomandoi poeti i njohur, Rrahman Dedaj, i cili kishte ardhur direkt nga Beogradi për këtë takim. Ai na priti në Qafë Morinë(Kukës) me veturën e tij dhe është kujdesur shumë për ne, gjatë gjithë ditëve që shëtitëm nëpër Kosovë, Mal të zi dhe Maqedoni.Fatosi lexoi një poezi për Vlorën e cila u prit me duartrokitje të pareshtura. Sigomos kur Fatosi, para se të lexonte poezinë, u tha të pranishmëve: “Të fala nga Vlora”!

Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj

1.Sulejman, Televizioni I Kosoves rintransmetoi të hënën Mitingun e Poezise së Gjakoves mbajtur në maj 1978, ku kishit marre pjesë ju dhe Fatos Arapi. Cfare emocionesh patët kur e ndoqët veten duke lexuar krahas poetëve të tjerë pjesëmarrës?

-S. Mato: Lajmin për emisionin dhe kronikën për Mitingun e poezisë së Gjakovës, të 44 viteve më parë, ma përcolli përmes face book ut, Xheladini, gazetari i njohur i RTK Kosova.
U gëzova shumë dhe e prita me shumë emocion çastin e bukur, orën nëntë të së hënës që shkoi. Madje, lajmërova dhe disa miq të mi për ta parë, midis të cilëve dhe poetin Sadik Bejko dhe poeteshën Anisa Velaj, e cila sapo ka botuar një libër për mikut tim Fatos Arapi.
Ishte një mundësi jo vetëm për të kujtuar ato ditë të bukura maji, por edhe për të kujtuar miqtë e mi poetë Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Sabri Hamitin, e veçanërisht mikun tim të paharruar, Rrahman Dedaj.
Edhe pse kronika e zgjeruar ishte bardh e zi, unë u riktheva në ato çaste emocionante, kur Azem Shkreli bëri të mundur të bashkonte për të 15-tën herë poetë të mbarë trojeve shqiptare, por edhe nga gjithë ish-Jugosllavia.

2.Si i kujton ato çaste ?

-S.Mato: Entuziazmi i sapektatorëve ishte aq i madh, duke mos mbaruar duartrokitejet, sa mendoj se ky moment ka mbetur më emocionuesi i jetës sime.Kënaqësia më e madhe ishte dhe për faktin që unë ndodhesha atje në emër të poetëve shqiptarë dhe për më tepër në shoqëri me ish profesorin tim e më pas mikun tim të vecantë, poetin e njohur fatos Arapi…

3. Çfarë poezie lexove ti, po Fatosi? A e keni përfshirë këtë poezi në librat tu?

-S.Mato: Atë mbrëmje unë lexova poezinë “Gratë e Sulit” një poezi e cila u prit me duartrokitje të gjata. Pasi trasmetonte emocionalisht çastin e hedhjes së grave të Sulit në humnerë, për të mos rënë në duar pushtuesve osmanë, turq.
Leximin e kësaj poezie ma rekomandoi poeti i njohur, Rrahman Dedaj, i cili kishte ardhur direkt nga Beogradi për këtë takim. Ai na priti në Qafë Morinë(Kukës) me veturën e tij.Rrahman Dedaj, edhe se mbante një post të të lartë aso kohe, është kujdesur shumë për ne, gjatë gjithë ditëve që shëtitëm nëpër Kosovë, Mal të zi dhe Maqedoni.
Fatosi lexoi një poezi për Vlorën e cila u prit me duartrokitje të pareshtura. Sigomos kur Fatosi, para se të lexonte poezinë, u tha të pranishmëve: “Të fala nga Vlora”!

4.Duke qënë si ishit me një protokoll strik, sa mundësi patët të takoheshit me qytetarët e Gjakovës ?

-S.Mato: Ajo natë ka qenë e paharrueshme. Para takimit u ngjitën dy vajza dhe na varën në Xhaketa nga një karafil.

Karafil I kuq kosova
Ç’ndjesi ndeva atë mbrëmje
Se mu duk që në xhaketë
Mbaja dashurinë tënde.

Atë mbrëmje hodha një pozi shpejt e shpejt, por nuk e di nga më humbi, ndërkohë që këtë strofë e regjistrova në mendjen time.
Pas recitimeve na rrethuan gjakovarë të shumtë. Pyesnin për farefisnin e tyre, për të afërit që kishin në Tiranë, Lushnjë, Durrës e Shkodër.I dëgjonim me kujdes, por na vinte keq që nuk i njihnim.
Kufiri midis nesh nuk kishte as mal, as fushë ,as zjarr as det…
Kufiri midis nesh ishte viti iI mallkuar 1913 të.
Pamë edhe qytetin e vjetër të Gjakovës, Çarshinë e famshme. Një qytet poetësh të famshëm ky çdo gur ka një histori për lirinë e Shqipërisë, një qytet i mrekullueshëm, me shumë kulturë, me shumë patriot dhe pak kilomtra larg Tropojës dhe me aq shumë lidhje me të.Gjakova është qyteti i Ali Podrimjes, Din Mehmetit, Besim Bokshit, Teki Dervishit, Kadrush Radogoshit e shumë figurave të shquara të historisë tonë si bajram Curri etj. Kjo i bënte krenarë qytetarët e saj.

5.Si ishte atmosfera pas mbrëmbjes poetike?

-S.Mato: Në mbrëmjen e organizuar pas mitingut, pati një atmosferë shqiptare. Pranë meje u ul poeti Arbëresh Vorea Ujko, për të cilin do të doja të flisja shumë, njëherë tjetër.Plasi vallja dhe kënga popullore. Bisedat e asaj nate duhet të bëheshin me zëra të lartë për ta dëgjuar njeri tjetrin. Përshtypje të veçantë më bëri poeti Jakup Ceraja, i cili këmbëngulte të më merrte veçmas, por shoqëruesi ynë, mik dhe shkrimtar i njour, nuk e la, duke u justifikuar që ishim ishim të protokolluar.Pra, pavarësisht dëshirës, nuk duhet të kalonim kufijtë protokollarë pasi i dëmtonim mikpritësit dhe organizatorët, pasi cdo gjë vëzhgohej nga regjimi i Beogradit.

6.Çfarë të ka mbetur më shumë në mendje?

-S.Mato: Një kujtim të paharruar kam me Ibrahim Rugovën, atëhere ishte student në vitin e fundit në Prishtinë. Mbrëmje. Gjashtë maj.Ibrahimi kishte gati një orë në pritje, para hyrjes së Grand hotelit, në Prishtinë i cili po ato ditë ishte inaguruar.Pasi u përqafuam si të njohur prej kohësh (edhe pse nuk e dija kush ishte), kërkoi që njerin prej nesh, ose Fatosin ose mua ,të na merrte në shtëpinë e tij .Mirëpo, shoqëruesi ynë kishte porositë e veta.
Atëhere po vij me ju, tha dhe zbritëm tek restoranti në katin poshtë hotelit… Gjatë shkallëve i zgjata paqetën me cigare “Diamant” i pëlqeu shumë kutia.
-Apo ma fal mua këtë kuti, më tha.
– Po , i thashë unë, veçse nuk ka shumë fije…
-Ani, më tha, mua më duhet vetëm kutia shqiptare…I ndërruam paqetat. Kur u ulëm në lokal, unë nxora shkrepsen me figurën e Deas së Butrintit…
-Aa, këtë do ma japësh mua, më tha.
Ndërkohë nxorri një cakmak të shtrenjtë nga xhepi dhe ma xgjati para.
-Nuk ka fije, i thashë.
-Ç’më duhen mua fijet, u përgjigj…Unë e mbush me fije…Por dua të kem shkrepse Tirane. Nuk kam ardhur asnjëherë në Tiranë, por ja, me këtë kuti paqete dhe me këtë shkrepse do t’u shes mend të tjerëve.Me Rogovën jemi takuar pas vitit 1990 në Tiranë dhe e kemi kujtuar me mall atë takim. Ishte dhe mbetet një mik i madh dhe shqiptar i madh.
Mund të them se ishte një mbrëmje shumë e paharruar.Në shoqëri me Ali Aliun, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Nazmi e Zejnullah Rrahmanin, Sabri Hamitin, Hasan Hasanin, etj…Të gjithë djelmosha të rinj , të gjithë të lumturuar nga prania jonë aty.Fatosin e kishin idhull…Gjithë bisedat rrotulloheshin rreth poetëve të Shqipërisë, Ismailit, Driteroit, etj. Fatosin e kishin të gjallë, para syve, dhe ishin të lumturuar.

7.A patët rast të takonit Esad Mekulin?

-S.Mato: Të nesërmen takimin e parë do të bënim me poetin veteran Esat Mekuli, moshatar me Migjenin.Para këtij takimi na gjeti në verëndën e hotelit poet i
i ri,aso kohe student, Shaip beqiri. Kishte marrë një aparat fotografik me vete, enkas për të bërë dhe një foto, e cila do të mbetej fotoja e vetme që ne patëm nga ato ditë.
Takimi me poetin e njohur Esat Mekuli, themeluesi i poezisë moderne kosovare, ishte një surprizë e paharrueshme.Biseduam gjatë pasi interesohej për të gjithë shkrimtarët tanë, një nga një.Nuk ishte mirë me shikimin, por sa kishte dëgjuar se kishin ardhur dy poetë nga Shqipëria, ishte gëzuar shumë. Esadi ishte një njeri fisnik, poet shumë i mirë dhe dashamirës me poetët e rinj, të cilët i kishte afirmuar me shumë zell dhe përkushtim.

8. Tani marrja pjesë në një veprimtari letrare në Kosovë është njësoj si të shkosh në Sarandë apo në Shkodër por atëherë kishte vështirësi të mëdha politike, diplomatike etj, si arritët në Gjakovë ?

-S.Mato: Në ato vite kalimi i kufirit për në Kosovë ishte një rast i rrallë. Deri në fillim të viteve 1970 maredhenjet mes Shqipërisë dhe Kosovës kishin qënë të ngrira. Asnjë komunikim, asnjë botim i poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës në Shqipëri. Prishtina nga ana e vet kishte botuar thuajse të gjithë poetët dhe shkrimtarët tanë më të mirë, duke i botuar në formë shumë moderne. Pas vitit 1970 dhe sidomos pas vitit 1974 kur Kosova mori statusin e Krahinës Autonome me varsi dyfishe nga Serbia dhe Federata Jugosllave, komunikimi u shtua, sidomos ai kulturor.
Kishte qenë fillimisht Dhimitri, ndërsa dy vjet më vonë kishin qenë Llazar Siliqi me Agim Shehun, në Metingun e poezisë në Gjakovë. Ishin bërë dy-tre vjet pa marrë pjesë poetët shqiptarë në atë Meting…
Atë vit u mendua të shkonte Driteroi me Fatosin, mirëpo, në çastet e fundit Driteroi u ndal nga instancat lart, pasi ishte antar I Komitetit Qendror që do të thoshte, ishte person politik i rangut të lartë.
Për fat sot kufuri është një formalitet i thjeshtë. Nuk ka më procedurë vizash dhe shkembime shkresash mes ministrive të jashtme për të bërë një vizitë. Ky ëhstë një zhvillim i madh kombëtar.

9.Si shkuan ditët në vijim…?

-S.Mato: Ditët na dukeshin shumë të shkurtra, me takime të shumta, kryesisht me poetë,dhe profesorë të universitetit. Ali Aliu nuk na u nda asnjë ditë. Na shoqëroi dhe në Shkup me makinën e vet, dhe në Ohër.Kosova ishte nën Jugosllavi dhe kufijtë mes republikave ishin të pandarë.Në çdo takim do na pyesnin për gjithcka…Madje, u plëqente dhe gjuha standarde që flisnim ne. Ishin të etur dhe për të folë sa më pastër gjuhën shqipe. Shqipërinë e kishin të gjithë një ëndërr….

10. Azem Shkreli ishte organizator i atij Mintingu por edhe mikpritësi juaj kryesor?

-S.Mato: Po Azemi ishte organizatori kryesor. Një njeri i mirë dhe poet dhe dramaturg i talentuar.Edhe darkën na shtroi Azemi, aso kohe drejtor i Kosofilimit, e cila do të mbetet e paharruar. Atë natë u diskutua për një skenar të tij mbi motivet e dramës së tij “Fosilet” të cilin unë e kisha lexuar.I bëri shumë përshtypje që unë e kisha lexuar. Skenari i ishte refuzuar për shkak të figurës së heroit kryesor, i cili ishte tepër nacionalist.Kur ithashë që ne të kemi botuar në revistë një cikël me poezi dhe i përmenda tra vargje të një poezie
“Tash sa kohë
po don me gdhi
E s’po mundet”?
Kuptoi që jo vetëm ata na donin shumë, por edhe ne i donim shumë, jo vetëm ata botonin krijimtarinë tonë, por dhe ne botonim krijimtarinë e tyre. Ishim si dy degë të ndara por të së njëjtës rrënjë, të të njëjtit trung…

11. Vizita juaj dhe pjesëmarrja juaj dhe e Fatosit në Mintingun e Gjakovës bëhej në një atmoferë disi të veçantë, atë të kremtimit të 100 vjetori I Lidhjes së Prizrenit, me simbolikën e bashkimit kombëtar ?

-S.Mato: Ishte maj i vitit 1978, për pak ditë kremtohej 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe situata ishte shumë nacionaliste, shumë e elektrizuar. Qeveria e Tiranës i kishte dhënë shumë prioritet kësaj ngjarje dhe kjo reflektohej edhe në Kosovë dhe vise, ku episodet më të mëdha të Lidhjes u zhvilluan pikërisht në Kosovë.Poetë shqiptarë të Kosovës nuk e pranonin coptimin e kombit.

12.Po takimet me poetëtë tjerë?

-S.Mato: Të gjithë ato ditë nuk na u ndanë poetët.Ku doni të shkoni? Na pyesnin.
-Në Prizren, te xhamia ku u bë kuvendi i Lidhjes u thamë…
-Ani…Hipni kerrave…
Duam të shohim Batllavën…Liqenin e Batllavës…Duam të shohim Brezovicën me dëborë…duam të shohim muzeun e Shkupit…Duam të shohim Dibrën e madhe…
Gjithë ato ditë i ramë kryq e tërthor vendeve ku jetonin shqiptarët etnikë.
-Dua të shoh Kështellën e Sfetigradir … tha Fatosi.Pasi kam ndërmend të shkruaj një roman për kohën e Skënderbeut. Kështjella ishte katër orë larg, më këmbë, nga Dibra e madhe. Me këmbë e bëmë.U futëm në Fushën e Koxhaxhikut, dhe iu ngjitëm kalasë…Unë hipa i pari…Bëmë dhe një shaka…
Unë hipa I pari. Do përmendem në listat e poetëve si i pari që shkeli barin e kalasë, pasi muret i kishte rrëzuar koha dhe mungesa e interest shtetëror, u thashë unë.
Vizituam edhe Maniastirin dhe pamë ndërtesën ku ishte bërë Kongresi i Manastirit, Kongresi i alfabetit.
Kur po ktheheshim për në Shkup na ndali një mjek, mik i Ali Aliut.Nguli këmbë të na çonte me kerrin e vet në një fshat ku banonin shqiptarë.Na paskishte parë gjyshja e tij në televizor dhe donte të na takonte. Ishte nga Qafësezi i Korcës.Kishte ikur qysh e re…
Na erdhi shumë keq që nuk ia plotsuam dot dëshirën, por, siç ju thashë, ishim të protokolluar.Madje më keq. Para dhe pas nesh vërtitej një veturë e kuqe. Hera na parkalonte, herë e parakalonim.Kur na parakaloi, në një çast na përshëndetën me duar, përzemërsisht…
Mos iu përgjigjni,- na tha Nazmiu…Ata kanë detyrën e vet, ne kemi qejfin tonë…
Kur u kthyem në Shkup Ali Podrimja më dha librin “Dallga e joint” librin tim të botuar gjashtë vjet më parë nga shtëpia botues “Flaka e vllazërimit.” Ishte libri i parë me të cilin hapte serinë e botimeve ajo shtëpi botuese.

13.Bëtë edhe një vizitë në shtëpinë botuese “Rilindja”?

-S.Mato: Të nesërmen vizituam shtëpinë botuese “Rilindja.” Pas takimit të rastit u futëm në magazinë. Çfarë të shihje.Botime të polota të shumë autorëve shqiptarë. Na falën serinë e botimeve të plota, katër vëllime të Migjenit, 4 vëllime të Sterjo Spases, 4 vëllime të Asdrenit, 6 vëllime, vepra e plotë e gjuhëtarit të shquar Eqerem Cabej ,etj. Ishin botime tepër cilësore…Ishte botuar antologjia poetike me titull: “Epikë”, me pjesëmarrjen e poetëve të dashur në Kosovë si Xhevahir Spahiu, Ndoc Paplekë, Hamit Aliaj dhe Skënder Buçpapaj, “Rilindja” , Prishtinë, 1975

Sterjo Spase, krenohej me botimin e tyre. I mbante në bibliotekën e tij si dhuratën më të cmuar.

14. Në një studim timin për botimin në Tiranë të poetëve shqiptarë të Kosvës , vlerësoj së kjo poezi e cila shkruhej në një vend me liri më të mëdha estetike dhe më të hapur me kontektet ndërkombëtare, luajti një rol një modernizimin e poezisë shqiptare. Kjo mendoj se ndjehet se poezinë tënde, të Anton Palekës, Skëndër Bucpapajt, Hamit Alisë, Sadik Bejkos, Moikom Zeqos, Frederik Rreshpjes etj. Si mendoni Ju?

-Kjo është e vertëtë. Duke filluar nga viti 1970 edhe ne, nisëm të botonim libra të autorëve shqiptarë të Kosovës, kujtoj tani krijimtarinë e Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Rahman dedës ,Din Mehmeti, Besim Bokshi, Eqerem Basha, Agimm Vincës, Hajredin Gungës, etj, nën kujdesin e redaktorit Pandeli Koci.
Poezia e tyre ishte paksa hermetike, imazhiste, gjë tepër e ndaluar në poezinë tonë.Por, poezia e tyre sido me një simblokë të thekur ishte e lidhur me traditën më të mirë të poezisë botërore.Një poezi më e kulturuar, më fine, shumë metafrike dhe larg ndikimeve skematike të letërsisë sonë e cila zbatonte realizmin socilast vulgar stalinist. Kjo poezi krejt natyrshëm ndikoi tek poetët e brezit 1970 në Tiranë por edhe tek të rinjtë që erdhën ma vonë.
Në atë kohë unë solla në Shqipëri disa poetë botërorë, mbi të jgithë u prit me shumë interesim poezia e Frederik Garcia Lorka. Para se të njiheshim me poezinë e tij ishim njohur me pak përkthime të poezive të Lorkës, botuar në revistën “Nëntori” nga shkrimtari Petro Marko. Libri që solla kaloi dorë më dorë. Fillimisht e rrëmbeu poeti Moikom Zeqo, i cili nuk e ndau nga dora gjersa dhe vet nisi të krijojë një poezi që i afrohej shumë konceptimit figurative të këtij poeti të madh. Lorka mori në qafë dhe shkrimtarin e ri të asaj Kohë Thanas Dino, i cili pasi e mbajti ca ditë në duar, kur shkoi me pushime në Dhërmi, u kthye me disa poezi të bukura, jo për kohën, njera prej të cilave ishte ‘Unë jam fik deti” e cila si shpërblim, e hoqi nga Lidhjsa e Shkrimtarëve dhe e çoi për riedukim , mësues , në fshatin Nivicë të Gjirokastrës. Në ato vite nga pikëpmja estetike degët e poezisë tona ishin si dy degë të ndryshme, ajo e Kosovës rritje në një liri të pakufizuar estetike, kjo e jona zhvillohej në kushte të rrepta ideologjike dhe artistike.Prandaj botimet në Tiranë shoqërohehsin me okelion: “Letërsi nga Kosova”, për të thënë se nuk ishte letërsi e realizmit socialist.
Megjithatë, poetët e viteve shtatëdhejtë, midis tyre F.Reshpja, Xh,Spahiu, S.Bejko, M.Zeqo, .R. Marku, N.Papleka S. Buçpapaj etj, e lexonin fshesheurazi këtë poezi të botuar matanë kufirit dhe kjo gjë për mendimin tim ka luajtur një rol të rëndësishëm në poezinë e poetëve më të mirë të atyre viteve
Mbi të gjitha, poetët tanë dhe ata kosovarë krijuan lidhje përsonale, të ngushta dhe vëllazërore.Fatos Arapi dhe Xhevair Spahiu ishin ndër të parët që krijuan koto lidhje, por midis nesh ishin dhe poetët e shquar kosovarë si Agim Gjakova, Adem Istrefi, prozatori Sulejman Krasniqi, të cilët ndikuan në këto njohje dhe këto miqësira.

15.Çfarë emocionesh përjetuat sot pas 44 vitesh si pjesëmarrës në Mitingun e Gjakovës, ndërsa patë atë kronikë të zgjeruar ku lexuat poezitë tuaj edhe Ti dhe Fatos Arapi ?

-S.Mato: Sot ,pas 44 vjetësh, duke parë këtë video të Mitingut të poezisë në Gjakovë jam shumë i emocionuar. Për herë të parë në Gjakovë dhe Kosovë me vellezërit e mij poetë të Kosovës, për herë të parë t’i drejtohesha një publiku aq të emancipuar dhe të kulturuar si ai i Gjakovës krenshike, sa për të degjuar poezitë tona me aq interes, me aq shije dhe ndjesi, për herë të parë përjetova aq thellë dhimbjen e ndarjes së padrejtë të kombit. Isha edhe i ri dhe ëndërrimtar.

Nga ana tjetër sa emocione përcillte poezia e poetëve nga të dyja anët dhe me sa dashuri takoheshim dhe shkëmbenim mendime në ato vite të vështira.Është një traditë e cila, për cudinë tonë, pas viteve nëntëdhjetë në vend që të çohej para, ka mbetur në vend…S
Pastaj ndjeje shumë mall pasi shumë nga ata poetë të njohur të viteve shtatëdhjetë nuk jetojnë më…
Por poezia e tyre jeton. Poezia e Fatos Arapit e Azem Shkrelit e Din Mehmetit e Ali Podrimjes e Rahman Dedës etj, jeton dhe do të jetojë për shumë kohë se ishin ato vite të cilat mes vështirësive lulëzoi nga të dy anët e tokës abënore.

16.Mitingu i 58-të i poezisë së Gjakovës mbahet këtë maj i braktisur nga qeveria e Kosovës dhe komuna e Gjakovës, duke mos i dhënë asnjë fond?

-S.Mato: Unë shpresoj që kjo traditë e mirë të vazhdojë edhe më me forcë, me poetë të tjerë të talentuar të kësaj toke arbnore, pasi poetët nuk i kanë munguar kurrë kësaj toke dhe nuk do t’i mungojnë as në të ardhmen. Shpreh keqardhje që autoritet e Prishtinës dhe Gjakovës nuk i kanë dhënë asnjë euro organizimit të këtij mitingu poetik me shumë traditë, më shumë histori. Mendoj se ësht një gabim i madh, ndërsa ky manifestim është mbajtur edhe në robëri duke luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e ndjenjës kombëtare tek shqiptarët, tani që Kosova ka shtetin e vet ta braktisë atë pa asnjë vrasje ndërgjegjeje, nuk është gjë e mirë. Qeveritë që e kanë mendjen më shumë tek tenderat se sa tek kultura nuk kanë të ardhme.
-Ju faleminderit!
-S. Mato: Faleminderit prej gazetës “Nacional” që më dha mundësi të ndaja me lexuesit e saj emocionet e Mitingut të Gjakovës, plot 44 vjet më parë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here